“Rrugëtimi Fatal”: “ godet fuqishëm në ndërgjegjen tonë, për të na e përkujtuar edhe njëherë se sa shumë, sa gjatë e sa padrejtësisht ka vuajtur ky popull, se sa shtrenjtë e ka paguar e sa shumë është flijuar, për të jetuar i lirë dhe sovran në tokën dhe nën qiellin e tij. Libri, edhe njëherë, na i përkujton përmasat e sakrificës dhe të flijimit, që ka bërë popull shqiptar, për lirinë e vet dhe të vendit të tij, ndër të cilët është edhe i vëllai i vet autorit , Xhemail Blakaj, icili edhe vdes në burg pas torturave çnjerëzore.
…Muharrem Blakaj, nëpërmjet rrëfimit në librin e tij, do të na evokojë episode dramatike betejash të zhvilluara në ato anë. Aty do të shohim një galeri të tërë luftëtarësh trima e të patrembur, përleshje të përgjakshme e rënie heroike. I tëri rrëfimi është autentik, është dramë e jetuar nga njeriu i asaj treve, i cili gjeti fuqi që të përjetësojë në veprën e të tij, dramën familjare dhe dramën e një pjesë të madhe të popullatës prej nga vjen.
Ndërsa autori M. Blakaj, përshkoi në pika të shkurta rrethanat nën të cilat vdiq i vëllai i tij, në burg pas torturave çnjerëzore që ishin ushtruar ndaj tij Blakaj shtoi se libri nuk është bërë kundër askujt dhe se tash kur e kemi fituar edhe luftën nuk kemi për qëllim hakmarrjen.
Në këtë temë u ndërlidh, Mustafë Xhemaili, i cili pasi përmendi se libri është një dëshmi historike, tha se Muharrem Blakaj edhe me këtë rast edhe si njeri, familjar e shkrimtar ka arritur të ruajë aspektin human, por se ligjet duhet të veprojnë dhe të dënojnë krimet. Jo vetëm në këtë rast, por edhe në rastet tjera që nga viti 1945, ligjësia duhet të merr rolin që i takon. Ai shprehi kënaqësinë që më parë ishte redaktor i tri romaneve të këtij autori.
Ndërsa, Sali Sefaj pasi përmendi se konsullata do të jetë përherë në shërbim të krijueseve, si edhe në këtë rast, duke përkujtuar se kur është vra Xhemail Blakaj ai vet ka qenë duke vuajtur dënimin në burgun e Leskovcit dhe se kjo vrasje e ka shqetësua shumë edhe atë me shokë. Sefaj shtoi se autori, ka treguar jo vetëm trimëri por edhe burrëri kur i është qasur shkrimit të një libri të tillë. Ndërsa, veprimtari, Nysret Hajdari, tha se librin e ka lexuar dy herë dhe se vet Muharrem Blakaj edhe me romanet e mëparshme e edhe me këtë libër mbetet një lule e pavyshkur , sepse para se të shkruajë për familjen e tij, rrëfen për fatin e popullit të vet. Në bisedë u inkuadruan edhe disa nga të pranishmit tjerë në këtë promovim.
Libri monografik ka 186 faqe, përfshinë shumë faksimile, dokumente autentike dhe fotografi figurash që u flijuan për liri. Redaktor gjuhësor ishte, Sulejman Dërmaku, ndërsa realizimin kompjuterik e ka bërë Skënder Hajdari, ballinën Vigan Tafili, ndërsa shtypin “Dukagjini” i Pejës.