Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri,Ph.D
Në ceremoninë e organizuar nga bashkia
në kuadrin e ditës përkujtimore të 74-vjetorit të çlirimit të kryeqytetit, nga
qeveria mori pjesë zëvendësministri i mbrojtjes Petro Koçi, i cili, në fjalën e
mbajtur me këtë rast, ndër të tjera, deklaroi:
“…
ftoj të gjithë ata që janë pasardhës të atyre që bashkëpunuan me fashizmin t’i
kërkojnë falje popullit, qytetarëve të Tiranës se vetëm kështu mund të arrihet
ai që quhet pajtim kombëtar”(Citohet sipas: “Ceremonia me fotot e Enverit, zv.ministri Koçi:
Pasardhësit e kolaboracionistëve të kërkojnë falje”. Faqja
e internetit e gazetës “Panorama”. 18
nëntor 2018).
Pas kësaj deklarate të zotërisë Petro
Koçi, lind një pyetje e vetvetishme:
Po pasardhësit e krerëve komunistë, me
Enver Hoxhën në krye, krerë këta që bashkëpunuan shumë ngushtë me shovinizmin
jugosllav, a nuk duhet t’i kërkojnë falje jo vetëm popullit shqiptar të
Republikës sëShqipërisë, por edhe mbarë kombit shqiptar?Sepse pasojat e atij
bashkëpunimi qenë dhe vazhdojnë të jenë tragjike deri në ditët tona.
Bashkëpunimi i udhëheqjes kryesore të
Partisë Komuniste të Shqipërisë gjatë viteve të luftës me shovinizmin
jugosllav, sipas historianit Kastriot Dervishi, solli tri pasoja të rënda:
Beogradi e shndërroi Partinë Komuniste të Shqipërisë në agjenturë jugosllave,
popullin shqiptar e futi në luftë civile dhe filloi shfarosjen e shtresës së
nacionalistëve shqiptarë që ishte kundër ndërhyrjes jugosllave në punët e
brendshme të vendit tonë.
Pasardhësite krerëve komunistë, me Enver
Hoxhën në krye, a nuk duhet t’i kërkojnë falje mbarë kombit shqiptar për
varrosjen e Marrëveshjes së Mukjes?
Në vendimet që u morën në Konferencën e
Mukjes, dy prej tyre ishin më të rëndësishmet për fatet e kombit shqiptar:
1. Krijimi i
Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë.
2. Luftë
për një Shqipëri indipendente dhe për zbatimin e parimit të njohur
universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve
për një Shqipëri Etnike.
Por shumë
shpejt, Partia Komuniste e hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes. Po si ndodhi
konkretisht që Marrëveshjen e Mukjes Partia Komuniste e varrosi përfundimisht,
sapo drejtuesve të saj u ra në dorë teksti i asaj marrëveshjeje? Asokohe
drejtuesit e partisë dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare ndodheshin në Vithkuq
të Korçës. Të pranishëm ishin Enver Hoxha, Miladin Popoviçi, Sejfulla
Maleshova, Nako Spiru, Mehmet Shehu, Dushan Mugosha, Xhelal Staravecka, Fiqrete
Sanxhaktari, të cilët organizuan një mbledhje urgjente.
Ja se
ç’thuhet në një studim shkencor të një historiani të njohur:
“Xhelal Staravecka, i pranishëm në momentin kur
erdhi letra e Ymer Dishnicës për Marrëveshjen e Mukjes, ka sjellë si dëshmi
atmosferën që krijoi ky lajm:
“Gjendeshim me shokët e Komitetit Qëndror, në
mes të të cilëve ishte edhe Miladini, kur arrin korrieri dhe solli proklamatën
e Marrëveshjes së Mukjes. Hapëm proklamatën dhe e lexuam. Të gjithëve na u
ndezën fytyrat nga gëzimi, për arsëye se u mbërrit bashkimi. Mandej gjysmë
shqip e gjysmë serbisht (për arsye se unë nuk e di serbishten e Miladini nuk di
shqip), disi i shpjegova çka ishte shkruar në proklamatë. Fytyra e Miladinit
menjëherë u ndryshua dhe tha:
Ky bashkim (i Kosovës me Shqipërinë) nuk mund
të pranohet. Ne gjithnjë e më tepër forcohemi dhe do të fillojmë me shpata e jo
bashkime me qej (qenër). E mandej ajo Shqipëria Etnike! Nanën e saj!”.
Fytyrat tona menjëherë u errën dhe u deytyruam
me thanë:
“Po, po! Do ta shohin këta nacionalistë për
disa ditë, derisa ne të organizohemi edhe ma mirë… dhe do iu themi:
“Qe Shqipëria juaj Etnike!”.
Sigurisht, shprehja jonë në fytyrë duhet të
ndryshojë gjithmonë sipas shprehjes së fytyrës së Miladinit” (Citohet sipas: Prof.dr. Muharrem Dezhgiu. “Shqipëria nën pushtimin italian (1939-1943)”.
Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Instituti i Historisë.
Shtypshkronja “Mësonjëtorja”. Tiranë
2005, f. 316).
Pra, me këtë qëndrim prej njerëzish pa
dinjitet kombëtar, prej kameleonësh shembullorë, prej servilësh të kulluar të
Beogradit dhe prej tradhtarësh të kombit shqiptar, drejtuesit e Partisë
Komuniste dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, me kryeservilin dhe
kryetradhtarin Enver Hoxha në ballë, vërtetohej në praktikë fakti i njohur historik se Partia Komuniste s’ishte
gjë tjetër, veçse një rrip transmisioni i Partisë Komuniste të Jugosllavisë,
direktivat e së cilës, të përcjella në udhëheqjen komuniste shqiptare nga
emisarët e saj Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, duhej të viheshin në jetë me rreptësinë më të madhe.
Ja një tjetër fakt tmerrues, i cili
dëshmon fare qartë se deri në ç’shkallë vetëposhtërimi e kishte katandisur
veten udhëheqja e Partia Komuniste të Shqipërisë para një armiku të egër të kombit shqiptar, siç ishte Dushan Mugosha
“Trakti
me nr. 4 që Xhelal Staravecka shpërndau menjëherë pas dezertimit të tij nga
radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, sërish lidhet me torturat çnjerëzore dhe
me vrasjet që kryheshin me urdhër të Dushan Mugoshës. Ndërsa rrëfen ngjarjen e
13 të ekzekutuarve në fshatin Fravesh, ai ndalet në torturat e tmerrshme që
janë ushtruar mbi një djalë rreth të tridhjetave nga Devolli, ku në tortura
kishte marrë pjesë vetë Dushan Mugosha me duart e tij. Staravecka tregon se e
ka ndjekur të gjithë skenën e torturave, i ulur në një gur aty pranë, ndërsa
partizanët e tjerë me drunj në duar e kanë goditur viktimën deri në frymën e
fundit. Në fund, edhe pse viktima e kishte dhënë frymën e fundit, Mugosha
kishte qëlluar me armë mbi trupin e pajetë. Pasi ka treguar fundin e tmerrshëm
të djaloshit 30-vjeçar, Staravecka rrëfen se viktima e radhës u kishte shpëtuar
torturave çnjerëzore vetëm se Mugosha ishte lodhur dhe ishte i uritur. E meqë
do të shkonte për të ngrënë, për viktimën e radhës kishte dhënë urdhër ta
vrisnin pa e torturuar” (Citohet sipas: Admirina Peçi. “Staravecka:
Torturat çnjerëzore të Mugoshës mbi djalin nga Devolli”. Faqja e internetit
“Shqiptarja.com”. 04 gusht 2015).
Moria e vrasjeve të pabesa brenda llojit
që kreu Partia Komuniste, si edhe masakrat e kryera kundër nacionalistëve të
Ballit Kombëtar, dëshmojnë katërcipërisht se praktika e sundimit komunist me
diktaturë të hekurt në vendin tonë gjatë një periudhe gati gjysmëshekullore, e
cila kishte në themel luftën e klasave, mjetin më tragjik për përçarjen e
popullit shqiptar, u projektua që gjatë viteve të luftës. Një praktikë e tillë
nuk u mjaftua vetëm me shartimin në ndërgjegjen e njerëzve të miteve
ideologjike. Që në ditët e para të ekzistencës së shtetit komunist, në jetën e
përditshme të njerëzve hyri në përdorim fjala e tmerrshme “terror”. Terrori i pamëshirshëm kundër përfaqësuesve të
nacionalizmit shqiptar dhe njerëzve të deklasuar në të gjitha fushat e jetës
politike dhe ideologjike, kundër intelektualëve të njohur, të diplomuar në
vendet perëndimore, viktimë e të cilit mund të bëhej kushdoqoftë, solli si
pasojë një frikë të gjithmbarshme, e cila duhej të përjashtonte mundësinë e një
kundërvënieje të hapur ndaj regjimit komunist. Kësisoj, dhuna e motivuar
politikisht u bë mjeti themelor për vënien në jetë të utopisë komuniste.
Përndjekjet politike gjatë tërë kohës së ekzistencës së sundimit komunist,
shtrihen në një epokë të tërë në jetën e vendit tonë, një epokë kjo plot
vuajtje dhe tmerre, kur regjimi gjakatar i kriminelit Enver Hoxha nuk kurseu as
pleq, as plaka dhe as fëmijë të vegjël që vdiqën nga uria nëpër kampe
përqendrimi. Ky kriminel me damkë arriti deri aty, saqë në Shqipëri të krijojë
kultin e paprekshmërisë personale, çka solli si pasojë që ai të ishte i vetmi
njeri me imunitet, ndërkohë që gjithë të tjerër rreth vetes i vlerësonte si
materiale inerte.
Në radhët e
Partisë Komuniste, që gjatë viteve të luftës, Enver Hoxha hodhi themelet e
çmontimit të personalitetit të njeriut, të servilizmit të tij para të huajve
dhe të tradhtisë kombëtare, duke i ngritur ato themele në sistem. Dëshmia më e
pastër është qëndrimi neveritës i atyre partizanëve shqiptarë para armikut
Dushan Mugosha, i cili torturonte një të ri nacionalist në praninë e tyre, si
edhe qëndrimi i shëmtuar, i turpshëm, i drejtuesve të Partisë Komuniste dhe të
Ushtrisë Nacionalçlirimtare para Miladin Popoviçit, i cili tekstin e
Marrëveshjes së Mukjes e hodhi në koshin e plehrave dhe Shqipërinë e shante nga
nëna. Prandaj edhe në rastin e Dushan Mugoshës, edhe në rastin e Miladinit, nuk
u gjend asnjë burrë shqiptar që t’ua kthente potkonjtë nga dielli që të dyve
dhe të hynte në histori si hero i kombit. Por e keqja erdhi më pas: çmontimin e
personalitetittë njeriut, servilizmin para të huajve dhe tradhtinë kombëtare
Enver Hoxha ua përcolli brezave pasardhës, të cilët i morën si trashëgimi
prej tij në periudhën e ndërrimit të sistemit dhe po i praktikojnë në
vazhdimësi në marrëdhëniet me sllavizmin dhe me shtetin grek, duke i
konkretizuar me këtë të fundit me ngritje varrezash, memorialesh dhe
përmendoresh në nderim të ushtarëve agresorë grekë, me vendosjen në krye të
kishës ortodokse fanoliane të një kryepeshkopi grek dhe me nënshtrimin tërësor
të vendit tonë para politikës greke.
Veç kësaj,
argati i Beogradit Enver Hoxha e filloi që gjatë luftës shfarosjen e shtresës
së nacionalistëve shqiptarë dhe e intensifikoi shumë më tepër gjatë tërë kohës
së sundimit të tij të egër mbidyzetvjeçar. Ky krim solli si pasojë që Kuvendit
të Republikës së Shqipërisë, si asnjë organi tjetër ligjvënës në botë, t’i
mungojë sot krahu nacionalist.
Pra, si përfundim,
zotëria Petro Koçi a është ndopak i vetëdijshëm se pasardhësit e Partisë
Komuniste të Shqipërisë, dhe më pas të Partisë së Punës, duhet t’i kërkojnë
falje tërë shtresës së të përndjekurve politikë për masakrat e tmerrshme dhe
për terrorin e egër që ajo ushtroi ndaj saj gjatë një periudhe gjysmëshekullore
nëpërmjet vrasjeve, burgosjeve dhe internimeve të shumta? Një falje e tillë a nuk
do të ishte mënyra më e mirë për arritjen e pajtimit kombëtar?
Tiranë, 20
nëntor 2018