2015-09-24

Në prag të vjeshtës së nxehtë kosovare

Në prag të vjeshtës së nxehtë kosovare











Nga Florim ZEQA  


 Protesta asnjëherë nuk vijnë si produkt i së mirës, as si dëshirë e popullatës për të demonstruar kërkesat dhe nevojat e saj para pushtetarëve, por vijnë si rrjedhojë e së keqes, e keqqeverisjes dhe shkëputjes së pushtetarëve nga interesat e qytetarëve.
 
Paralajmërimi i protestave të fuqishme të opozitës për mbrojtjen e shtetit nga Asociacioni, po vjen si pasojë e rrëshqitjeve të njëpasnjëshme të liderëve shtetërorë në bisedimet e pabarabarta me pushtuesin verior në Bruksel, pas lëshimeve drastike në procesin e demarkacionit, pas skandaleve të shumta qeveritare e deri tek aferat e njëpasnjëshme në sistemin e drejtësisë, probleme të cilat e kanë rrezikuar seriozisht funksionimin dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës.
 
Që nga koha e zgjedhjeve të 2007 e deri me 8 qershor 2014, akrepat e orës kosovare kanë mbetur në 17 shkurtin e vitit 2008. Kjo ishte ecja më e shpejtë dhe më e shënuar pozitive për shtatë vite qeverisje të PDK-së! Nga 17 shkurti 2008, qeveria e Kosovës ka bërë aq shumë rrethrrotullime dhe vendnumërime rreth kësaj date, derisa filloi me bisedimet "tekniko"-politike me Serbinë. Nga momenti i fillimit të bisedimeve politike me Serbinë fillojnë edhe hapat e parë të rrëshqitjes drastike të Qeverisë së Kosovës nga pavarësia e 17 shkurtit dhe elementet shtetformuese të Kosovës!
 
Amnistimi i krimeve serbe legjitimoi strukturat kriminale në veri, krijimi i Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë e rrezikon tjetërsimin e luftës çlirimtare, krijimi i Asociacionit të komunave serbe ndan sovranitetin e vendit në dysh. Liderët aktualë, në vend të kushteve për Serbinë, pranuan gjithçka që ofroi kjo e fundit në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, duke shkelur mbi gjakun e dëshmorëve, invalidëve dhe të rreth 1700 të pagjeturve nga lufta e fundit.
 
Me nënshkrimin e "Zajednicës" (kancerit serb në zemër të shtetit të Kosovës) me 25 gusht 2015 në Bruksel nga liderët e korruptuar (Thaçi-Mustafa), Kosova shënon rrëshqitjen më drastike në 41 vitet e fundit. Për ironi të fatit, edhe kësaj qeveritarët e korruptuar po i thonë sukses! Po, i thonë kështu sepse dështimet dhe rrëshqitjet e njëpasnjëshme janë bërë çelës suksesi për pasurimin dhe ngritjen e tyre politike. Shtatë vite e gjysmë vendnumërim, rrethrrotullim, rrëshqitje dhe izolim ndërkombëtar për Kosovën nuk janë pak, madje janë shumë për një shtet në formim e sipër, janë tepër shumë për një popull më varfëri të skajshme. Por akoma më të rënda bëhen për një popull të varfër, që për shtatë vite e gjysmë mbi supe barti një kastë politike të korruptuar dhe shantazhuar, duke u pasuruar skajshëm në kurriz të saj! Shtatë vite e gjysmë regres politik, ekonomik, social, shëndetësor, kulturor, sportiv, edukativ dhe moral të shtetit të Kosovës, do të mbeten gjatë në kujtesën e popullit, të shkruara apo të pashkruara qofshin ato!
 
Ndërsa liderët shtetërorë bënin gara në kapjen e tenderëve milionësh në proceset e privatizimit, populli i lodhur nga varfëria numëronte kilogramët e fundit të miellit dhe artikujve të tjerë ushqimorë në shtëpitë e tyre. Ndërsa për këto shtatë vite e gjysmë liderët milionerë të Kosovës shijonin plazhet më luksoze të globit, të sëmurët kosovarë harxhonin centët e fundit për blerjen e ilaçeve në spitalet tona të boshatisura nga medikamentet dhe mjetet e tjera sanitare! Këto shtatë vite e gjysmë të kaluara, po ashtu do të mbeten të paharruara për të pangopshmit, të pasuruarit nga abuzimet me pushtetin, të cilët ëndërrojnë të mbeten prapë në pushtet apo të rikthehen përsëri në fronin e artë. Këto argumente janë një arsye më shumë pse protestat e paralajmëruara nga opozita në asnjë rrethanë nuk guxojnë të marrin karakterin ideologjik si dhe nuk guxojnë të shndërrohen në protesta për marrjen e pushtetit me dhunë. Protestat duhet të jenë gjithëpopullore, gjithëpërfshirëse, duhet të jetë ky reagim i arsyeshëm dhe i fuqishëm i të gjithë qytetarëve si domosdoshmëri e kohës për ndryshime pozitive, për ndryshimin e qasjes qeverisëse në këtë vend.
 
Nëse njëmend opozita e ka qëllimin e mirë dhe fisnik të protestave për ndryshime pozitive, atëherë liderët e saj duhet ta bëjnë të qartë një gjë; të betohen para popullit se nuk do të jenë pjesë e hierarkisë politike shtetërore, se do të jenë përherë korrektor i vazhdueshëm i qeverisjes së vendit, luftëtarë të paepur të krimit dhe korrupsionit dhe dukurive të tjera negative në vend, për të thënë ndryshe, vendit i duhet një klasë e re politike, me mendësi të re, vizion dhe pikëpamje të reja politike konform 
rrethanave politike dhe zhvillimore.
 
Një qasje e tillë e drejtuesve të protestave do të ishte inspirim shtesë për pjesëmarrje masive, mbarëvajtje dhe realizim të suksesshëm të qëllimit të protestës. Të mos mashtrohemi duke pritur ndërkombëtarët, çlirimin e vendit nga oligarkia e pushtetit, nga krimi i organizuar, korrupsioni dhe dukuritë e tjera negative duhet ta bëjmë vetë, në të kundërt do t'i kalojmë edhe 16 vite të tjera në anarki, pabarazi qytetare dhe varfëri të skajshme. Vënia njëherë e përgjithmonë në binar të shëndoshë të rendit dhe ligjit do të jetë bazë për riparimin e të gjitha defekteve shoqërore si dhe do të ndikojë në kthimin e besimit të qytetarëve në institucione. Kësaj radhe, protestat patjetër duhet të sjellin përmbysjen e kësaj qeverie kuislinge, kësaj diktature të kusarëve politikë. Protestat duhet të sjellin ndryshimin substancial dhe përmbajtësor, në të kundërtën vetëm sa mund të forcojnë akoma më shumë pozicionet e pushtetarëve, të prodhojnë anarki dhe degradim të mëtejshëm të institucioneve shtetërore. 
 
Krijimi i menjëhershëm i një qeverie të shpëtimit kombëtar do të shënojë fillimin e një epoke të re në qeverisjen e vendit dhe hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare mbi bazën e parimeve të shëndosha, mirëkuptimit dhe reciprocitetit politik. Ndryshimi i ligjit mbi zgjedhjet dhe përgatitja e një procesi kredibël zgjedhor, do ta shpjerë vendin në rrugën e mbarë të vënies së themeleve të shëndosha të demokracisë, ku secili ka të drejtë të zgjedhë dhe të jetë i zgjedhur nga të tjerët. Mbajtja e zgjedhjeve të lira, mbrojtja e votës së lirë me ligj dhe transparenca e plotë në numërimin e votave garanton mbarëvajtje të procesit zgjedhor, i cili do të prodhojë një udhëheqje kredibile dhe të qëndrueshme në këtë vend.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...