Midis poetësh…(Poezia dhe politika)

Related image

Prof.Dr.Shyqri Galica,Ph.D

Në kohën kur Republika e Kosovës ishte në fazën e pavarësisë, në shtetin më të veçantë të Evropës, në një orë mësimi po merrte pjesë dhe Presidenti i saj: Nikola Sarkozi. Bota po ndiqte me vëmendje një paraqitje shumë të rrallë – në një shkollë të Francës, në një hartë para nxënësve, ai po prezantonte shtetin më të ri të botës – Republikën e Kosovës.


Vërtet, kjo ngjarje kësisoj nuk pritej as në Republikën e Kosovës e askund ku ka jo vetëm shqiptarë, por ishte një çast kur para botës shteti i demokracisë dhe i kulturës po deklaronte një të vërtetë që është dhe një dëshmi se Republika e Francës është shteti që ndihmoi të arrihej liria dhe të ndërtohet shteti i ri, Republika e Kosovës. Ndaj, në asnjë çast çdo shqiptar nuk do ta harrojë as ndihmesën e Francës, as kumtin e jashtëzakonshëm që dha Presidenti i saj, zoti Sarkozi.

Pra, ai çast ka qenë dhe një akt frymëzimi i jashtëzakonshëm i krijuesve dhe sidomos i fëmijëve që lidhej në mënyrë imediate me proceset që po ndodhnin në vendin e tyre dhe Pavarësinë e shumëpritur për të cilën derdhën aq shumë gjak breza të tërë.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe një kompleks jetësor që po realizohej si një veprim i domosdoshëm i popullit shqiptar, si një proces dhe vetëdije e ndërtuar nga rilindësit që vepruan në shek. XIX brenda e jashtë trojeve shqiptare.

Në këtë takim jo të rastësishëm në Francë, ku ndodhen shkrimtarë nga vende të ndryshme të botës, të tillë që kanë përjetuar katrahura dhe të tjerë që ndeshen dhe sot me to, të tillë që do të kenë dëgjuar për një shtet të ri, për Republikën e Kosovës dhe të tjerë që dëgjojnë për të parën herë, shpresoj se tani e në të ardhmen do të kenë mundësi të japin ndihmesën e tyre për ta njohur këtë vend, Republikën e Kosovës, por gjithsesi edhe për ta vizituar në cilindo rast.

Pa dyshim, poezia është njëri nga mjetet e preferuara të politikës, do të thosha të jetës, të jetës sonë të trazuar që është e veçantë, madje e veçantë nga mjedise të tjera. Ky shqetësim artistik përbën thelbin e jetës, një mesazh që bartet aq thjesht e aq këndshëm dhe futet në poret më të thella… futet aty ku është dashuria, por ndodhet dhe aty ku mbizotëron mizoria!

Në këtë rrjedhë prandaj do parë dhe konceptin e krijimit poetik dhe të politikës, sepse, siç do të thoshte nobelisti francez Sen-Xhon Pers, “…poezia, para së gjithash, është mënyrë e jetës – dhe në të vërtetë mënyrë integrale e jetës.” Po kështu këtë digë të realitetit e ka ndjekur dhe vetë historia nga antika deri sot si paraprijëse e proceseve jetësore, që, siç vë në dukje poeti tjetër i Francës, Pjer Zhan Zhuv, “poezinë duhet trajtuar si strukturë organike të mendimit” dhe në këtë kontekst si një shigjetuese të aspiratës për lirinë e njeriut në cilësinë e një ushtari që nuk ndalet pa arritur qëllimin, ose pa i dhënë fund më të shtrenjtës, jetës.


Krijimtaria poetike është një segment dinamik i artit dhe refleksionet e saj tallaziten gjithashtu ndryshe nga artet e tjera, varësisht nga forma e përçimit te receptuesi. Poezitë e transmetuara nëpërmjet valëve të Radios-Kosova e Lirë, sidomos gjatë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa dyshim kanë qenë një erë ngrohëse e shpirtrave luftëtarë që ishin në front për lirinë e atdheut dhe gjithsesi e popullit që po qëndronte midis kudhrës e çekanit. Ishin çaste kur luftohej për jetë a vdekje, por dhe momente kur pritej nga qarqet politike të botës demokratike për një vendim, kurse luftëtarët shqiptarë në istikame të luftës, madje po gjenin edhe frymëzimin për të krijuar dhe për të qëndruar heroikisht. Kjo atmosferë ndërmjet luftës për liri, që lidhej me politikën, dhe krijimtarisë poetike të atyre që ishin drejtpërdrejt në front dhe të tjerëve që ndodheshin jashtë luftës, bëri që të krijohen vlera të tilla letrare që shënuan historinë kombëtare dhe preokupimet që ka bota për lirinë. Mbase ishin krijime të tilla që rrezatonin nga frontet e luftës, nga sakrificat e jashtëzakonshme që po bënin luftëtarët, shumë nga të cilët skuqën tokën për lirinë e atdheut.

Por vite të tëra, politika pushtuese e Beogradit po sensibilizonte masën e gjerë nëpërmjet një propagande shfrenuese, e cila po krijonte urrejtje të paparë midis popujve. Mediet ishin politizuar skajshmërisht, madje kishte arritur deri aty sa dhe vetë poezia të politizohej, gjithnjë duke pretenduar se fjalimet e ditës mund të zhdukeshin bashkë me vesën e mëngjesit, kurse ndikimi i artit ishte i një natyre tjetër. Ndaj përpjekjet për të formuar diçka shumë më të rëndësishme se mesazhet politike të ditës, nuk lanë pa angazhuar tej mase gazetarët e poetët për të ushqyer nacionalizmin, madje në të gjitha nivelet.

Ky veprim milosheviqian nuk kishte si të përfundonte ndryshe, pos ashtu siç përfundoi, me ndëshkimin nga bota demokratike, sepse, siç do të thoshte poeti i madh Elyar:

“Na jepni një pushkë në dorë
Që të vdesim kundër vdekjes!”

Ndërkaq, poeti më i madh shqiptar, Dritëro Agolli, ndër të tjera, do të “alarmonte” publikun liridashës:

“Ah, të çlirohej vetëm me vjersha Kosova,
Unë e çliroja i pari, mua lavdia më ndriste të parin.
……………………………………………………………………..
T’i qeshte Kosovës vetëm nga vjershat liria dhe fati
Unë do bëja me vargjet kërdinë e hatanë…”

(“Fushë-Kosovë”)

Ky mesazh artistik shtrihej tejetej jetës së ngarkuar me mizori, prandaj veprimet paqësore po humbnin kuptimin e tyre dhe njerëzit e arsyeshëm po vepronin ndryshe. Pikërisht këto vargje të poetëve Elyar e Agolli tumirin mendimin e luftëtarëve të lirisë se vjen një çast kur politika duhet të veprojë për t’i dhënë udhë jetës, sepse shtypja e terrori duheshin përfunduar.

Por ishin dhe çaste që lidheshin me raporte të tilla që po krijonin strukturat politike botërore, shtetet dhe figurat, të cilat poetët do t’i bëjnë të pavdekshme në vargjet e tyre, kurse artistët e tjerë në forma të ndryshme.

Mbase çasti që cekëm në fillim me presidentin Sarkozi do të ketë provokuar veçanërisht shumë fëmijët dhe mësuesit, por gjithsesi dhe krijues të tjerë, sepse bota komplekse e artistit provokohet nga çaste jo të rëndomta, nga situata të jashtëzakonshme dhe nga aspekte që bartin mesazh më jetëgjatë.

Ky takim poetësh është i veçantë dhe për një arsye tjetër: nëse do ta quanim politike edhe në këtë kontekst – atëherë kjo është vërtet politike po, por politikë konstruktive dhe jo demagogji, sepse është shpirti më i kristaltë nga buron mendimi, nga rrjedh veprimi dhe nga artikulohet mesazhi.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)