2015-10-20

Shkenca pas orientimeve seksuale

Njerëzit që janë të tërhequr nga njerëz të tjerë të gjinisë së njejtë e formojnë orientimin e tyre para se të lindin. Kjo nuk është një zgjidhje. Dhe provat shkencore e demonstrojnë se as prindërit e tyre nuk janë përgjegjës për këtë gjë.

Kromozomet X dhe Y
Hulumtime që vërtetojnë se ka prova biologjike për orientimin seksual të njeriut janë bërë që nga vitet e 1980-ta. Lidhjet janë theksuar më tej nga hulumtime të reja shkencore, transmeton Dritarja.net.
Në 2014, hulumtuesit konfirmuan lidhjen mes orientimit homoseksual te meshkujt dhe njëregjioni specifik kromozomal. Kjo gjetje ishte e ngjashme me zbulime të botuara në vitet e 1990-ta, që, në kohën e tyre, prezantuan idenë se një “gjen gej” duhet medoemos të ekzistojë. Por ky argument kurrë nuk është arsyetuar, pavarëisht nga fakti se studimet kanë dëshmuar se homoseksualiteti është një tipar i trashëgueshëm.
Provat sugjerojnë se ekziston një bashkëveprim kompleks mes gjeneve dhe ambientit, elemente këto që janë përgjegjëse për natyrën trashëguese të orientimit seksual.
Këto gjetje janë pjesë të një raporti të lëshuar nga Akademia e Shkencës e Afrikës së Jugut. Raporti është rezultat i punës së kryer nga një panel i formuar në vitin 2014 me qëllim vlerësimin e të gjitha hulumtimeve të bëra 50 viteve të fundit në temën e orientimit seksual.
Ky vlerësim u bë në një kohë kur në Afrikë numri i ligjeve që diskriminojnë personat që janë të tërhequr nga të tjerët të së njëjtës gjini është në rritje e sipër. Puna u krye në bashkëpunim me Akadaminë Ugandiane të Shkencës.
Hulumtimet ekzistuese
Akademia shqyrtoi disa studime shkencore me fusha fokusi të ndryshme që kishin ardhur në përfundime të njëjta. Këto përfshijnë studime mbi familjet dhe binjakët. Studimet kanë treguar se homoseksualiteti ka një komponent trashëgimor si dhe një komponent mjedisor.
Studimet e familjeve kanë treguar se meshkujt homoseksualë kanë më shumë vëllezër më të moshuar sesa meshkujt heteroseksualë. Meshkujt homoseksualë gjithashtu kanë më shumë gjasa të kenë vëllezër që janë gjithashtu homoseksualë. Ngjashëm, studimet e familjeve kanë dëshmuar se gratë lezbike kanë më shumë motra lezbike sesa gratë heteroseksuale.
Studimet mbi binjakët identikë janë të rëndësishme sepse binjakët identikë trashëgojnë të njëjtat gjene. Kjo mund të hedhë dritë mbi një shkak të mundshëm gjenetik. Studimet mbi binjakët kanë vërtetuar se homoseksualiteti është më i përhapur te binjakët identikë (monozigotikë) sesa te binjakët jo-identikë (dizigotikë). Kjo dëshmon se homoseksualiteti mund të trashëgohet.
Megjithatë, shkalla e trashëgimisë mes binjakëve ishte më e ulët se që pritej. Këto gjetje i kontribuojnë nocionit se edhe pse homoseksualiteti mund të trashëgohet, kjo nuk ndodh sipas rregullave të gjenetikës klasike. Përkundrazi, ndodh përmes një procedure tjetër, e njohur siepigjenetika.
Epigjenetika, sipas të gjitha gjasave, një faktor i rëndësishëm
Epigjenetika ka të bëjë me ndikimin e faktorëve mjedisorë në gjene, ose në mitër ose pas lindjes. Fusha e epigjenetikës është zhvilluar pas zbulimit të metodave të reja për identifikimin e mekanizmave molekularë (epishenjave) që ndërmjetësojnë efektin e mjedisit në pasqyrimin e gjeneve.
Epishenjat zakonisht fshihen nga gjenerata në gjeneratë. Por në situata të caktuara, ato mund të kalohen te gjenerata e ardhshme.
Normalisht, të gjitha femrat kanë dy kromozome-X, njëri prej të cilëve është joaktiv apo “i fikur” në mënyrë të rastësishme. Hulumtuesit kanë vrojtuar se te disa nëna që kanë djem homoseksualë paraqitet një “shtrembërim” ekstrem i çaktivizimit të këtyre kromozomeve X. Te këto nëna, procesi nuk është më i rastësishëm dhe i çaktivizuar është i njëjti kromozom X.
Kjo sugjeron se një regjion në kromozomin X mund te jetë i përfshirë në përcaktimin e orientimit seksuale. Hipoteza epigjenetike sugjeron se njerëzit homoseksualë e formojnë një predispozicion ndaj këtij orientimi pasi kanë trashëguar këto epishenja gjeneratë pas gjenerate.
Faktorët mjedisorë të jashtëm si drogat mjekësorë, kimikatet, komponimet toksike, pesticidet si dhe substancat si plastifikuesit gjithashtu mund të kenë ndikim në ADN duke krijuar epishenja.
Këta faktorë mjedisorë mund gjithashtu të shkaktojnë ndryshime në sistemin hormonal të grave shtatzëna. Kjo ka efekt në nivelet e hormoneve të seksit në fetusin që është në zhvillim e sipër dhe mund të ndikojë në aktivitetin e këtyre hormoneve.
Studimet e ardhshme do të përcaktojnë nëse këta faktorë mund të kenë ndikim direkt në zona të trurit në zhvillim e sipër që lidhen me formësimin e orientimit seksual.
Këndvështrimi evolucionar
Prej një perspektive evolucionare, marrëdhëniet mes të njëjtit seks thuhen të përbëjnë një “paradoks Darvinian” sepse ato nuk kontribuojnë në riprodhim. Ky argument parashtron se meqenëse marrëdhëniet mes të njëjtit seks nuk kontribuojnë në vazhdimësinë e llojit, ato do të zhdukeshin përmes seleksionimit natyror.
Sikur ky sugjerim të ishte i saktë, numri i gjallesave me orientim seksual ndaj gjinisë së njëjtë do të zvogëlohej deri në zhdukje. Megjithatë, orientimet jo-heteroseksuale janë vazhdimisht të përhapura te shumica e popullsive njerëzore si dhe në mbretërinë e kafshëve.
Gjithashtu, duket të ketë faktorë kompenzues në atë që njihet si “hipoteza e seleksionimit balancues”, që merr në llogari riprodhimin dhe mbijetesën e llojeve. Në këtë kontekst, është demonstruar se të afërmit femra të meshkujve homoseksualë kanë mesatarisht më shumë fëmijë sesa femrat që nuk kanë të afërm homoseksualë.
Studimet e ardhshme
Akademia zbuloi se një mori studimesh shkencore kanë dëshmuar se orientimi seksual është i përcaktuar biologjikisht. Nuk ka një gjen apo faktor mjedisor të vetëm që është përgjegjës për këtë gjë — në fakt, është një grup i bashkëveprimeve komplekse mes të dyve që përcakton atë.
Sidoqoftë, prova të reja po i drejtojnë hulumtuesit te një regjion i caktuar i kromozomit X, dhe mundësisht te një regjion të një kromozomi tjetër.
Identifikimi i këtyre regjioneve kromozomale nuk nënkupton se homoseksualiteti është një çrregullim — as nuk nënkupton se në gjenet e këtij regjioni ndodhin mutacione që ende nuk janë identifikuar. Përkrundazi, për herë të parë, sugjeron se ekziston një regjion specifik në një kromozom që përcakton orientimin seksual
Edhe pse hulumtimet ende nuk kanë gjetur se si veprojnë mekanizmat precizë që përcaktojnë orientimin seksual — që mund të jetë heteroseksual, homoseksual, biseksual apo aseksual — përgjigjet sipas të gjitha gjasave do të vijnë nga hulumtimet e ardhshme. Këto gjetje do të jenë të rëndësishme për fushën e gjenetikës si dhe, më së rëndësishmi, për ata që janë të tërhequr nga të tjerët të së njëjtës gjini dhe për shoqërinë në përgjithësi.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...