Nga Fritz RADOVANI:
TONIN TERSHANA(1949 – 2015)
Tonin
TERSHANA asht lé në Shkoder me 1 Qershor 1949, nga një familje me tradita
qytetare. Banonte në rrugen Lekaj, vazhdimsi e rruges Luigj Gurakuqi. Gjendja
ekonomike e familjes ishte ajo e shumicës së banorëve shkodranë pa asnjë
perkrahje.
Ishte fare i rij per mos me thanë
fëmijë, kur me dy ose tre shokë të vet vinte në orët e mbrambjes perballë
dritareve të shtëpisë sime, hypnin mbi prakun e një dritares së shtëpisë Loro
Boriçit, dhe me një za të ambel fillonte me këndue kangë shkodrane me të cilat,
joshte vajzat e reja të atyne shtëpijave perrreth, që besoj nuk e kanë harrue
kurrë!
Mbi
prakun e asaj skene të vogel të asaj shtëpije filloi me lëshue trup një djalë
per të cilin tue fillue nga Nana ime e me rradhë, në mengjes, pershëndetnin me
knaqësi të gjitha gratë e asaj lagje, kur rreshtoheshin në rradhat e qumështit,
Nanen e Toninit, per ato kangë aq të bukra që ndigjonin me aq mall, e u sillnin
kujtime të sa viteve të shkueme.
Kujtoj të gjitha shtëpijat me grrila
të afrueme, mbas të cilave kur Tonini mbaronte me këndue, ndizeshin dritat per
ti urue djaloshit të rij të lagjes sonë gjumë t’ ambel... Djelmët iknin të qetë dhe tue vazhdue kangën
e tyne nënza... Nuk vonoi dhe një tjeter moshatar i Toninit filloi me e shoqnue
me kitarrë...
Tonin Tershana asht nder të parët
kangtarë që ka perjetsue në qytetin e vjeter të Shkodres kangen e paharrueshme
të kompozitorit Gac Çuni, “Kaçurrelat e tua”, një nder kryeveprat e muzikës së
lehtë, që kompozitori i saj nuk e ka ndigjue kurrë të shoqnueme me vegla nga
rinia shkodrane, mbasi Gaci vdiq në burg në moshë të re...Tonini me atë za aq
të bukur filloi me u njoh edhe nga rrethet e muzikantëve të njohun, tue fillue
nga i Madhi Prenkë Jakova, Leonard Deda, Pjeter Gaci, Gjon Kapidani, Mark
Kaftalli, Luan Zhegu etj., që edhe pse ishte fëmijë, Tonini premtonte shumë me
zanin e Tij.
Komshija i mirë të shpeton jeten! Dy
djelmoça moshatarë të Toninit, komshijë të Tij, Paçi e Ndoc Martini ishin
shoqnuesit e parë me kitarren e tyne, që bane të njohun nga artistet e mëdhej
dhe mbarë Shkodra, artistin e rij Tonin Tershana...
Lulishta e bukur e Turizmit Shkodres filloi të mbushej plotë me
simpatizantët e një kangtari që shpejtë do të bante emen, dhe do të lente
gjurmë si artist i vertetë dhe kangtar i paharrueshem edhe nder Festivalet
kombtare të kangës Shqiptare.
Perherë të parë në Tiranë filloi me këndue tek Lulishta e Sahatit, ku pat
rasë me u njoh me Ferdinand Deden dhe me u miqsue me Tonin Harapin, të cilë e
ndihmuene pa kursim si artist dhe shkodranë, zani i të cilit premtonte shumë...
Mori pjesë në Festivalin e katert të kangës, në vitin 1965 dhe fitoi çmimin
e parë me kangen e kompozitorit Tonin Harapi, me tekst të Mark Gurakuqit: “Të
dua o det!”
Tonin Tershana mori pjesë në njëzetë Festivale të kangës dhe fitoi kater
herë çmimin e parë, tue mbetë nder kangtarët e paharrueshem të artit Shqiptar.
Një nder kompozitorët e preferuem të artistit Tonin Tershana asht kenë edhe
kompozitori Pjeter Gaci, me kangën e të cilit “Kur vjen pranvera”, në
Festivalin e 11 të Kangës, fitoi çmimin e parë. Po me kangen e Pjeter Gacit
“Kthjelltësi, lumturi!”, në vitin 1985, Tonin Tershana mori prap çmimin e
parë...
***
Shpesh persëriste nder biseda: “U bana burrë parakohe!...” dhe qeshej me
zemer! Per natyrë ishte i çilter, i dashtun dhe mirënjohës ndaj të gjithë Atyne
që e kishin ndihmue me u shkëputë nga gjendja e vështirë ekonomike per me
ndjekë artin.
Pak muej perpara u lidhem me internet... Tonini ishte edhe sot Ai djali i
rij që një gjysë shekulli perpara këndonte i ulun në prakun e çimentos së
shtëpisë së vjeter të Loro Boriçit...në rrugen Ludovik Saraçi (dikur Badra), në
Shkodren tonë... E ngacmova se ishte zbardhë...(bana sikur nuk e shoh
veten)...U qeshem...
U qeshem... pa u kujtue fare se me 22 Shtator 2015, Tonin Tershana ndrroi
jetë!
Artistët e Mëdhej në Shkoder, dij se mbesin të Pavdekshem...
Këta pak rreshta në shenjë kujtimi sot, kur Shkodra mbet edhe pa Toninin...
Po, Asht Kanga e ambel e zanit të Tij, që do të këndohet nder Gurt’ e
Rozafës!..
Melbourne, 23 Shtator 2015.