Kosovë , urime pavarësia!

Në rrugëtimin e gjatë prej më shumë se një shekull,Kosova me 17 shkurt shënon dhjetë vjetorin e pavarësisë. 

Hiç më larg se dy dekada populli i Kosovës gjendej para shfarosjes, në sytë e botës luhej tragjedia ç'njerëzore në Ballkanin e përgjakur.

Atëherë me gjithë lëvizjet popullore për liri dhe pavarësi,me gjithë luftën çlirimtare me gjithë bagazhin intelektual që të dilej kundër një armiku shekullor,prapë ka qenë në pikëpyetje shtetbërja pasi që historikisht kemi kaluar në tragjëdi të mëdha ku është kanosur qenësia shqiptare.
Me 1999 më shumë se një milion shqiptarë që morën rrugët e botës asnjëhere nuk e menduan se do ktheheshin përsëri.

Ata që mbetën brenda iu nënshtruan torturave dhe masakrave të regjimit serb,burgjet ishin të stërmbushura me robër shqiptarë,mbi trupat e të cilëve bëheshin eksperimente  ç'njerëzore, qytete e fshatëra u shndërruan në shkrumb e hi dhe nuk mund të gjeje as edhe një shpresë të vetme në tokën e vuajtun ku errësira dhe mizoria ishin mishëruar.

Sot shteti i  Kosovës është rezultat i mijëra nxënsve dhe studentëve që në kohën e regjimit serb ngritën zërin para syve të botës pa patur frikë,është rezultat i punës së shejtë të mësueseve dhe profesorëve të cilët bënë çmos që ta ruajnë gjuhën shqipe dhe ta kultivojnë dijen n'ato kohë të errëta,është rezultat i punës humane të mjekëve që rrezikuan jetët e tyre për të ndihmuar të plagosurit dhe të sëmurët,është rezultat i klasës intelektuale të cilët shkrinë jetën për ta ngritur para botës çështjen shqiptare; 
është  rezultat i gazetarëve që nuk ngurruan ta thonë  të vërtetën, eshte rezultat i artistëve që përmes veprave shpalosën  vuajtjen dhe qëndresën.

Është rezultat i diasporës shqiptare që nuk ndaloi kontributin asnjëhere duke e ngritur zërin deri në institucionet më të larta diplomatike botërore.
Është rezultat i familjeve të mëdha shqiptare të cilat u vetflijuan.
Si familja Jashari, Haradinaj,Pajaziti,Ramadani e shumë e shumë të tjera.
Është rezultat i trimave dhe trimneshave që u flijuan për atdheun.
Pavarësia e Kosovës është rezultat e këtij populli shpirtlirë që nuk pranoi robërine nga asnjë pushtues. Dhe kur bota pa qëndresën tonë atëhere fituam miq që dhanë kontribut për krijimin e këtij shteti.
Sot Kosovën e kemi, e jona është që të punojmë e të ngrihemi ballë lartë në mesin e popujve të qytetëruar.


Jahja Lluka

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)