2015-10-29

Është koha të duhemi, na thotë përditë Agim Spahiu

Nga Rexhep Shahu
(Në veprimtarinë përkujtimore  e vdekjes së poetit Agim Spahiu organizuar nga shokët e tij të fakultetit dhe miqtë e Agimit)
Është koha të duhemi, na thotë përditë Agim Spahiu

Takimi në Kukës me Agimin, tregon se ai nuk ka mundë me ikë prej nesh e ne nuk kemi mundë me ikë prej tij. Agimi është, e do të jetë gjatë, sa mirësia. Ai vazhdon të shkruajë në ne.
Kujtojmë se jemi mbledhë këtu për Agimin. Në fakt jemi mbledhë për vetën tonë. Jemi mbledhë se e ndjejmë që nuk ia kemi thënë të gjitha fjalët dhe mendimet që duhet t’ia thonim. Ndaj vazhdojmë t’ia themi sot mendimet tona me zë e pa zë, duke shpërfillë idhnimin e tij që e largoi prej nesh dhe shpërfilljen, pavëmendjen e nxitimin tonë në atë botë ku frika ishte det dhe ne ishim zhytë deri në grykë në detin e frikës e luftonte secili të shpëtonte veten. Edhe ai nuk pati kohën, sigurinë e qetësinë e mjaftueshme të na i thoshte të gjitha sa donte të na thoshte. Na tha se është koha të duhemi dhe vizatoi dashurinë në terr. Sa mirë që vazhdojmë të flasim me Agimin. Kemi shumë pengje ne ndaj tij dhe ai ndaj nesh.
Në vitin 1981, në takimet e ndryshme të Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kukësit të asaj kohe, e njoha Agimin. E kam të fiksuar të mbështjellë me një pallto të trashë, të hirtë në të bardhë dhe me një shall të zi rreth qafe. Rrinte më i heshtur se të gjithë. Më serioz, më i sertë në fytyrë, djalë i ri me fytyrë plaku. Sot për atëherë mendoj dhe nuk di ta shpjegoj a ishte frikë apo pakënaqësi ajo që ish pikturuar në fytyrën e tij. Në fytyrën e tij unë lexoja dhimbje. I ishte vizatuar në fytyrë dhimbja që kish parë e prekë fshatrave të Hasit ku në një farë mënyre vuante internimin dhe dëbimin real të pa artikuluar si të tillë nga nomenklatura e kohës. Isha 20 vjeç, mekanik dhe dukesha shumë i huaj për botën e poezisë kur njoha Agimin.
Rrethanat e sollën që nga mesi i vitit 1986 u afruam me njëri tjetrin. Agimit nuk po i jepnin një dhomë shtesë si studio për krijues që ia jepte ligji i kohës. Ish koha kur vërshonin te partia e kohës letra pafund kundër Agimit dhe letra të tij të tipit mbrojtje sulmuese. U bëra “avokat” i tij për çështjen e dhomës studio për shkak të punës që bëja dhe strukturat e kohës ia plotësuan kërkesën përmes ndikimit të fortë për këtë gjë të prokurorit të rrethit të asaj kohe.
Pinim kafe shpesh pasdite deri në orën 6 te lokali i Zabelit në kat të dytë. Më lexonte poezi të tijat. Ishte në përgatitje të librit “Është koha të duhemi”, libër që unë ia kam dashtë shumë. Më ngjante si thirrja e njeriut që kuptonte se na kishte lodhë shumë urrejtja dhe na kishte çuar në zgrip të zhbërjes. Do të shëroheshim vetëm duke u dashtë. Aty ai lexonte me laps në dorë poezitë e mia. I ruaj edhe sot dorëshkrimet me shënimet e tij si “alla Uitman, alla Ricos”… Unë nuk dija atëherë kush ishte e çfarë ishte Uitmani apo Ricosi. Ai më solli për herë të parë ta lexoja librin Fije bari.
Endej qytetit vetmitar. Shpesh e shihja nervoz. I pakuptuar nga njerëzit e afërt e të largtë. Ose i kuptuar nga shumë pak miq. E shihja shpesh nëpër qytet në shoqërinë e Nazif Dokles, Izet Durakut, Ramazan Memishit. Sot e mendoj apo e lexoj më mirë Agimin, sytë e tij, fytyrën e tij të sertë, të vrazhdë, të trembur apo të merakosur. Më dukej si një njeri që donte të rrëfehej por s’kishte ku. Me nervozizëm ngrinte kryet drejt Gjallicës tek ecnim në rrugë. Në rrugë ai nuk shtirej. Nuk bënte gjeste që të thërriste vëmendje rruge drejt poetit. Nuk qeshte apo hallakatej me mospërfillje apo shpengim në rrugë siç ndokush mendon se bëjnë poetët, apo siç edhe bënte ndonjë syresh. Me mua fliste të vogël. Ai pothuaj gjithë kohën mendonte për poezinë. Agimi ishte poet me kohë të plotë.
Siç ka ndodhë, ndodh e do të ndodhë gjithmonë, rrallëkujt në qytet “i bëhej vonë” se Agimi ishte poet, rrallë kujt “i bëhej vonë” për poetin. Ai nuk ia pa hajrin të qenit poet. Nuk përfitoi, nuk u “privilegjua” nga qyteti a shteti. Nga askush nuk përfitoi, nuk mori begenisje apo mirënjohje me përjashtim të ndonjë miku të rrallë poet që e ndihmoi. Ai duhej të siguronte bukën e përditshme, jetën e përditshme për vete dhe familjen duke u endë fshatrave për tu mësuar fëmijëve shkrim e këndim. Por vetëm kaq “i lejohej” poetit. Vetëm për këtë duhej apo ishte i dobishëm poeti, apo i domosdoshëm. Jo për më tepër. Se më tepër ishte tepër. Jo për t’u mësuar fëmijëve guximin, ëndërrimin apo fluturimin. Agimi në fakt nuk ishte i dashur për shtetin e partinë në ato vite kur e kam njohur unë. Në heshtje por ishte i padëshirueshëm, i pabesueshëm, nuk merrej dot në gji. Ai e vuante këtë dhe pesha e kësaj vuajtje ishte e rëndë. Mosdashja dhe mosbesimi, natyrisht i fshehtë, ishte i dyanshëm edhe nga ai edhe nga partishteti i kohës. Ai nuk guxonte të shfaqej i padashur, përkundrazi, edhe pse pala tjetër mund të shfaqej e padashur ndaj tij. Shpesh ai bëhej fatkeq dhe shpresonte se kishte dhënë mjaft sa për tu begenisë me ndonjë zyrë në qytet dhe për t’i shpëtuar mundimit fizik duke punuar e jetuar larg e në kushte të vështira si mësues fshati për filloristë në fshatra të largëta. Duket se partishteti i kohës kishte frikë se mos i arratisej muza poetit po t’i krijonte pak ngrohtësi.
Agimi gjithmonë më është dukë njeri halleshumë. Më është dukë se është gjithmonë në luftë, gjithmonë në gatishmëri si në zbor ushtarak. Por në shtëpi Agimi ishte tjetër. Kam patur fatin që kam ndenjur shpesh herë në shtëpinë e tij. Ish kohë që nuk gjendej kafe. Përdorej elbi për kafe. Por e shoqja e tij kishte njohje dhe siguronte kafe. Piqte kokrra kafeje në xhezme sa për të bërë kafe për ne. Aroma e asaj kafe nuk më shqitet. Agimi shtrihej barkas në dysheme. Në letra të bardha shënonte fillimisht titullin e poezisë që do të bënte. Titulli apo ideja i kishte lindur në rrugë, gjatë leximit të ndonjë libri, apo kudo. Në ato kohë kur rrija unë në shtëpinë e tij ai ishte “pushtuar” nga Ali Podrimja dhe “Lum Lumi” i tij.
Në ndërrimin e sistemit politik në vend poeti nuk u orientua dot. Ai ishte mësuar të ishte poet. Ta jetonte e vëzhgonte botën si poet. Kur pa se muskujt janë më të dobishme se shpirti, se muskujt bëjnë më shumë prokopi se truri, u trondit siç tronditet poeti. Guxoi e mendoi t’i afrohej dhe joshej pushtetit. Por duket ndodhi brenda tij përplasja e madhe mes poetit e pushtetit. Pushteti nuk e donte poetin ndërsa poeti tanimë e donte pushtetin, donte pak pushtet. Por e donte pushtetin siç e ëndërronte ai vetë. Ai harroi se nuk ka pushtet poetësh. As nuk do të ketë. Ndaj i dëshpëruar iku. Dhe erdhi në ne. Për të mos ikur kurrë më.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...