DANIEL GAZULLI DHE “SOFRA E MADHE” E ADRIATIKUT


12 NANDOR 2012… 6 VJET…/



DETI ADRIATIK/

Nga Fritz RADOVANI/

Shumë vite perpara kishe ndigjue nga pleqtë per këte “sofer”. As nuk e kishe idenë e madhsisë së saj e, sa per thellësi, as që më shkonte mendja, veç me dashtë me rrejtë!E se, do të vij dita me shkrue per Te, as kjo nuk me ka trokllue kurrë nder tru!Rrezet e prarueme të diellit mbi siperfaqen e Adriatikut i kam adhurue gjithmonë… Po, asnjëherë nuk kam mendue se ku mund të depertojnë ato rreze që vezullojnë si ari. Në dukje të rrenë mendja se jemi para një misteri ! – Jo, jo… Sa ma shumë të mendojnë njeriu per Jeten e Pasosun, aq ma pranë je afrue nder misteret e fundit të “Detit”… Një “sofer” gjithmonë e shtrueme me sofrabeza ku janë ma të bukrit! Lulet e freskëta të joshin me ngjyrat e veta dhe aromen që shperthen pa da… Sejcili asht në vendin e vet. Në vitet e para mbas Luftës së Dytë Botnore, kryet e vendit e zune kolosët e letrave të Gjuhës Shqipe, ngjitë me At Gjergj Fishten, Don Ndre Mjedjen, Imzot Luigj Bumçin, dhe Don Gjon Gazullin, Burra të njohun per kah dija si: Don Ndre Zadeja, Don Lazer Shantoja e Don Nikoll Gazulli… Nuk mungonin dijetarët tjerë që u vranë per kulturen e Tyne Perëndimore Europjane në drejtësi, ekonomi e ku nuk të shkon mendja…


Image result for daniel gazuli


Fisi i njohun i Gazullorëve asht nder Ato sofra njëherit me Gjergj Kastriotin… Asnjëherë nuk asht shkëputë prej “Beslidhjes së Tij”, po vetem, shka i ka shtue Burra Asaj sofer. Nder vitet e fundit ishte Prof. Arshi Pipa që u rreshtue me Ata dijetarë të nderuem. Ai kishte një peng të madh në zemer, derisa shkoi me takue vllaun e vet Muzaferin. Ndoshta, shkuemja e Prof. Arshiut në sofren e Adriatikut, kje një kujtesë edhe per një nga Miqtë ma të mirë dhe të dijtun që pata fatin me u lidhë nder vitet e fundit… Ky ishte Daniel Gazulli (4 Tetor 1943 – 12 Nandor 2012). Ata që e kanë njoh besoj e kujtojnë menjëherë sa ta shohin të rreshtuem me Gazullorë! Shkuemja e parakohshme e Danielit në sofren e madhe të Adriatikut, edhe pse Ai atje po ban pesë vjetë që na la, prap sot më duket e pabesueshme! Në një artikull perkujtimor ndoshta, nder të fundit, Danieli pyet: “Po Atyne, kush do t’u vejë kunorë?”… A mos i ndjente zemra Danielit, se mbas pak ditësh do t’ ishte edhe Ky pranë Tyne ?! As atëherë, as sot, nuk due me e besue këte fatkeqsi per zonjen e Tij dhe kulturen tonë. Danieli nuk e kishte vendin atje, edhe pse në Shqipni sot nuk e gjenë një sofer per Te!Danieli vertetë trashigonte edukatë dhe kulturë, po përgatitja e Tij ishte një model i pashoq i kulturës Europjane Perëndimore, gja që sot mund të faktohet me paaftësinë e kundershtimit të studimeve të Tija, edhe pse kanë kalue pesë vjetë që Ai nuk asht…






DANIEL GAZULLI/Danieli shkruente, punonte, perkthente, mësonte, studjonte, nuk pushonte një minut, po me një vullnet të pathyeshem Ai ju perkushtue “Kodifikimit të Gjuhës Gegënishte”. Gegënishtja ynë letrare ishte fryma, jeta, mendja dhe shpresa e Tij e perjetshme! Më njoftoi se porsa të kthehet nga mjekimi në Itali, do të lidhej me Akademikun Kolec Topalli dhe me Prof. Primo Shllakun, me të cilët Danili kishte lidhje per Kodifikimin. Kapitulli i mbylljes së jetës la një brengë të hapun, per të cilen Ai punoi gjithë jeten. Kujtoj nder bisedat e fundit telefonike një kujtim që i kishte mbetë në kujtesë nga një dijetar i madh i Historisë së Shqipnisë, At Marin Sirdani, i cili i kishte thanë një ditë: “Daniel, kur kishim mundësi me lanë vepra të shkrueme, nuk na lane këta me shkrue… Tashti, nuk dij a po na len Zoti, me lanë të shkrueme ate qi duem na…!”

Dhe, me të vertetë thonte Danieli, nuk shkoi gjatë e At Marini vdiq… Kur pat vdekë Imz. Luigj Bumçi në vitin 1945 në Tiranë, në Meshen e Tij ka predikue i madhi At Pjeter Mëshkalla, dhe aty i ka thanë: “Imzot Bumçi, Ti nuk vdiqe po, plase!” Ndoshta, kjo thanje i pershtatet shumë Burrave që sot janë në Jeten e Pasosun…Pikrisht: Në “Sofren” e Madhe të Adriatikut… Aty ku pushon pergjithmonë edhe Daniel Gazulli! Po, kujtimi i Tyne në themelet e Gegënishtes letrare asht i pavdekshem nder shekuj! Gjuha dhe Flamuri i Gjergj Kastriotit, At Gjergj Fishtës e Dedë Gjo, Lulit, do të ushtojnë dhe, bashkë me Atë Flamur, do të valviten perjetsisht në Alpet e Shqipnisë Europjane!..



****



Agjencioni Floripress

2012-11-12
Vdiq papritmas shkrimtari shqiptar Daniel Gàzulli
Kam "vesin" e te shkruemit. Kam botue romanet "Nje vit e nje jete", "Armiku i popullit", "Mergimtar ne Atdhe", "Deti ne mes"; permbledhjet me novela e tregime "Vjeshte ne Lebjane", "Intervista me vajza te mira" dhe librin me ndodhi e urti popullore "Rrefime zadrimore". Mendoj se shqipja po rrenohet prej a) mosdeshires atavike te gjuhetareve tane per te mos ripa Normat e Drejtshkrimit 1972, b) perbaltja me fjale te hueja - prandaj edhe do t`Ju keshilloja te lexonit studimin tim "Gjuha shqipe, e mira, e mjera ..." (Mund ta gjeni edhe ne internet :

http://agim.poeticforum.com/t1761-daniel-gazuligjuha-shqipe-e-mira-e-mjera).


http://computer.sq.cosmotopic.org/49920031761-daniel-gazuli-gjuha-shqipe-e-mira-e-mjera




Si sot një vit më parë ai përballej me jetën dhe vdekjen. “Jam në Itali”- miku im më shkruante ai atëherë. “Jam këtu, se më kanë marrë të bëj disa kurra. Jam disi i lodhur. Mjekët më kanë kursyer ditët”-do të shtonte ai. Dhe iku viti shpejt... Para disa ditësh do të shpejtonte dërgesat tek “Fjala e Lirë”. Sot ai është në udhën e tij të drejtë... Zoti ia ndrittë udhën..., shpirti iu preftë në paqe. Miqtë e letrave sot e ndjejnë më shumë humbjen e një pene, por vepra dhe krijimtaria e tij do të mbeten shenja jete në udhën e kulturës dhe krijimtarisë shqipe. Ndoshta më e lumtur do të mbetet Flora Suldashi, pasi ajo ka patur shansin të ketë pasthënien e tij në librin e saj që doli para disa ditësh nga botimi.

http://fjalaelire.co.uk/2012/11/12/nderron-jete-daniel-gazulli/

Me hidhërim të thellë Redaksia e Agjencionit Floripress nga Prishtina njofton se sot me datën 12 nëntor 2012 u nda papritmas nga jeta bashkëpunetori i Agjencionit tonë shkrimtari i madh shqiptar Daniel Gàzulli.

U prehtë n' Paqë ...
Ngushëllime familjes!

Editori i Redaksisë Floripress Prishtinë Flori Bruqi


http://www.slideshare.net/madopol/daniel-gazulli-vjesht-n-lebjan-novel


Foto: e kujtoj ate dite me shume mall e sa dashuri.... Lezhe Korrik 2012. I paharrueshem Daniel Gazulli.....Njerez si Ti vijne shume rralle ne jete e lene gjurme gjithe jeten.....


Daniel Gàzulli: “Motra ia goditi, sot me 14 t’Marcit 1896” (tregim)



Ishte Pashkë, pothuej fundi i vitit të parë në shkollën fillore.

Si gjithë fëmijtë kurreshtarë, ndalesha e lexoja çdo gja.
Edhe kur shkoja në Kishë me gjyshin, lexoja shkrimet mbi varre.
Gjyshi ndalej pothuej gjithmonë tek varri i familjes, një varr i naltë prej guri të gdhendun, gjithë ornamente, me dy dhoma varrimi; nxirte kutinë e duhanit dhe dridhte një cigare, duhan Sheldie, ai ma i miri. Mandej e linte cigaren pranë Kryqit të madh, po prej guri, në krye të varrit, dhe futeshim në Kishë të shihnim Meshë.
Shpesh herë, kur mbaronte Mesha, shkëputesha nga dora e gjyshit dhe vrapoja për tek varri të shikoja nëse ishte përsëri cigarja aty. Rrallë ndodhte që ta gjeja përsëri.
Pyesja gjyshin kujt ia kishte lanë atë cigare dhe kush mund ta kishte marrë, po ai më përgjigjej gjithmonë: “Do ta kuptosh kur të rritesh.”
Atë të Djelë Pashke kishim shkue ma heret dhe gjyshi po pastronte disa barna të këqija rreth varrit.
Unë, shumë kurreshtar, përpiqesha të lexoja çfarë ishte shkrue mbi rrasë të varrit. Nuk e kisha aspak të lehtë, se shkronjat ndryshonin mjaft nga ato që kisha mësue në abetare.
Vetëm fjalinë e fundit arrija ta lexoja qartë: “Motra ia goditi, sot me 14 t’Marcit 1896”.
“Kujt ia ka goditë këtë varr e motra, gjysh?”- e kisha pyetë një ditë.
“Gjyshit tim” – më ishte përgjegjë ai.
Nuk e zgjata ma, edhe pse kurreshtje më shtynte të pyesja, përse pikërisht e motra, e jo vëllaznit apo të bijtë, sepse e dija që stërgjyshi im kishte pasë edhe një vëlla tjetër.
Në vjeshtë të atij viti na e lamë Krythën dhe u vendosëm në Shkodër.
Gjyshi kishte shumë mall të kthehej në Sapë, të shëtiste nga një fashat tek tjetri, të takonte motrat e tij, të takonte miq të vjetër, por sidomos të vinte këtu, në Varreza, e të ndalej gjatë, të dridhte cigare e ta linte mbi varr, të bisedonte me za të ultë diçka që unë nuk e kuptoja e nuk e merrja me mend me cilin fliste. Nganjëherë rrinte shumë gjatë në varrezë, dridhte disa cigare dhe i rreshtonte pranë Kryqit të varrit.
Tashma isha rritë e kishte ardhë koha ta pyesja:
“Përse ia goditi pikërisht e motra varrin gjyshit tand e jo vëllaznit apo bijtë?”.
Gjyshi më shikoi gjatë. Me vështrimin e tij sikur më mati shtatin, që tashma dilte ndonjë cantim mbi të, edhe pse porsa kisha mbushë pesëmbëdhjetë vjeç.
***
“Kur vdiq gjyshi, nisi rrëfimin e tij të ngadalëshëm gjyshi im, kam qenë 25 vjeç e i martuem me gruen e parë. Ti e di se mue më kanë vdekë dy gratë e para, mandej u martova me gjyshen tande.”
E dija sigurisht që gjyshi kishte qenë i martuem tri herë e se gruen e parë, me të cilen kishte jetue vetëm gjashtë muej, e kujtonte shpesh e me dhimbje.
“Ishte i vetmi burrë që kishte mbetë në shtëpi. Ku të shkonte, ishte 83 vjeç dhe vuente nga bulçimi. Kush ishte për pushkë, në shtatë e shtatëdhjetë vjeç, kishte dalë kaçak, se Valiu i Shkodres kishte nda mendjen me na shue të gjithëve.
A i shikon, m’u drejtue gjyshi tue hedhë shikimin varreve përreth, janë të gjithë varre të reja. Ma i vjetri asht i familjes sonë. Po kjo Kishë e këto varre kanë sa nuk mbahet mend. Kishte ardhë, pra, vetë valia prej Shkodre me dy taborre. Ishte betue me na nxjerrë fare të gjithë sa ishim.
Nisi atje ku e dinte se na dhimbte ma shumë. Shkatrroi varret. Kishte sjellë me vete do magjypë prej Jemenit e për një natë tanë natën shkatrruen varret, theyn Kryqa, deri eshtnat e të shuemëve i nxorën përjashta. Ishin edhe dy burra katundi, Përgjinësh u kanë pasë thanë, që nuk kishin dalë kaçakë, e që mihen në varre me jemenët. Nuk ka ma Përgjin tash, kanë dalë fare. Jo që të dalun fare kanë qenë gjithmonë. Gratë që e kanë pa atë mënxyrë thonë se nuk ka gja ma të shëmtueme në këte botë. Gjithë ky vend mbushë me kocka njerëzish”.
U ndal e drodhi një cigare tjetër. Ngadalë, shumë ngadalë. E uli po shumë ngadalë në rranxë të Kryqit.
“Kur e moren vesht njerëzit, u sulen turr e vrap për në varreza. Sa kishte dalë drita. Njerëzit po them unë, po vetëm gra ishin, sa na kishim dalë kaçakë.
Gra dhe babë Ejëlli. Tetëdhjetëetre vjeç e me bulçim, mezi merrte frymë.
I doli para xhabia me nizamë. “Ju do të hyni këtu të pastroni vendin kur të mbarojmë na!” – , i tha ai babë Ejëllit.
“Këta janë varret tona”, ia ktheu babë Ejëlli.
“Ktheu ti qen plak në shtëpi, se po i ve jemenët me të varrosë për së gjalli!” – iu kërcënue xhabia.
“Nuk asht punë që s’bahet, por mbasi t’i kam mbarue edhe unë do punë” – ia ktheu qetë babë Ejëlli.
Mandej nxori dy alltitë me mulli dhe filloi prej xhabisë. Një me shtatë e lau veten.
Jemenët moren ograjat.
Nizamët, që shoqnonin xhabinë, u sulen mbi gra. Me bajoneta. Katrinën, due me thanë gruen teme të parë, e shpuen tej përtej me bajonetë. Ishte gjashtë muejsh shtatëzanë.
Krisi pushka prej Lezhet e në Shkodër, po në Krythë nuk mundi me hy asnjë. Valia kishte sjellë nizam të madh dhe e kishte rrethue Krythen në katër anët.
Hallëmadhja ime, motra e gjyshit, vendosi mos me i varrosë të vëllanë e të renë pa u goditë varrin. Pagoi pare të madhe, solli mjeshtra e për një ditë e një natë goditi varrin me dy dhoma, për babë Ejllin dhe gruen time, Katrinen.“
U ktheva e lexevo edhe një herë mbi rrasë të varrit: “Motra ia goditi, sot me 14 t’Marcit 1896”.
Ndërkohë gjyshi kishte dredhë një cigare tjetër dhe e uli mbi varr, rrazë Kryqit.
“Këndej asht varrosë babë Ejlli?” – e pyeta, tue vu ore se cigarja nuk ishte në mes të varrit, po djathtas Kryqit.
“Po, foli ai si me vete, nga ana e detit asht varrosë Katrina, kurse nga ana e malit babë Ejlli”.
Ka kalue gjysëm shekulli qysh atëherë.
Kur shkoi në Krythë, ndalem gjithmonë tek varret. E nuk harroi të la një cigare mbi varr, djathtas Kryqit, nga ana e malit, andej nga asht varrosë babë Ejëlli. Janë cigare të gatshme, nuk janë duhan Sheldie, nuk e di a do t’i pëlqejë babë Ejëlli, po kot e kam marak, se më duket sikur më buzëqeshë atje prej Qiellit, i kënaqun që po i la një cigare.



Gjurmë


1. Kam njohë një që …

Në vitin 1986 i thanë mjekët se ishte me kancer, e se kishte edhe pesë – gjashtë muej jetë.
Ai buzëqeshte dhe u jepte zemër të afërmëve e të dashunve.
Sot e kësaj dite, tek shetitë rrugëve të qytetit me hap të gëzueshëm, vazhdon t’u buzëqeshë njerëzve dhe të mbjellë dashuni.

…. dhe një që …

Nuk ka njeri në qytet që nuk i asht ankue se jeta e tij asht një jetë skëterrë: vuen nga kapslleku.
Njerëzit i largohen mos i infekton.....


2. Kam njohë një që …

I gëzohej pjatës me thjerza, i vetmi ushqim që kishte në shtëpi për vete, gruen, nanën plakë dhe katër fëmijtë.
Kur një edhe ma i vorfën se ai i tha në mbramje se fëmijtë e tij do të shkonin pa ngranë në krevat, mori gjysmën e thjerëzave dhe ia çoi, pastaj u kthye në shtëpi tue fishkëllye një kangë të gëzueshme.

…. dhe një që …

Shan Krisht e Pejgamer qysh kur i asht prishë stomaku e nuk ha dot as një kilogram mish dashi të pjekun.

3. Kam njohë një që …

I kishte rastisë të njihej në një dasëm me të birin e vrasësit të të atit, që u ndje ngusht para tij. I buzëqeshi, i shtërngoi dorën dhe e ftoi të rrinin pranë e pranë në tryezë.
Qysh atëherë, kur ndodh që takohen, e fton të pijnë një kafe bashkë. Kurrë ma diellore nuk e ka buzëqehsjen se sa kur rri me të birin e vrasësist të të atit.

…. dhe një që …

Sa herë shkon në Kishë (dhe shkon rregullisht), i lutet Zotit ta lajë pa djalë Skenderin, sepse nuk pranoi t’ia firmoste dëshminë (e rremë) që toka buzë detit, deri njëzet metër thellë në ujë, kishte qenë e tij.
4. Kam njohë një që …

Tafil Leka e quenin, kaptoi Shqipninë nga Veriu në Jug më 1920 të shkonte në mbrojtje të Vlonës.
Nga 7 prilli 1939 e deri sa mbaroi lufta nuk shkeli kambë italiani e as gjermani në fshatin e tij: Atje ishte zot Ai. Lirinë nuk ua kërkonte të tjerëve, e kishte të tijen.
Mbas luftës dorëzoi armën dhe u hoq mënjanë.
Unë e bana detyren time, tha, tashti le t’i shtrohemi punës.

…. dhe një që …

Kishte lindë më 1934, u ba oficer mbas luftës, dhe gjoksin mbushë me dekorata në ditë festash e në ditë të zakonshme, shkonte e tregonte histori nëpër shkolla për gjermanët e panumurt që kishte vra.
Nuk asht se njerëzit nuk e dinin sa vjeç kishte qenë në kohë të luftës, po ai vazhdote marrshimin e tij mbi dekorata.
Tafil Leken nuk e njihte.

5. Kam njohë një që …

Një nanë që prej tetëmbëdhjetë vjetësh i shërben gjithë dashuni djalit të saj të paralizuem dhe kur del të blejë ushqimet për familjen, nuk i mungon kurrë buzëqeshja për të tjerët.
Të shtundave, kur i shoqi asht pushim dhe mund të rrijë ai me djalin, shkon e i pastron me themel shtëpinë një plake të vetme e të mbetun, që banon dy pallate përtej.

…. dhe një që …

Gjithë shëndet, ende pa i mbushë të pesëdhjetat, kalon ditët sa tek një shoqe tek tjetra tue u ankue se pesë fëmijtë në mërgim nuk i dërgojnë rregullisht kuoten prej njëqind eurosh në muej, që ua ka caktue t’ia dërgojnë.
-----------------------------



Përkthime nga Daniel Gazulli

RABINDRANATH TAGORE

MOS U LIGSHTO

Mos u ligshto, mbaju fort,
e do të fitosh.
Nata po iken:
guxim, mos u ligshto.
Shiko, në ball të lindjes,
përmes pëlhurës së pyllit
nalt
asht ngritë ylli i mëngjesit.
Guxim, mos u ligshto.

Janë bijë të natës, që në errsinë shtegtojnë
dëshprimi, dembelia, dyshimi:
ata, të pasigurtë, nuk janë
bijë të agimit.
Vrapo, nga errsina dil;
shiko, tej hidh vështrimin,
qielli po çelet.
Guxim, mos u ligshto.

GIUSEPPE UNGARETTI

Poezitë e luftës

ROJË

Maja Katër, me 23 dhjetor 1915

Gjithë natën
shtri pranë
një shoku
të masakruem,
me gojën
që skërmitej
kthye hanës së plotë,
duert
të përgjakuna,
që përshkonin
heshtjen time,
kam shkrue
letra plot dashuni.

Kurrë ma parë
si sonte
me jeten s’kam qenë
i dashunuem.


PABLO NERUDA

VDES PËRDITË

Vdes përditë
ai që bahet skllav i rutinës,
e përditë përsëritë të njejtën udhë,
ai që ritmin s’ndrron,
ai që s’rrezikon as t’ndrrojë ngjyrën e veshjes,
ai që nuk flet e njohje të reja s’kërkon.
Vdes përditë kush pasionit i shmanget,
ai që pëlqen të zezën mbi të bardhë,

e pikën mbi “ì”
ai që u shmanget emocioneve,
që bajnë të të shndrisin sytë,
ata që
përgjumjen kthejnë në buzëqeshje,
e që bajnë t’na rrahi zemra
prej një gabimi e prej ndjenje.

Vdes përditë
ai që tryzën s’përmbysë,
ai që i trishtë në punë jetën shkon,
ai që nuk rrezikon të sigurtën
për pasigurinë tue ndjekë një andërr,
ai që të paktën një herë në jetë
s’u shmanget këshillave të urta.

Vdes përditë ai që s’udhëton,
ai që s’lexon a s’dëgjon muzikë,
ai që s’sheh hiret e veta.
Vdes përditë
ai që rrënon personalitetin e tij,
ai që ndihmë s’kërkon;
ai që ankohet çdo ditë
për fatin e vet a shiun që s’pushon.

Vdes përditë
ai që braktisë një projekt para se ta nisë,
ai që pyetje s’ban

për sa mistere të panjohun,
ai që nuk i përgjigjet
pyetjes që i bajnë.
T’i themi “jo”! vdekjes së përditëshme,
sepse të jetosh
nuk do të thotë
thjeshtë frymë të marrish.
Vetëm guximi
na sjell
lumtuninë e vërtetë.


JOSEPH RUDYARD KIPLING


NËSE …


Qetësinë në ruejtsh, kur bota e humbet,
e ty të fajsojnë ata që ke përrreth,
besimin të patundun në vete ti ta kesh,
Peshoj ti dyshimet, përçmues të mos jesh.
Përmbahu ti sa mundesh, nxitimi asht i huej
Nëse ata gënjejnë, ti t’vërtetën thuej,
Mos urre ata që ty të kanë mëri,
I mirë ti të jesh, urtia me kufi.
Andërrat ti përkundi, por mos flijë mbi to
Shtjello ti ide, pa i kthye n’qellin ato;
Ngadhnjim edhe humbje priti me qetesi,
Asnjenes mos bjer pré me lot as krenari.
Nëse t’vërtetën tande e kthejnë në mashtrime,
Ata që në jetë kanë t’mbrapshta qellime,
Nëse andërrat tueja t’i bajnë thërrime,
Ti prap rindërtoi t’vërteta e synime.
Gjithë sa ke fitue ti veni në lojë
Guximi vlen ma shumë se një fitojë
Në humbsh, fillo rishtas me guxim,
Për humbjen pa shprehë as ndje ankim.
Mos lejo që zemra një çast të të lëshojë,
Kur guxon zemra, dhe trupi do t’guxojë,
Forcat nëse t’lanë, vehten mos e lësho,
Nëse ke Vullnetin, ti mos u ligshto.

Ruej virtytet tueja, as turmën mos përçmo,
Pranë rrij edhe Mbretit, po njerëzit mos harro,
Mos u plagos prej anmikut, as mikut ma të shtrejtë,
Të gjitha kanë randësi, asnjë sa ke ti vetë,
Kurrë të t’shkojë kot, as minutin mos e len,
I vlertë ai që kaloi, dhe ai që mbas tij vjen,
E jotja asht e gjitha ç’gjendet përmbi dhé,
Por mbi të gjitha, Njeri, bir, ti je.

HEINRICH HEINE

HELENA

Më je betue në përjetësi,
Me fjalë të zjarrta gjithë magji,
Se do më duesh me afsh e zjarr,
Po s’më shuen etjen e jotja fjalë.
Buzët ti ven mbi timen gojë,
Der sa frymë t’na mbarojë.
Unë shpirtin tand ta pi due n’ gotë
Dhe etja prap s’shuhet, asht e kotë.

MOS U BETO

Mos u beto, po ti puthje me jep;
betimin e grues nuk besoj; hesht!
E ambel fjala jote, po s'ka krahasim
me puthjen ne buze me rrembim.
Puthjes i besoj, puthjes qe me dhe;
fjala fluturon e nuk na nxeh.
Betohu, e dashun sa te duesh,
s'u besoj atyne kur t'm'i thuesh,
po kur koken ve ne gjinin tand,
atehere po, besoj e i lumtun jam.
Atehere besoj ne ty, e dashun, une,
se m'do perjetesisht e ndoshta dhe ma shume.


http://floripress.blogspot.com/2012/11/vdiq-papritmas-shkrimtari-shqiptar.html

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)