Nga Mexhit Prençi
I PARI:
Sipas meje bijtë e njerëzve të shquar, shumica janë të zakonshëm, pakica mediokër, ndërsa trashëgimtarët e denjë, janë të rrallë. Tipi dhe ngjarja që do të janë reale, ashtu si dhe dy tipat e tjerë me bëmat e tyre që do të rrëfej në vazhdim. Tani për tani nuk do t’i personalizoj tipat e hajnave.. Mendoj se gjithkush prej hajnave dhe lexuesve e marrin mesazhin që unë dua të përcjell.
E që ta ngas fjalën, siç thotë Urtaku, djali i një shqiptari të shquar me famë botërore, në shërbim të CIA-as, e prezantoi veten si debil-hajn për të marrë lavdi nga lavdia e të atit.
Një ditë prej ditësh vjen më takon në Bibliotekën Kombëtare, me një dosje të madhe mbushur plot e përplot me dokumente, fotografi, shkrime e gjithçka kish të bënte me të atin. I rekomanduar nga një miku im më fton të shkruaja një monografi për të. Kisha lexuar shumë për bëmat dhe jetën e tij. Ishte Njeri i Jashtëzakonshëm. I premtova se me kënaqësi do ta kryej këtë punë, por tani për tani nuk mundem, jam në përfundim të monografisë “Drama dhe spektakli i ndaluar”. Do të dëshiroja të më prisje dy muaj. Dakord, më thotë. Pa problem.
Librin e bëra gati për botim në harkun kohor të dy muajve. Shtëpia Botuese GVG e përgatiti dhe nxori në qarkullim për njëzet ditë. Po prisja të birin e Njeriut të Shquar, po nuk po dukej. Pas gjashtë muajsh befas vjen në BK ku po shkruaja një ese për hajninë e disa studentëve të magjistraturës dhe doktoraturës, të cilët vidhnin ide. mendime dhe fragmente nga teksti i librit të autorëve të tjerë e nuk shënonin as referencat. Kjo lloj hajnie ishte më e përhapur dhe agresive në rrafshin e muzikës që vidhnin autorësinë e këngës njeri-tjetrit.
Më fton në kafe “Artisti”. Porosit kafe streso, (të shkurtër thuhet rëndom) dhe fërnet branka, sipas dëshirës sime, të cilën e kisha ndër pijet e preferuara. Sapo trokitëm gotat më nxjerr një libër me fotografinë e tij që kishte pushtuar tërë kopertinën e faqes së parë, të cilin e kishte përgatitur një nga gazetarët më mediokër që vraponte e zhvaste debilët të cilët i sillnin dokumente për njerëzit e tyre ose për veten dhe ai i qepte materialet siç i donin ata, me gjilpërë të madhe që qepet samari i gomarit.
Urime, i thashë, ndonëse isha krejt i habitur e pak nervoz. Si mund të shkruhet libër për vete kur nuk je askushi!…
Duke parë fotografinë e tij, i them pse nuk botove më parë monografinë për babain?! Me zë të hollë metalik, çjerrës, më thotë: “Për babain është ky libër”. “Po fotografia jote çdo këtu, o debil”, i them dhe ia hedh librin në tavolinë ku ciflat e gotës dhe lëngu i fërnetit i bien mbi fytyrën e tij të pafytyrë, që si një hajn-debil-ordiner do të marrë lavdinë e të atit e të vishet me të.
Duke lexuar më pastaj librin ku flitej më shumë për këtë hajn-ordinero-debil, se sa për të famshmin të atin e tij, bluaja me veten:
Ç’i shtynë këto njerëz, të paraqesin veten, jo si janë, por si nuk janë dhe vjedhin lavdinë e të tjerëve, në mënyra të ndryshme e të larmishme e pas këtij mashtrimi dhe gënjeshtre, besojnë të pavërtetën si të vërtetë?!…
Sokrati do të thoshte: ”Njeri, njih vetveten!”.
I DYTI:
Një tip tjetër prej hajni ordiner është Korrozi Torrovelli, i cili në fillimviti 2000 braktisi profesionin riparues radiosh dhe televizorësh (teknik i mesëm) dhe hap një shtëpi botuese, mbasi posedonte një vilë dhe kopsht me një sipërfaqe të madhe trashëguar nga prindërit që nuk jetonin më. Është i biri i një artisteje të madhe. E meqë është i biri i saj, në mendjen e tij, ishte ngulitur ideja se dhe ai është i talentuar!…
Ndoshta në profesionin e tij edhe mund të ishte, por fakti që ai zgjodhi një qasje tjetër, e kundërshton këtë. Madje sipas meje ishte qasje e gabuar sepse zgjodhi atë që nuk mund të bënte: në hartime kishte marrë gjithnjë notë minimale, gjuhën shqipe nuk e zotëronte, madje as sot, në një fjali bën pesë gabime drejtshkrimore. Korrozi Torrovelli.
Dikujt ky emër e mbiemër u duket estradesk, në fakt është i tillë, po është emër e mbiemër i vërtetë i botuesit, por një nofkë, sajuar nga një shoqe e klasës që në vitin e dytë të shkollës së mesme, të cilin ai e përdori si pseudonim që kur hapi shtëpinë botuese “Artisti”. Arsyen askush s’e di… Po le të kalojmë tek ajo që është substanciale.
Në shtëpinë botuese mori administratore dhe kompjuteriste pikërisht atë shoqen e klasës që i vuri nofkën. Të dy bashkë si Loli e Coli kryenin punët në shtëpinë botuese “Artisti”.
Pasi kishin botuar disa libra shokësh e miqsh, Torrovellit i shkoi në mendje të botojë libër për mamanë e tij, i nxitur edhe nga një studim i shkëlqyer i kritikut Krist Korabi për këtë artiste të famshme.
Brodhi nga arkiva në arkivë duke fotokopjuar materiale edhe haptas edhe fshehtas; nëpër biblioteka duke grisur herë-herë edhe faqe nga koleksionet e gazetave dhe revistave. Kishte krijuar dy dosje të mëdha, njëra mbushur me artikuj e materiale të tjera shkrimore, ndërsa dosja tjetër me fotografi, nga arkiva e filmit, media elektronike dhe nga jeta private e artistes.
I duhej vetëm autori që të formësonte dhe redaktonte librin. Duke u konsultuar me kompjuteristen, që edhe ajo e kishte lexuar studimin e kritikut Krist Korabi, u dakortësuan menjëherë dhe e ftuan të shkruante monografinë, sepse ishte njeriu i duhur, ndër specialistët më të mirë në rrafshin e teatrit.
Kritiku dhe studiuesi Krist Korabi gjatë leximit të materialeve, seleksionimit dhe përzgjedhjes së tyre, vriste mendjen si ta shestonte, formësonte, strukturonte, madje dhe ta redaktonte vetë librin. Ishte i pakënaqur, nga monografitë e shkruara nga të tjerët, të cilat ishin të rëndomta, uniforme dhe steriotipe.
Pas një monologu të gjatë vendosi të formësonte një tip monografie ndryshe nga të tjerët. Vizioni i tij ishte që nëpërmjet kujtimeve dhe vlerësimeve të aktorëve, regjisorëve e dramaturgëve, si dhe të kritikëve e studiuesve, jepen gjykime profesioniste, ku objektiviteti i vlerësimit është më i madh, figura e artistes, del më e plotë, në gjithanshmërinë e saj, më e skalitur, më e vërtetë, nga shumatura e gjykimeve profesionale, çka sfidohet subjektiviteti, kur autori i monografisë përsërit vetveten dhe mendimet e të tjerëve në forma të ndryshme.
Sprova e doli e suksesshme. Libri u promovua mes vitit 2000, ku u duartrokit Krist Korabi për qasjen e tij dhe Korrozi Torrovelli si botues.
Pas dy vitesh Shtëpia botuese “Artisti” u mbyll. Korroziu u largua nga Shqipëria, shiti shtëpi e katandi. Rikthehet pas pesëmbëdhjetë vitesh dhe do të ribotojë librin e formësuar, strukturuar dhe redaktuar nga Krist Korabi.
Në një drekë të dy vetëm për vetëm Torrovelli i kishte thënë Krist Korabit se mendonte ta ribotojë librin për mamanë, mbasi kanë kaluar 15 vjet që nga botimi i parë. Mund ta ribotosh, i kishte thënë Kristi, por ashtu siç është botuar në vitin 2000. Po të kesh nevojë për mua të ndihmoj. Torrovelli kishte tundur kokën në shenjë miratimi.
Pothuajse dy muaj bashkë në bibliotekë, në kafe e dreka e darka, Kristi e pyeste se ç’po bën me librin, Korroziu i përgjigjej, po punoj. Para se ta nisësh për ribotim, Kristi i kishte thënë më njofto të vij në shtëpinë tënde ta lexoj. Jo, i thotë Torrovelli, mos u mundo, po ta dërgoj me a-mail. Kështu ranë në ujdi.
Të nesërmen kur Krist Korabi, lexoi librin, që në faqet e para kishte vënë duart në kokë…. Ja ç’kishte katranosur Korrozi Torrovelli:
Kishte hequr emrin e autorit dhe shkruar fjalët: Përgatitur nga Korrozi Torrovelli; i kishte fshirë edhe emrin si redaktor dhe e kishte zëvendësuar me togfjalëshin “Ripunuar nga Korrozi Torrovelli”. Pa asnjë kriter, sipas qejfit të tij mediokër kishte zhvendosur nga një kapitull në tjetrin emrat e autorëve bashkë me titujt e shkrimeve disa prej te cilëve ndryshuar, shkruar me gabime skandaloze drejtshkrimore; dy artikuj të tij publicistikë i kishte nxjerrë në faqen ku fillon teksti i librit; kish ndërhyrë tek parathënia e Krist Korabit duke vulgarizuar tekstin e tij, dhe kishte përgatitur një bibliografi, që nuk kishte të bënte me librin e parë.
Sipas mendjes së tij mediokre, në debat me Krist Korabin, ish rropatur ta paraqiste këtë ribotim skandaloz si libër tjetër. Kristi i argumentoi të kundërtën, po Torrovelli nuk kuptonte. Atëherë Krist Korabi i kishte thënë: ”Të fal që nuk e kupton se kjo paçavure që ke bërë nuk është libër tjetër. Ti je bërë njeri tjetër. Për këtë nuk të fal. Je tjetërsuar në hajn ordiner. Hajnia jote është struciane, fsheh kokën e lë prapanicën zbuluar! Nuk ia vlen të merresh me ty! Njeri pa moral, pa vlera… Në djall vafsh!
Në djall vaftë dhe Institucioni i Mbrojtjes të Drejtës së Autorit”.
I TRETI:
Hajnia si dukuri në rrafshin e letrave është sa e re aq dhe e vjetër. Bëmat e tipit të tretë që po ju rrëfej kanë ndodhur në vitet 1980. Shkrimtari X nga qyteti B, merr guximin idiotesk dhe çon një roman për botim në Shtepinë Botuese “Naim Frashëri”. Shefi i redaksisë dhe redaktori gjatë leximit u befasuan dhe mrekulluan. Menjëherë filluan përgatitjen për botim e tij, e në të njëjtën kohë e shpërndanë te recensentët, të cilët ishin nga shkrimtarët dhe kritikët më në zë të kohës. Pas ca ditësh,dy recensentët njëri poet e tjetri prozator, të entuziazmuar kishin sjellë recensionet ku romani vlerësohej maksimalisht dhe autori si prozatori më i shquar i letërsisë sonë.
Shefi i redaksisë në konfidencë i kishte thënë redaktorit, përshtypja jonë e parë, paska qene e saktë, nuk po e presim recensuesin e tretë, nesër po e nisim për botim. Edhe drejtori e kishte pëlqyer dhe më tha niseni urgjent për shtyp, me këtë roman do marrim lëvdata nga lart,.
Të nesërmen shefi sapo e firmos te drejtori shkresën përcjellëse për shtypshkronjë dhe kthehet në redaksi, gjen kritikun që po nxirrte nga çanta recensionin. Sa mirë që erdhe, i thotë, roman i mrekullueshëm apo jo… Po, i mrekullueshëm, artikulon kritiku, do të thosha magjepsës, por…. nuk duhet ta botoni. Shefi i rrahu shpatullat, shaka e bukur kjo…Ndërsa redaktori ngriu… duke parë seriozitetin e kritikut.
Ky roman siç do ta lexoni në recensën time është vjedhur nga një hajn ordiner. Shefi akoma nuk po besonte as kritikun as veten.
U hutua, humbi…
E dini ç’ka bërë, flet me zë metalik, përbuzës, duke i parë drejtë në sy shefin dhe redaktorin, ka përkthyer në shqip romanin e një shkrimtari të madh botëror dhe në vend të emrit të autorit ka vënë emrin e tij!…(Bën një pauzë). Kështu ka bërë me emrat e qyteteve, të vendeve ku zhvillohej veprimi, emrat e lumenjve, të mjedisit e gjithçka tjetër duke i zëvendësuar me emra shqiptarësh dhe emërtime shqiptare…
Shefit iu bë fytyra lulëkuqe, ziente përbrenda. Kur ishte në pikën ku do të shpërthente, kritiku e kupton gjendjen e tij dhe menjëherë nxjerr romanin dhe ua tregon. Ja ky është romani i hajnit debil… Për fat të mirë tuajin dhe timin, e kisha lexuar para dy vitesh…
Shefi s’e përmban vete, shpërthen: “Ta denoncojmë, burgun meriton…”.
Mos u nxito,i thotë kritiku, nuk thua shyqyr që e kisha lexuar dhe nuk po e botojmë, ndryshe do të ishim turpëruar dhe rrezikuar. Shpëtuam të tre nga pasojat…Ta mbyllim këtu e të mos e marrë vesh askush…
Seç bënë me pastaj me pseudoautorin hajn, unë nuk e di, por fjala u përhap në rrethet letrare si një erë e keqe….