2015-09-20

“Fjalori i gjuhës shqipe”

“Fjalori i gjuhës shqipe”, i botuar më 2006, me rreth 48 000 fjalë, i hartuar nga Jani Thomai, Miço Samara, Pavli Haxhillazi, Hajri Shehu, Thanas Feka, Valter Memisha, Artan Goga. Fjalori ka një numër më të madh fjalësh se fjalorët e mëparshëm, por vëllimi i tij fizik është zvogëluar nëpërmjet trajtimesh leksikografike të një fjalori të vogël: sinteza më të mëdha kuptimore që ngjeshin strukturat kuptimore të fjalëve, gërshetimi i tipit leksemor me atë çerdhor në fjalë me prejardhje të drejtpërdrejtë fjalëformuese. Ky fjalor i ri i gjuhës shqipe ruan e pasuron vlerat e gjithë fjalorëve të mëparshëm, mbush zbrazëtitë e tyre me fjalë e kuptime, veçanërisht të 10-15 viteve të fundit, plotëson sistemin e shënimeve për përdorimin e fjalëve, thjeshton shpjegimet në përshtatje me përdoruesit e tij etj. Një drejtim tjetër i punës së Departamentit të leksikologjisë dhe të terminologjisë ka qenë hartimi i fjalorëve të veçantë e specialë, si fjalorë frazeologjikë, sinonimikë etj.
1. “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe”, 1999, me rreth 12.000 njësi, i hartuar nga Jani Thomai. Ai zgjidh në parim e në sistem çështjen e identitetit të njësisë frazeologjike gjuhësore, duke e dalluar atë nga njësitë më të afërta, si sintagmat gramatikore (në qoftë se…, me përjashtim të…), nga sintagmat e figurshme (prapa krahëve, nën rrogoz…), nga shprehjet e figurshme letrare, nga proverbat e fjalët e urta etj. Fjalori përcakton prerë kufijtë e njësisë frazeologjike në shqipe, ku nis e ku mbaron si strukturë, e kjo lidhet me parafjalët a me lidhëzat, me trajtat e shkurtra përemërore (me krahë hapur, si kofini pas së vjeli, i mbush kokën…), me gjymtyrët e përhershme e të mundshme të njësive frazeologjike, me disa kategori gramatikore, si shquarsia a numri për emrat, koha e foljes etj. (i jap udhë diçkaje: “e zgjidh diçka” dhe i jap udhët dikujt: “e përzë dikë”). Ky fjalor e trajton gjithë lëndën leksikografikisht në mënyrë modelore, por sipas veçantive të frazeologjisë, me ngurosje strukturore dhe me idiomatikë të kuptimeve leksikore. Po ashtu, fjalori jep në mënyrë sa më të plotë, por të thukët, kuptimet e njësive frazeologjike, duke e zhvendosur qendrën e rëndesës te vlerat emocionuese-shprehëse, që janë më të mëdha se te fjalët sinonime (krhs. fut hundët dhe ndërhyj, e solli kokën dhe erdhi, e theu qafën dhe iku…).
Ilustrimi me shembuj të zgjedhur plotëson ndonjë zbrazëti të shpjegimeve dhe jep përdorimin e gjallë të njësive frazeologjike. Detyra e parë e më kryesore e punës mbi këtë fjalor ka qenë ndërtimi i korpusit të frazeologjisë shqipe me shpjegime. Ky korpus zgjidh njëherë sistemin e frazeologjisë gjuhësore të shqipes e mund të shërbejë edhe për hartimin e fjalorëve të tjerë frazeologjikë njëgjuhësh a dygjuhësh me vëllime të ndryshme, për fjalorët shpjegues etj. Për një fjalor të tillë, më shumë se për një fjalor fjalësh, kanë nevojë shkrimtarët, publicistët, përkthyesit, ata që mësojnë gjuhën shqipe, gjuhëtarët krahasimtarë, madje edhe folkloristët ose psikologët që duan të zbulojnë mendësinë popullore dhe etnokulturën, të ngjizura historikisht në struktura frazeologjike. Fjalori ka si hyrje një studim të gjerë, që ndrion sistemin konceptor për frazeologjinë dhe shtron parimet teorike e kriteret praktike leksikografike të këtij fjalori.
2. “Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe”, i botuar më 2004, me rreth 29.000 fjalë, i hartuar nga Jani Thomai, Miço Samara, Hajri Shehu, Thanas Feka. Përmban vetëm fjalë sinonimike, me ndarje kuptimore, me shpjegime të ngjeshura e me shembuj nga letërsia artistike, nga publicistika, nga folklori, nga ligjërimet e folura popullore etj. Fjalori bën shtresimin e sinonimeve sipas përdorimit, sipas fushave e sipas vlerave të mbishtresuara, duke dhënë shpjegime e shënime plotësuese që dallojnë njësitë normë nga fjalët krahinore të ngushta a të vjetruara. Sinonimet grupohen te fjala kryesore në vargun sinonimik, kurse fjalët e tjera, sipas rastit, referohen te kjo fjalë kryesore. Fjalori prihet nga një Hyrje, në të cilën shpjegohet koncepti për sinoniminë leksikore dhe për fjalorin sinonimik, si edhe jepen parimet e kriteret e ndërtimit të këtij fjalori. Por sistemi teorik për sinoniminë përshkon gjithë lëndën e fjalorit, makrostrukturën e mikrostrukturën e tij, përzgjedhjen e fjalëve, raportet leksiko-semantike ndërmjet tyre, bashkësinë e diferencat, veçoritë e përdorimit etj. Kështu, vetë fjalori mëton të jetë jo thjesht një vepër gjuhësore praktike, por edhe një “traktat” teorik në mungesë të studimeve për sinoniminë leksikore në gjuhën shqipe. Departamenti i leksikologjisë dhe i terminologjisë ka në pronësi të vet edhe Kartotekën e leksikut të shqipes (KLSH), e cila u themelua më 1955. Ajo u ndërtua që t’u shërbente detyrave që duhej të zgjidhte leksikografia shqipe.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...