2015-10-02

SHPIRTËRISHT, UNË JAM VENDLINDJA


Nga Ramadan Bigza



Të bisedosh me një njeri të përmasave të tilla si Gjekë Marinaj, nuk është e lehtë, por njëkohësisht është edhe një kënaqësi e veçantë. Edhe pse një 42-vjeçar, ai është një erudit, që shkon drejtë rritjes së përmasave të tij. Gjatë kohës që jetoj në Shqipëri ai bëri një udhëtim imagjinar midis ëndrrave, por pas viteve 90, ku emigroi në SHBA, Gjekë Marinaj preku realitetin. Falë pasionit për dije ai mbaroi një sërë shkollash, u bë pedagog në Richland College, në SHBA, por nuk harroi pasionin e madh , letërsinë. Librat të tij tashmë janë në dorë të lexuesve. Potenca intelektuale e Gjeke Marinajt tashmë ka dalë jashtë kufijve të SHBA-së. Ai ka marrë pjesë në disa konferenca ndërkombëtare, duke përfshirë atë ALTA ku moderoi shkrimtarët internacional prefsh këtu edhe poetin grek Yiorgos Chouliaras, aktualisht sekretar i shtypit pranë Ambasadës Greke në Washington.
Poezitë e tij plot ndjenjë janë pjesë e formimit të tij të gjithanshëm. Këto dhe cilësi të tjera, që plotësojnë portretin e Gjekë Marinajt kanë bërë që ai të respektohet edhe prej kolegëve duke e ndihmuar atë për themelimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë, në vitin 2001, duke e pranuar atë si President të saj.
Gjekë Marinaj nuk është vetëm një studies i njohur por edhe një bashkëshort i mirë. Ai vazhdon të jetë i tillë, që nga nëntori i vitit 1992, ku siç thotë edhe vetë, u gjeta plotësisht i gatshëm ta kaloj segmentin jetësor nga djalë në burrë.
Por Marinaj edhe pse jeton në vendin e shkencës, që flet me një “gjuhë” të veçantë, nuk e harron vendlindjen. “Nuk mund të harroj se Shqipëria më formoi, më bëri njeri. Amerika më dha mundësinë të bëhem një njeri më i ditur. Shpirtërisht unë jam vendlindja, fëmijëria ime. Pa to nuk do të kisha substancën e domosdoshme për të ecur përpara, për t’u kompletuar si njeri dhe si intelektual”.


Si e kalon ditën një studiues i njohur si ju?

“Koha për mua është një problem serioz. Tërësia e gjerave që kanë nevojë për vëmendjen time akumulohet përtej mundësisë fizike për t’i kryer ato me përgjegjësinë që meritojnë. Unë merrem me kohën seriozisht, me shpërfilljen e saj, ashtu siç janë marrë Platoni, Augustini, Shekspiri, Elioti, Fraser e shumë e shumë të tjerë para meje. Megjithatë, të tregohem i sinqertë me lexuesin, akoma nuk jam në gjendje ta përcaktoj se çfarë është koha dhe çfarë duhet të bëjmë me të. Ajo që di është se koha ekziston dhe se si fenomen është shumë më e komplikuar se mundësitë qe kemi deri tani për ta kuptuar plotësisht atë. Për mua ajo është më shpesh një problem fizik, pra 24 orë në ditë nuk më mjaftojnë. Ja një shembull. Në kuptimin social, ne si shoqëri njerëzore kemi rënë dakord që një orë të ketë 60 minuta. Mirëpo, nëse jam i ngjeshur në një trafik rrugor, kur më duhet të jem diku patjetër në një orë të caktuar, koha merr dy kuptime krejt të kundërta për mua. E njëjta kohë, kur është fjala për kohën që kam parashikuar se do më merrte rruga (në kushte normale) dhe koha që kam në dispozicion për të arrit në vendin e dëshiruar, çdo minutë më ngjan se ikën me shpejtësinë e një sekonde. Në të njëjtën kohë , në të njëjtin trafik, koha që kaloj i bllokuar në mes të trafikut më duket se ndalon, më duket se çdo minutë merr një orë për të kaluar. Pra koha papritur më bëhet një problem fizik (nuk pret mua) dhe një problem psikologjik që ecën me kahe të kundërta me nevojat e mia, duke ecur më shpejt se sa duhet në rastin e parë dhe më ngadalë se sa duhet në rastin e dytë. Por, natyrisht, edhe sikur të kisha njohuritë e nevojshme për ta manipuluar, për ta ndaluar sistemin kohor, nuk do e bëja këtë. Sepse koha nuk do të ishte më kohë, ajo do të kthehej në përjetësi. Megjithëse koha ka potencialin e një konflikti serioz shkencor, unë kam gjetur mënyrat e mia të merrem me të. Unë, në lidhje me kohën, gjej komfort tek konkluzionet e mendjeve të ndritura qe e kanë studiuar atë. Mendimi i Teilhard de Chardin se koha është kënaqësia e Zotit, është frymëmarrja aktuale e shenjtërimit, me qetëson sepse gjërat duket të jenë të paraprogramuara për mua. Pra për një gjë që unë nuk jam në kontroll të plotë, nuk ndjej përgjegjësi të njëjtë sikur të isha në kontroll. Elioti, i cili na sugjeron që ta shohim realitetin shpirtëror sikur të jetë në pozicionin 90 gradë të rrotullimit të kohës, më bën që të mendoj se është e pamundur ti kryejmë të gjitha detyrat njerëzore në kohën që kemi në dispozicion. Po ashtu, midis të tjerëve, Platoni na mësonte të mos merakosemi me kohën, sepse ajo lëviz, dhe çdo gjë që lëvizë nuk e ka gjetur akoma pozicionin e vet—që do të thotë nuk është perfekt. Pra nëse koha nuk është perfekt, as ne nuk mund të jemi plotësisht të tillë. Pra, për arsye kohe (qesh) le ta lëmë e kaq shpjegim rrjedhën e problemeve që kam me të”.

Përveç studimeve tuaja në fushën e letërsisë, çfarë ju pëlqen tjetër të bëni?

“Më pëlqen shumë antropologjia dhe fotografia. Kuptohet që mënyra me e mirë e futjes në thellësi të shkencës të së parës dhe të artit të së dytës është udhëtimi për në sa më shumë vende, dhe sa më në thellësi të vendeve të botës. Natyra, pas të cilës jam i pasionuar dhe i dashuruar, është esenca e ekzistencës së tyre. Unë e gjej shumë interesante njohjen nga afër të origjinës dhe zhvillimin fizik dhe kulturor të njerëzve të ndryshëm. Dua të di sa më shumë për karakteristikat biologjike, zakonet dhe besimet sociale të tyre. Nuk mund të largohem kurrë nga kurioziteti se cilat janë ngjashmëritë dhe divergjencat tona me gjallesat e tjera. Duke ndjekur interesat e mia në studimin e humanëve dhe të punës së tyre zgjeroj horizontin rreth natyrës dhe esencës së njerëzimit. Çdo të veçantë, çdo të re që mund të zbuloj unë ose të mund të shoh me sy pasi ta kenë zbuluar studiuesit, kam dëshirë ta fotografoj me aparatin tim qoftë në bardhezi qoftë në formë digjitale. Për mendimin tim, tani më shumë se kurrë ka ardhur koha të mendojmë edhe në mënyrë vizuale. Madje edhe fjalët e konceptet e përgjithshme nganjëherë na e kufizojnë rrjedhën e përshtypjeve për gjerat e rralla dhe ato të zakonshme. Fjala vjen, kur e shikojmë një objekt vetëm me syrin e së përgjithshmes apo me atë tipik, shpesh na shpëton objekti në vetvete. Ne tentojmë të udhëtojmë të shohim Pyllin e Shiut, dhe jo një peme të veçantë të tij. Kur jemi në një park botanik tentojmë të shohim lule dhe jo specifikisht këtë apo atë lule. Kur shkojmë në një vend të huaj tentojmë të shohim njerëz dhe jo një prej tyre sado interesant të paraqitet ai apo ajo. Pra, në një farë mënyre, në kontrast me traditën, të shohësh do të thotë të harrosh aq sa do të thotë të kujtosh. Aparati fotografik më ndihmon si të përqendrohem në të veçantat e udhëtimeve të mia ashtu edhe për t’i marrë ato me vete për t’iu referuar prapë në një kohë tjetër”.

A mbani lidhje me vendlindjen?

“Para disa ditësh kam dhënë një intervistë për programin e parë të Radio Tiranës, ku gazetari i saj, Demir Gjergji, më bëri të njëjtën pyetje. Përgjigjja ime është e njëjtë, të paktën në esencë. Sikur të mundohesha ta jetoj jetën pa vendlindjen time, do të ishte sikur të mundohem të ndërtoj një pallat duke filluar nga kati i dytë. Pra realisht është e pamundur. Imagjinata nuk mjafton. Nuk mund të harroj se Shqipëria më formoi, më bëri njeri. Amerika më dha mundësinë të bëhem një njeri më i ditur. Unë jam dakord me sociologët funksionalistë të cilët besojnë që të gjitha shoqëritë tentojnë të jetë e organizuara, të stabilizuara dhe se kanë një sistem integrimi që mbijeton pak-a-shumë në akord me vlerat që njeriu ushqen në fëmijëri. Shpirtërisht unë jam vendlindja, fëmijëria ime. Pa to nuk do të kisha substancën e domosdoshme për të ecur përpara, për tu kompletuar si njeri dhe si intelektual”.

Ju jetoni që nga viti 1990 në Amerikë. Flitet shumë për integrim. Ju jeni një shembull kuptimplotë i kësaj fjale. Si ia keni arritur?

“Mishërimi me një strukture specifike sociale përkufizohet në mënyra të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. Për ne shqiptarët që jemi “deformuar” apo formuar nën mbikëqyrjen e regjimit komunist, Amerika është një parajsë e vërtet pas një ferri të tmerrshëm. Në njërën anë, ajo të jep lirinë të bëhesh pjese e jetës së saj globale, nëse e dëshiron atë. Nëse universi shoqëror ekzistues nuk është pjesë e preferencës tënde, Amerika të krijon mundësinë që të përzgjedhësh nga aktualiteti social që ka ose të shpikësh një univers të ri sipas kodeve morale dhe shoqërore që ke. Kërkesat e mija ndaj Amerikës kanë qenë po ato që kam, që kam pasë ndaj Shqipërisë: midis te tjerash, shprehje të lirisë fjalës, një mundësi të pakufizuar shkollimi, një vend pune me të cilin mund te jetoja në mënyrë të civilizuar, dhe siguri për jetën. Ndryshimi është se këto kushte në Shqipëri ishin një ëndërr në Amerikë janë një realitet”.

Si ja shpërbleni Amerikës këtë mirësi kaq të madhe që ju ka bërë?

“Thjeshtë, duke u bërë pjesë e strategjisë jetësore të saj. Për mua, Amerika fillon te njeriu më i afërt që gjendet pran meje, te gruaja ime, te studentët e mi, te kolegët, te i panjohuri që kalon atypari. Ndonëse jam human, dhe humanet e gëzojnë të drejtën të dalin nganjëherë nga vetja, me ta në mendje dal nga shtëpia në mëngjes. Jam i ndërgjegjshëm se nuk mund të ndryshoj jetën e Amerikës ashtu siç e bëri ajo për mua, por kjo nuk më ndalon të jap ndihmesën time modeste nga njëri njeri tek tjetri, nga njëra ditë tek tjetra. E filloj ditën me objektivin që të bëj më shumë se sa të jem pjesë e projekteve, pra të kontribuoj me të gjitha mundësitë e mia në to. Shkoj te kolegji dhe hyj në klasë i përgatitur që jo vetëm të mësoj studentët, por t’i frymëzoj ata për të vënë në jetë ato që mësojnë aty. Nëse dikush më bën një të padrejtë, bëj ç’të jetë e mundur që jo vetëm t’ia falë gabimin, por ta harroj atë. Për çdo detyre që kryej, nuk mjaftohem duke shpresuar se puna ime është e kryer sipas të gjitha standardeve të kërkuara, por i kërkoj vetës llogari deri sa një gjë e tillë bëhet realitet etj. etj. Këtu falja “mirënjohje” merr përmasa kuptimore që gjenden përtej përbërjes së saj si një pjesë e thjeshtë e leksikut të përgjithshëm. Në lidhje më këtë pikë, jo rrallë e gjej veten të tretur diku midis realistit dhe idealistit”.

A jeni i martuar zoti Marinaj?

“Po, gruaja ime është rumune dhe quhet Dusita”

Martesa juaj me Dusitën, pra me një vajzë rumune, është një rast disi i veçantë. Nëse nuk përbën ndonjë sekret, a mund të tregoni historinë e kësaj lidhjeje?

“Kur jam takuar me Dusitën për herë të parë, kisha më pak se një vit në Amerikë. Isha 27 vjeç. Gjatë atyre muajve me dukej sikur jeta më kishte shtyrë në labirintet e saj më të panjohura. Ndër ato kushte, martesa ime ishte thjeshtë një fenomen astronomik. Në nivel personal, fjala “grua” ishte një mit, një përbërje qiellore rreth së cilës nuk doja të dija as për ndërtimin, as përbërjen, as prejardhjen, as vendin e saj në hapësirë, e aq më pak të jem zbatues i ligjeve apo shoqërues i lëvizjes së një gruaje. Me pëlqenin vajzat, jo gratë. Rinia, me të gjitha privilegjet e saj, sikur e bënte të ligjshëm shikimin për një vajzë akoma më mirë nga ajo që mund të kishe në mendje. Më 19 maj të vitit 1992, pashë një vajzë që po fliste rumanisht me një nga vajzat e repartit ku punoja. Pasi Dusita u largua, mu duk sikur edhe qetësia ime iku pas saj. Diku në mes të 100 ndërrimeve të çehres së fytyrës, u afrova dhe pyeta rreth saj. Pas diç më pak se pesë muajsh, pikërisht në ditën e parë të nëntorit, 1992, u gjeta plotësisht i gatshëm ta kaloj segmentin jetësor nga djalë në burrë. Pra pranuam unazat e njëri-tjetrin, që ne të dy edhe sot e kësaj dite, mendojmë se domethënia e atij procesi është çmimi më i madh që ka krijuar Zoti për njerëzimin dhe njerëzimi për vete”.

Kush e bën pazarin tek ju?

“Zakonisht, Dusita. Nganjëherë dalim bashkë. Kjo ndodh veçanërisht kur jam duke studiuar për një kohë të gjatë, sidomos nga ato materialet që kërkojnë një përqendrim më të madh se sa ofron kapaciteti trurit tim për ta thithur dhe sistemuar informacionin e ri në kanalet e përshtatshme dhe të qëndrueshme të tij. Kjo më jep mundësinë të freskoj jo vetëm mendjen, por edhe ndjenjat. Momentet që kaloj me Dusitën kurrë nuk janë të mjaftueshme për mua. Kësisoj koha midis njërit pazar dhe pazarit tjetër na ofron mirësinë e dy aspekteve të rëndësishme jetësore—produktet materiale për të jetuar si njerëz të civilizuar dhe një dritare shtesë për të shikuar drejt në sy njëri-tjetrin, për të dëgjuar vetëm zërat e njëri tjetrit, për t’u përqendruar vetëm në jetën e njëri tjetrit, për të jetuar si burrë-e-grua në kuptimin më sublim të dashurisë”.

Atëherë, që të mos iki nga pyetja që pata planifikuar të bëj para kësaj, cila është blerja e fundit që ju, personalisht, keni bërë?


“Kam blerë një punim fotografik të riprodhuar të fotografes së njohur Sam Taylor-Wood që titullohet “Marianne Faithfull”. Ngaqë më mungon koha (dhe që andej qetësia) të shpenzoj kohë nëpër dyqane, zakonisht shkoj direkt te vendi ku e di se mund të gjeje atë gjë që dua. Këtë here nuk ndodhi ashtu sepse pata vështirësi ta gjej këtë punim të montuar në një kornizë të përshtatshme. Ishte një dhuratë me rastin e “Krishtlindjes” për një kolegun tim, që nuk del kurrë nga zyra e punës. Pra ishte një peshqesh dhe një sugjerim (me humor) se jashtë dyerve të zyrës dhe të klasës akoma ka jetë. Ngaqë gruaja e tij (edhe ajo pedagoge) qeshi me të madhe kur e pa, besoj se ia arrita qëllimit”.

Për kuriozitet, pse pikërisht “Marianne Faithfull” për një pedagog? A mund të na e përshkruani me pak fjalë atë punim artistik, që të kuptojmë arsyetimin tuaj për ta blerë atë?

“Le të shpjegohem se “Marianne Faithfull” është një vepër artistike erotike dhe soditëse. E shoqja e pedagogut në fjalë gjithmonë ankohet duke qeshur se “ai është i martuar me zyrën akademike e tij jo me të.” Natyrisht ana artistike e fotografisë ka shumë vlera që përkonin me kushtet jetësore dhe me shijet e tij për artin. Pra qe një peshqesh më shumë domethënës se sa i shtrenjte. Madje edhe montimi i imazhit ishte bërë në mënyrë kreative: fytyra e subjektit, pra e zonjës Faithfull, është e shpërndarë në dy pjesë mu në mes të golfit të trikos ngjyrë hiri, sikur pjesa qendrorë e flokëve të saj biondë, refuzon pa as pikën më të vogël të përgjegjësisë, të qëndrojë si duhet mbi ballin e saj. Me sytë të rënduar me një ngjyrë të zezë makijazhi, me buzët të rënduara nga një të kuq të theksuar buzësh, ajo vështron e tretur në hapësirën përpara saj. Hapësira midis dy kornizave e strukturon imazhin në mënyrë aktive dhe thekson formën e përsosur nga ana simetrike. Fotografia qe e përshtatshme jo vetëm nga bukuria femërore e subjektit, por më tepër për vlerat artistike që sjell për dashamirësit e arteve pamore. Përdorimi i fotografimit nga afër nga ana e autores autorizon dimensionet e formës në hapësirë. Rrumbullakimi organik i fytyrës së subjektit është e theksuar nga disa trekëndëshe të heshtura verdhësie që në pozicion diagonal rrethon pjesën e sipërme të kokës së subjektit, duke i vënë qoshet e sipërme në balancë me trikon e saj bojë-hiri të lehtë dhe me kufijtë fundor të anës së poshtme të imazhit. Organizimi i ekzagjerimit të syve dhe të gojës në një seri elementesh rrumbullake përben peshën vizuale të fotografisë. Faithfull (që në shqip, kuptimin më të përafërt të interpretimit, sidomos brenda parametrave të idesë së fotografes, do ta ishte “e ndershme, e besueshme” në kuptimin e gruas ndaj burrit) jepet vizualisht plot omnipotence, duke e përpirë të gjithë potencialin e hapësirës përreth. Nga ana tjetër, efektet e vlerave të kontrastit janë pikërisht një imitim i omnipotencës. Kësaj femre, si subjekt, nuk i mungon asgjë. Imazhi i fotografuar i saj sikur të fton në një dyluftim erotik dhe që andej shfaqet plotësisht e plotë si femër. Pranëvendosja e dritës dhe errësirës në një fytyre të vetme sugjeron një veçanti të vrazhdë të Simpoziumit të Platonit—ky si trup shpirtëror (krejt ndryshe nga personazhet e librit “Shtëpia e Shpirtrave” të Isabel Aliendes) duket e “tretur” në kërkim të pjesës tjetër të saj. Këto dyzime diktojnë fuqi nën sipërfaqen të hollë të ngurtësisë dhe lirshmërisë, të natyrales dhe të artificiales, të fshehtës dhe të shfaqurës, të emocionit dhe të indiferencës etj. Shkurt një punim që kolegut tim do i kujtonte se shtëpia dhe gruaja e tij janë jeta e vërtet, jo zyra e punës”.

Lexuesit e shumtë të gazetës sonë, mbase kërkojnë të ju njohin më mirë, ndaj në këtë pikë të bisedës sonë do të ishte me interes një prezantim. Pra, kush është Gjekë Marinaj?

“Megjithëse jam 42 vjeç, akoma e ndjej veten të dhënë pas çudirave të natyrës së argumentit. Një logjikë që më detyron ta njohë mirë, sepse është e vetmja armë me të cilën mbroj mendimet e mia publike për njeriun dhe botën. Ky impuls, në mënyrë natyrale, me ekspozon te një degë tjetër të filozofisë jetësore, te ajo e epistemologjisë. Asnjëherë nuk ndjehem i kënaqur me diapazonin e njohurive që kam rreth kufijve dhe natyrës së dijes. Jeta akademike, që tashme ka zëvendësuar më shumë se gjysmën e jetës time personale, është plot pyetje. Ndaj epistemologjia është e rëndësishme për mua, sepse nganjëherë ndodh që gjatë procesit të zbërthimit të një pyetjeje, arrij në konkluzionin që është gati e pamundur të di me saktësi se cila përgjigje është më e sakta për filan pyetje. Një pjesë e mirë e këtyre pyetjeve kanë të bëjnë me botëkuptimin tim metafizik, me përparësinë që i kushtoj studimit të natyrës më të skajshme të realitetit. Ndoshta këtë aspekt të formimit tim si njeri duhet ta lidh me fëmijërinë, ku gjithmonë bezdisja mësuesit duke u bërë pyetje që kishin të bënin me ekzistencën e gjerave: “...a është e mundur të ekzistojmë edhe pasi trupi ynë të jetë i pajetë?” e pyetje të tilla që vetëm mësuesit kanë durim ti dëgjojnë. Si adoleshent mendoja se ngacmime të tilla ishin të ligjshme sepse naiviteti fëmijëror ishte i ligjshëm, sepse fëmijëve nuk u kërkohej zbatimi i kodeve të etikës siç u kërkohej të rriturve. Mirëpo tani e kuptoj se nuk është ashtu. Ato pyetje e kishin etikën brenda dhe se etika është një fushë e pafundme studime. Megjithatë, sa herë që më jepet mundësia zë e studioj sjelljet e të tjerëve, që të mësoj prej tyre, tek vendosi për sjelljet e mia ndaj njerëzve, ndaj shoqërisë. Kurse si poet e gjej veten përherë e më shumë të zhytur në dritën e estetikës, të studimit të përhershëm të artit, bukurisë në jetë. Me fjalë të tjera, zoti Bigza, akoma jam një njeri që vazhdoj të studioj mundësitë e mia për të ndryshuar sa më shumë gjëra që duhen ndryshuar në jetën time dhe të tjerëve”.

Cili është mesazhi juaj për bashkatdhetarët tuaj këtu në Greqi?

“Shqiptarët dhe grekët janë sa të ngjashëm aq edhe të ndryshëm në kulturat respektive bashkëkohore. Normat dhe vlerat e një kulture nuk mund të gjykohen në mënyrë arbitrare nga një kulturë tjetër. Prej vitesh, kam një motër dhe dy vëllezër që me familjet e tyre jetojnë në Greqi. Unë jam i ndërgjegjshëm se njerëzit nganjëherë krijojnë një kulturë të modifikuar në mos të re në përpjekje për t’u adaptuar. Çmimi që detyrohemi të paguajmë ka të bëjë me efektet direkte dhe anësore të këtyre ndryshimeve. E keqja është se ato shpesh vinë si rezultat i presionit dhe i kërkimit të mundësive për diçka më të mirë në jetë brenda kulturës shoqërore që i rrethon ata. Në këtë mes, krenaria e shqiptarëve dhe shpirti konkurrues i tyre me të gjitha të mirat që ka përben edhe problemet e veta. Ata, brenda më pak se 20 vjetësh, duan të jenë në të njëjtin nivel me Grekët që janë aty me mijëra vjet. Ndonëse kjo gjë mund të jetë e mundshme në raste të rralla, për shumicën, sidomos në aspektin ekonomik, është e pamundur. Me këtë në mendje, ajo që u sugjeroj dy vëllezërve dhe motrës është këmbëngulja e tyre për të konkurruar me grekët në aspektin jo-material. Nëse ata duan të ndjehen të barabartë me grekët, këtë mund ta arrijnë në një fushë të jetës që është shumë më e rëndësishme se ajo ekonomike e çastit. Pra ata mund të shkëlqejnë në krijimet abstrakte të humanizmit—mësimi i gjuhëve të huaja, për shembull, (nëse një grek ka një restorant apo një hotel, dhe ju flisni anglisht dhe ai flet vetëm greqisht, greku është i detyruar të të punësojë për të komunikuar me të huajt—pra duke të venë mbi veten). Nuk duhet të harrojmë se Grekët janë humanë dhe ashtu si shqiptarët edhe ata kanë dëshirë të respektohen, të kuptohen, të vlerësohen dhe të marrin vëmendjen e duhur në marrëdhënie me të tjerët. Për këtë duhet vetëm njohje, dhe burimet më të mira të njohurive e kanë origjinën te libraritë apo bibliotekat, të cilat janë me dyer të hapura për shqiptarët. Shqiptarët që jetojnë në Greqi mund të kenë ide më të mira se unë kur është fjala se çfarë është e mirë për ta, dhe kjo është e ligjshme. Por ajo që di unë është se rezistimi i njohjes se kulturës se artë (të vjetër dhe të re) greke, lënia pas dore e mësimit të greqishtes, të jetosh dhe të veprosh me mendimin se shumica e grekëve janë të këqij apo racistë, nuk është vetëm një gabim i madh, por do të thosha, është një faj i madh.

Faleminderit!

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...