Nga Miho Gjini
Ajo është mjeke, një mjeke që shkruan edhe vjersha. Jeton në Prishtinë dhe zanati i saj është që të presë në duart e saj jetën e njeriut, lindjen nga nëna. Një profesion që ka te beje edhe me poezinë, me poezinë e engjëjve që sjellin qarjet e buzëqeshjet e para, kur vijnë në jetën reale për të përshëndetur botën.
Kjo mjeke gjinekologe e devotshme, shqiptare nga Kosova, me emrin Burbuqe Skënderi, nuk e quan veten poete, të vetëquhet si e tillë, sikundër bëjnë shumë të tjerë… I kanë lindur nga shpirti me qindra vargje poetike, të cilat nuk rreket që t’i hedhë në letër e të bëjë libra. Janë vargje që i dalin nga shpirti, ashtu vetiu, nga dhimbja, nga vuajtja e një nënë, nga gëzimi dhe lumturia, nga britmat e para të fëmijës-engjëll.
I lexoj këto vargje të thjeshta e pa ndërlikime, në një stil thuajse telegrafik, ashtu siç i ka të hedhura në internet e të shpërndara pa asnjë përkujdesje të mëvonshme, si të ishin biseda ngazëllimi e shfryrje të shpirtit. Aty, brenda tyre, është vetë ajo, një shpirt njeriu i ndjeshëm, gjithmonë në pritje të një jete tjetër, ditën dhe natën, kur rendojnë qepallat. Vargu i saj është i lirë, si i hedhur në hapësirë, pa rregulla strikte të poezisë, pa metrikë, po se ç’kanë aty brenda tyre: çiltërsinë e një gruaje, bukurinë e femrës, këngën e bebes se porsalindur, agimet njerëzore dhe një buzëqeshje të thellë e ngazëlluese të doktoreshës nga Prishtina, Burbuqe Skënderi.
Devizën e saj në udhën e jetës e të poezisë e ka të përcaktuar ajo vetë në dy vargje tepër të thjeshta: “jeta në duart e mia/e unë në të saj”. Ajo ndjen përgjegjësinë e misionit të vet, si një përkushtim për të tjerët (“Jam unë/Dhe më shumë se unë”). Mirëpo do të shkojë ca më tej, duke e kapërcyer vetveten: “Unë, nuk pres gjë/As zgjime e as ëndrra/Unë mbetur jam në udhë të pakryera/Mbetur pezull/Mbi jetën vale…”. Shpirti i bukur i mjekes-poete është i trazuar dhe ajo e ndjen vetën si pjesë e vogël e një bote të madhe (“Më mbetet një copë/shpirt për veten time/Të shumtën e morën/ Të tjerët me vete…”) Dhe vetëm atëherë ajo do të kuptojë se nuk është ajo, po bota rreth saj, janë ca tinguj që ngrihen drejtë qiellit dhe thonë: ”Një për një/Jo. Një për shume”. Është si një vegim drite që asaj i ndriçon rrugën dhe shumëfishon ndriçimin e vetvetes (“Një dritë me vetë ris…”).
Vargjet e kësaj gruaje janë si biseda me vetveten, herë të heshtura e here si belbëzimet e para të fëmijës së vogël që vjen në jetë, ashtu të ngrohta, të vërteta, me naivitetin e krijesave të pafajshme që vetë ajo i nxjerrë nga mitra e nënës me duart e saj dhe po vetë i ngre drejt qiellit, për të marre udhët e jetës, drejt të së panjohurës. “Flas me heshtjen,-shkruan ajo/Sy me sy/Pa zë/Pa gojë/flas me ty/Si me veten…”. Dhe pastaj vijnë fjalët, tok me britmat, ngazëllimet, kur ndritin yjet. Prandaj, poetja do të shprehet: “Ti fjala ime/Lind në mua/Çdo ditë/me agun e pare/Me yllin e fundit…/Rritet me mua…”
Në të njëjtën kohe ajo shpalos botën e gruas, të nënës që e rikrijon jetën, si një qiell i tëre me yje shume. Dhe ajo, gruaja, është objekti e subjekti për të e për në të gjithë… Sepse “Ajo mi zbriti/Nga qielli yjet/Një nga një…”. .Po ajo e di që krijesat e sapolindura do rritën e do të përplasen më vonë me “hallet e botës”, sikundër i ndodhe vet mjekes e poetes njëkohësisht, kur ajo do të lëndohet nga kujtimet e trishta, nga padrejtësitë, nga tradhtitë, nga mëkatet e mallkimet, për të ardhur përsëri tek vetja. Dhe, -nënvizon ajo, “Rruga të vetvetja/sjell lëndim të ri…”. Sepse, hera-herës do të ndodhë që “Unë udhëtova pa biletë/binaret ecin mbi mu…”, për ti zgjuar mandej një revoltë, si një piskamë tronditëse: ”Të jesh grua/Është të gërryesh/Shkëmbin me thonj/Të mbash zjarrin para sysh/Të digjesh e tëra në të…/Të jesh grua/Mbetesh /Bekim e mallkim/Dhe ëndërr e çdo burri.”!
Në këto vargje të thjeshta, të drejtpërdrejta, ndjehet edhe pozicioni i saj si qytetare e vendit të vet, si përfaqësuese e një morali të lartë njerëzor, e etikës intelektuale, dhe e humanizmit që buron prej profesionit të mjekut. Ajo jeton në një kohë të trazuar, ka përjetuar luftën, barbarizmat që solli lufta, ikjet e mëdha e kthimet e dhimbshme, braktisjet dhe tradhtitë, lëndimet e dashurisë dhe mbetet gjithmonë një qytetare e zonja dhe e gjithëpushtetshme, që rrezaton dritë e bukuri njerëzore. Shpesh, thotë, se i “trokasin kujtimet si mysafire të paftuar”, se “ka ende lot për të derdhur”, por që është kaq e fortë si karakter, që të mos mposhtët si femër, si mjeke, si qytetare. “Dhe ti s’je/Dhe unë bej se jetoj/,-shprehet ajo e vendosur në udhën që ka zgjedhur të ecë, krahas kujtdo e ngado. E kundër mbrapshtisë, kundër meskinitetit, egoizmit e hipokrizisë, mbetet gjithmonë e ashpër, e prerë, me një revoltë qytetare të lartë: “Ju me maskë njeriu/Ju gur nuk jeni/E di/E mos vishni/maskë njeriu…!”
Kjo, me pak fjale është Burbuqe Skënderi, që pret çdo ditënatë jetë njerëzish, me duart e saj të pastra, me përdëllimin e dhimbjen e nënave, dhe me shpirtin e një poeteje të vërtetë, pa marrë asnjëherë pozën e poetes…Dy fjalë për të, janë fare pak, për t’ia thënë nga larg e pa e njohur fare!