Nga Besi BEKTESHI
1 vit më parë Letra e drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, zoti Edi Rama, nga gjuhëtarë, historianë, shkrimtarë si dhe botues në sensin e mos keqpërdorimit të gjuhës shqipe është në këtë drejtim e drejtë. Është e qartë se në 23 vite, si shumë e shumë rrumpallizma ekonomikë dhe politikë, por dhe financiarë dhe kulturorë, artistikë dhe në trashëgimi, në sport dhe media, ka pasur dhe në përdorimin e gjuhës. Banaliteti, zhargonizmat dhe importi nganjëherë pa moral e kanë depersonalizuar pikërisht gjuhën tonë të përveçme dhe krenari kombëtare. Ne, nuk kemi më të madhe krenari kombëtare se sa gjuhën tonë krejtësisht të veçantë dhe që na ngjit në lartësitë e mëdha indo-europiane, por dhe na lidh në mos na vendos në krye me popujt më të vjetër të këtij kontinenti. Nënshkruesit të cilët janë: Emil Lafe (gjuhëtar), Jorgji Gjinari (gjuhëtar), Xhevat Lloshi (gjuhëtar), Valter Memisha (gjuhëtar), Kristina Jorgaqi (gjuhëtare), Rami Memushaj (gjuhëtar), Hajri Shehu (gjuhëtar), Thoma Dhima (gjuhëtar), Nexhip Mërkuri (gjuhëtar), Mustafa Karapinjalli (gjuhëtar), Albert Riska (gjuhëtar), Kiço Blushi (shkrimtar), Nasi Lera (shkrimtar), Preng Cub Lleshi (shkrimtar), Moikom Zeqo (shkrimtar), Kristo Frashëri (historian), Pëllumb Xhufi (historian), Petrit Ymeri (botues), Naim Zoto (botues), Shpëtim Çuçka (përkthyes) padyshim janë shumë të nderuar, por besoj dhe kuptoj qartë se e kanë pasur shumë me Këshillin Ndërakademik. Zotit Rama ata i thonë kështu: Krijimi i gjuhës së shkruar të përbashkët përbën një nga arritjet më madhore të kombit shqiptar.
Njësimin e gjuhës letrare shqipe Kongresi i Drejtshkrimit e pa në thelb - dhe ky është vështrimi i vetëm me të vërtetë shkencor - si parakusht të kulturimit të jetës së shoqërisë dhe si shtytës kryesor të qytetërimit të vendit. Ky njësim nuk qe thjesht zgjedhje e një luleje mes disa lulesh, por përzgjedhje e kristalizim i një sistemi, i cili, më mirë se cilido tjetër, kishte arritur të përfaqësonte gjithçka të mirë të krijuar e të ruajtur me mund e flijim në të shkuarën, dhe, krahas kësaj, vetë prirjen e natyrshme të çdo gjuhe të lëvruar për të ecur drejt begatimit të mëtejshëm e për të marrë pas në këtë rrugë brezat e rinj të një populli. Kjo u arrit duke përgjithësuar në mënyrë shkencore gjithë përvojën e shkrimit dhe të përpunimit të gjuhës shqipe, gjithë frymën e përpjekjeve për të arritur në një gjuhë letrare të njësuar, si thelb i konvergjencës së kombit shqiptar. Shqipja e njësuar e sanksionuar nga ky Kongres dhe e pranuar në mënyrë plebishitare nga të gjitha gjymtyrët e kombit, u bë mjeti i shprehjes së mendimit shkencor, i ligjërimit të shkruar të të gjitha fushave e stileve, i ligjërimit të folur publik dhe i komunikimit mbarëkombëtar të shqiptarëve të trojeve etnike, të diasporës dhe të mërgatës. Duke parë këtë rritje cilësore dhe shtrirje të gjuhës letrare, mund të thuhet pa mëdyshje se në rrjedhën e përpjekjeve për gjuhën e njësuar nuk ka arritje më të madhe se Kongresi i Drejtshkrimit. Parimet dhe vendimet e tij - parë me paanësi, largpamësi, qytetari dhe atdhetari - përbëjnë një themel të shëndoshë, të palëkundur e të pazëvendësueshëm për zhvillimin e gjuhës, rrjedhimisht për ngritjen kulturore dhe forcimin e bashkëveprimit e të bashkëpunimit kombëtar. Padyshim që Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe është arritja më e madhe sipas meje mbas Komitetit të Stambollit dhe përpjekjeve të Rilindasve tanë për gjuhën shqipe dhe jam i qartë për këtë por...!? Por fjalia “Shqipja e njësuar e sanksionuar nga ky Kongres dhe e pranuar në mënyrë plebishitare nga të gjitha gjymtyrët e kombit, u bë mjeti i shprehjes së mendimit shkencor, i ligjërimit të shkruar të të gjitha fushave e stileve, i ligjërimit të folur publik dhe i komunikimit mbarëkombëtar të shqiptarëve të trojeve etnike, të diasporës dhe të mërgatës” sipas meje është pak “gojëmbyllëse” dhe e tepruar në moralistikën politike, duke parë kohën dhe regjimin kur është bërë ky Kongres. Dakord, nëqoftëse i shkojmë kësaj logjike besoj se arrijmë të mbyllim modelin e “gjallesës” në Gjuhën e Mrekullueshme Shqipe, për të cilën ka meritë të madhe jete pikërisht Kongresi i vitit 1972. Mbas 42 viteve dhe sidomos mbas 23 viteve mos kujdes dhe jo përdorim të mirë (jam krejtësisht dakord me letërpërpiluesit e rëndësishëm) e para nuk është marrë në analizë jeta e gjuhës sonë, jeta mbas 1972-shit, suksesi, dhe në fakt mirëqenia e kësaj jete ndër shqiptarë. Po pse e quaj jetë, gjallesë, gjuhën shqipe. Po ajo ka arritur të jetojë dhe e pa shkruar si ndër kombe të tjera. Ajo, është gjallesa më e madhe dhe e famshme shqiptare, dhe për këtë përkulem me shumë e shumë respekt. Por nëqoftëse njerëzit e rëndësishëm të letrës për zotin Rama “mbyllin ciklin e zhvillimit të saj” te vitit 1972, mund të them se po bëjnë për nga rëndësia, po të njëjtin gabim që bëjnë ato që i japin përditë goditje gjuhës tonë me transformimin e saj, me standartin alogjik dhe “zhargonian”, me dialektizmin që superon standartin etj., etj.
Puna shkon deri te ashpërsia, me të cilën me sa duket, personalitetet e shqetësuar nga veprimtaria e Këshillit Ndërakademik i bën të shprehen kështu: Dhe për çështjen e madhe të mbrojtjes dhe lëvrimit të shqipes letrare në përputhje me vendimet historike të Kongresit të Drejtshkrimit ia vlen të bëhet çdo përpjekje dhe të mobilizohet e gjithë shoqëria. Këtu nuk ka vend për liberalizma naivë, as për eksperimentime teorish të ndërtuara në rërë. Nuk na lejohet të shkelim e të zhvlerësojmë veprën e ndritur dhe të shenjtë të lëvruesve të gjuhës shqipe dhe të gjuhëtarëve atdhedashës, që me punën ngulmuese dhe diturinë e tyre ndërtuan kodet themelore të këtij mekanizmi me vlerë të paçmuar. E në fund ka dhe diçka tjetër që thotë: Është koha që shqipja e njësuar të merret realisht në mbrojtje nga shteti dhe të shpallet objekt kulturor i rëndësisë së veçantë, ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta. Ndërhyrjet në të jo vetëm që nuk mund të lihen në dorën dhe gjykimin e një grushti "të diturish", por duhet të jenë pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të vazhdueshme të institucioneve publike dhe të shoqërisë. Gjuha shqipe nuk është pronë vetjake e askujt, ajo u përket të gjithë shqiptarëve të sotëm dhe jo vetëm këtyre, por edhe atyre që kanë jetuar para nesh, edhe atyre që do të vijnë pas nesh. Kur flasim për shqipen, mjafton të kujtojmë emrat e atyre që lëvrimit dhe studimit të saj i kushtuan jetën, të atyre që e lartësuan në shkallën e një gjuhe letrare të admirueshme. Kjo duhet t'i bëjë përdhosësit e shqipes të largohen nga rruga e tyre. Por shteti nuk ka përse ta lërë këtë në dorë të ndërgjegjes së askujt.
Tashmë është bërë e qartë se puna e Këshillit të quajtur "ndërakademik" ka hyrë në një rrugë të rrezikshme dhe ka shkaktuar shqetësim të thellë publik. Ajo ka dëmtuar rëndë edhe emrin e prestigjin e dikurshëm të Akademisë së Shkencave, që e ka lejuar të shkojë në atë drejtim. Është pa kuptim që shteti të japë para për shkatërrimin e gjuhës shqipe! Zoti Kryeministër! Jemi të bindur se koha kërkon që qeveria të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj përpara shoqërisë dhe të ndalë dëmin e pafalshëm ndaj së shenjtës Gjuhë Shqipe! Historia do të na gjykojë të gjithë për sa do t'i përgjigjemi detyrës ndaj atdheut.
E kuptohet tashmë qartë se problemi është pikërisht “Këshilli Ndërakademik” për të cilin propozohet qartë dhe pastër për tu “larguar” nga rruga e tyre. Tani këtu ka paksa problem, dhe si gjithmonë politika do ti bëjë gjërat për faqe të zezë. Shqiptarët nuk dalin dot nga modelet e dikurshme dhe nga zënkat e përgjithshme. Sot unë jam shumë i qartë se “ata (shqiptarët) nuk do të bëhen bashkë si në vitin 1972” sepse e para vetëm diktaturat e bëjnë këtë gjë shpejt, dhe e dyta, në një liri të tillë, ku dhe më i humburi bën akademikun, nuk mund të qullosësh asgjë normalisht. Por qeverisë nuk mund ti lësh një barrë të tillë, sepse është më tepër se sa i takon asaj. Standarti i shqipes është tashmë, dhe qeveria nuk ka asnjë mënyrë devijimi, ajo në këtë standart do të veprojë (gati shkrova operojë, por u vetëkorrigjova) dhe padyshim, që ky është drejtimi, por lufta e ashpër që mban llogoret dhe fillon të përdorë “fjalë të mëdha” dhe terma të rënduar me cilësime nuk bëjnë zgjidhjen, por vetë problemin.
Prandaj them se gjuha shqipe është gjallesë. Ajo duhet përsosur ashtu sikundër Kongresi i Drejtshkrimit në vitin 1972- shit mori përsipër dhe e bëri realitet, por sipas meje (dhe jo vetëm unë) nëqoftëse kanë kaluar 42 vite nga ky Kongres i jashtëzakonshëm (dhe ai ka pasur suksesin e tij në standartizim), si gjuhëtarët, akademikë, shkrimtarë, historianë, duhet të përballen me të sotmen e folur dhe shkruar në Shqipëri, por dhe troje shqiptare, apo dhe etninë shqiptare kudo ku ajo flet dhe shkruan gjuhën tonë. Këtë tani, nuk ka letër, dhe nuk mund të ketë njeri në botë që e mohon. As qeveria nuk mund të kapet në “leqe” në këtë pikë. Realiteti i gjuhës së folur dhe shkruar sot, dhe jo thjesht sikundër e shikon dikush në raportin e të folmes-folurës dhe të shkruarës gegë dhe toskë, sigurisht nuk mund të mohohet. Ky realitet, kërkon një qasje të lartë shkencore dhe akademike, dhe në asnjë mënyrë nuk është problem i qeverisë Rama. Kjo qeveri po mundohet të shkruajë më mirë dhe më qartë, por dhe më në standart letrat e saj, por ajo nuk mund të jetë modeli ku duhet të “dalë kunji”, sepse thjesht nuk bën, nuk ka pse të futet në këtë “kurth të vogël” dhe të pa nevojshëm!
Vetëm për hatrin e Këshillit Ndërakademik, nuk mund të ndëshkohet lëvrimi, jetësimi, mirëqenia, modernizimi, dhe sidomos vijimi i standartizmit të Gjuhës Shqipe. Kongresi i ‘72-shit nëqoftëse shikohet se një produkt që do të mbetet i pa lëvizur, dhe që nuk merr parasysh kohën, zhvillimin shoqëror dhe demografik, që nuk e di gjuhën shqipe si gjallesën më të madhe shqiptare në ato pjesë të jashtëzakonshme jetësore që kemi, besoj se i bie shumë rëndësia dhe normalisht kthehet në dogmë. Tutela e gjuhës, mbase kërkon diçka dhe mbas, e nuk mund të jetë “vetëm propozimi i firmëtarëve që i thotë qeverisë shkri Këshillin ndërakademik”!? Ky në fakt do të ishte një propozim, dhe duhet parë si një diçka që nuk ndan, por bashkon. Përndryshe do të nisë lufta e kotë dhe e paprinciptë e ndarjes krahinore, e ndarjes politike medemek djathtas majtas, dhe e zakonit aspak normal dhe i errët shqiptar për fat të keq, që luftën e shikon me modelin antagonist shqiptar-shqiptar!?
E fundit, sa do që një qeveri të drejtojë dhe të bëjë punën e saj, në modelet akademike dhe shkencore ndjehet vulnerabël dhe kur ka plotësisht të drejtë dhe për këtë është qartësisht e nevojshme për një organ tutele dhe mirëkujdesje për gjuhën dhe padyshim në studim të saj nga mosha e vogël, sipas meje deri në vitin e fundit të gjimnazit. Ky mund të jetë një propozim dhe reformë, dhe për këtë kërkohet organizëm gjithëpërfshirës e me sa të mundet akademizimi të mbrohet nga politika, pikërisht duhet sa më pak politikë. Kjo, dhe është e vështirë, dhe prandaj them, kujdes me rëndimin që mund ti bëhet asaj me ngarkesa që pastaj shkaktojnë ballafaqim të ashpër të cilin ne shqiptarët e kemi si një model jete, por që i shkaktojmë vetes shumë e shumë telashe.