Një cikël poetik nga Sergej Esenin

Një cikël poetik nga Sergej Esenin
Sergej Alexandrovich Esenin ka lindur 3 tetor 1895 në Konstantinovo (sot Esenino), në rajonin e Ryazan (Rusi); bir i vetëm i prindërve fshatarë, është eksponenti më i rëndësishëm i së ashtuquajturës shkollë e “poetëve fshatarë”. Në vargjet e tij pasqyrohet bota rurale e Rusisë të fillimit të shekullit të njëzetë; fjalët e tij lartësonin bukuritë e fshatit, dashurinë ndaj mbretërisë së kafshëve, por edhe ekseset e jetës së tij (Esenin qe alkoolik dhe frekuentues i rregullt i bordellove). I rritur me gjyshërit, fillon të shkruajë poezi, pothuaj, në moshën nëntë vjeç. Në 1912, u transferua në Moskë, ku për të jetuar, punon si korrektor në një shtëpi botuese. Në Shën Petersburg u bë i njohur në qarqet e letërsisë. Kjo bëri që në saj të Alexandr Blokut, ai promovua si poet. Në 1915 publikon përmbledhjen e tij të parë me poezi “Radunika” e cila u pasua shpejt nga “Ritit për të vdekurin” (1916). Shpejt u bë një nga poetët më popullor të atyre viteve. Bukuria e Eseninit është krejtësisht e jashtë zakonshme; biseksual, ai në pjesën e parë të jetës së tij kërkon mbështetjen e burrave me ndikim, ndërsa në pjesën e dytë preferencat e tij do të shkojnë në drejtim të seksit femër. I pajisur me një personalitet romantik Esenini dashurohet shpesh dhe arrin kështu, të martohet pesë herë. Ai u martua për herë të parë në 1913, martohet me Ana Izrjadnovan, kolege pune pranë shtëpisë botuese, me të cilën ai ka djalin e tij Juri (më vonë i arrestuar më pastaj gjatë spastrimeve të mëdha staliniste dhe vdiq, në një gulag në vitin 1937). Në periudhën 1916-1917 Sergej Esenin u thirr nën armë, por menjëherë pas Revolucionit të Tetorit të 1917-tës, Rusia del nga Lufta e Parë Botërore. Duke besuar se revolucioni do të çonte në një jetë më të mirë, Esenin e mbështet atë, por shpejt zhgënjehet duke arritur deri sa të kritikojë edhe qeverinë bolshevike (e kësaj periudhe është poezia “Tetor i egër më mashtroi”). Në gusht të vitit 1917 Esenin martohet me aktoren Zinaida Raikh. Me të ai ka një vajzë, Tatianën, dhe një djalë, Konstantin. Në shtator të vitit 1918 ai themelon shtëpinë vet botuese të quajtur “Kompania punonjëse moskovite e artistëve të fjalës”. Njohu pastaj Isadora Dunkanin, atëherë balerin e famshme tashmë. Takimi do të jetë vendimtar për frymëzimin e tij poetik. Marrëdhënia e tij me të (17 vjeçe më e madhe) është shumë e mundimshme, e vështirë dhe plot shpenzime të tepruara: sensacional ishte episodi në Paris, ku të dy u dëbuan nga një hotel, sepse Isadora kërcente lakuriq, ndërsa Esenini recitonte vargje. Të lidhur në martesë më 2 maj 1922 (ajo, biseksual me një preferencë për gratë që dinte vetëm disa fjalë rusisht: martesa ishte një marifet publiciteti për të dy), u ndanë një vit më vonë.
Kthehet në Moskë dhe martohet me aktoren Augusta Miklaevskaja. Në dy vitet e fundit të jetës së tij Sergej Esenin jeton në mes ekseseve, shpesh i dehur; por kjo periudhë e dëshpërimit personal është gjithashtu edhe periudha në të cilën ai krijon disa nga poezitë e tij më të bukura dhe shënuara.
Në pranverën e vitit 1925 martohet për herë të pestë me Sofia Andrejevna Tolstaya, mbesën e Leon Tolstoit. Gruaja përpiqet për ta ndihmuar, por Esenini nuk arrin të shmangë një ezaurim nervor: hyn në një spital psikiatrik, ku qëndron vetëm një muaj. U dorëhoq për Krishtlindje: dy ditësh pas pret një damar dhe shkruan me gjakun e tij, poezinë e tij të fundit me të cilën i jep lamtumirën botës së; njeri i dhunshëm dhe agresiv, në të njëjtën kohë i aftë për ndjeshmëri të madhe, Sergej Esenin vdes duke kryer vetëvrasje të nesërmen, 27 dhjetor 1925, në moshën 30 vjeç: ndërsa ndodhej në një dhomë hoteli në Shën Petersburg, ai var veten në tubacionet e sistemit ngrohjes. Ekziston ende dhe sot misteri për të cilin disa mendojnë se vetëvrasja ishte një mashtrim: Esenin u vra në të vërtetë nga agjentët e GPU.
MË KA MBETUR
Më ka mbetur vetëm një argëtim:
Gishtat në gojë dhe fishkëllimë të gëzuar.
Është përhapur nam i keq për mua
Se jam një tip brutal e gërnjar i trazuar.
Ah, ç’humbje e pamend, e marrë!
Në jetë kaq humbje të marra ka.
Më vjen turp që besoja në Zot,
Hidhërohem që s’besoj në të më.
Distanca të largëta, të arta!
Jeta e përditshme djeg çdo gjë, sot!
Sillesha unë si derr dhe bëja skandale
Me qëllim që të digjesha më fortë.
Dhunti e poetit është të përkëdhelë e të presë.
Një markë fatale ndodhet brenda tij.
Një trëndafil të bardhë me një zhabë të zezë
Do të doja t’i martoja mbi tokë të dy.
Por, nuk u jetësuan, s’u realizuan
Këto synime të ditëve të arta, flori.
Por meqë djajtë më bënë fole në shpirt
Kjo do të thotë që engjëjt jetonin aty.
Pra, për këto plogështi të gëzuara,
Nisur drejt një vendi tjetër, dua,
Që në minutën e fundit t’u kërkoj atyre
Që do të jenë së bashku me mua
Për të gjitha mëkatet e mia të tmerrshme,
Për mungesën e besimit në mirësinë hyjnore
Të më veshin ata me një këmishë ruse
Që të vdes nën ikona e kore. /(1923)
NUK PENDOHEM
Nuk pendohem, nuk thërras, nuk qaj,
Do më kalojë si tymi i bardhë i mollës, e di.
Rrethuar nga ari i venitur,
S’do të jem më, jo, jo s’do të jem më i ri.
Nuk do rrihem më si një herë e një kohë,
Zemra, e prekur nga freskia
Dhe vendi i mështeknave pëlhurë
S’do më josh më të bredh zbathur si dikur.
Shpirt endacak! Përherë rrallë e më rrallë
Trazon zjarrin e buzëve shpuzë
Oh, freskia ime e humbur,
Plotësi e shqisave dhe e vështrimeve dhunë.
Tani jam bërë më koprrac në dëshira,
Jeta ime, mbase vetëm të kam ëndërruar?
Si në një mëngjes kumbues pranveror
Gallopoja mbi një kalë të kuq të harbuar.
Të gjithë, të gjithë jemi kalimtarë në këtë botë.
Kullon pikë, pikë ngaj panja bakri i gjetheve …
Dhe qoftë i bekuar përjetë,
Kush erdhi të lulëzojë e të vdesë./ (1921)

PUSHOI SË FOLURI
Pushoi së foluri koria e artë
Me gjuhë të gëzuar mështeknash perri
Dhe krillat duke fluturuar trishtueshëm,
Për askënd ato s’kanë më dhembshuri.
Dhembshuri për kë? Kushdo në botë është një pelegrin
Do të ikë, do të braktisë shtëpinë, do shkojë diku.
Ëndërron kërpishtja ata që ikën
Me hënën e plotë mbi pellgun blu.
Rri vetëm mes livadhit të zhveshur
Ikin përsëri larg krillat me erën shpejt
Jam i mbushur me hare rinore
Për asgjë të kaluar s’më vjen më keq.
S’më vjen keq për vitet e humbura kot,
S’trishtohem për lulëzimin e shpirtit ngjyrë lila,
në pyll digjet një vadhëz e kuqe
por s’mund të ngrohë askënd ajo më.
Nuk do të digjen vilet e vadhëzës,
Bari s’do të zhduket pse është zverdhur,
Siç lë pema gjethet e saj të bien pa zhurmë,
Kështu i lë të bien fjalët e trishta dhe unë
Dhe nëse koha duke i shpërndarë me erën,
I grumbullon në nj ligatinë të kotë ..
Thoni kështu … që pylli i artë
Pushoi së foluri me gjuhë të zgjedhur sot./ (1924)
MË ËSHTË E NJOHUR
Më është e njohur kjo rrugë
Dhe kjo shtëpizë e ulët fare,
Kashta e kaltër e kabllove
U përmbys përmbi dritare.
Ishin vite fatkeqësish të rënda,
Ishin vite forcash të trazuara, të çmendura.
Kujtoja fëmijërinë time në fshat,
Kujtoja kaltërsinë e fushave të ndërkaq.
Nuk kërkoja as gëzimin, as paqen,
E njoh këtë lavdi të kotë e njoh.
Por tani, sapo mbyll pak sytë,
Vetëm shtëpizën atërore shoh.
Shoh kopshtin në pikat e kaltra,
Me zë të ulët vjeshta mbështet mbi gardh.
Në krahët e gjelbër qëndrojnë blirët
Britmat dhe cicërimat e zogjve ndajnatë.
E kam dashur këtë shtëpi prej druri,
Në trarët vakej një krismë kërcënuese,
Stufa jonë në mënyrë të çuditshme,
Në natën me shi, uturinte, bubulluese
Zëri i fuqishëm dhe dënesa e potershme,
Si mbi dikë të humbur, të gjallë.
Çfarë shihte, gamilja prej tullash,
Në rënkimin me shira, vallë?
Sigurisht shihte vende të largëta,
Ëndrrën e një kohë tjetër, më pas,
Rërat e florinjta të Afganistanit,
Mjegullën e kristaltë të Buharasë.
Ah, edhe unë i njoh këto vende,
Me hap të vogël, kam rendur atje
Vetëm më afër vendlindjes sime
Do doja të kthehesha gjithnjë.
Por u shua ajo topitje e ëmbël,
Çdo gjë u tret në tymin blu.
Paqe ty, kashtë fshatare,
Paqe ty, shtëpi, ndërtuar me dru./ (1923)
PANJA IME
Panja ime lakuriqe, panja ime e mardhë,
Pse rri e përkulur nën stuhinë e bardhë?
Mbase ke parë diçka? Mbase diçka ke dëgjuar?
Sikur për një shëtitje jashtë vendit kishe shkuar.
Dhe, si një gardian i dehur, duke dalë në rrugë,
U zhyte në dëborë, t’u bënë këmbët akull, qull.
Ah, unë vetë u bëra i paqëndrueshëm tani.
Nga zbavitja me miq, si zor të vete në shtëpi.
Atje jashtë njoha pishën, shelgun takova,
Këngë mbi verën për ta nën stuhi, këndova.
Vetë u ndjeva i barabartë me panjën e egër,
Por jo lakuriq si ajo, por plotësisht i gjelbër.
Dhe duke shmangur ndrojtjen , i dehur thumb,
Si të ishte gruaja e tjetrit, panjën përqafova unë./ (1925)
***
E QETË ËSHTË
Lugina gjithë dëllinja është e qetë
Vjeshta si kalë – dori, krifën kreh.
Shkon uturima blu e vargonjve të saj
Mbi perde brigjesh të lumit në skaj.
Hapshkurtër, era, si një monak asket
Gjethet anash rrugës lag edhe tret.
Dhe mbi gëmushën e vadhëzës prush
Plagët e një Jezusi të padukshëm puth./ 1914-1916
NË ATDHE
Në atdhe jam lodhur së jetuari
Duke menduar fushave të gjëra, zymtë;
Hajdut bredharak , dua të iki që këtej,
Duke lënë prapa koliben time të tymtë.
Për kaçurrelat e bardha të ditës
Do të shkoj të kërkoj një shpellë të mjerë.
Nga këmbalja miku që kakm më pranë
Thikën grerëz kundër meje do nxjerrë.
E vështirë është rruga e verdhë
Pranverës dhe diellit mbi lëndinë.
Dhe pragu i saj do jetë e mbyllur.
Unë do t’i dëboj prej pragut tim.
Do të kthehem në shtëpinë atërore,
Gëzimi i të tjerëve do më mbështet,
Në dritare një mbrëmje të gjelbër
Me mëngën time do të varem vet.
Më ëmbëlsisht kokën do të përkulin
Shelgjet thinjur gardheve të anuar
Midis lehjeve të pafundme të qenve
Trupi jo i larë prej meje, i mbaruar.
Do të lundrojë do të lundrojë hëna,
Duke braktisur rremat brenda liqeneve.
Do jetojë Rusia pa ndryshuar ndonjë
Fat gardheve duke qarë gjatë kërcimeve./ 1915- 1916
JO MË KOT
Jo më kot fryjnë erërat,
Jo më kot furtuna buçet.
Sytë e mi mistershëm dikush
I dehu me dritë të qetë.
Dhe me ëmbëlsi pranverore
Dikush nëpër mjegullën gri
Më hoqi trishtimin për misin
Po jo që këtu nga toka hyjni
Kullimi memec nuk brengos
Lemeria yjore nuk torturon,
Universin, përjetësinë dua, qëkur,
Si të ishin vatra ime që prushon.
Gjithçka në ta është e mirë,
Dhe ajo që mundon shkëlqen.
Perëndimi, lulëkuqe e ndezur,
Mbi qelqin e liqenit vërshen.
Një vegim në detin e grurit
I papërballueshëm buzëve vjen:
Qielli lëpin viçin e kuq
Që të sapo pjellë./1917
KU JE
Ku je, ku je shtëpia atërore,
Që ngrohje shpinën nën kodër?
Kaltërsia ime, lule kaltërore
Rërë e pashkelur
Ku je, ku je shtëpi atërore?
Këndon një gjel përtej lumit
Ku bariu kulloti grigjën,
Dhe tre yje nën ujë
Shkëlqejnë larg, larg
Këndon gjeli tej lumit me natë.
Mulliri me erë kohën e shtyn poshtë.
Lavjersja hënore përtej fshatit
Midis thekrës kalliplot
Shiun e padukshëm të orëve,
Mulliri me erë, kohën e shtyn poshtë…
Me miriada shtiza shiu
Midis reve mbështolli shtëpinë time.
Lulen blu këputi ai
Dhe rërën e artë shkeli.
Me miriada shtiza ky shi. /1917-1918
O FUSHA, O FUSHA
O fusha, fusha të lëruara,
Të Kolomnës melankolike.
Në zemër është dita e djeshme
E në zemër Rusia shëndritëse.
Fishkëllejnë si zogj verset
Nën potkoin e kalit
Dhe veson dielli
Sipër meje, me grushta.
O truall plot trandje të frikshme,
Forcë e heshtur pranverore,
Afër agshunit dhe yjeve
Kam ndjekur këtu shkollën fillore.
Dhe kam lexuar e kam menduar
Mbi Biblën e erërave të acarta,
Me Isain kam kullotur
Kopetë e mia të arta. /1917- 1918
Përktheu: Faslli Haliti

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)