Adriatik Llalla nuk di të ndalet. Në kredon e tij për të premtuar dhe për të mos vepruar ai është tashmë një kampion. Që megjithëse nuk bën asgjë përsëri vazhdon të flasë për arrestime zyrtarësh të lartë. Ai ka paralajmëruar një gjë të tillë edhe në javët që do të vijnë. Kur gazetarët e pyetën pas një takimi në Njësinë Antikorrupsion në Tiranë aiu u premtoi pikërisht të njëjtën gjë që u kishte thënë edhe fiks një vit më parë. Por që atëherë ka kaluar shumë kohë dhe kryeprokurori ka mbetur në vend..
Prokurori i Përgjithshëm, Llalla, ka vendosur fuqizimin me kapacitete njerëzore të Njësisë Antikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, si një mënyrë për të përballuar fluksin e madh të procedimeve penale në këtë strukturë.
Aktualisht, kjo Njësi, e cila prej ditës së sotme do të përbëhet nga 5 prokurorë, numëron rreth 400 raste, mbi të cilat po kryhen hetime pasurore për persona dhe grupe të strukturuara kriminale, si edhe për raste të dyshuara korrupsioni në nivele të larta drejtuese.
Po ashtu, në mbështetje të kësaj Njësie, tashmë do të jetë i atashuar me kohë të plotë edhe një ekspert i misionit “OPDAT” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili do të ofrojë ekspertizë.
Lapsi.al i është rikthyer arkivës së tij, për të parë të gjitha deklaratat bombastike të Adriatik Llallës gjatë vitit të fundit…
Në maj 2014 gjatë një takimi analizë me krerët më të lartë të policisë së shtetit, për ti dhënë një hov të ri luftës kundër kriminalitetit, ai doli përpara gazetarëve dhe lëshoi lajmin bombë: “Takime si ky i sotmi janë shumë të rëndësishme për luftën kundër kriminalitetit në vend. Kemi në proces hetimi mjaft raste të rëndësishme, të cilat nëse do të rezultojnë të suksesshme mund të kenë ndikim të rëndësishme në ardhmen europiane të vendit”. Por interesimit të mëtejëshëm ai iu përgjigj: “Nuk mund të flas me emra”.
Vera kaloi dhe asgjë nga këto hetime nuk u konkretizua. Në rrejtën e prokurorisë, ra vetëm guvernatori Fullani, të cilin e braktisën të gjithë dhe më shumë sesa ndonjë punë e prokurorisë ky ishte një reagim pas faktit të kryer.
Në fillim të shtatorit Adriatik Llalla gjatë fjalës së tij në konferencën “Mbi korrupsionin e Shoqërinë” në Bukuresht nuk hezitoi sërisht të lëshonte deklarata të forta. “Aktualisht, krahas çështjeve që janë në gjykim, autoritetet hetimore shqiptare kanë nën hetim një numër të konsiderueshëm zyrtarësh, kryesisht të nivelit të lartë, që dyshohet se janë të përfshirë në veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës”, tha shefi i organit të akuzës.
Kaluan përsëri dy muaj dhe në 6 nëntor kryeprokurori vendosi të shfaqet në emisioninTop Story të Sokol Ballës. Ai theksoi se vendin po e pret një valë arrestimesh, që përfshijnë zyrtarë të lartë, ministra aktualë dhe ish ministra. Të pakëtn për një ministër aktual, Llalla tha se prokuroria e ka nën hetim për një ngjarje dhe shumë shpejt do të ketë lajme për këtë. Ai pohoi gjithashtu pas interesimit të gazetarit Balla se cështja e bankierit të vrarë Santo mund të ketë një një përfundim të shpejtë: “Hetimet e prokurorisë vazhdojnë me intensitet të lartë duke kërkuar mirëkuptimin tënd nuk mund të jap më tepër detaje për këtë ngjarje. Po ka mjaft pista ku dyshohet dhe që priten rezultate konkrete”.
Kanë kaluar disa muaj që atëherë, por edhe cështja Santo është në vend edhe cështja e ministrit aktual që po hetohet duket sikur është haruar.
Në shkurt 2015 Adriatik Llalla u shfaq në Shkodër ku kish vajtur për të përuruar godinën e re të prokurorisë. Edhe atje ai nuk pati fare droje të deklaronte se shumë shpejt do të arrihet në përfundime lidhur me shpërthimet me tritol në kryeqytet: “Prokuroria shqiptare për të gjitha ngjarjet ka filluar dhe po vijon hetimet me të gjitha strukturat shtetërore që ka në varësi, policinë e shtetit, SHISH dhe besoj se shumë shpejt do të kemi të dhëna konkrete për ngjarjet për të cilat kanë shqetësuar dhe kanë tronditur vendin”.
Pikërisht këto deklarata pa substancë e bënë ish kryeministrin socialist Pandeli Majko që gjatë një përballje me kryeprokurorin në 14 nëntor, në komisionin e ligjeve, ta pyeste në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse thjeshtë po bënte politikë me qëndrimet e tij publike.
Në fakt kjo është pyetja që shtrohet realisht për shefin e institucionit të akuzës: a është shndërruar ai në një politikan, që thjeshtë manovron për ta pasur mirë me palët, pa pasur asnjë ambicie konkrete për të luftuar krimin?
Disa raste flasin pikërisht për këtë. Deri më tani të vetmit njerëz që janë goditur, madje me lëvizje spektakolare të papërligjura janë ish guvernatori Fullani, ish kreu i bashkisë së Vlorës, gjika dhe nja dy kryebashkiakë të tjerë që Rama duhej të hiqte qafe para zgjedhjeve të qershorit si Flamur Bime në Gjirokastër dhe baftjar Zeqo në Fier. Të dy viktimat e arrestimeve spektakolare apo edhe dy kryebashkiakët që tani janë lënë në harresë, janë njerëz që e kishin humbur krejtësisht mbështetjen politike. Ato ishin lëvizje që i pëlqenin shefit të shumicës Rama dhe nuk e shqetësonin aspak kundërshtarin e tij dhe përzgjedhësin e Llallës, Berisha. Pra pyetja që shtrohet është: a po sillet Adriatiku si një ekuilibrist, apo si një njeri i ligjit? Në favor të kësaj pandehme të parë janë edhe disa episode, si ato të krerëve të policive ndërtimore të qeverisë dhe të bashkisë Tiranë që u bënë në të njëjtën ditë. Po në të njëjtën ditë u shpall lajmi edhe për fillimin e cështjes penale të një deputeti të PD-së, Astrit Veliajt, me atë për procedimin ndaj deputetëve grushtaxhinj të PS-së, Ndoka dhe Nderu. Kjo lojë prej ekuilibristi e ka bërë Adriatik Llallën që megjithëse me ndonjë “kunjë” të vogël të mbështetet nga kryeministri. Ajo e ka ka bërë cuditërisht atë edhe të mbrojturin e Berishës, megjithëse ky i fundit në mëse një rast e ka akuzuar prokurorinë (por e ka vecuar atë personalisht) se vepron me urdhra politikë.
Me sa duket kryeprokurori e ka arritur qëllimin me strategjinë e tij që është në modë jo vetëm në prokurori: Të bëjë shou pa bërë punë. Të japë deklarata bombë, pa pasur rezultate konkrete. Ndoshta këtë bëri edhe së fundi kur paralajmëroi sërish arrestime. Edhe njëherë më shumë. Prandaj, me sa duket prej tij është e kotë të priten goditje të mëdha. Dërgim para drejtësisë për ministra dhe ish ministra. Adriatik Llalla nuk ka forcë të godasë. Në të vetmin rast që e ka bërë realisht këtë, ka qenë kundër një vartësi të tij. Por edhe ky rast nuk mund të vërtetohet. Sepse për të tashmë kamerat janë fshirë.
******
Kjo deklaratë e Prokurorit të Përgjithshëm, është e rrallë në llojin e vet dhe më shumë se nga motivet profesionale ajo duket e provokuar nga dëshira për të bërë lajm. Ngjan me një joshje që i jepet publikut, i cili kohëve të fundit e ka rritur pritshmërinë ndaj organit të akuzës. Nuk mund të shpjegohet ndryshe, që njeriu më i rëndësishëm i hetimit në Shqipëri, flet si në rubrikat e thashethemeve të mediave me shprehjet "pritet që...". Një kryeprokuror duhet të flasë vetëm atëherë kur një hetim me ndjeshmëri të lartë ka përfunduar dhe çështja mund të bëhet e njohur për publikun. Ose e thënë ndryshe, kryeprokurori pritet të flasë me akte dhe jo me parashikime, gjë që zakonisht u takon gazetarëve ta bëjnë. Adriatik Llalla edhe kohë më parë pati deklaruar se kishte në duar tri dosje që do të trondisnin Shqipërinë, por deri tani as lëkundja më e lehtë nuk është ndjerë. Duke folur në këtë mënyrë, prokuroria rrezikon të krijojë një klimë presioni të panevojshëm, t'i vendosë njerëzit në gjendje ankthi dhe të zhgënjejë shpresën e qytetarëve për të parë drejtësi.
Përballë etjes së njerëzve, që presin ndëshkim për abuzimet dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë, prokuroria ndihet nën presion përtë ndërmarrë veprimet e duhura. Por ky presion nuk mund të shmanget me deklarata paralajmëruese se një ditë do të ndodhë diçka, por me akte konkretete. për këtë duhet profesionalizmi, guximi dhe ndershmëria e prokurorëve dhe jo intervistat e kryeprokurorit që në thelb nuk thonë asgjë.
Brenda një jave Adriatik Llalla doli dhe në VOA dhe në TCH, por pas këtyre intervistave vështirë të kuptosh diçka, përveç refrenit të njohur se prokuroria është e ngazhuar në luftë kundër krimit e korrupsionit. Nga Llalla pritet që vartësit e tij të ndriçojnë ngjarje tepër të rënda që kanë ndodhur kohëve të fundit, nga vrasja e Artan Santos e deri tek akuzat për korrupsion për disa zyrtarë të lartë që janë bërë publike dhe në media. Në intervistën e fundit të tij pritej gjithashtu që kryeprokurori të tregonte nëse do të merrte masa për ata prokurorë që ndërruan akuzën për Konstadin Xhuvanin dhe kërkuan vetëm 3 vjet burg. Ndonëse kjo nuk ka ndodhur në kohën e tij, Llalla do duhej të kishte shqetësimin profesional për të hetuar se kush janë këta vartës të tij që kanë nënshkruar skandale ët tilla. Llalla nuk tha asgjë nga këto, por paralajmëroi arrestime. Të shohim nëse kryeprokurori di diçka, apo flet edhe ai me thashetheme. Deri tani ka treguar se di t'i ndëshkojë vartësit edhe me dajak, por a do të dijë t'i ndëshkojë edhe kur abuzojnë me detyrën?
***********
Kryeprokurori Llalla: Po hetojmë ministra dhe ish -ministra. Flet për Xhuvanin, Santon dhe përgjimet e SHISH
Kryeprokurori Adriatik Llalla deklaron se organi i akuzës ka nën hetim ministra dhe ish -ministra. Këtë deklaratë ai e bëri në emisioni Top Story. Ai tha se hetimet kanë të bëjnë me një aktivitet aktual, por nuk pranoi të jepte detaje të tjera. Deri tani, në media janë denoncuar për afera apo shkelje të ligjit Ministra si Veliaj apo Kodheli.
Sokol Balla: A keni në dosje tuaja hetimet për zyrtarë të lartë të qeverisë së sotme?
Adriatik Llalla: Kemi dosje të zyrtarëve të lartë, në nivel ministrash dhe ish-ministrash. Po hetojmë edhe ministra të qeverisë aktuale.
Sokol Balla: Po më thoni që keni një procedim penal ndaj një ministri aktual të qeverisë?
Adriatik Llalla: Hetimet kanë lidhje me detyrën dhe një aktivitet aktual për çështje që nuk mund të japim detaje të mëtejshme.
Prokurori i Përgjithshëm foli edhe për masakrën e ndodhur mëngjesin e të martës në rrugën e Elbasanit. Konfirmoi se të katër viktimat u qëlluan nga Kostandin Xhuvani dhe se sherri kishte nisur për një dozë drogë.
Sokol Balla: Zoti Llalla, thoni se nuk keni asnjë dyshim për dinamikën e ngjarjes. Është provuar se i dyshuari ka qëlluar për të vrarë të 4 personat?
Adriatik Llalla: Nga të dhënat e deritanishme të hetimit rezulton se shtetasi Kostandin Xhuvani është kthyer në lokal për të qëlluar dy personat, ndërsa nga të dhënat e hetimit ka dyshime se dy të tjerët kanë vdekur në mënyrë aksidentale.
Sokol Balla: Thuhet se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një armë tjetër... Arma ka qenë e një prej viktimave?
Adriatik Llalla: Dyshimet janë të tilla që ka qenë e njërit prej viktimave.
Sokol Balla: Po lajtmotivi i ngjarjes?
Adriatik Llalla: Debatet mes palëve kanë lindur pasi i akuzuari i ka kërkuar drogë palës tjetër, që ishte duke konsumuar lëndë narkotike. Kjo ka shërbyer në fillimin e konfliktit, që më pas është përshkallëzuar.
Sokol Balla: Pra, vetëm për një dozë drogë?
Adriatik Llalla: Po.
Kryeprokurori, i pyetur në lidhje me hetimet për vrasjen e bankierit Artan Santo dhe se pritet që hetimet të përfundojnë se shpejti dhe të ketë rezultate konkrete
Sokol Balla: Ku janë hetimet e vrasjes së bankierit Santo, një ngjarje e rëndë e ndodhur në qendër të Tiranë?
Adriatik Llalla: Hetimet e prokurorisë vazhdojnë me intensitet të lartë duke kërkuar mirëkuptimin tënd nuk mund të jap më tepër detaje për këtë ngjarje. Po ka mjaft pista ku dyshohet dhe që priten rezultate konkrete.
Sokol Balla: Thoni që ka disa pista, ku dyshoni?
Adriatik Llalla: Çështja është në fazë hetimi.
Sokol Balla: Do ketë përfundim të shpejtë?
Adriatik Llalla: Besoj se po.
Sokol Balla: Kaq e komplikuar qenka?
Adriatik Llalla: Është një ngjarje e rënde dhe problematikat që shoqërojnë ngjarjen dhe pozicioni i Santos në një bankë të rëndësishme.
Një tjetër çështje ishte ajo e përgjimeve të përfolura të SHISH ndaj zyrtarëve të lartë. Z. Llalla tha se për çdo përgjim të SHISH lejen e jep Prokuroria e Përgjithshme.
Sokol Balla: Ka patur publikime për aktivitetin e SHISH për përgjime të paligjshme. A ka mundësi që SHISH të ketë përgjuar persona me imunitet, përfshirë kryeministrin, kryetarin e kuvendit dhe kryetarin e opozitës pa dijeninë tuaj dhe si mund të ketë ndodhur kjo?
Adriatik Llalla: Duke u nisur nga mënyra se si realizohet një përgjim, dua të theksoj faktin që cdo proces përgjimi nis me kërkesën e SHISH që bëhet për arsyen e përcaktuar në ligj. Cdo kërkesë e tyre paraqitet tek prokurori për t’u marrë në shqyrtim. Të gjitha rastet vendosin pas shqyrtimet, mjaft raste janë në proces përgjimi. Për rastin konkret prokuroria shqiptare nuk ka të dhëna konkrete që janë përgjuar zyrtarë të nivelit të ndryshëm. Ajo që është problematike dhe ne kemi kërkuar rregullim ligjor është fakti që pas dhënies së miratimit nga ana jonë, SHISH nuk është i detyruar të vendosë të dhënat për prokurorinë. Kjo problematikë kemi propozuar që kuvendi të bëjë ndryshimet e nevojshme ligjore.
Sokol Balla: Ju po thoni që Sokol Balla ka një veprimtari të paligjshme dhe të përgjohet. Befas në bisedë rezulton Rama, Meta, Basha kjo i mundëson SHISH që përmes një personi të tretë të përgjojë zyrtarë të lartë?
Adriatik Llalla: Kjo është e pakufizuar nga ana ligjore. Kjo mund të ketë ndodhur.
Sokol Balla: Ka patur abuzim nga SHISH në këtë drejtim?
Adriatik Llalla: Rasti konkret ka qenë në komisionin parlamentar që ka arritur në përfundimet konkrete.