2015-09-22

Bekë Balaj : Ata që tkurrin territorin e Kosovës, do mallkohen nga gjaku i derdhur për këtë vend


Image result for beke balaj nga strellci
          Bekë Balaj

Ata që tkurrin territorin e Kosovës, do mallkohen nga gjaku i derdhur për këtë vend
Nënshkrimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe deklaratave bajate me sloganin tanimë të njohur se, “Kosova nuk humbë as edhe 1 cm² territor nga ai i vitit 1974”, me shtynë që për hir të opinionit të gjerë dhe sensibilizimit të tij, të sqaroj disa fakte të njohura, por që Komisionit Qeveritar për demarkacion, nuk i mjaftojnë dhe nuk duan ti dëgjojnë, por përpiqen ti mjegullojnë.

Është e vërtetë se Kosova nuk humbë vetëm 1cm² territor nga ai i vitit 1974, por nëse vija kufitare vendoset ku pretendon Mali i Zi, humbë me mija hektar (100-200 km²). Kjo më përngjanë në sloganin e vitit 1989-1990, kur nga disa politikan të kohës thuhej se, Kosova nuk humbë asgjë me ndryshimin e Kushtetutës të vitit 1974, e dihet mirë se çka humbi dhe si rrodhet ngjarjet më vonë. Unë në këtë shkrim do të përpiqem më pak fjalë të jap disa sqarime, për opinion, dhe atë vetëm për bjeshkën e Zhlebit, e pjesërisht edhe Ishtedimit, meqenëse këto territore i njoh mirë, sidomos atë të Zhlebit që nga vitet 1947 e gjer më tani.

Këto bjeshkë i kemi trashëguar që nga koha e Perandorisë Osmane (gjysma e shek. XIX) dhe janë shfrytëzuar nga banorët e 30 fshatrave të komunës së Pejës, Deçanit dhe Istogut, në të gjitha periudhat.

Pas luftës se II-të Botërore, konkretisht në vitet 1946/47, është vendosur vija kufitare në mes Republikës së Malit të Zi dhe Kosovës si Provincë në kuadër të Republikës së Serbisë, me pikë kufitare referente të “Kulla e Zhlebit”, që është pika më e lartë mbidetare në rrugën Pejë-Kullë-Rozhajë, dhe gjendet përafërsisht në largësi të njëjtë nga vendbanimet Rozhajë-Radavc. Me vendosjen e kësaj vije kufitare nga bjeshka e Zhlebit dhe Ishtedimit, kanë mbet disa qindra hektar territor në anën e Malit të Zi, por që janë shfrytëzuar lirshëm nga banorët e Kosovës që kanë pas tëbanat (stanet) në atë territor, kuptohet duke paguar taksat në Rozhajë.

Njëjtë edhe banorët që kishin tëbanat (stanet) në territorin e Kosovës, paguanin taksat në N.P. të Pejës. Pra, bjeshka e Zhlebit dhe Ishtedimit janë administruar pjesërisht nga Peja, pjesërisht nga Rozhaja, varësisht si i ka ndarë vija kufitare.
Këta kufij kanë qëndruar të pandryshuar që nga vendosja e tyre në vitet 1950, 1963, 1974 etj, pavarësisht ndryshimeve Kushtetuese që kanë ndodhur, vetëm në aspektin juridiko-legjislativ dhe politikë, por pa prekur asnjëherë kufijtë përkatës (jo territorial).


Argumentet që dëshmojnë për vijën kufitare të Kulla:

1. Harta që disponon Komisioni vëzhgues i komunës së Pejës.

2. Harta e nxjerrë në Mal të Zi që tregon territorin e Zhlebit të administruar nga Mali i Zi deri të Kulla.

3. Ndërtimi i rrugës Pejë-Kullë-Rozhajë (Pejë-Kullë nga Kosova, ndërsa Kullë-Rozhajë nga Mazi i Zi).

4. Mirëmbajtja e rrugës deri të Kulla, gjithnjë nga Kosova, kurse anën tjetër përtej Kullës nga Mali i Zi.

5. Ndërtimi i transmetuesit të valëve nga RTP (Radio Televizioni i Prishtinës).

6. Ndërtimi i linjës largpërçuese të rrymës elektrike, gjithnjë Kosova deri të Kulla, tutje Mali i Zi, që edhe sot për nga konstruksioni dallohen shtyllat në këtë anë dhe në atë anë të kufirit.

7. Pagesa e taksave për kullota, lëndë drusore dhe lëndë ndërtimi në N.P. në Pejë, që edhe tani mund të dëshmohen në çdo moment me dëftesa përkatëse dhe me aktvendime gjyqësore të Gjykatave Komunale të Pejës dhe Deçanit.

8. Pyllëzimi i qindra hektarëve me fidanë bredhi nga Shkalla deri të Kulla, në vitet 1979/80 e më vonë nga ana e Ndërmarrjes Pyjore nga Peja.

Ndërmarrja Pyjore nga Peja, jo vetëm që ka administruar, i ka menaxhuar dhe i ka shfrytëzuar këto prona, por edhe ka kultivuar në territorin në fjalë, që dëshmohen me qindra dokumente që gjenden në zyrat e kësaj ndërmarrje.

9. Nxjerrja e “bosave të barit” në lëndinat në afërsi të Kullës, e që i përkasin territorit të Kosovës, për stadionin futbollistik në Pejë.

10. Pyllëzimi i bjeshkës së Zhlebit që gjendët në territorin e Malit të Zi nga ana e Rozhajës vetëm deri në kufi me Kosovën (të Kulla) pas vitit 2001-2002.

11. Vendosja e doganës së Malit të Zi në largësi nga kufiri me Kosovën për 5-6 km sipas Marrëveshjes së Kumanovës të qershorit të vitit 1999, e që pas afërsisht dy viteve i është afruar 400-500 m në afërsi të Kullës, e ku gjendet edhe tani, pra në territorin e Malit të Zi.

Të gjitha këto veprimtari që u përmendën më lartë, që ka edhe të tjera që kanë ndodhur në periudhën në fjale sipas Komisionit tonë Qeveritarë për demarkacion nuk janë argumente të mjaftueshme, por kërkojnë diçka që nuk ekziston. Botërisht dihet se ushtria, policia dhe administrate e Jugosllavisë (Serbi-Mali i Zi), pas luftës së vitit 1999, ka plaçkitur të gjithë dokumentacionin origjinal katastral dhe pas bisedimeve të zhvilluara mes palëve Kosove-Serbi në prani të faktorit ndërkombëtarë, kanë pranuar që ti kthejnë vetëm kopjet e përpunuara që mund të jenë edhe të falsifikuara, e që Komisioni ynë Qeveritar, më shumë u beson atyre sesa fakteve të gjalla qoftë në popull, qoftë në terren, qoftë dokumenteve të përmendura.

 P1130830.JPG
 
Komisioni “i nderuar” i përbërë prej njerëzve me tituj akademik, për tre vite rresht nuk arritën të sigurojnë së paku një dokument që do tu përshtatej atyre, e kjo është e kuptueshme se dokumentet nuk gjinden në zyre ku punojnë ata, por në zyre të ndërmarrjeve që u përmenden më lartë, në arkivat komunale dhe shtetërore, si në Kosovë dhe jashtë saj, në enciklopedi të gjitha Republikave të ish Jugosllavisë, por edhe në popull. Aq më keq që si profesionist të fushave në gjeografi dhe gjeodezi, nuk e paskan njohtë territorin e 10-11 mijë km² territor të Kosovës, gjë që nuk besoj sepse nuk dyshoj në aftësitë e tyre, por që ato aftësi po i përdorin për të manipuluar opinionin e gjerë, meqenëse siç duket kjo vij kufitare është parapërcaktuar nga udhëheqësit (politikanët) tonë dhe Malit të Zi, me bekimin e Faktorit Ndërkombëtarë, për ti kënaqur apetitet e Malit të Zi, ndërsa Komisioni ka shërbyer vetëm si “mashë” për të mos e prekur zjarrin me dorë.

Sa u përket portaleve që përdorin për tu arsyetuar se banorët e disa fshatrave si: Dubovik, Rashiq etj; kanë kërkuar ndihmën e kryetarit të Rozhajës është e vërtetë, por për territorin që është administruar nga Rozhaja, prandaj mos të përpiqen, siç thotë populli “me la m.... me sh... “ sepse nuk ka lum që i pastron.
Ata që tkurrin territorin e Kosovës, do mallkohen nga gjaku i derdhur për këtë vend
Pra, nëse kufijtë vendosen aty ku pretendon Mali i Zi, atëherë ne Kosovarët për më shumë se 60 vite i paskemi shfrytëzuar “pronat e huaja”, pronat e atyre që kurrë nuk i kanë pas, përveç në kohën e okupimit të viteve 1913-1915, dhe historikisht dihet se çfarë gjenocidi ka ushtruar Mali i Zi në popullatën e Dukagjinit në atë periudhë.

Me këtë marrëveshje siç pretendon Mali i Zi, vetëm në vijën Kullë-Shkallë me gjatësi mbi 5 km, Kosova humbë mija hektarë: bjeshkën e Zhlebit dhe Ishtedimit në tërësi, dhe pjesë të Seinovës, pa llogaritur anën kah Rugova. Njëkohësisht përvetëson edhe pikat strategjike shumë të rëndësishme: majën e Rusolisë dhe podin e Hamshorit që gjendet vetëm disa qindra metra afër Jabllanicës së madhe të Podgurit.

Fjala e urtë popullore thotë: “Uji lëvizë kurse inertet mbesin” (por varet çfarë inertesh, të dobishme apo të dëmshme). Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës, nëse e ka pranuar faktin ashtu siç u cek më lartë, le ta bajnë me shëndet turpin dhe tradhtinë që do tua lënë brezave të tyre trashëgim. Meqenëse në Kabinetin Qeveritarë ka ministra dhe zëvendës ministra që shumë mirë i njohin këto fakte, por që heshtin nga frika qe mos ti humbin postet, prandaj mos të përpiqen të na bindin që tu besojmë të pavërtetave.

Në emër të të gjithë banorëve të komunave Pejë, Deçan dhe Istog, që kanë protestuar disa herë që nga viti 2008 për këtë çështje, i bëj apel Kryetarit të Parlamentit të Kosovës dhe të gjithë Deputetëve pa dallime partiake, që mos të votojnë “shitjen apo faljen” e territorit në fjalë, sepse do ti ndëshkoj “nëma” apo mallkimi i popullit të shkretë, që ua ka dhënë votën për ti udhëhequr dinjitetshëm e jo për ti mashtruar, dhe mallkimi i prindërve dhe fëmijëve qe kanë humbur më të dashurit e tyre, për këtë tokë që po tkurret dhe cungohet vazhdimisht. Po ashtu i bëj apel edhe Presidentes së Kosovës, që mos ta nënshkruaj një akt të tillë të turpshëm, sepse historia është e pamëshirshme dhe do tu çmoj ashtu siç keni vepruar dhe do të veproni.

(Autori është veteran i arsimit nga Strellci i Ulët i KK Deçanit dhe njohës i mirë i vijës kufitare me Malin e Zi)

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...