2015-10-29

Romani për kthimin e urrejtjes në dashuri

Kosovare Krasniqi
(Petro Marko – Qyteti i Fundit)
Qysh nga kohërat e lashta, kur njeriu filloi të kapë kuptueshmërinë e jetës së vet, është bërë një luftë e pareshtur në mes dy forcave të mëdha, në mes të luftës dhe paqes, të cilat sipas Borhesit janë “dy histori që nuk ndërpriten kurrë, por që në njëfarë mënyre plotësojnë njëra-tjetrën”.
qyteti-i-fundit-petro-markoLufta dhe paqja janë tema bazë apo themele mbi të cilat janë krijuar shumë vepra letrare, duke filluar që nga epet e Homerit, të Virgjilit etj., po edhe sot krijohen vepra ashtu sikur do të krijohen edhe në të ardhmen, andaj diskutimi mbi këto tema është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse një temë e tillë është shumë me rëndësi si për letërsinë botërore, ashtu edhe për atë shqipe.
Tragjeditë e ndodhura në luftëra jo rrallë janë temat më të preferuara për shkrimtarët; lufta bëhet mesazh nga ku ata frymëzohen dhe marrin forcë e motiv për të shkruar. Një shtysë të tillë pati edhe Petro Marko kur shkroi romanin “Qyteti i fundit” (1960), për të cilin do të flasim në vijim.
Dashuria në përfundim të luftës
Romani i shkrimtarit të njohur shqiptar Petro Marko, “Qyteti i fundit”, është njëri nga librat i cili në vete ngërthen këto “dy histori”, atë të luftës dhe atë të paqes.
Romane të Petro Markos me temën e luftës janë edhe romani “Ultimatumi”, pastaj romani i pabotuar “Rrugëve të luftës”, “Hasta la vista”, “Nata e Ustikës” etj., ndaj nuk kemi si të mos e themi për Petro Markon se është edhe njëri nga autorët shqiptarë, në krijimtarinë e të cilit mbizotëron tema e luftës, sepse vetë jeta e tij ishte një luftë e pafund për të ngelur njeri.
Nga biografia e Petro Markos mësojmë se, që në moshë mjaftë të re, 23-vjeçare, ishte vullnetar në Luftën e Spanjës, si luftëtar në brigadat internacionale, nga ku edhe e mori subjektin për romanin e njohur të tij “Hasta la vista”, mirëpo ai nuk u ndal me kaq, po vazhdoi të jetë njëri nga luftëtarët e pakompromis kundër së keqes, derisa përfundon edhe si i burgosur në Shqipëri nga italianet, ndërsa më pas ishte edhe luftëtar i partizanëve italianë. Po ashtu, Petro Marko u burgos edhe pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri nga pushteti diktatorial, që po i vinte themelet në këtë kohë.
Nga çfarë u frymëzua Petro Marko kur shkroi romanin “Qyteti i fundit?
Nga lufta shkatërrimtare e vitit 1939 që përjetuan shqiptarët, e cila i solli një kaos total vendit, duke e kthyer në një gjendje kaotike shoqërinë shqiptare.
“Qyteti i fundit” është njëri nga romanet më të rëndësishme të autorit, por edhe në gjithë letërsinë e sotme shqipe, i cili tematikisht përqendrohet tek lufta në mes italianeve, gjermanëve e shqiptarëve vendës, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Historinë e luftës e mësojmë përmes personazheve të cilët i tregojnë ngjarjet e ndodhura, vuajtjet e heroizmat e tyre, ku copëzat e treguara nga ta bëhen pjesë e rrëfenjës, ndërsa një pjesë e romanit përbëhet nga një romancë e mrekullueshme dashurie në mes toger Lekës dhe Ana Maria Montit.
Gjatë gjithë rrjedhës së rrëfimit në roman na paraqitet një periudhë e shkurtër kohore; shkrimtarit i duhen vetëm shtatë ditë për të paraqitur një paqe të brishtë pas një lufte të gjatë. Rrëfimi rrjedh natyrshëm, me ngjarje pak a shumë dramatike në një kohë paqeje të brishtë, në mes së cilës fillon një dashuri jashtë atij realiteti në të cilën ishin, ku dy të rinjtë përveç një kufiri shtetëror që i ndante, kishin edhe një mal pengesash të tjera. Anës i kishin vrarë vëllanë, ndërsa toger Lekës, italianet i kishin vrarë të fejuarën derisa u sillte bukën partizanëve.
Çfarë do ta shtyjë autorin të zgjedhë një rrugë të tretë, të thyejë kufirin në mes realitetit dhe imagjinatës, për të arritur që dy të rinjtë t’i harrojnë ato çfarë u kishin ndodhur gjatë luftës?
Koha në të cilën magjepsen Ana Maria dhe Leka, sjell pak ngrohtësi pas gjithë asaj katastrofe që kishin përjetuar palët në luftë, po prapëseprapë ata nuk mund të ishin bashkë, sepse kishte diçka që i ndalonte – ndjenja e fajit se po ta dashuronin njëri-tjetrin, do të mund të humbin dashurin e të tjerëve, ose dhembja për ata që i kishte marrë me vete lufta. Të dy humbën dashurinë e parë, por jo me fajin e tyre, prandaj njohja mes tyre tek ata sjell qetësinë dhe dashurinë, por a mjaftonin vetëm këto për të shëruar plagën dhe për t’u qetësuar shpirtrat e tyre? Jo, ata e deshën njeri-tjetrin, mirëpo nuk arrijnë të kalojnë mbi dhembjen dhe tmerrin që u kishte sjellë lufta, mbi rrethanat që ishin mbi ta.
Subjekti i romanit
Pas kapitullimit të Italisë fashiste, italianë të shumtë ishin grumbulluar në portin e qytetit të Durrësit dhe prisnin riatdhesimin për në vendin e tyre. Këtu fillon edhe subjekti i romanit. Kryeprotagonisti i romanit, toger Leka, oficer shqiptar, e kishte për detyrë të kujdesej për grumbullimin e italianëve dhe riatdhesimin e tyre në Itali. Gjendja e tyre është jashtëzakonisht e rëndë.
Përveç ushtarëve që kishin ardhur si pushtues, kishte edhe civilë të cilët iluzioni për t’u pasuruar i kishte sjellë me familjet e tyre në Shqipëri. Njëra nga këto familjet italiane ishte edhe ajo e Ana Marisë, ngase edhe familja e saj si shumë të tjera, ishte gënjyer se me vajtjen në Shqipëri do të krijonte një pasuri përrallore. Mirëpo vëllai i saj kriminel vritet, ndërsa burri i saj, e lë në mëshirën e fatit dhe, duke mos gjetur zgjidhje tjetër, ajo ishte bërë njëra nga shumë prostitutat që kërkoheshin në atë kohë shumë, pasi ishte edhe e bukur.
Subjekti i romanit zhvillohet në paqe, mirëpo reflekton në historitë e luftës, të cilat i mësojmë përmes bisedave që bëjnë personazhet në mes vete, si dhe nga biseda që bën Ana Maria me Lekën mësojmë për historinë e dhembshme dhe të trishtuar të jetës së saj, sa ajo tani shpëtimin e shihte vetëm te Leka, vetëm dashuria për të i jep kuptim jetës dhe jeta e saj në këtë kohë sikur filloi të marrë rrjedhë tjetër nga ajo që kishte marrë gjatë kohës së luftës.
Ajo çfarë e bën të dashur për lexuesin toger Lekën është se ai, edhe pse e dashuron me shpirt Ana Marinë, vazhdon t’i mbetet besnik kujtimit të dashurisë së tij të parë, të cilën ia vranë italianët. Ndërkaq, tek Ana, toka shqiptare, ajri shqiptar, kishin bërë që ajo të reflektojë dhe të mendojë ndryshe edhe për vetë jetën e saj, për katandisjen e saj në këtë mënyrë. E mjerë dhe e turpëruar, tani më ajo nuk donte të kthehej në Itali, vendi i cili u bë “djepi dhe varri i saj”, sepse tani e neveriste atdheu i saj. Por edhe dashuria e re ishte e pamundur në ato rrethana. Leka,nga ana e tij, mundohet që Ana Marisë t’i gjejë një mënyrë të duhur për të jetuar, gjë të cilën ajo nuk e pranon dhe, e dëshpëruar dhe pashpresë, ajo zgjedh vdekjen para se kthimin në atdheun e saj, duke u mbytur në ujërat e Adriatikut.
Romani ka shumë personazhe, shumica prej të cilëve italianë, që sprovohen në situatat më dramatike të mundshme gjatë luftës në Shqipëri; autori shpërfaq me sens anën e tyre psikologjike dhe, përmes tyre, e paraqet bujarinë shqiptare; edhe pse italianet në Shqipëri kishin ardhur si pushtues, kur gjenin ndonjë italian të mbijetuar nga lufta, shqiptarët e strehonin nëpër shtëpitë e veta. Bota shqiptare paraqitet e butë dhe e dashur për miqtë, ndërsa e egër dhe e ashpër për pushtuesit.
Gjatë leximit të këtij libri kemi mundësi të njihemi me karaktere të ndryshme të personazheve, sidomos nga ata të palës kundërshtare, njëri prej të cilëve në roman është edhe Karlo Peroni. Autori prapa këtij personazhi fsheh njërin nga kriminelet e shumtë të maskuar nën emrin e rremë Karlo Peroni, i cili, vetëm për t’u pasuruar me arin e vjedhur në trojet shqiptare, kishte vrarë bashkatdhetarë të tij. Orvatjet e tij për t’u fshehur nën një identitet tjetër janë të kota, sepse drejtësia shqiptare nuk lejon një mashtrim të tillë, ai zbulohet falë Anës, e cila kishte vuajtur shkaku i gënjeshtrave dhe poshtërsive të tij.
Struktura e romanit
Rrëfimi në romanin “Qyteti i fundit” zhvillohet në vetën e tretë, rrjedhën e ngjarjeve e ndërpresin retrospektivat, ku personazhet gjatë pritjes në port tregojnë ngjarje të ndryshme, peripecitë e tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri i shfaqin në copëza rrëfimi dhe të gjitha këto lidhen përmes një boshti të rrëfimit, kurse syzheu i romanit është dramatik dhe i mbushur me ngjarje që ndjekin njëra-tjetrën.
E tërë ngjarja e romanit ndodh brenda shtatë ditësh. Përgjatë kësaj kohe, sa do të qëndrojnë italianet e mbledhur në portin e Durrësit, autori kujton sjelljet megalomane të italianëve gjatë kohës së pushtimit, të cilët tani janë në gjendje mjeruar, sepse kishin lakmuar florinjtë e Shqipërisë, por nga ajo kthehen vetëm kockat e të vdekurve, dhe të gjallët e mjeruar.
Koha e ndodhisë është e shkurtër, por me ngjarje të ngjeshura, duke na dhënë një rrëfenjë shumë interesante tërë dashuri, ankth, dhembje, një roman ku shfaqen me rezerva grimca lumturie, në mes Anës dhe Lekes, që janë momentet më të dashura për lexuesin.
Përfundim
Romani “Qyteti i fundit” i Petro Markos, me rrëfimin për dashurinë e dy të rinjve të nacionaliteteve të ndryshme, të cilat deri në këtë kohë kanë qenë në hasmëri deri në vdekje, kthehet në një rrëfenjë të këndshme, sepse sjell një atmosferë sa të ngrohtë, aq edhe të veçantë.
Si ngjau që e tërë ajo urrejtje që kishin italianet për shqiptarët dhe anasjelltas të kthehet në dashuri, këtë mund ta bëjë vetëm mjeshtëria e shkrimtarit të veçantë të letrave shqipe, Petro Markos, i cili me dashurinë e futur në rrëfenjën e tij mundohet të zbusë egërsinë e luftës, për të kthyer në fund këtë dashuri në model jo vetëm për të dy popujt, italianë dhe shqiptarë, po edhe për gjithë njerëzimin.
Pra, në këtë roman ngadhënjen humania ndaj johumanes, e mira ndaj së keqes, drita ndaj errësirës, dashuria ndaj urrejtjes, paqja ndaj luftës. Një luftë që bëhet përmes artit.
Luftë që e bëri gjatë gjithë jetës Petro Marko.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...