Leonard Veizi me romanin e tij më të fundëm “I çmenduri i pavionit 3”, dëshmon për rritjen e tij artistike, duke na dhënë profilin e një romancieri me të ardhme. Origjinaliteti i rrëfimit dhe befasia e ngjarjeve që zhvillohen në roman, e bëjnë këtë libër të lexohet shpejt dhe me kënaqësi. Romani “I çmenduri i pavionit 3” është një triller psikologjik, nga të paktët të mirëfilltë shkruar prej një shkrimtari shqiptar. Ndonëse ngjarjet ndodhin dhe personazhet lëvizin brenda një hapësire të kufizuar, ato janë dinamike dhe secili prej tyre shfaqet me një profil të qartë dhe të plotë, duke mbetur kështu gjatë në mendjen e lexuesit. “I çmenduri i pavionit 3″ është një vepër që shquhet për një frymëmarrje të gjerë, brenda së cilës ndeshen misteri dhe realiteti, pasioni dhe imagjinata, ambicia dhe pamundësia. Ngjarjet që zhvillohen në roman nuk shfaqen si qëllim në vetvete, por atë burojnë natyrshëm nën peshën e kohës në të cilën ndodhin. Mos përcaktimi i një vendi të caktuar gjeografikisht, dhe mënyra trajtimit të veprës i japin asaj një përmasë të madhe. Romani “I çmenduri i pavionit 3” shquhet për një gjuhë të pasur dhe të pastër. Autori e di se çfarë do të thotë me atë që shkruan dhe këtë e jep në mënyrën më të plotë, në formë, në stil dhe në përmbajtje. Arma e fortë e këtij autori është dialogu i zhdërvjellët. Proza e tij të rrëmben dhe duke shfaqur para teje skena të tilla që konvertohen njëherësh brenda teje si imazhe filmike, të cilat njëherësh të mbërthejnë në vorbullën e rrëfimit, tensionin që krijohet nga situatat dhe në fund nuk të mbetet gjë tjetër veçse të admirosh zgjidhjet tejet origjinale. Kjo e bën atë të dallueshëm në morinë e botimeve shqiptare. Autori i romani “I çmenduri i pavionit 3″, na shfaqet më i plotë, si në stil, ashtu edhe sa i përket kompozicionit letrar. Mesazhet e tij vijnë të qarta dhe të pastra. Ato janë kode të kuptueshme për të gjithë. Në faqet e romanit vërehet dashuria dhe dyfytyrësia, virtyti dhe hipokrizia, drama sociale dhe ajo individuale, çmitizimi dhe eksplorimi, etj. Çdo kapitull, sjell një ngjyrë ndryshe, duke krijuar kështu, një buqetë sa të bukur aq edhe origjinale. I dëshmuar më herët si një shkrimtar me profil të krijuar qartë, Leonard Veizi na sjell me këtë roman një vepër të nivelit të lartë, duke treguar në të njëjtën kohë se ai vazhdon të jetë një shkrimtar i veçantë në stil dhe temat që sjell.
Të dhëna teknike:
Titulli: I çmenduri i pavionit 3
Autori: Leonard Veizi
Redaktor: Loredan Bubani
Shtëpia Botuese: OMSCA-1
Faqe: 288
Çmimi: 800 lekë
Titulli: I çmenduri i pavionit 3
Autori: Leonard Veizi
Redaktor: Loredan Bubani
Shtëpia Botuese: OMSCA-1
Faqe: 288
Çmimi: 800 lekë
Për autorin:
Leonard Veizi u lind në 29 gusht 1968 në Tiranë. Ka punuar si gazetar në mediat e shkruara dhe elektronike që nga viti 1991. Romani “I çmenduri i pavionit 3”, është botimi i tij i shtatë, i cili vjen pas vëllimeve:
1 – “Grahma e shpirtit të mjegullt” (novela 1997)
2 – “Ngrehina e përhumbjes” (tregime 1998)
3 – “Treni i fundit i metrosë” (tregime 2005)
4 – “I dënuar me vdekjen” (tregime 2006)
5 – “Surpriza e natës së fundit” (roman 2008)
6 – “Rrëfimi” (roman 2009)
Leonard Veizi u lind në 29 gusht 1968 në Tiranë. Ka punuar si gazetar në mediat e shkruara dhe elektronike që nga viti 1991. Romani “I çmenduri i pavionit 3”, është botimi i tij i shtatë, i cili vjen pas vëllimeve:
1 – “Grahma e shpirtit të mjegullt” (novela 1997)
2 – “Ngrehina e përhumbjes” (tregime 1998)
3 – “Treni i fundit i metrosë” (tregime 2005)
4 – “I dënuar me vdekjen” (tregime 2006)
5 – “Surpriza e natës së fundit” (roman 2008)
6 – “Rrëfimi” (roman 2009)