SHBA: Të largohen personat me  influencë kriminale nga qeveria
Daniel B. Bear, ka dhënë një mesazh të fortë për klasën politike. Ambasadori amerikan në OSBE ka kërkuar eleminimin influencave kriminale nga qeveria. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vërejnë se me gjithë progresin e bërë për largimin e personave me lidhje kriminale nga listat e kandidatëve, disa prej tyre u përfshinë në kandidim. Ne i bëjmë thirrje popullit shqiptar që të insistojë që partitë e tyre politike të ofrojnë kandidatë me reputacion të cilët duan ta çojnë vendin përpara. Eleminimi i korrupsionit dhe largimi i personave me rekorde kriminale nga qeveria mbetet thelbësore për zhvillimin e Shqipërisë dhe mirëqeverisjen e institucioneve demokratike”, thekson në deklaratën e tij ambasadori amerikan në OSBE, Daniel B. Bear.
Kandidatët
Problemi me listat e kandidatëve që garuan në zgjedhjet e 21 qershorit, për të cilët kishte dyshime në lidhje me të kaluarën e tyre është evidentuar edhe nga ambasadori amerikan në OSBE, Daniel Baer. Duke komentuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në vendin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin raportin e hartuar nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë si dhe gjetjet e evidentuara në raportin në fjalë. Ambasadori amerikan në OSBE tha se ashtu siç vërehet në raport, zgjedhjet e muajit qershor, në vlerësimin e përgjithshëm ishin pozitive megjithatë ai shton se pati edhe parregullsi si, votimi në grup, presioni mbi votuesit apo edhe politizimi i institucioneve publike. Ambasadori Baer thotë gjithashtu se pavarësisht progresit të bërë me heqjen e disa individëve të lidhur me aktivitete kriminale nga listat e kandidatëve, disa vazhduan garën. Baer thekson se SHBA-të u bëjnë thirrje shqiptarëve që të kërkojnë prej partive politike që t’ju ofrojnë kandidat me reputacion. “Shtetet e Bashkuara nënvizojnë se pavarësisht progresit të bërë me heqjen e disa individëve të lidhur me aktivitete kriminale nga listat e kandidatëve, disa vazhduan garën. Ne u bëjmë thirrje shqiptarëve që të këmbëngulin dhe të kërkojnë prej partive të tyre që t’u ofrojnë kandidatë me reputacion që do të mund ta çojnë përpara vendin”, thuhet në vlerësimin e ambasadorit amerikan në OSBE. Përfaqësia amerikane në OSBE shton më tej se reformat sistematike kushtetuese dhe ligjore që do të parandalojnë kandidatët që janë subjekte kriminalë, ose të lidhur me krimin, janë e vetmja mënyrë për t’i mbajtur persona të tillë larg zgjedhjeve.
Drejtësia
Përfaqësia e Uashingtonit në Vjenë ndalet edhe tek reforma në drejtësi, ku inkurajon qeverinë dhe parlamentin në realizimin e kësaj reforme. SHBA-të e vënë theksin tek ndërmarrja e kësaj reforme në frymën e bashkëpunimit ndërpartiak. “Reforma duhet të realizohet në frymën e bashkëpunimit ndërpartiak dhe është me rëndësi që asnjë palë të mos bllokojë përparimin në këtë pikë. Mbështesim punën e OSBE-së për të inkurajuar shoqërinë civile që të jetë më aktive në reformën në drejtësi. Populli shqiptar ka pritur boll për një sistem drejtësie ku prokurorë dhe gjykatës punojnë për zbatimin e ligjit dhe mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre”, thuhet në deklaratë. Ambasadori amerikan në OSBE shprehet në deklaratën e tij se “Shtetet e Bashkuara besojnë fort se përqendrimi i shqiptarëve dhe gjithë partive politike duhet të jetë tek reforma në drejtësi përpara çdo hapi tjetër”.