Në Kosovë ka nisur sot viti i ri akademik dhe me këtë rast ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Prof.Dr.Arsim Bajrami, vizitoi Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Si tradicionalisht, viti i ri akademik nis edhe me vlerësimin e përkujtimin e protestës së fuqishme të studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Prishtinës, të para 18 viteve, 1 tetorit 1997, në mbrojtje të arsimit shqip në Kosovë, për lirimin e Universitetit e shkollave të okupuara nga regjimi i dhunës serbe. Bashkë me studentët, në ballë të protestës, që nisi në Lagjen Velania të shtëpive të shqiptarëve të shndërruara në universitet, ishte edhe rektori historik, Ejup Statovci.
Pikërisht para 18 vitesh, drejtpërdrejtë nga protesta, kam raportuar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se, “në Prishtinë ka shumë studentë të plagosur pas ndërhyrjes së policisë serbe”, se “janë rrahur edhe shumë vajza – studente të Fakultetit të Mjekësisë sepse donin të ndihmonin studentët e lënduar”, dhe theksoja përkrahjen e gjithë popullit për protestën. “Në tërë qytetin e Prishtinës, ku kane dalë mbi 100,000 qytetarë, përkundër shtetrrethimit policor, mbretëron një atmosferë tepër e rëndë dhe e jashtëzakonshme”, dëshmoja korrespondent i ATSH-së nga Prishtina (i atëhershëm dhe i tashëm), përmes telefoninit në 1 tetor 1997.
Raportimin e bëja edhe nga ambientet e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës në lagjen Velania, ku ishte vendosur në një shtëpi private pas dëbimit të dhunshëm e të përgjakshëm të shqiptarëve të Kosovës nga objektet shkollore e universitare.
“Forcat policore kanë bllokuar edhe ndërtesën e rektoratit. Në rektorat janë strehuar shumë studentë të lënduar, ndërsa brenda hyn edhe tymi i gazit lotsjellës”, raportoja nga vendngjarja ku isha me lidhjen e telefonike nga Prishtina me Tiranën. Raportoja edhe për ndërhyrjen e egër të forcave serbe kundër mëse 30,000 studentëve shqiptarë protestues, theksoja se “për në Velani janë drejtuar dhe tanket”.
“Më 1 tetor 1997 u mposht frika”, theksohet sot në një nga titujt në ballinat e shtypit në Kosovë.
Ish-drejtuesit e Lëvizjes Studentore të ’97-s, Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Albin Kurti dhe Driton Lajçi, 18 vjet pas këtyre protestave, i kujtojnë çastet e vështira të pikënisjes së kthesës së madhe historike që po vinte për Kosovën, kthesë e cila mori emrin dhe vulën e UÇK-së.
“Atë kohë kishim një ideal për një universitet në gjuhën shqipe dhe për lirinë e vendit. Protestat e ’97-s i patën ndërruar rrjedhat e zhvillimeve politike në Kosovë dhe kanë bërë jehonë të madhe ndërkombëtare. Prandaj, pa Lëvizjen Studentore dhe pa Universitetin e Prishtinës nuk do të mund të paramendohej lufta çlirimtare e cila rezultoi me lirinë e Kosovës”, është shprehur Dugolli për gazetën “Epoka e Re”.
“Në Kosovën e robëruar e të shtypur, terren ku realizohej padrejtësia më e madhe në Evropë, më 1 tetor 1997 njeriut të Kosovës iu rikthye dinjiteti. Më 1 tetor populli ndjehej krenar dhe nuk turpërohej, pasi kishte thyer një heshtje të gjatë e absurde. Padyshim, Lëvizja Studentore e atëhershme e ka shpejtuar procesin drejt lirisë, i cili edhe sot e kësaj dite ende nuk ka përfunduar”, është shprehur Kurti.
“Natyrisht, ta kthesh një faqe tjetër të historisë, ka qenë një veprimtari shumë e rrezikshme për të hapur dyer të tjera të mëdha. Dhe më pas liridashësit dhe UÇK-ja përfundimisht i bënë hapat e mëdhenj dhe të fundit drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Lajçi.
“Më 1 tetor është mposhtur frika e Kosovës, ka rënë miti i frikës dhe secili shqiptar është ndier mirë, më solidar me tjetrin, një vlerë tradicionale që u rikthye. Përvjetorët e 1 tetorit ushqejnë një impuls krenarie, natyrisht, por na bëjnë t’i kujtojmë shumë shokë tanët dëshmorë. Ata do të donin që ky vend të ishte edhe më mirë nga sa është, sidomos në veri”, ka thënë Mavraj.