Para pak kohësh dëgjuam vendimin e Gjykatës së Lartë për dy deputetët e majtë që me “dashuri” në mjediset e Parlamentit “Gjigand” Shqiptar, spërkatën me disa shuplaka një deputet të PD-së, të kampit kundërshtar. Ky incident ndoti gjithë atmosferën politike dhe atë publike, si të kishte ndodhur një cunam në gjirin e Parlamentit tonë të “pastër”, të mbushur me gjithfarë speciesh deputetësh, që e kanë origjinën siç dëgjojmë rëndom nga biznesi i “ndershëm”, i ngritur nëpërmjet drogës, korrupsionit dhe prostitucionit. Por le t’i lëmë mënjanë gojët e liga dhe të merremi me moralin e “shenjtë” të deputetëve tanë, sharlatanë, që turpëruan dynjanë. Gjykata jonë, që gjykimin e “ndershmërisë” e ka zërin e Perëndisë, i quajti të pafajshëm dy deputetët e mazhorancës. Ky gjykim është i pamoralshëm po të ndjekësh traditën dhe zakonin e shqiptarit, që më i madhi, më i forti, nuk tregon kurrë trimëri me të voglin, me të dobëtin, edhe pse ai mund të jetë pak rrugaç dhe meriton kërbaç. Por, për kohët moderne këto parime tingëllojnë disi anakronike, për të mos thënë komike. Shkallët e sallës të Parlamentit tonë ngjajnë me shkallët e amfiteatrit të gladiatorëve të Veronës në Itali.
Sot, arena e cirkut të deputetëve në Parlament, ka zëvendësuar teatrin e Estradës së dikurshme, por me një risi klasike, që çdo replikë shkëmbehet me një fjalor cinik, sa që ke turp ta dëgjosh, pse jo dhe frikë. Në Parlament, nuk e dallon dot se kush e prish dhe kush e ndreq, se deputetët shahen e rrihen pa të keq, të rinj dhe pleq. Dhe ky Parlament ka vajtur për dreq. Kanë treguar me fakte, se dinë të shajnë njëlloj, gra e burra, se nuk ju mungon “kultura”. Fjalori i tyre i sharjes me fjalë turpi, në formë grupi, del si vullkan nga goja e nga trupi. Ne krenohemi se kemi një alfabet me fjalor të pasur me 36 shkronja, por Zot shpëtona, nga deputetët kufoma. Megjithëse gjuha Shqipe ka një vokacion të gjerë, ajo stonon po të ballafaqohet e krahasohet me zhargonin që përdorin deputetët tanë, kur diskutojnë për hallet e popullit, që në shpinë i “kanë”. Bagazhin e sharjeve të parlamentarëve tanë, pak vende në botë e kanë. Ata e fillojnë me libër shtëpie, me nënë, me motër, me grua e me komshije, që s’dinë ku bie. Dhe burrave të moçëm, kjo gjuhë ju ka hije. Nga Parlamenti i parë s’i kishim dëgjuar këto fjalë, se kishte më shumë intelektualë se shpellarë. Nuk dimë nga e gjetën liderët e partive këtë “farë”, që po konkuron të mençur e të marrë. Liderët e partive e kanë bërë kriter, po nuk di të shash, s’të hapet ajo derë. Ndaj deputetët janë bërë njësoj, që s’di këtë qash më parë, nga këta qyqarë, se të gjithë janë bërë pashallarë, pa dallim ngjyrash, si të zinj dhe të bardhë. Dëgjon dhe ndonjë filozof pa emër, që thotë se nuk është në nderin e burrit që të shajë një femër. Por ai harron dhe është arkaik, se këta deputetë kanë fjalor të ri demokratik, or mik.
Ka lindur një diskutim popullor i gjerë, a duhet të rrihen deputetët të tërë, po ti vesh në pe e gjilpërë, për t’u rrahur të gjithë janë bërë. Kontaktova me një kompani monitorimi, që a duhet të rrihen deputetët me listë? Më rezulton se 70% janë për rrahje në grup, ndërsa 30% për rrahje me zgjedhje, se ndryshe do ishte turp. Ti rrahësh të gjithë nuk është e lehtë. Nuk janë pak, po 140 deputetë. Një plak i mençur më solli në kujtesë. Të gjendet një rrahës me pagesë. Bile do jetë mirë që të shpallet tenderi, që të fitojë, një rrahës me pagesë me përvojë, që mund të përballoj këtë kope deputetësh të majmur nga pasuria e popullit. Po paratë ku do gjenden i thashë, se rrahësit me pagesë kanë çmim të lartë?! Ai, tha: Të grumbullohen para nga çdo deputet. Po si mund të paguajë deputeti të rrahë veten e vet!? Edhe këtu një version u gjet. Të majtët të grumbullojnë fonde për të rrahur të djathtët dhe anasjelltas. Por përsëri, s’ka barazi, se të majtë janë më shumë se të djathtë dhe kjo s’është demokraci. Me llogari i bie, që një i djathtë të rrahë një të majtë e gjysëm. Por përsëri, s’del kjo llogari. U mendua që një i majtë të rrahë një të djathtë në mes e lart, ndërsa tjetri në mes e poshtë dhe kështu nuk mbetet asnjëri bosh. Kjo është si ta mendosh. Edhe po ta pranojnë këtë variant parlamentarët, ka mundësi të mos jenë dakord ndërkombëtarët. Ka një krizë në Parlament, që nuk di nga t’ia fillosh, se do mbetet salla bosh, me këta deputetë kodoshë, kokëboshë, diplomashoshë, që je i detyruar të shterosh.
Mediat e shkruara dhe ato elektronike, i kanë mëshuar fort rasteve të përleshjeve të këtyre qenieve komike. Mediat janë kthyer në rolin e qenve të gjahut, duke bërë alarm publik, sa që kanë vënë deputetët në rrezik. Deputetët kanë treguar spektakël jo vetëm me grusht, por dhe me pushkë. Shqetësimi është permanent, se me kaq “pak” deputetë që kemi ne, plot 140, njëri të na dëmtohet, Parlamenti rrezikohet. Pra, rëndësi ka që t’i kemi si krerë, pa le të zihen e rrihen, s’ka qeder. Vetëm të mos vriten, se nuk “ngjiten”. Ç’do me thënë nuk ngjiten, më tha një kolegu im, ata nuk janë sende. Po, i thashë, nuk ngjiten, se ata janë njëlloj, si një trup, apo turp i vetëm. Nuk i dallon dot nga koka te këmbët, se i kanë të përbashkëta rrënjët. Shqipëria është katandisur në këtë gjendje, se ka 140 deputetë, që kanë një mendje. Kolegu ma kundërshtoi dhe s’deshte ta besojë. S’jam dakord ndërhyri ai, ata zihen si qentë për kockat dhe harrojnë që fërkojnë doçkat, kokoroçkat. Deputetët ujqër hëngrën gjithë pasurinë e Shqipërisë, në emër të demokracisë, me përkrahjen e partisë. Por ata shahen e zihen me njëri tjetrin duke akuzuar, se pasurinë e kanë grabitur e përvetësuar, por asnjëri nuk është dënuar, a e ke kuptuar?! Po ku e gjetën pasurinë deputetët, ata nuk janë të gjithë biznesmenë, por janë sejmenë, që me çanta në dorë vijnë e venë, nuk merren me penë, as gjumë nuk flenë. Pasurinë ata e kanë ndarë, shpërndarë e rishpërndarë dhe përsëri s’kanë karar. Ata zihen se s’kanë rënë dakord në pazar, mor qyqar.
Të dy palët janë një prerje, socialist e demokrat, njëri poshtë e tjetri lart, këto mostra patëm fat. Thonë se kanë dalë nga një mitër. Janë rritur e stërvitur, për të grabitur. Neve na kanë vjedhur e na kanë shitur, kjo kope e uritur. Po si shpjegohet, që ditën rrihen e zihen, e pastaj natën bashkë gdhihen. Atë e bëjnë për të prishur syrin e keq, se ky popull e di se ç’heq, me këtë klasë politike qenka fatkeq. Ç’faj kanë deputetët, vazhdoi ai, ne i votojmë, u besojmë, si dele prapa u shkojmë, i nderojmë si të jenë apostuj dhe pastaj i komentojmë. Edhe po të mos i votojmë ne, ata prapë fitojnë, se vetë i numërojnë, i kryqëzojnë, i shartojnë dhe i rregullojnë bilancet që t’i trashëgojnë. Ata që i kanë vënë zjarrin Shqipërisë, 25 vjet mes stuhive, janë liderët e partive. Historia e deputetëve më kujton një episod nga e kaluara në spitalin e Vlorës, që një fshatar nga Myzeqeja donte të hynte të takonte një njeriun e vet që ishte i shtruar. Doktori i rojes nuk e lejoi dhe fshatari e qëlloi. Drejtori spitalit qe shumë i shqetësuar për këtë incident dhe i qante hallin një mikut të vet drejtor, që njihej për humor. Mos u shqetëso i tha ai, shyqyr që u bë trim myzeqari. Por atëhere bënte bujë të goditej një qytetar, e pale si sot një parlamentar. Drejtori insistonte se ishte një skandal shumë i rëndë. Atëhere Kamberi i tha: “Ke shumë të drejtë, fshatari ka gabuar, se duhet ta fillonte nga ti si drejtor, se ju jeni bërë të gjithë për t’u rrahur”. Për analogji, kjo histori i shkon për shtat parlamentit tonë fri.
Dhe si përfundim, ka një gjykim. Që deputetët e shtetarët, duke nxjerrë në krye kryetarët, të partive dhe qeverive, duhen vënë para përgjegjësisë, për këtë tragjedi që i kanë shkaktuar Shqipërisë. Këtu, penaliteti duhet të nisë. Që t’i ngjallet shpresa Shqipërisë.