2015-10-22

Ministri i MASHT-it Prof.Dr.Arsim Bajrami fton rektorin prof.Dr.Ramadan Zejnullahu të kthehet në punë






Ambasada amerikane  përkrah reformat në UP
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, përmes një kumtese për media, ka thënë se vazhdon të përkrahë reformat që janë duke u zbatuar nga Rektori i Universitetit të Prishtinës.
“Një arsimim universitar modern dhe cilësor do të pajisë rininë me shkathtësitë që i duhen për të ardhmen dhe do të kontribuojë për integrimin evropian të Kosovës”.
“Ne inkurajojmë të gjitha përpjekjet që kontribuojnë për një mjedis të cilësisë së shkëlqyer akademike dhe integritetit akademik për gjeneratën e ardhshme udhëheqëse të Kosovës”, thuhet në kumtesën e ambasadës amerikane në Prishtinë.
Ajo vjen një ditë pasi Keshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka shkarkuar nga pozita rektorin e UP-së, Ramadan Zejnullahu, për, siç është thënë, shkelje ligjore, bllokim të mbledhjeve të Senatit të Universitetit, ndërprerje të konkurseve për studime të doktoratës e të tjera.
Sot, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami, e ka shfuqizuar vendimin për shkarkim.



Ministri Bajrami fton rektorin Zejnullahu të kthehet në punë
Ministri i Arsimit, Prof.dr.Arsim Bajrami i ka bërë thirrje rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”,Prof.dr. Ramadan Zejnullahu, që t’i rikthehet punës për të vazhduar kauzën e tij për të ngritur cilësinë e arsimit në Universitet.
Lidhur me vendimin e ministrit për shfuqizimin e vendimit të Këshillit Drejtues për shkarkimin e rektorit Zejnullahu pati reagime gjatë ditës së sotshme që një vendim i tillë është bërë duke shkelur rregullat ligjore, por një gjë e tillë sipas Bajramit është bërë duke u bazuar në Ligjin për procedura administrative.
Bajrami ka ftuar dekanët e fakulteteve, anëtarët e Senatit dhe studentët e Parlamentit Studentor që të diskutojnë në mënyrë të civilizuar dhe të kulturuar, dhe ata të marrin vendim për të thirrur mbledhjen e Senatit dhe ta funksionalizojnë Senatin, dhe nëse nuk ndodh një gjë e tillë atëherë le të merren vesh që të shkojnë në zgjedhje të mira.
Në një konferencë për media  Arsim Bajrami tha se shfuqizimi i vendimit të Këshillit Drejtues dhe për rikthimin e rektorit në detyrë është marrë menjëherë pasi që janë parë vërejtje substanciale në procedura të shkarkimit.
“Kemi vërejtur këtë shkelje substanciale në procedurë dhe menjëherë kemi marrë vendim për anulimin e shfuqizimit të plotë të Këshillit Drejtues dhe për rikthimin e gjendjes së mëparshme, për rikthimin në detyrë të rektorit sepse rektori vazhdon të jetë në detyrë. Në kuptimin e Ministrisë ai nuk konsiderohet të jetë shkarkuar, dhe unë i bëj ftesë rektorit që të kthehet, ta marrë detyrën dhe të vazhdojë punën e vet... Mendoj se rektori ka për detyrë që të kthehet në detyrë, sepse kauza e tij për krijimin e Universiteti cilësor është në gjysmën e rrugës, ministria e mbështet, Qeverisa e mbështetë e inkurajon që ai të kthehet në detyrë që të vazhdojë me përpjekjet e tij për të ngrit standarde të cilësisë”, tha Arsim Bajrami.
Bajr ami u ka bërë thirrje dekanëve të fakulteteve, anëtarëve të Këshillit Drejtues , anëtarëve të Senatit dhe Parlamentit Studentor që të thërrasin mbledhjen e Senatit për të zgjedhur bllokadën dhe nëse jo atëherë të shkojnë në zgjedhje.
“I bëjë thirrje rektorit të Universitetit të Prishtinës, i bëj thirrje të gjithë dekanëve të fakulteteve, ju bëjë thirrje të gjithë anëtarëve të Senatit, i bëjë thirrje të gjithë përfaqësuesve të studentëve në Parlamentin Studentor që të ulen si njerëz të civilizuar, si njerëz të kulturuar, si njerëz të përgjegjshëm dhe akademi të vazhdojnë punën, të thërrasin sa më shpejt mbledhjen e senatit të bisedojnë për një zgjidhje akademike ta bëjnë funksional senatin... Nëse nuk mund të m erren vesh që t’i ushtrojnë detyrat që ia ka dhënë ligji atëherë le të funksionojnë dhe le të merren vesh që të shkojnë në zgjedhje të mira”, tha Bajrami.
Përveç se ministri e quan të drejtë vendimin e marrë për shfuqizimin e vendimit të Këshillit Drejtues , ai ka inkurajuar këtë Këshill që të shtrojnë ankesë ashtu siç kishte inkurajuar rektorin për të bërë ankesë, e që një gjë e tillë nuk ndodhi.
Kundër shkarkimit të rektorit sot është mbajtur një protestë, ku u kërkua kthimi i rektorit Zejnullahu si dhe kanë kërkuar shkarkimin e dekanëve, anëtarëve të Këshillit Drejtues.
Bajrami ka thënë se këto kërkesa ata duhet t’ i adresojnë në Universitetin e Prishtinës pasi që siç ka thënë Arsim  Bajrami kërkesat të cilat kanë pasur të bëjnë me juridiksionin e Ministrisë janë realizuar.
“Vendimi i Ministrisë së Arsimit është plotësisht i ligjshëm, i bazuar plotësisht në Ligjin për procedurën e administrative, plotësisht brenda kompetencave të ministrisë e cila e mbikëqyr ligjshmërinë e punës dhe unë inkurajoj të gjithë ata anëtar të Këshillit Drejtues që kanë rezerva inkurajoj që të shtrojnë ankesë sikur që e kam inkurajuar edhe rektorin që të bëjë ankesë, ne duhet të veprojmë si institucionalisht. Sa i përket kërkesave të sotshme mendoj që ato kërkesa duhet të adresohen në Universitetin e Prishtinës, kërkesat që kanë të bëjnë me juridiksionin apo me mandatin e ministrisë tani më janë realizuar ne kemi shfuqizuar dhe rektori vazhdon të jetë në detyrë”, tha Bajrami.
Sa i përket shkarkimit të kryetares së Këshillit Drejtues, Shefkije Islamaj, ministri Bajrami tha se një vendim i tillë ka ardhur si pasojë e procedimit jo ligjor të kërkesës për shkarkim sepse ka pas shkelje esenciale procedurale. Sipas Bajramit nuk lejohet të procedohet një kërkesë për shkarkim në qoftë se për një kërkesë të tillë nuk është deklaruar Senati, dhe kjo ka qenë një shkelje që ka shqetësuar opinionin, studentët. Për këtë ai se duhet të ketë përgjegjësi, ku sipas tij Islamaj si kryesuese e Këshillit është dashur që ta shtyjë këtë deri sa të plotësohet kushti.
Ndryshe protestuesit sot i kanë dhënë afat Ministrisë së Arsimit që nëse deri të mërkurën e ardhshme nuk i procedon kërkesat e tyre atëherë ata do të mblidhen prapë për të protestuar që Universitetit të Prishtinës t’i kthehet autonomia e tij dhe të largohet “autonomia e krimit”
Prof.dr.Arsim Bajrami: Për MAShT-in,Prof.dr. Ramadan Zejnullahu është Rektor
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) i ka bërë thirrje rektorit të shkarkuar të Universitetit të Prishtinës që të kthehet në detyrë.
“Është bërë shkelje substanciale në procedurë prandaj kemi marrë vendim për rikthimin e Rektorit. Ai për ne është në detyrë. Unë i bëj thirrje Rektorit që të kthehet në detyrë”, ka thënë ministri Bajrami.
Bajrami ka thirrur konferencë për shtyp një ditë pasi gjashtë anëtarë të Këshillit Drejtues shkarkuan rektorin e UP-së, Ramadan Zejnullahu dhe në të njëjtën ditë kur ai anuloi këtë vendim.
Bajrami e cilësoi “të ngutshëm” këtë vendim ndërsa tha se ministria e tij ka preferuar gjithmonë që kontestet ndërmjet palëve në Universitet të zgjidhen përmes bashkëbisedimit.
“U bëj apel të gjithëve Rektorit, dekanëve, anëtarëve të senatit, përfaqësuesve te studentëve të ulen dhe të bisedojnë për një zgjidhje akademike”, tha Bajrami.
Sipas ministrit Bajrami, Qeveria e Kosovës dhe MAShT janë të vendosur për të krijuar stabilitet në UP.
“Kemi kërkuar që të gjitha mosmarrëveshjet që kemi parë të zgjidhen me një debat të kulturuar dhe akademik. Kemi kërkuar nga secili të heq dorë nga egot dhe inatet personale”, tha Bajrami në konferencën për shtyp.
Ai theksoi se Universiteti i Prishtinës është “universiteti më i madh në rajon” dhe se tani është në një pikë vendimtare për të krijuar cilësi.
Bajrami shtoi se në bazë të Statutit, kërkesa e 28 senatorëve do të duhej të votohej në Senat, jo në formë të peticionit.



************
A e shkeli ministri Bajrami statutin e UP-së ?
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe rektorati i Universitetit të Prishtinës nuk kanë treguar nëse rektori Ramadan Zejnullahu ka ushtruar të drejtën e tij për t’u ankuar te ministri i arsimit, Arsim Bajrami, apo ky i fundit ka marr vendim duke shkel procedurën që parasheh statuti i UP-së.
Ministri Arsim Bajrami ka shfuqizuar vendimin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës për shkarkimin e rektorit, megjithatë deri tash as MASHT as rektorati nuk kanë treguar nëse është respektuar Neni 32 i Statutit të UP-së apo jo. Në këtë nen, konkretisht në pikën 1 thuhet se “Rektori ka të drejtë të parashtrojë ankesë në Ministri kundër shkarkimit të tij” dhe pastaj vjen pika 2, ku thuhet se “Vendimi i Ministrisë është vendim përfundimtar në procedurë administrative”.
Kurse, burime të KosovaPress-it brenda në Qeveri thonë se ministri ka marr vendim nga presioni i protestave dhe eskalimi i situatës.
KosovaPress ka kontaktuar rektorin Ramadan Zejnullahu por ai nuk ka dashur të flas për këtë çështje.
As shefi i kabinetit të Ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Kushtrim Shkodra, nuk ka dashur të flas për këtë çështje, duke thënë se për këtë mund ta pyesim ministrin Bajrami në konferencën që do ta mbajë në ora 15:00.
Ndryshe, neni 32 i Statutit të UP-së, pika 3, ia mundëson edhe Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës që të nis procedurë në gjykatën kompetente por as për këtë nuk dihet deri tash.

************

Sadikaj: Besoj se rektori nuk kthehet
Anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, të cilët votuan për ta shkarkuar rektorin Ramadan Zejnullahu, ende nuk kanë vendosur se çka do të bëjnë pas vendimit të ministrit të arsimit, Arsim Bajrami, i cili ia shfuqizojë vendimin këtij Këshilli për shkarkimin e rektorit.
Anëtari i Këshillit Drejtues të UP-së, Beqir Sadikaj tha për KosovaPress deri tash nuk kanë pa vendim të ministrit.
"Ne Këshilli Drejtues nuk jemi ulur me vendos se çka do të bëjmë sepse ne nuk kemi parë vendimin e Ministrit të Arsimit, përveç atyre çka kemi pa nëpër portale, por besoj që rektori nuk kthehet”, ka thënë ai.
Ndryshe, neni 32 i Statutit të UP-së, pika 3, ia mundëson edhe Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës që të nis procedurë në gjykatën kompetente por as për këtë nuk dihet deri tash.
*******

​Zhbogar i jep mbështetje të plotë Zejnullahut
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë Samuel Zhbogar ka shprehur shqetësim me zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës dhe i ka dhënë mbështetje të plotë rektorit Ramadan Zejnullahu, të cilin dje e shkarkoi Këshilli Drejtues i Universitetit.
"Zyra e BE-së në Kosovë /Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së është i shqetësuar me zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës, të cilat nuk kontribuojnë në përmirësimin e standardeve të arsimit në Kosovë që janë më të ulëtat në rajon.
Ne shprehim mbështetjen e plotë ndaj përpjekjeve të rektorit të Universitetit të Prishtinës për mbrojtjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe për të aplikuar parimet e qeverisjes së mirë duke vendosur kritere të qarta akademike, në mënyrë që studentët të fitojnë njohuritë dhe shkathtësitë që ju nevojiten për të qenë konkurrues në tregun e punës dhe për të gjetur punë të shkathtësive të larta.
Arsimi cilësor është qenësor për të thyer ciklin e papunësisë dhe varfërisë dhe një adut kryesor i inovacionit, zhvillimit social dhe ekonomik, për të cilin dëshpërimisht ka nevojë Kosova", thuhet në deklaratën e Zhbogarit.

Abrashi: Mirënjohje rektor
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), biznesmeni i njohur, Gazmend Abrashi ka dal në përkrahje të rektorit Ramadan Zejnullahu, duke thënë se ai është bërë pengesë për sigurimin e privilegjeve të paarsyetuara, të kërkuara nga grupe shoqërore por gjithashtu ka bërë mbështetës studentë që e kryejnë shkollimin me përkushtim dhe pa intervenime, si dhe profesorë që i kanë marrë diplomat dhe titujt me shumë punë e ndershmëri.
Ai ka shkruar se Universiteti i Prishtinës duhet ta zgjidhë këtë ngërç jo përmes ndërhyrjes së politikanëve por përmes analizave të brendshme dhe reformimit të vazhdueshëm, gjithmonë nën presionin publik dhe nën vëzhgimin e medias dhe shoqërisë civile.

Ja opinioni i plotë i Gazmend Abrashit:
Mirënjohje rektor!
Ramadan Zejnullahu është matematicient. Perceptimi ynë për matematikanin është si për njeriun me dhunti të veçanta dhe me logjikë rigoroze dhe nga ata që njohin veç gjuhën e shifrave, logjikës dhe argumenteve.
Me intelekt dhe veçori të posaçme si dhe me arritjet e tij akademike jetësore, Ramadan Zejnullahu u zgjodh rektor i Universitetit të Prishtinës në Shtator të vitit të kaluar.
Si rektor, z. Fejzullahu ka bërë kundërshtarë, madje edhe armiq dhe në të njëjtën kohë ka pas protesta kundër tij në 13 muajt e drejtimit të universitetit.
I njëjti është bërë pengesë për sigurimin e privilegjeve të paarsyetuara, të kërkuara nga grupe shoqërore.
Gjatë udhëheqjes së tij, ai insistoi në zbatimin e disa kritereve bazike në rastin e pranimit në fakultete të familjarëve të veteranëve të luftës, në respektimin e standardeve ndërkombëtare në marrjen e gradave dhe verifikimin e titujve akademikë për profesorë, solli vendimin për ndalimin e marrjes së dy pagave nga buxheti i Kosovës edhe për zyrtarë të lartë qeveritarë dhe nuk u tërhoq përballë presionit për lëshime në afate nga grupe studentësh.
Nga ana tjetër, rektori Fejzullahu ka bërë mbështetës si, studentë që e kryejnë shkollimin me përkushtim, sakrificë, pa intervenime, profesorë që i kanë marrë diplomat dhe titujt me shumë punë e ndershmëri, prindër që nuk kanë dëshirë të intervenojnë për me u siguru fëmijëve të tyre një notë më të mirë si dhe qytetarë që besojnë se e ardhmja e kë tij vendi varet nga cilësia e arsimimit dhe shqetësimet e tyre serioze për ecurinë e studentëve të Kosovës.
Rektori Fejzullahu u dha shpresë shumë qytetarëve se me vullnet, dije dhe këmbëngulje, ndryshimet janë të mundura.
Reagimi në mbështetje të tij nuk është për individin Ramadan Zejnullahu por është për rektorin e suksesshëm dhe principiel të universitetit publik.
Mirëpo, rikthimi i rektorit Zejnullahu nuk bëhet as me direktiva nga lart, as me ultimatume nga rruga. Universiteti i Prishtinës tregoi një tjetër episod të kancerit që e gërryen nga brenda.
Universiteti i Prishtinës duhet ta zgjidhë këtë ngërç jo përmes ndërhyrjes së politikanëve por përmes analizave të brendshme dhe reformimit të vazhdueshëm, gjithmonë nën presionin publik dhe nën vëzhgimin e medias dhe shoqërisë civile.
Përkundër që rruga për një Universitet të Prishtinës të shëndoshë është e gjatë, rektori Ramadan Zejnullahu e nisi këtë ndryshim dhe na dha shpresë për një të ardhme premtuese.
Mirënjohje për kontributin!

Dugolli: Vendimi i ministrit, i kundërligjshëm që prekë autonominë e UP-së
Bujar Dugolli, dekan në Fakultetin Filozofik dhe senator në Universitetin e Prishtinës, ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Arsimit që të shfuqizojë vendimin e djeshëm të Këshillit Drejtues për shkarkimin e Rektorit Ramadan Zejnullahu.
Dekani Dugolli e ka quajtur vendimin e Ministrit Arsim Bajrami si të jashtëligjshëm.
“Vendimi është i kundërligjshëm pasi që prekë autonominë e e UP-së”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo është ndërhyrje ne punën e universitetit.
I pyetur nëse do të vazhdojë të kërkojë shkarkimin e Rektorit Zejnullahu, Dugolli nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të qartë.
“Nuk e di njëherë, isha në mësim dhe nuk i di më të rejat e fundit.”
Bujar Dugolli ka qenë një nga senatorët më të zëshëm në kërkesën për shkarkimin e Rektorit Zejnullahu.

Pallaska-Rektorit: Ja pse nuk duhet të kthehesh
Juristi, Dastid Pallaska, ka kërkuar nga rektori Ramadan Zejnullahu që të mos pranojë kthimin e tij për ta drejtuar UP’në. Kjo sipas tij, pasi përmes imazhi pozitiv që ka treguar Zejnullahu, po mundohen të përfitojnë politikisht ata që po sillen si shpëtimtarë të tij.
Pallaska, po ashtu, ka thënë se as protestat nuk duhen ndalur derisa të nxirren jashtë UP’së të gjithë ata që urdhëruan dhe zbatuan shkarkimin e Rektorit Zejnullahu.
Ky është reagimi i Dastid Pallaskës përmes facebook’ut:
Shkarkimi i Rektorit paraqet një përpjekje dëshpëruese të pushtetit për tu paraqitur si shpëtimtar i problemeve që ka shkaktuar vet. I ngjanë metodës së njohur të policit të keq dhe policit të mirë që aplikohet nga policitë e regjimeve represive.
Si duket qëllimi i këtij veprimi që nga fillimi ka qenë vetëm qortimi i Rektorit dhe përfitimi politik nga imazhi pozitiv që ka krijuar ky Rektor për një periudhë të shkurtër. Kjo lojë perfide duhet të refuzohet nga Rektori dhe ata që përnjëmend e përkrahin Rektorin!
Për këtë arsye, Rektori nuk duhet të kthehet dhe protesta nuk duhet të ndalet pa i nxjerrë jashtë nga Universiteti i Prishtinës ata që inspiruan, kërkuan, urdhëruan dhe zbatuan shkarkimin e tij.
Vetëm kështu do të shpalosim se polici i keq dhe polici i mirë janë një.

Zeqir Veselaj: Rektori shkeli ligjet, bllokonte mbledhjet e Senatit
Zeqir Veselaj, anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së, ka thënë se shkarkimi i rektorit Ramadan Zejnullahu ishte për shkak të shkeljeve të tij, pasi që e bllokonte mbledhjen e Senatit, duke bllokuar kështu edhe pikat kryesore të UP-së, njëra nga to kishte të bënte me konkurset e studentëve.
“Mbledhja e fundit e senatit është mbajtur në qershor dhe dy pikat vendim marrëse ishin të bllokuara. 28 senatorë, e nënshkruan një kërkesë për t`u zhbllokuar mbledhja, sepse pikat ishin të rëndësishme. Gjithmonë, nga ana e rektorit është ndalë mbledhja, ndërsa mbledhja mund të ndërpriet vetëm nëse prishet rendi dhe qetësia dhe nëse mbledhja nuk mund të kryhet brenda një dite, kjo paraqiste një shkelje nga ana e rektorit. Ishte një injorim, dhe ndërprerje që kishte të bënte me çështjet kryesore të UP-së, si konkurset për studentë të UP-së”, ka thënë Veselaj në një intervistë në transmetusin publik.
Sipas tij, rektori e ka sjellë situatën deri në këtë pikë, pasi kualifikimet e stafit akademik, qofshin ato banda e kriminelë, duhej të zgjidheshin nga ana e tij, e jo ai t`i paraqiste në publik.

Veteranët e luftës përkrahin shkarkimin e rektorit Zejnullahu
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, përkrahin vendimin e Këshillit Drejtues si organ më i lartë i UP-së, për shkarkimin e Ramadan Zejnullahut, nga pozita e Rektorit sepse është në përputhje me ligjin dhe autonominë e Universitetit të Prishtinës.
Shkarkimin e kryetares së Këshillit Drejtues të UP-së Shefkije Islamaj, nga ana e ministrit të arsimit Arsim Bajrami, e vlerësojmë politik, klanor dhe tendencioz.
Vendimi i ministrit Arsim Bajrami, për anulimin e vendimit të Këshillit Drejtues të UP-së, është i kundërligjshëm dhe arbitrar, i cili është bërë me ndërhyrje të dhunshme të faktorit politik vendor e ndërkombëtar dhe ka ngjashmëri me urdhrat e komiteteve në kohën e komunizmit. Këto ndërhyrje nuk do ta stabilizojnë gjendjen në Universitet, përkundrazi do ta thellojnë edhe më shumë krizën.


***********
Protestuesit i gëzohen lajmit për shfuqizimin e vendimit për shkarkimin e Rektorit (Video)
Rron Gjinovci, një nga organizatorët e protestës në përkrahje rektorit Ramadan Zejnullahu, ka qenë ai që ka gëzuar protestuesit që ishin mbledhur para Ministrisë së Arsimit, duke u dhënë lajmin për shfuqizimin e vendimit të Këshillit Drejtues të UP-së.
Qytetarët e mbledhur para Ministrisë, i janë gëzuar këtij lajmi, duke e pritur me brohoritje.
Drejtuesi i protestës, Rron Gjinovci ka thënë para turmës se politika në UP ka ikur me protestat dhe shkarkimin e ish-rektorit Ibrahim Gashi.
Sipas tij, prej atëherë është vendosur standardi për mosndërhyrje në UP.
“Po e vendosim standardin e ri në UP”, ka thënë Gjinovci.
Ndërkohë, pasi u lexuan kërkesat e protestës, ato u votuan simbolikisht nga protestuesit, të cilët më pas u shpërndanë të qetë.


Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...