Ushtarakët e lartë gjermanë nazistë gjatë Luftësë së Dytë Botërore ndërtun një makineri kodifikuese sekrete të quajtur “Enigma”, nëpërmjet të cilës komunikonin dhe jepnin urdhra pa u zbuluar nga aleatët perëndimore. Ishte shkencëtari Alan Tuning, ai i cili do shpikte makinerinë e emërtuar “Makina Tuning” që do të deshifronte më fund çdo komunikim gjerman dhe zbulimi i Turing ishte një ndër shkaqet fitimit të luftës nga aleatët. Pikërisht këtë kod alfanumerik, të bazuar tek kodi mors, ka përdorur edhe kapo i organizatës shqiptare, Altin Hajri, vëllai i tij Emiljano dhe kushëriri që bënte përcjellësin të mesazheve dhe deshifrimin e tyre në Padova të Italisë. “Hetimet teknike kanë treguar një cilësi të veçantë të grupit kriminal, i cili përdorte për komunikimin në distancë, një kod alfanumerik, periodikisht i rinovuar. Që këtu rrjedh emri “Enigma” për operacionin që i referohet kodeve që përdoreshin nga forcat e armatosura gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore”, thanë zyrtarët e Policisë së Shtetit për mënyrën se si u zbërthye organizata. Megjithëse prej disa vitesh në përgjim, agjentët e policisë italiane dhe prokurorët nuk arrinin të kapnin dhe deshifronin dot komunikimet me mesazhe apo biseda dhe kodet e përdorura. Derisa vitin e kaluar fal një kurthi të ngritur, arritën deri tek kapo Altin Hajri dhe mënyrën se si ai komunikonte me kodet e “Enigmës”.
Si funksiononte
Altin dhe Emiljano Hajrit nuk u duhej që prej vitit 2010 të shkonin në Itali. Kjo ka vështirësuar hetimet e Prokurorisë së Venecias. Ata rrinin të shkëputur nga anëtarët e organizatës, të cilët i kishin njohur prej viteve 2000 ku kishin punuar edhe vetë si shpërndarës fillimisht. Vëllezërit qëndronin në Shijak ku menaxhonin të gjitha punët. Ata lëshonin mesazhe me kodin “Enigma”, të cilat ia jepnin kushërinjve të tyre që vinin herë pas here në Shqipëri dhe këta ia përcillnin organizatës në Itali sipas porosive apo detyrave që thoshte mesazhi. Asnjë nëngrup i organizatës nuk e dinte çfarë bënte nëngrupi tjetër dhe kush ishin. Gjithashtu nuk e dinin as kush ishte drejtuesi. Vëllezërit Hajri gjithashtu kujdeseshin për blerjen e drogës nga Afganistani apo Turqia me 5 mijë euro kilogrami dhe në fund pesëfishonin apo dhjetëfishonin fitimet. Grupi i laboratorëve bënte përpunimin dhe ndarjen e saj, ai i shpërndarjes shitjen dhe më tej ai i mbledhjes së parave ia dorëzonte në Shqipëri vëllezërve Hajri.