2015-09-29

FDA aprovon një bar të ri për trajtimin e skizofrenisë


Administrata amerikane e barnave (FDA) ka aprovuar brexpiprazolin në tableta për trajtimin e të rriturve të prekur nga skizofrenia dhe për t'u përdorur si terapi shtesë me anti-depresivët për trajtimin e të rriturve me çrregullim depresiv madhor (MOD).
Skizofrenia është një sëmundje psikiatrike kronike, e rëndë që prek rreth 1% të amerikanëve. Në përgjithësi, simptomat u vëzhguan te të rriturit në moshë më të vogël se 30 vjeç dhe përfshinë halucinacione e paranoja.
Edhe çrregullimi depresiv madhor është një patologji psikiatrike e rëndë, e karakterizuar nga ndryshime humori dhe simptoma të tjera që ndërhyjnë në aftësinë për të punuar, fjetur, studiuar, ngrënë, etj. Simptoma të tjera përfshijnë humbjen e interesit për aktivitetet e zakonshme, ndryshim i madh në peshë, pagjumësi, hipersoni, irritim, luhatje psikomotore, vështirësi përqendrimi, mendime vetëvrasjeje. Episode depresioni shpesh vazhdojnë gjatë gjithë jetës së një njeriu, edhe pse disa persona mund të kenë vetëm një të tillë.
Efikasiteti i brexpiprazolit në trajtimin e skizofrenisë është vlerësuar në dy studime klinike 6 javëshe për një total prej 1.310 pjesëmarrësish. Bari ka treguar se redukton shfaqjen e simptomave të skizofrenisë krahasuar me placebon.
Efikasiteti i brexpiprazolit si trajtim shtesë për çrregullimin depresiv madhor është vlerësuar në dy studime 6 javëshe me 1.046 pjesëmarrës. Janë krahasuar brexpiprazoli bashkë me një antidepresiv dhe placebo me një antidepresiv. Pjesëmarrësit e trajtuar me brexpiprazol kanë shfaqur më pak simptoma në krahasim me ata të trajtuar me placebo.
Efektet anësore më të zakonshme të raportuara nga pacientët e trajtuar me brexpiprazol kanë qenë shtimi në peshë dhe ndjesi irritimi.
Brexpiprazoli dhe barna të tjera të përdorura për trajtimin e skizofrenisë kanë një "Boxed Warning" që i paralajmëron profesionistët e shëndetësisë mbi një shtim të riskut të vdekshmërisë nga përdorimi i këtyre barnave për trajtimin e problemeve të sjelljes te personat e moshuar me psikoza të lidhura me demencën. Asnjë bar nga kjo kategori nuk është aprovuar për trajtimin e pacientëve me psikoza të lidhur me demencën.
"Boxed Warning" paralajmëron edhe për një shtim të riskut të sjelljeve vetëvrasëse të fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë e rritur që marrin anti-depresivë, si rrjedhojë pacientët duhet të monitorohen me kujdes. Bari do të shpërndahet me një udhëzues për pacientin me informacione të rëndësishme mbi përdorimin apo risqet e mundshme.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...