Dr. Bujar Leskaj
Poeti, gazetari, shkrimtari dhe publicisti i shquar siç e ka cilësuar shkrimtari i madh Dritëro Agolli, profesor. Dr. Ago Nezhën, na vjen me një libër të ri, që ka kërkuar me fenerë në errësirën e shekujve për të gjetur rrënjët e fisit të tij, që burojnë nga Veriu e shkojnë deri në Jug të vendit, në Nivicë të Tepelenës. Autorit i është dashur një punë e mundimshme, rrëpatëse, duke u futur shteg më shteg, si një arkeolog i mirë për të zhbiruar nëpër labirintet e kohës që të zbulojë të panjohurat e origjinës së fisit të Nezhajve.
Libri “Balil Nezha Kalorës i Trimërisë”, i autorit Prof. Dr. Ago Nezha, është një enciklopedi e fisit të Nezhajve. Autori ka gërmuar, hulumtuar dhe eksploruar në thellësi të shekujve, si bleta lule më lule për të zbuluar rrënjët e fisit të Nezhajve. Ai ka shfrytëzuar materiale arkivore, gojore, si dhe të shkruara në libra historik nga kronikanë vendas dhe të huaj, qysh nga Mexhit Kokolari e deri të Çelebia dhe Pukvili. Ky gërshetim multidimensional i ka krijuar hapësira autorit që të ketë një lëndë të parë të mjaftueshme për të dhënë historinë e fisit dhe personazheve të hershëm dhe të rinj me ngjyrime e gjurmë të prekshme. Udhëtimi për të njohur rrënjët e fisit të Nezhajve nis nëpërmjet gojëdhënave dhe gjurmëve që ekzistojnë në zonën veriore të vendit. Vendorigjina e Nezhajve zë fill te trimëritë legjendare të Balil Neshës që ishte një prijës legjendar në luftërat ndaj perandorisë turke,i cili është përshkruar në tërë dimensionin e tij heroik-mistik. Heroin kryesor të librit Balil Nëzhën, që mban emrin e Balilit të parë, prijësit të Kurveleshit në luftërat legjendare ndaj Turqisë, autori e ka përshkruar sa me nota epike aq dhe lirike, duke e ndjekur në kalvarin e vuajtjeve dhe torturave që ka përjetuar si gjatë internimit në Mat-Hauzen, ashtu edhe në burgjet e diktaturës komuniste. Nëpërmjet episodeve, ngjarjeve, tregimeve të bashkëvuajtësve, del në pah qëndresa, trimëria, guximi dhe karakteri stoik i Balil Nezhës. Ai, është përballur me krimet më çnjerëzore dhe nuk ka pranuar që të tregojë të vërtetën, që do kishte një kosto të madhe jo vetëm për veten e vet, por për të gjithë pjesëmarrësit që kanë asistuar në drekën me të arratisurit nga Dukati. Duke lexuar këtë libër, njihesh nga afër jo vetëm me heroin kryesor po se po, por edhe me shumë personazhe të shquara të fisit të Nezhajve, që kanë individualitetin e vet brenda historikes, tragjikes dhe lirikes. Libri ka një galeri personazhesh, që ngjajnë si gjymtyrët e një trupi dhe e bëjnë atë tërheqës për nga koloriti që e përshkon nga faqja e parë deri te e fundit. Aty mëson për traditat, zakonet, doket dhe marrëdhëniet fisnore, që qëndrojnë si një kështjellë të lidhura fort pas gjakut, një risi kjo që sot po tronditet nga themelet dhe që përbën një rrezik për të ardhmen duke u prekur nga fenomeni i globalizmit. Autori ka rendur pas çdo ngjarje, fakti, dukurie për ta njohur dhe pasqyruar si një vlerë unikale kështjellën fisnore. Nëpërmjet përshkrimeve të tij, sa natyrore aq dhe njerëzore, atë e gjen të rrok jo vetëm rrënjët nga ka nisur jetën fisi i Nezhajve në Nivicë të Tepelenës, por ka kapur edhe degët që nga lashtësia duke i takuar në fshatin Vasjar, duke zbritur në Dukat të Vlorës, Klos të Mallakastrës dhe Karbunar të Lushnjës. Siç na prezantohet fisi i Nezhajve, është një pemë me degë të dendura e lastarë të shumtë që blerojnë në të katër anët e vendit dhe në vende të ndryshme të Europës dhe botës.
Duke u njohur me krijimtarinë e pasur dhe të larmishme të Profesor Dr. Ago Nezhës, shohim punën e tij të etshme, që si pushon pena duke u shfaqur dendur jo vetëm me botime madhore, por edhe në shtypin periodik, herë me poezi, herë me publicistik dhe herë me Ese, e pamflete satirike.
Profesor Ago Nezha është vlerësuar për krijimtarinë e tij multidimensionale nga shumë personalitete të letrave shqipe, duke filluar nga Akademiku Rexhep Qosja, që kur ishte fjala për 100 Vjetorin e Pavarësisë, ai u shpreh se “Kurkush nuk ka shkruar më bukur se profesor Ago Nezha, që e ka quajtur Vlorën “Perëndesha e Pavarësisë” , po kështu Shkrimtari i madh Dritëro Agolli, në autografin që i drejton, shkruan: “Miku im shumë i çmuar dhe publicist i Shquar Ago Nezha”, profesor Servet Pëllumbi në parathënien që i bën librit “Papagajtë e Politikës”, nënvizon se poeti, gazetari, shkrimtari dhe publicisti i njohur, Profesor Dr. Ago Nezha, po shfaq një dimension të ri në personalitetin e tij krijues dhe po jep një kontribut me vlerë në politologjinë shqiptare. Profesor Ismet Elezi thotë se prof. Dr. Ago Nezha gjatë këtyre 25 vjetëve na paraqitet si analist politik me vlera etike-morale, kulturore, profesionale e kombëtare; pjesëmarrës aktiv në jetën politike e shoqërore, Kryetar i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, “Kundërkonformist”, si një intelektual i vërtetë, sipas përcaktimit të bërë nga sociologu i njohur francez Zhan Pol Sartri. Profesor Pëllumb Xhufi, veç të tjerave thekson se Profesor Ago Nezha, me kapacitetin e mendimit intelektual artikulon e ka investuar maksimalisht kulturën dhe nuk ka mëshirë për të gjithë mëkatarët e deformimit të demokracisë. Këto vlerësime të korifenjve të letrave shqipe dhe shumë të tjerëve për profesor Ago Nezhën, flasin qartë për investimin dhe kontributin intelektual dhe kombëtar të tij në dobi të zhvillimeve demokratike.
Duke qenë një njohës i afërt i veprave të autorit i uroj krijimtari të bollshme e të pashtershme, që mesa duket ka një rini të dytë në fushën e prodhimtarisë letrare, duke na i “derdhur” librat si gruri në lëmë.
Ky libër është një pasaportë për të moshuarit dhe të rinjtë, për bijtë dhe bijat e fisit të Nezhajve kudo që janë, që mund të udhëtojnë rrugëve të jetës me krenari për historinë e të parëve të tyre dhe atë të sotme, që kushdo tjetër do ta kishte zili.