2015-10-01

LIRIA E ÇAMËRISË - ZGJIDHJE E ÇËSHTJES SË MADHE KOMBËTARE

1 pena

Nga MSc. Albert HABAZAJ/ poet, studiues,

Sekretar i Shoqatës Atdhetare - Kulturore “Labëria”, Vlorë


1 Cameri


Vëllezër të Shqiptarisë, miq europianë dhe ju, o njerëz të mirë nga çdo vend i Botës sonë!

        Pikërisht sot, më datën 29. 09. 2015, ora 11. 30’ këtu, në MALIVELD (HAGË) zhvillohet ky tubim paqësor për të përkujtuar viktimat e gjenocidit grek ndaj popullsisë të masakruar çame, si dhe për ta bërë më të njohur botërisht padrejtësinë që i është bërë dhe vazhdon t’i bëhet kësaj popullate të shpërngulur nga trojet e veta nga ana e shtetit të sotëm grek, vijim i të djeshëm grek.

      Edhe sot jemi bashkë, si substancë e bërthamës diellore mbarëshqiptare. Edhe shumë të tjerë janë bashkuar me ne, në mbështetje të kësaj çështjeje të madhe, të vërtetë, të drejtë. Kënaqësia është e përbashkët dhe reciproke për këtë pjesëmarrje me dobi historike! Organizatori i këtij tubimi paqësor për çështjen çame, fisniku Festim LATO ndezi pishtarin për zjarrin e vatrës. 

Ne duhet ta mbajmë ndezur zjarrin kombëtar, sepse është zjarri ynë, imi, yti, joni, shqiptarisht, drejtësisht, fisnikërisht!

      Me një mirësi të bukur, jemi mbledhur këtu në Holandën magjike të Rembrandit e të Van Gogut, në Holandën e tulipanëve  aq simbolikë për universin njerëzor, në Holandën e ëndërruar qytetarisht. E për çfarë jemi mbedhur?! Për të kërkuar liri.


 Për veten tonë, për Çamërinë tonë, si pjesë e së tërës. Ç’kërkoi Abdyl Frashëri me rilindasit e tjerë kur u fut tek Bismarku, në një trajtë tjetër, atë kërkon Festim Lato e Tahir Gjinovci, profesorët e kombit Rasim Bebo, Lisien Bashkurti, Eshref Ymeri, Rami Memushaj, Fatmir Terziu e shumë të tjerë; atdhetarë të kulluar si Dalip Greca, Ajet Nuro e sa e sa zogj të Shqiponjës Shqiptare që fluturojnë shqiptarisht në të katër anët e horizontit. Atë kërkon At Nikoll Marku, shembëlltyra rilindase e besimit fetar e kombëtar shqiptar. Atë kërkoj edhe unë, Albert Habazaj, si djalë Vlore e Labërie, si vëlla Çamërie, si një nga bijtë e denjë të SHQIPTARISË: Lirinë e Çamërisë Tuaj, të Çamërisë Time, të Çamërisë Sonë. Sa e thjeshtë e sa elementare kjo kërkesë e drejtë jona, që, si starti i kërkesave të qytetarisë demokratike, na del dhembshëm nga shpirti, me një krenari të paulur dot nga pizevengët e Lirisë, kjo kërkesë lirie dhe kjo përkujtesë për legalizimin e trojeve shqiptare të Çamërisë në gjendjen Civile të Europës, në hartën e Qytetërimit Universal. Sa dinjitoze tingëllon sot kjo kërkesë, sepse, siç këndon dhe poeti i njohur Agim Shehu: “Sup më sup kur rrin’ shqiptarët/ formohet vargmal kështjelle,/ flet një komb mijravjeçarësh:/ Moj Evropë, që na preve dhe ndaj zemra këngën vet’ e zuri për trimat që rrojnë akoma:/ Ismail Qemal Flamuri,/ Isa Boletin Shqiponja…”/ HasanTahsin dijetari/ dhe Rasih bej Dino Çami/ Gurakuqi firmëtari/ Vallen e Shqipes ma mbani!  Loti i brengosur i Çamërisë do të shndërrohet në një rruzull drite, në një sumbull diellore për shënjtërinë e të rënëve për Atdhe dhe varreve të tyre që janë simbole kombëtare për bijtë e saj nesër. Në nderim të shekullit të ri të shqiptarëve, duke u përulur para gjakut të derdhur për vatrën, me shpresë e besim se ky shekull është Ora e Atdheut Tonë, shoh krahun e majtë të Shqiponjës gjakosur e sakatosur, shoh Çamërinë martire për tekat e Europës plakë, që ngrihet, sikurse krahu i dhjathtë i Shqiponjës, Kosova, që po i shëron plagët e luftës, po integrohet në familjen europiane me larmi identitetesh qytetare e kulturore të kombeve që jetojnë në gjirin e saj por që ende kullon gjak lirie. Nga vendi i Shqipeve, zogjtë e saj ngrihen, marrin lartësi të fluturojnë të lirë drejt qiellit të pastër, drejt botës së qytetëruar, drejt Perëndimit që na përket, drejt jetës dinjitoze që meritojmë të jetojmë. Ky është mesazhi që unë interpretoj, sa me koherencë aq edhe me emocion, sepse në objektivitetin e punës e misionit tim, më thërret gjaku që më gëlon në deje, sepse  “çamër, labër, kosovarë/ jemi një fis e një farë,/ jemi një e të pandarë/ sepse jemi shqipëtarë”, sepse kam besim që komuniteti ynë po i flet mendjes dhe po kujton porosinë e Skënderbeut të Madhërishëm, kur mblodhi kapedanët e tij princër dhe me fabulën e thuprave, që të ndara e një nga një i thyen kushdo, ndërsa të tëra tok, të bashkuara e të lidhura si një trup i vetëm, s’u bën dot “derman” askush, as bajlozi i detit me skalione hordhish, as katallani i zi me taborre egrane e me dyndjet barbare të pasosura…Vonesa u bën dëm vonestarëve, se “nga hiçja - malli Birçja”, por më mirë vonë, se është gjithmonë më mirë vonë se kurrë, thotë një fjalë e vjetër. Këto që kumtoj këtu, në mes të Hollandës së zhvillimit, ku pulson zemra europiane dhe gjykimi ligjor e drejtësor, janë vagëllime, që bëhen vezullime e marrin dritë të bardhë mirësie nga shpirti i bukur i vëllezërve dhe motrave tona çame, herë në dukje të heshtur, herë e shpesh me një mal me oshëtima e me një det me gjëmime brenda globit të madh të shpirtit epiriot të Çamërisë sonë, kësaj kreshnikje martire, që qëndron në këmbë si malet e rëndë. 


Nderim Çamërisë sonë, të papërkulurës Zonjë,  të urtës Nënë, të dhembshurës Gjyshe, asaj që qëndroi si kapedane mbi dallgët e tërbuara të jetës, që u dyndën me egërsi e barbarizëm, sa nga hasmi i huaj grek, po aq dhe nga “vëllai” armik komunist.


 Kaloi një shekull dhe ende Çamëria është në robëri. Dëshiroj të ndaj me ju, o miq e shokë e vëllëzër disa emocione të mëdha që më ka ndezur në rrëmba poezia e Pelivan Barjamit për Çamërinë : “-Ti më flet me gjuh’ të zëmrës/ Çamëri, o nëna ime:/ Moj e bukur drit’ e hënës,/ kur do hysh në shtëpinë time?/ Moj e mira, pse je fyer/ dhe mbi troje sytë të mbenë?/ O zogu me krah të thyer/ kush të ka prishur folenë?!…/ - Folenë e ngrita mbi shkëmb./ Mërgova si dallëndyshe,/ dhe e verbër, e mbaj mend/ gurin tim, sinor të gjyshve. Pa më vranë e më përzunë,/ këmba - këmbës muhaxhirë,/ Foli Evropës, moj Nënë/ ç’ka që rri e bën sehir/!…”. Kjo poezi është thurur jo me penë, por me frymë Atdheu. Është e situr në dritë hëne, me hojet e mjaltit të krijimit artistik dhe të dashurisë kombëtare. Kjo këngë është ndjenjë, mendim, dhimbje, krenari dhe mesazhet e saj janë detyrë pastërtisht e lartë gjaku.


     Para dy vjetësh a më parë kam botuar në gazetën “Dielli”/ on line artikullin “Pavarësia flamurëron dhe nëpër këngët e popullit”, ku, që në fillim shkruaja: “Pavarësia e kombit shqiptar është tempulli ku shqiptarët i falen Flamurit dhe Plakut të Bardhë, që së bashku me Bacën Isë, me Luigj Gurakuqin, me Rasih Dinon (nga treva e Çamërisë), me tërë ata burra të lartë e me gra fisnike si Laskarina Bubulinën,  Elena Gjikën (Dora d’Istria), Marigo Posio e trimëreshat e tjera shqiptare, i zbardhën faqen Atdheut tonë të lashtë, larë me diell, qëlluar me furtunë”.

       Pa u futur në thellësitë e kohës, kujtojmë nga Historia e fillimshekullit XX, se Muharrem Rushit Koska, me histori dhe me këngë ndër betejat e tjera për Atdhe, erdhi së bashku me Alush Take Konispolin në ballë të 300 çamëve, në krahë të vëllezërve labë, mallakastriotë, kolonjarë e skraparllinj, elbasanas e beratas, korçarë e myzeqarë, kavajas e gjirokastritë, me “dyfekët lidhur me gjalmë” për të hedhur në det Italinë, që pushtoi Vlorën e krahinat e tjera më 1920 - ën, për të shpëtuar kombin, për të rishpallur Pavarësinë Kombëtare Konkrete diell, qëlluar me furtunë”.

        Në këtë tubim nuk vij thjesht të shpreh solidariten tim personal apo dhe të shoqatës Atdhetare kulturore “LABËRIA”, Vlorë, në emër të së cilës kam ardhur këtu, as vetëm të shpeh dhembjen, as vetëm të  recitoj vargje romantike apo elegji të mbushura jo me vargje e me figura, por të mbushura me gjak të pastër e të pafajëshëm, çarë e mbushur mëri për Çamërinë tonë që dhemb e rrjedh e rrjedh plagë nga ashti kombëtar i patretur dot, por vij të denoncoj publikisht e botërisht këtë turp të padëgjuar dhe, fatkeqësisht, ende të pakorrigjuar të shovinistëve grekë ndaj Çamërisë; vij të ngre me forcë shpirti, me forcë emre, me forcë mendimi dhe me forcën e gjakut: Duam se s’bën ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES ÇAME ME TË DREJTËN E ZOTIT! Boll kemi qarë, boll! Për nder, boll! Qaramanët veç me ligështime e mallëngjime na rrëmbushin, na emocionojnë e krijojnë situate keqardheje. Kjo dihet, por nuk mjafon kaq. Të 10 milionë shqiptarët, a më shumë sa jemi e kudo që jetojmë e veprojmë nëpër botë të bëhemi një zë i fuqishëm, një zë i pakthyeshëm e me dritë të fortë si flakë vetëtime, si ato shkrepëtimat e rrufeve gjëmimtare mbi malin e Çikës në Vargmalin e Vetëtimave (Arkokeraunet) të gëjmojmë e të mos na dridhet syri: duam Çamërinë tonë! Duam Çamërinë e lirë! Duam Çamërinë me trojet e saj, atje ku i kanë qenë brez pas brezi, çam pas çami, e shqiptar pas shqiptari! Ka ardhur moment të jemi një bllok i pathyeshëm në të drejtën tonë. Unë jam nga Labëria. Kam miq, shokë, kushërinj e krushq nga Çamëria. Edhe personalisht, (pa e personalizuar kurrë gjendjen, por si pjesë e së tërës) kam dhënë nga gjaku im për të shtuar rracën çame; kam marrë nga gjaku Çam për të shtuar rracën time labe. Ndaj them që vërtet jemi një gjak e një farë. Një nga djemtë e mi, Besniku, e ka nusen Çame. Ai është i lumtur, ne si prindër jemi krenarë. Di, që jo vetëm metaforikisht, historikisht, me të drejtën zakonore e dokesore, me gjakun kombëtar Labëria e Çamëria janë kushërira të para. Me lirinë e Çamërisë ne zgjidhim Çështjen e Madhe Shqiptare, e cila na siguron identitetin e pasaportës kombëtare ndër kombet e tjera të rajonit, të Europës e të botës qytetare. Në nderim të gjakut të derdhur për vatrën, kam një këngë që më dhemb e dua ta ndaj me ju:

KËNGË E PAMBARUAR PËR ÇAMËRINË…

Hap syrin, s’mundem pa klithur,
Për Burrneshën fytyrëgrisur,
Këngë e ngrysur dot pa prerë
Ka qenë Zonjë kur s’kish’ të tjerë.

Loti i kripur si kokërr ulliri,
Rri varur nga dhimbja në cepin e syrit,
Veç vallja furtunë e Osman Takës
Vjen së largu, t’i qetësojë plagët…

Më dhembin degët e shqyera,
U bëj mëllagë me piklën e lotit;
Si stina e vajzave të feks Çamëria,
Ka qenë imja që pa lerë Zoti!

O kopësht i bukur i lirisë
Do të çelin lule bajamet…

Për Çështjen Çame një zë i fuqishëm intelektual dhe atdhetar është edhe Prof. Dr. Eshref Ymeri. Kam kënaqësinë dhe nderin të sjell mesazhet e tij për këtë tubim madhështor:

Të nderuar bashkëkombas, pjesëmarrës në këtë tubim me një rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare!

Ne shqiptarët jemi i vetmi komb në Evropë që nuk e kemi zgjidhur Çështjen Kombëtare: trojet tona etnike vazhdojnë të jetë të hallakatura nëpër disa shtete të Evrops Juglindore, për qejfin e shovinizmit evropian që na i copëtoi padrejtësisht në Kongresin famëkeq të Berlinit të vitit 1878 dhe në Konferencën famëkeqe të Londrës të vitit 1913. Partia Komuniste e Shqipërisë, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, e braktisi në mëshirë e fatit popullsinë shqiptare të Çamërisë, duke e lënë pa mbrojtje përballë shovinizmit grekokriminel që kreu masakra të pashembullta kundër saj.

Në këto kushte, kur Çështjes Çame i është vënë përsipër guri i rëndë i heshtjes së madhe, qoftë dje, në periudhën e diktaturës komuniste, qoftë sot në pluralizëm, kur klanet që hipin e zbresin nga pushteti nuk e kanë absolutisht në rendin e ditës zgjidhjen e Çështjes Çame, vetë popullsia çame duhet të vetorganizohet, duhet të nxjerrë nga radhët e veta burra me dinjitet kombëtar, të pakomprometueshëm as nga mercenarët në krye të politikës shqiptare, as nga shovinizmi grekokaragjoz. Popullsisë çame në Shqipëri, e cila ka dhe duhet të ketë si Yll Karvani rikthimin në trojet e veta stërgjyshore, nuk i duhen disa parti politike, të cilat kanë për mison përçarjen e saj. 

Asaj i duhet vetëm një parti politike me vetëdije të lartë kombëtare që të marrë në dorë zgjidhjen e çështjes së saj, duke e detyruar klasën politike të shkundet nga mercenarizmi dhe nga servilizmi i pështirë para shtetit grekokaragjoz që sot është katandisur në atë derexhe, saqë është bërë gazi i botës.

Burrat e vërtetë që popullsia çame duhet të nxjerrë në krye nga radhët e veta, duhet të marrin në dorë Rezolutën Çame, me të cilën u tall parlamenti i kohës së Fatos Nanos dhe të kohës së Sali Berishës. Këtë Rezolutë, burrat e vërtetë të Çamërisë duhet ta nxjerrin nga sirtarët e mykur të parlamentit shqiptar dhe të demaskojnë haptas Shpëtim Idrizin, i cili u betua dhe u stërbetua se atë Rezolutë do ta çonte në Gjykatën e Strasburgut, në Departamentin e Shtetit dhe në Kongresin Amerikan, por pastaj e hëngri fjalën dhe tani as që e zë më në gojë fare. 

Pra, praktika e deritanishme ka vërtetuar se Shpëtim Idrizi pati rrahur gjoksin për Çështjen Çame sa të zinte kolltukun e deputetit, duke u bërë fresk me servilizëm të dy partive të mëdha, të cilat nuk e dinë se ku bie me adresë Çështja Çame.

Popullsia Çame sot nuk është e lirë. Nuk është e lirë për faktin se çdo qytetar çam nuk lejohet të shkojë të vizitojë trojet e veta në Çamëri.

Filozofi dhe sociologu britanik Spenser (Herbert Spencer - 1820-1903) thotë:“Askush nuk mund të jetë krejtësisht i lirë, derisa liria nuk është arritur për të gjithë”.

Popullsia çame nuk e gëzon lirinë e lëvizjes drejt trojeve të veta amtare, sepse çdo qytetari çam, shovinizmi grekokaragjoz i gris pasaportën në kufi.

Shkrimtari i madh gjerman Gëte (1749-1832) thotë:“Kushdo mund ta fitojë lirinë, në qoftë se ai është i aftë të gjejë vetveten”.

       Burrat e Çamërisë, duke ndjekur shembullin e paraardhësve të tyre të shquar që sakrifikuan aq shumë për trojet amtare, duhet ta ngrenë më këmbë popullsinë çame që ajo të fitojë lirinë e lëvizjes për në trojet e stërgjyshore, në mënyrë që të vihet në vend padrejtësia e rëndë historike që na shkaktoi shovinizmi evropan dhe të ndëshkohet nazifashizmi grek për masakrat që kreu në vitin 1944. Sepse krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen asnjëherë”.

 Në emër të gjakut të derdhur për Vatrën, për zjarrin e pashuar shqiptar, të kërkojmë njëzëri, si zgjidhje të Çëshjes së madhe Shqiptare:

LIRINË E ÇAMËRISË DHE NJOHJEN E SAJ NDËRKOMBËTARE.

RROFTË ÇAMËRIA!
RROFTË SHQIPËRIA!
TË FALEM ÇAMËRI!
TË PUTH NË GJUNJË FLAMURIN KOMBËTAR!




Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...