2018-02-26

Sapo doli nga shtypi ribotimi i romanit “Paraardhësit” të Muharrem Blakajt

Ky romansier i spikatur në Zvicër, që ka botuar katër romane, thotë se mesazhi i “Paraardhësit” është: edhe pse populli shqiptar me shumicë ka përqafuar fenë islame, nuk e ka ndryshuar identitetin e tij kombëtar,- Blakaj, si edhe shkrimtarë të tjerë të suksesshëm në mërgatë, nuk kanë zënë vend të duhur as në shoqatat e shkrimtarëve e as në mediat e vendeve të prejardhjes, të shpresojmë « Paraardhësit » do ta thyejnë këtë tabu!

Nga Rexhep Rifati


Gëzon fakti se njëri nga prozatorët më të frytshëm e më cilësor, Muharrem Blakajt, sapo ribotoi romanin “Paraardhësit” botim i II-të ky nga shtypshkronja “Rozafa”, që sipas kolegut e shkrimtarit, Gani Mehmetaj: Jo vetëm që ka intrigë, por edhe : “që shquhet për veprim dramaturgjik të përshpejtuar, të mbanë pezull e të le pa frymë, sa që e ke vështirë ta lësh në gjysmë leximin.
Më ka fascinuar aftësia e depërtimit në botën e intrigave e të veprimeve të personazheve, më ka pëlqyer paraqitja e atmosferës, e lojës me detajin e zhvillimit paralel të ngjarjeve, veçmas më ka fascinuar shkalla e njohjes së botës së tyre ideologjike e të mendësisë. Ende nuk kam lexuar shkrim të gjatë apo prozë që e njeh aq thellë mentalitetin, psikologjinë por edhe fenë islame në atë shkallë”.

Ky vlerësim dele nga penda e një shkrimtari që jeton në Kosovë, ndërsa ne që jetojmë në një sht
et perëndimor, në Zvicër, me Muharrem Blakajn njohim mjaft mirë vlerat e tij jo vetëm si shkrimtar por edhe si njeri e atdhetar.

Do theksuar se Muharrem Blakaj, në Zvicër ka migruar për shkaqe politike. Por, pikërisht këtu e ka intensifikuar veprimtarinë e tij krijuese, veçmas me shkrimet në prozë. Brenda pak vitesh ka nxjerr në dritë 4 romane mjaft voluminoze: “Misioni sekret”, “Thesaret e humbura” , “Atentat brenda germës L” dhe “Paraardhësit”. E së voni edhe librin monografik “Rrugëtimi Fatal”.

Për të mësuar sado për jetën dhe veprën e këtij krijuesi të zellshëm, për lexuesit e portalit tonë prointegra.ch , zhvillova një bisedë me Muharremin:


Burgosja dhe koksifikimi dorëshkrimeve

Romansieri Blakaj, tregon se derisa ishte në Kosovë pati shumë peripeci nga okupuesi serb. Sepse, ata nuk i pengonte vetëm veprimtaria e tij politike, por edhe krijimtaria artistike. Ndaj edhe gjatë bastisjeve në shtëpinë e tij, ia konfiskojnë të gjitha dorëshkrimet, të cilat nuk iu kthyen asnjëherë. Kështu e shpjegon dashurinë e tij për letërsi e art:

– Letërsinë e kam pasur në qejf që në fëmijëri. Në shkollë të mesme policia më pati marrë në pyetje disa herë për shkak të hartimeve të mia me përmbajtje paksa «kryeneçe». Kam shkruar shumë në atë kohë. Kur në vitin 1979 më burgosën, mi morën të gjitha shkrimet që i kisha. Unë kam vazhduar të shkruaj. Por në vitin 1986, kur më burgosën sërish, mi morën sërish të gjitha shënimet. Kësaj here në mesin e teksteve të konfiskuara ishin edhe dy novela të mira («Besa» dhe «Balta me gjak») që i pata shkruar në atë kohë. Duke qenë se përmbajtja e teksteve të mia letrare kishte përmbajtje «subversive», siç vlerësonin në atë kohë. Në fakt ato kishin subjekt patriotik, ndaj edhe nuk kam mundur t`i botoja në atë kohë.
Hapja e dyerve në Zvicër

Nga ajo që thotë, Muharrem Blakaj, vetëm me ardhjen e tij në Zvicër gjeti fushëveprim të përshtatshëm:

-Deri me ardhjen në Zvicër nuk kam pasur rast të botoja ndonjë gjë. Këtu në fakt gjeta dyert e hapura për veprimtari të lirë. Vendimi për të lëshuar Kosovën dhe ardhur në Zvicër ka qenë shumë dëshpërues për mua. Pas një kohe të kaluar në burgje dhe pasi ma mbytën vëllain, Xhemalin (në burg politik), dhe unë po detyrohesha të ik dhe të marr familjen. Pra, brenda dy vitesh në familjen tonë po mbeteshin vetëm dy pleqtë, shpjegon historinë e dhembshme të familjes së tij ky autor, i cili ndërkaq që në veprat e tij përshkruan fatin e dhembshëm e tragjikë të shumë familjeve shqiptare.

Nga «Misioni sekret» deri te «Rrugëtimi Fatal»:

As rrethanat në Zvicër nuk i ofronin mjaft «brumë» për thurjen e prozës se tij që «kapte» disa tema nga realiteti ynë i hidhur, për këtë shkak edhe i duhej hulumtuar e gjurmuar shumë. Sepse për të parë dritën, sidomos tri romanet : «Misioni sekret», “Thesaret e humbura» , «Atentat brenda germës L» lypsej një qasje përplot gjurmime, qoftë duke hulumtuar dokumente, komunikuar me njerëz që ishin njohës të disa ngjarjeve dramatike të cilat shtjelloheshin në veprat e tij, që ishin të veshura me një vel sekreti. Sepse, veprat e tij sikur të çojnë edhe labirinteve më të errëta të regjimeve sadiste serbo-jugosllave dhe aparateve të saj të dhunës, siç ishte edhe UDB-a famëkeqe. Tematikë e letrave të tij janë kurthet dhe atentatet e kurdisura kundër patriotëve të shquar shqiptarë, përfshi edhe ata në mërgatë, siç Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka («Atentat brenda germës L»). Apo edhe përpjekjeve që ndërmerrte shërbimi sekret serb për ta mposhtur rezistencën e popullit shqiptar të Kosovës. Po ky regjim shtrinte rrjetin e tij edhe jashtë vendit, duke përgatit e kamufluar bashkëpunëtorë për ti dhënë një goditje sa më të madhe mërgatës sonë politike në shtetet perëndimore («Misioni sekret»).


Subjektet me përmbajtje policore

Në pyetjen se çka e ka shty që romanet e tij të kenë një përmbajtje kriminalistike e policore, ndonëse ato nuk janë tipike policore, Blakaj u përgjigj :

-Është fakt se në letërsinë shqiptare ka mungesë të kësaj proze, porse qëndrimi në burgje, mënyra e zbulimit që shërbimi sekret ish jugosllav i bënte veprimtarisë sonë, më ka lënë përshtypje të thella. Mund të them se ky shërbim ka qenë mjaft i fuqishëm, sidomos kundrejt veprimtarëve politikë shqiptarë. Nga ana tjetër ne, shqiptarët nuk kishim njerëz që do të punonin në veprimtarinë kundër-zbuluese. Dhe kjo më ka motivuar në një mënyrë t`i përkushtohem kësaj proze,- thekson Blakaj për të shtuar se:


-Kam lexuar edhe prozë policore të përkthyer ashtu si dhe vepra të tjera kushtuar veprimtarisë së spiunazhit në nivel botëror dhe shqiptar. Një nga veprat e pakta të letërsisë shqipe me këtë subjekt është romani i Nasho Jorgaqit «Mërgata e qyqeve”. Por rastet e rënda të dëmeve që ka shkaktuar në lëvizjen shqiptare shërbimi i zbulimit serb më kanë motivuar më shumë. Këtu hyn gjithsesi edhe rasti i vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Për këtë tragjedi të rëndë edhe sot e gjithë ditën kemi thashetheme të ndryshme, të gjitha të nxitura nga shërbimi sekret serb, jugosllav i asaj kohe. Në të katër romanet kam marrë subjekte që kanë në ndonjë mënyrë përmbajtje policore ose kriminalistike, por që nuk janë romane tipike, klasike policore. Ndërkaq që segmenti kriminalistik vetëm përvijohet në veprat e mia, si rezultat i njohjes dhe preokupimit tim me këtë segment,- konstaton shkrimtari.

Vahabizmi që rrezikon traditën

Nga autori mësojmë se ai edhe në librin e tij, «Paraardhësit» , si temë trajtimi ka një rrymë fetare që po përhapet edhe në trojet shqiptare, porse që edhe aty ka një personazh (serb) i cili punon nga prapavija për të vënë shqiptarët në lidhje me ekstremizmin islamik, duke i njollosur ata, pa dijen e tyre. Sa i përket tematikës së romanit autori nënvizon:

-Është fjala për vahabizmin ose silifizmin, që, siç kemi parë kohëve të fundit po rrezikon traditën tolerante të besimit te ne. Mesazhi i romanit: edhe pse populli shqiptar me shumicë ka përqafuar fenë islame, nuk ka ndryshuar identitetin e tij kombëtar. Ai ka përvetësuar vetëm fenë, por nuk ka përvetësuar mentalitetin arab ose tjetër, por e ka ruajtur thelbin etnik të vetin në çdo aspekt. Madje ne si shqiptarë nuk kemi zbatuar asnjëherë as të drejtën islame (sheriatin), ndërkohë që edhe sot e gjithë ditën shohim zbatimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit (ose kanuneve në përgjithësi), që vjen nga periudha paraislame,- konstaton autori.

Dy ditë më parë, në një ndejë kafeje, miku im Muharrem Blakaj, pasi i urova ribotimin, tha se falënderoj gjithë ata që janë marrë me librin, si redaktorët , recensentët dhe botuesit, e në veçanti Skënder Hajdarin, që ka bërë përgatitjen teknike të librave të tij.

Prozatori Blakaj, pas botimit të katër romaneve, botoi edhe një libër monografik, ku përshkruan përmasat e sakrificës e të flijimit të popull shqiptar, për çlirimin e vendin të tij. Libri me emërtimin «Rrugëtimi Fatal» përshkruan përmasat e sakrificës dhe të flijimit të popull shqiptar, peripecitë deri në ekzekutim të vëllait të tij Xhemail Blakaj, i cili edhe vdes në burg pas torturave çnjerëzore. Autori Blakaj, dallon edhe me shkrime më të shkurta në prozë, pasi është edhe lëvrues i mirë i tregimit.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...