2015-09-18

PELIVAN BAJRAMI, POETI LIRIK ME KOSTUM KOMBËTAR

Albert Habazaj


nga MSC. Albert HABAZAJ


…Qesh prej zorit, qan prej gazit.

“Qerratai” Pelivan Bajrami - e cilësonte Plaku i Bardhë i Letrave Shqipe, qysh më 23 Tetor 1995 Pelon, poetin tonë të dashur, sot emigrant në Amerikë. Kanë kaluar 20 vjet nga botimi i librit “Populli dhe politika”, që bëri shumë bujë për kohën dhe fitoi një popullaritet të paimagjinuar. Interesante është se edhe sot ky libër është si një kod shpirtëror e moral në vargje ndër shqiptarë. Edhe pse nuk ka ndonjë ndikim të shfaqshëm nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, as nga Kanuni i Skënderbeut, as nga Kanuni i Labërisë dhe as nga ligje apo përmbledhje ligjesh e normash të pashkruara, të trashëguara në mënyrë gojore, që pasqyrojnë gjendjen ekonomike - shoqërore të periudhave të kaluara, që në kohën e vet mbronin interesat e klasave e të shtresave të caktuara shoqërore, si tërësi e normave të së drejtës zakonore, ky libër i veçantë i krijuar nga Pelivan Bajrami ka mushtin, ka lëngun e pastër, ka dhe frymëmarrjen e kësaj kushtetute të pashkruar shqiptare në rrjedhat e kohës; trajtuar artistikisht me magjinë labe të vargut, që Pelua e qëndis si ai! Do të rikujtoj ç’kam botuar në një gazetë shqiptare, kur doli në qarkullim libri - testament etnoartistik i autorit Pelivan Bajrami: “Pasi ke lexuar një libër të bukur, që të ka lënë mbresa të forta e do të shprehësh qoftë dhe një fjalë pozitive, thua me vete: “Po s’i nuk zgjati dhe pak! Unë e lexova me një frymë”. Ndërsa me mua kjo ndjesi mori trajta tërësisht të brendshme. Kur lexova dhe këndova të 142 faqet e librit “Populli dhe politika” të këngëtarit lab, rapsodit të mençur e trim, Pelivan Bajramit, s’më kujtohet, mora frymë apo jo. Po e përsëris. Unë kur i lexova poezitë e Pelivanit, sinqerisht po ju them, s’më kujtohet, mora frymë apo jo. Unë qesha me gjithë shpirt, dhe më vanë lotë me tërë mend. Dhe rashë në mendime. Dhe kërcita dhëmbët. Dhe nxorra një tingull si nënqeshje nga honi i kraharorit. Dhe shtërngova grushtin nga inati për gjithë këto halle të pasosura për shqiptarët dhe shqiptarinë. Për pisllëkun e kohës. “Qesh prej zorit, qaj prej gazit”, klithte dikur Noli i paarritshëm. “Na mban gjallë vetëm humori”, bën sarkazëm rapsodi ynë sot. Mirë e ka, i uruari. Para s’ka. Punë s’ka. Kapital s’ka. Derrat fryhen. Shyqyr që ka humorin e begatë e të bollshëm dhe na e fal atë me fisnikëri që ta ndjejmë sa më pak dhimbjen e tranzicionit që na ka vajtur në palcë... Rrofsh, or mik se na lehtësove! “Qerrataj - thotë Dritëroi i madh në parathënien e tij, duke i uruar një udhëtim të mbarë librit, - më bëri të qesh aq shumë sa fshiva sytë me mëngë”. Kjo është e vërtetë. Kështu më ndodhi dhe mua dhe shokëve të mi në Vlorë, me të cilët kemi diskutuar shumë. Me siguri kështu u ka ndodhur dhe ju, o miq që e keni lexuar dhe që do të keni mirësinë ta lexoni. Libra ka plot. I ruan populli nën gjuhë, se e di i urti, ndodh si me librin e poetit të talentuar Arben Duka…


Pelivan Bajrami dhe Libri i tij

E, njerëzimi nderon Xhordano Brunot. Urren katilët vandalë...Libri poetik “Populli dhe politika” ka 59 vjersha në tre kapituj. Kreu i parë - humor të kohës; i dyti - skica poetike, portrete e syfete; i treti me kënëgë lirike, humoristike dhe fabula në vargje. Vëllimi dallohet për problematikën e drejtpërdrejtë të aktualitetit, pasqyrimin e jetës së sotme në rrokopujë, në proces e sipër. Guximi qytetar i autorit vlen të çmohet dhe do të vazhdojë të çmohet.
Pena e Pelivanit nuk ka miq. S’mban hatëre. S’të fal ajo. Gabove, ta qëndis vargun. Je në rregull, t’i stolis vlerat. Ama, shkave - t’u qep e s’ndahesh mirë me të…S’pyet a je i majtë, a je i djathtë; je me këtë, a je me atë. Pelivan Bajrami mik ka vetëm të mirën, të vërtetën, të bukurën, të dobishmen, idealen, shqiptarizmën, kombin e shqiponjave. Vetëm atyre u falet Poeti i së Vërtetës në Sy. Libri i ri që kemi në dorë është fryt i lirisë krijuese të autorit, i akumulimit artistik e kurajos civile. Para së gjithash, është një shërbim me vlera ndaj demokracisë së pastër shqiptare, kur autori dëgjoi thirrjen imperative të kombit dhe apelin e ndërgjegjes qytetare.


Grupi me kostum kombëtar=Gëzim Vera, Valter Shabani,  Pelivan Bajrami, Albert Habazaj, Neki Skëndaj

 Mesazhi që na transmenton në librin e tij P. Bajrami është i qartë: “Diktatura e përçan popullin, neodiktatura e shpërbën”. Protesta kundër përçarjes krijon bashkimin kombëtar dhe vetëm prej këtij bashkimi lind e rritet demokracia e vërtetë qytetare” [Botuar në gazetën “Kombi”, viti VI i bot., Nr. 28 (403), E martë, 25 Qeshor 1996, f. 1, 6]. Ky libër është botuar në Tiranë, në shtëpinë botuese “Faik Konica”, pranverë 1996. Redaktor ka shkrimtarin Gjikë Kurtiqi, që është një nga fabulistët shqiptarë më të spikatur. Skicën e portretit të autorit për kapakun pas librit e ka bërë Piktori i Popullit Skënder Kamberi. Një udhëtim të mbarë të librit ia bën Dritëroi me parathënien e tij dy faqshe. Nuk do t’ i bëj analizë letrare librit, edhe pse kam besim, dëshirë e mundësi ta realizoj meritueshëm për ngjyrat dhe tingullin e fjalës, që na fal me bujari autori, për guximin qytetar që na brumos në qenie e në ndërgjegje ndër të parët, në mos i pari autor që mprehu penën krijuese me kurajo kundër të keqes e veseve, kundër hipokrizisë e ligësisë lilipute, që po zvarritet e zvarritet neveritshëm të na grisë buzëqeshjen, të na shqyejë degët e pemës shqiptare me rrënjë të thella, me trung të fortë, me degë të shëndetshme e me gjethe të gjelbra… Dëshiroj t’i përçoj lexuesit disa mesazhe. Çdo krijim ka krijuesin e tij. Edhe këto krijime që lexojmë tek libri “Populli dhe politika” kanë autorin e tyre, poetin e njohur Pelivan Bajrami. Në vargjet e tij ka Vlorë, ka Labëri, ka Elbasan, ka Lushnjë, ka Dibër, ka Has, ka Skrapar, ka Tiranë, ka Janinë, ka Tuz, ka Preshevë, ka Prishtinë, ka Ulqin, ka Korçë, ka Artë e ka Nartë, ka Përmet e ka Skrapar, ka Krujë e ka Shkodër, ka Kolonjë e Tepelenë, ka Gjirokastër e Kelmend, ka Librazhd e ka Dukagjin, ka Sazan e ka Himarë. Një lexues, që nuk ia njeh jetëshkrimin këtij autori, mund ta mendojë nga çdonjëra krahinë a qytet që citova dhe nuk gabon, sepse Pelivan Bajrami si krijues është nga të gjitha trevat shqiptare. I do të gjitha foletë e shqipes si vendlindjen, si pjesë e së tërës. Ai është një shqiptar i mirë. I qytetëruar. I kulturuar. Një shqiptar integrues, përbashkues ndaj kulturave të vendeve të tjera të rajonit, të Europës a të botës, jo përveçues. Me origjinë të hershme Pelivani është nga Tërbaçi i Vlorës, nga fisi i nderuar i Bajrame, mëhalla Bita. Drashovica është vendlindja e tij. Por jo më pak rreh zemra e krijimit të tij për hapësira shqiptare me rol në historinë kombëtare, si Vlora, Kosova, Çamëria, që i do sa vendlindjen, e s’i këmben t’i falin botën. Jo më pak se për njerëzit e tij të dashur, se për gjakun e tij fisnik rreh zemra krijuese e të veçantit Pelivan Bajrami për persona realë, që me bëmat e tyre u shndërruan në personazhe kombëtare, në legjenda nderimi për brezat si Ismail Qemali i Pavarësisë, akademiku Rexhep Qosja, Halil Gashi i këngës epike, Mehmet Pashë Dërralla nga Tetova, ministri i Luftës në Qeverinë e Plakut të Urtë të Flamurit, arbëreshi i ditur dhe idealist Antonio Belushi, Mic Sokoli i legjendës historike, gurrat e Labërisë Mato Hasani, Selim Hasani e Xhebro Gjika, poeti polifon i Himarës e Labërisë me përmasa kombëtare Lefter Çipa, etj. E veçanta e krijimit Pelivanian është se këto vargje ai i ka skalitur aq bukur e harmonishëm sikur të jetë nga ai vend për të cilin shkruan, sikur t’i ketë të afërt personat e njohur historikë e kulturorë për të cilët shkruan e sikur t’i ketë të gjithë të tijtë, të gjakut, të zemrës, të shpirtit. Njehësohet artistikisht me ta. Po citoj vetëm poezinë për Plakun e Vlorës, që në fakt është një sentencë letrare - historike: “Kush është Smail Qemali?!/ Gur i rëndë i këtij vatani,/ Gur që s’shkulet nga tabani./ Gur me brumë stërrali,/ Gur mermer nga më i bardhi”. Kaq. Pesë vargje është poezia. Lakonike. S’do koment. Flet vetë dhe jep mesazhe. Poezia e tij për Çamërinë : “-Ti më flet me gjuh’ të zëmrës/ Çamëri, o nëna ime:/ Moj e bukur drit’ e hënës,/ kur do hysh në shtëpinë time?/ Moj e mira, pse je fyer/ dhe mbi troje sytë të mbenë?/ O zogu me krah të thyer/ kush të ka prishur folenë?!.../ - Folenë e ngrita mbi shkëmb./ Mërgova si dallëndyshe,/ dhe e verbër, e mbaj mend/ gurin tim, sinor të gjyshve. Pa më vranë e më përzunë,/ këmba - këmbës muhaxhirë,/ Foli Evropës, moj Nënë/ ç’ka që rri e bën sehir/!...” është thurur jo me penë, por me frymë Atdheu. Është e situr në dritë hëne, me hojet e mjaltit të krijimit artistik dhe të dashurisë kombëtare. Kjo këngë ëshëtë ndjenjë, mendim, dhimbje, krenari dhe mesazhet e saj janë detyrë pastërtisht e lartë gjaku. Është një këngë që ndihet, por më e mira do të arrihej po ta shijosh me karakterin e saj sinkretik. Është bërë edhe këngë labe dhe këndohet në disa variante labërisht. Është bërë edhe këngë popullore e stilizuar dhe këndohet nga këngëtarët e trëndelintë të Shqipërisë. Ai ka shkruar tekste kënge për grupin lab të Drashovicës; ka krijuar dhe ka drejtuar grupin polifonik të Treblovës, ku spikati sidomos dhe u vlerësua me këngët humoristike, si “Plaku im, marshalla!” etj. Si tërbaçiot me rrënjë, Pelivan Bajrami ka kontribute të dukshme me grupin polifonik të Tërbaçit, pas dragoit të këngës labe, Kujtim Mici. Siç shprehet dhe vetë, kurrsesi s’e harroi vendin e babës dhe të nënës, shkonte shpesh atje, sa qe në Shqipëri. Tani është larg. Matanë Adriatikut e Mesdheut. Në Amerikë, matanë Atlantikut. Por, është shumë afër me ne. Me poezitë e tij, me këngët e tij. Me humorin e tij. Me shpirtin e tij human. Me dashurinë e tij universale. Dashamirësit herë e krahasojnë Pelon (sipas një imazhi të tij hedhur në facebook, nga Amerika, pasi përballoi fatmirësisht një shqetësim shëndetësor) here me Gëzim Krujën, herë me Roland Trebickën e paharruar (Jovan Bregun e papërsëritshëm), jo thjeshtë si antropologji fizike. Unë i shkruaj vëllazërisht, duke e përshëndetur me dritën e ngrohtë të diellit nga buzëdeti vlonjat: Sot i madhi Pelo më ngjan: Filozof si Sami Frashëri, Poet si Naim Frashëri, Atdhetar si Abdyl Frashëri. Nesër brezat e Shqiptarisë do të thonë për më të mirët që do t'u bëhen: Filozof, Poet dhe Atdhetar si Pelivan Barjamaj. (Ka hiperbolë? Ka. Por ka mirësi, dashuri, ka inkurajim shëndetësor, ka pastërti fisnike, se Pelos s’i rritet mendja. Ai u jep mend të tjerëve dhe e di mirë ku e ka vendin e tij). I mjaltëti Vjerështor! I ditur, i qeshur e i bukur në fizik, si në shpirt. Do ta gjejmë nëpër faqet e vëllimit me poezi “Populli dhe politika” imazhin e këngës epike dhe elegjiake, si pakkush, apo si askush, sepse autori realizon, siç e shpreha pak më parë, edhe karakterin sinkretik folkorit. Poezia e tij popullore është sipër, në majë të Malit të Folkorit Shqiptar, sepse vargjet e tij mbajnë erë dafine shpatullave të Labërisë e të Shqipërisë sonë. Në kohët e reja (pas viteve ’90 - të të shek.XX) Pelivani u muar me shpirt me grupin e madh të Tërabçit. Ja ç’kujton ai: “Ishim duke u përgatitur për festival, në Gjirokastër dhe Syrjati mori këngën time: “Kur më merr malli për nënën,/ dal e çmallem me Hënën…”. Këngën me grupin e drejtova unë. Mbas nja dy ditësh, unë shkova në Tërbaç, për një darkë te xha Rizai. [I paharruari Riza Barjami, bartës i dokeve, zakoneve dhe traditave dhe të kulturës jomateriale të trevës, shën. im- AH]. Aty u këndua (se shtëpi kënge ish’ e burra kënge e zotër kënge kish’) dhe kënga e famshme e Sinan Mullahut, krijuar e kënduar që më 1945 - ën, para një gjysmë shekulli e më shumë, 65 vjet më parë: “O shokë, do zëmë një këngë, /Do ma mbani a ta lëmë!/ Medet ne për mëndjen tënë,/ Mbetëm shamata e grënjë./ Nga e gjithë puna që bëjmë,/ Një metër vend do zëmë/ Dhe ajo gur e shkëmbënjë,/ O baltë e kuqe këlkënjë!...”. (bëhet fjalë për Festivalin Folkorik Kombëtar të Gjirokastrës, 2000 - shën. im: AH). Mua më pëlqeu aq shumë, sa e hoqa këngën time dhe vura këtë, këngën në fjalë. Syrjati [Syrja Hodo, marrësi këngës polifonike labe të Tërbaçit - shën. im: AH] hezitoi pak, nga që e pat’ mësuar këngën time dhe kënga vente mirë dhe kohë s’ kishim shumë. Vetëm dy ditë dhe do niseshim… Gjithësesi unë këmbëngula dhe vumë këngën e S. Mullahit. Syrjati më kërkoi të shtoja një refren dhe unë në çast e bëra: “Këngët - o, dertet - o, / këng’ e derte pa mbarim!… Kënga doli bukur, në taban e shtruar, e mbushur vënçe dhe në Gjirokastër u prit shumë mirë”. Gjithashtu, në vitet 2000, Pelivan Bajrami ngriti një grup simpatik, që u bë shpejt i mirënjohur me këngëtarë të rinj, grup polifonik lab, të cilit i dha emrin simbolik “Djemtë e Lumit të Vlorës”. Ky grup përbëhej nga Valter Shabani nga Velça (marrës dhe hedhës), Pelivan Bajrami, marrës, krijues i teksteve dhe drejtues i grupit, Gëzim Vera, kthyes, Neki Skëndaj dhe Albert Habazaj, mbushës (iso), të katër nga Tërbaçi. Duke kujtuar lexuesit që e kanë lexuar këtë libër, më bën përshtypje aktualiteti që kanë vjershat e librit “Populli dhe politika”. Ato janë krijime lirike që mund t’i ndajmë në tre nëngrupime: I) vjersha letraro - sociale - politike ; II) vjersha lirike, humoristike dhe elegjiake dhe, III) fabulat, që kërkojnë një trajtim më vete. Poemthi i tij për shqiponjën tonë të fut në mendime, është shumë interesant, kërkon debat jo vetëm letrar e kulturor, ndoshta dhe në nivel shkencor. Është vlerë që poezitë e P. Bajramit, edhe pse shumica e tyre duket si vjershërime të ditës, të problematikave përditësore, kanë jetë. Ato, edhe sot e kësaj dite kanë vlera sikur janë bërë para tre orësh (kanë kaluar 20 vjet, pak, pak e bën një çerek shekulli nga botimi i tyre). Parsqyrojnë me vargje realitetin, kanë mesazhe estetike, morale dhe edukative. Kanë nivel të pëlqyeshëm artistik, në stilin popullor, mbështetur në frazeologjinë e vendit dhe në fjalët e urta poullore. Nga përvoja krijuese që ka fituar në vite, autori spontanisht ka krijuar vetë shumë fjalë të urta në vargje, që natyrisht, i rezistojnë bukur kohës. Po citoj dialogun në vargje të autorit nga vjersha e parë e librit, që ka titull atë që ka edhe vetë vëllimi: “POPULLI: - Pa dëgjomë moj politikë,/ nga më bredh e s’të zë dot,/ të gjet’ më keq se rruspitë/ hu më hu nëpër Evropë…! POLITIKA: - Mos m’u zemëro, o popull,/ jemi si mishi me thua,/ botës un’po i vi rrotull/ për të qarë hallet e tua. POPULLI: - O me mua, o me botën,/ të njoh mirë që kur ke lerë,/ Më lëpihesh sa për votën,/ katër vjet s’të shoh në derë! POLITIKA: - Jam pranë teje, nat’ e ditë,/ Se mos bota të ngre leqe,/ të betohem: “Për partitë!”/ ma theve zemrën si qelqe…!/ POPULLI: - Ç’m’u qepe, a ‘ mira sporë,/ më je bërë si burri i hallës,/ do të shqyej vetë me dorë,/ Hëngërsha kockat e babës! POLITIKA: - Ç’të thotë goja, o im zot,/ (të ushqej me bisht të lugës),/ s’të ndahem për jet’ e mot,/ se të kam kaun e bukës!...”. Nga larg, nëpërmjet këtij shkrimi nderues, në faqet e gazetës sonë on line dëshiroj t’i them poetit të talenuar popullor Pelivan Bajrami: “I dashur vëlla Pelo! Ti je një Tërbaçiot i madh në kohët e reja, krijues i teksteve lirike me trëndelinë, edhe i këngëve epiko - lirike me dafinë mbi ballë të tekstit pelivanian. Elegjitë e tua janë drithëruese; edhe gurin bëjnë t’i shkasin lotë faqeve. Ti je një këngëtar me zë mjalti. Tekstet e tua me nivel të lartë artistik dhe meloditë e tua të ëmbla, natyrale e me zë koke qarkullojnë trevave të Labërisë nëpër grupe e nëpër festa, e, ne që e dimë se në ç’ burim janë mbushur, krenohemi, kënaqemi dhe çmallemi me Krijuesin e tyre, Artistin e Madh Human Pelivan Bajrami. Në rrafshin artistik e kulturor, sa shumë të shkojnë për shtat vargjet kushtuar Kapedan Gjolekës: “U trete, Gjolek’, u trete,/ po sos u trete për vete,/ po për gjithë vilajete…”. O Pelo, më mirë se ç’ta ka gdhendur profilin Plaku i Bardhë e Letrarve, Dritëroi i Madhërishëm, unë s’e bëj dot. Dashuri, vlerësim dhe nderim shpirtëror - po. Derëbardhi, Pelo, na shëron me vargjet e dufit që nxjerr nga shpirti, se na pikëlloi hidhërimi i gjakut nga këta pizevengë, që lanë nam si në shtatë puset, thotë një fjalë e vjetër, këtej nga anët tona. I kujtojmë shpesh vargjet e tua si bulëzime noliane: “Eh, moj nëna jonë bujare,/ qysh ia del moj e uruar?!/ një dorë miell s’ke në magje,/ prap’ të mbeti sofra shtuar!”. O Pelo! Më ka marrë malli të botosh një libër tjetër, se ti je gurrë e kthjellët krijimi. Më ka marrë malli, që një kënge, nga ato liriket e çastit, t’ja marrësh ti, ashtu, qetë, shtruar, ulët, ëmbël, në taban e unë t’ja kthej e të na shërohet xhani. Ah, more Pelo VËLLAI! Si është kjo botë! Ti je i rrallë! Më ka marrë malli vëllazëror dhe malli artistik për ty. Sa kujtime të bukura e të sinqerta kemi. Na shëron vargu yt e kënga jote, o këngëtar i lirë! O poeti lirik me kostum kombëtar!

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...