Shkrimtari dhe gazetari i njohur Petrit Palushi është ndoshta ndër të paktët njerëz në botë që ka parashikuar saktë fituesen e çmimit Nobel në letërsi.
Në datë 5 tetor, tre ditë para ndarjes së çmimit, Palushi shkruante në Facebook: “Parashikoj që Nobeli i sivjetëm në letërsi shkon te shkrimtarja dhe gazetarja Svetlana Alexievitch nga Bjellorusia. Gjithashtu, jam në mëdyshje për japonezin Haruki Murakami, autorin e “Pyllit norvegjez”.
Dhe parashikimi doli i saktë, pasi sot fituese u shpall pikërisht Svjetlana Aleksijeviç.
I pyetur nga “Tirana Observer” se si arriti ta parashikonte fituesen e çmimit Nobel, Palushi tha se “kjo erdhi mbas disa kalkulimeve të mia në kësi rastesh, sidomos në ndeshje sporti, ku në 80% a më tepër kanë dalë parashikimet e mija”. Më tej ai shpjegon se pati shënuar në copa letrash emrat e 10 autorëve që ai mendonte se qenë përfshirë në garë. “Letrat ia dhashë djalit tim, Milosaos, se kështu veproj sa herë. Qe emri i Svetlana Alexievitch. Ia përzjeva fletët dhe i thashë se do vepronte edhe 14 herë të tjera, natyrisht pas çdo këqyrje të fletës, ia përzieja prapë. Përfundimisht 13 herë doli emri i saj dhe dy herë emri i shkrimtarit japonez Haruki Murakami. Prandaj në parashikim shënova se qesh në mëdyshje për shkrimtarin japonez”, thotë Palushi.
***
Akademia suedeze vendosi të nderonte shkrimtaren dhe gazetaren bjelloruse, Svetlana Alexievitch, me këtë argument: Shkrimet e saj përbëjnë rrëfenjën e një momenti vuajtjeje dhe guximi në kohën tonë.
Bashkë me çmimin, Alexievitch merr edhe 690 mijë paund, që e shoqërojnë atë. Kjo kritike e njohur e qeverisë së vendit të saj është një shkrimtare politike, veprat më të famshme të së cilës, të përkthyera në anglisht janë “Zëra nga Çernobili”, një histori mbi katastrofën bërthamore; dhe “Djemtë prej zinku”, një koleksion tregimesh e dëshmish nga lufta sovjeto-afgane.
Autorja me baba bjellorus dhe nënë nga Ukraina ka lindur në 1948-n në qytetin ukrainas Ivano-Frankivsk. Në Bjellorusi, familja e saj do të shpërngulej pasi i ati përfundoi shërbimin e tij ushtarak.
No comments:
Post a Comment