Avola: Pse u bëra mafioz dhe pse e theva kodin e heshtjes kundër mafias. “Rregullat e betimit të Cosa Notra-s, vrasjet që bëra dhe arrestimi”
Nga Lorenzo Tondo/Palermo
Maurizio Avola u bashkua me mafien siçiliane në vitin 1983, pas kryerjes së vrasjes së parë. Në 11 vitet që pasuan, ai vrau edhe 79 persona të tjerë përpara se të arrestohej dhe të kthehej kundër ish-bashkëpunëtorëve të tij në vitin 1994.
Avola vendosi të thyente kodin e heshtjes së mafias kur ish-bashkëpunëtorët e tij planifikuan ta vrisnin dhe ai zbuloi se ishte policia ajo që po e mbante gjallë atë. Ai aktualisht po vuan një dënim të përjetshëm për 43 vrasje dhe 40 grabitje me armë në një burg të veçantë për informuesit e policisë në veri të Italisë, por do të lirohet brenda 5 vjetësh për shkak të zgjerimit të bashkëpunimit të tij me autoritetet. Bashkëshortja, djali dhe vajza e tij kanë marrë identitete të tjera dhe Avola shpreson t’u bashkohet atyre për të filluar një jetë larg nga jeta e vrasjeve, vjedhjeve dhe ish-bashkëpunëtorëve të tij që do ta vrisnin atë dhe familjen e tij pot a gjenin. Avokati i Avola-s, Ugo Colonna, thotë se bashkëpunimi i tij e ka ndihmuar policinë të kapë më shumë se 100 persona.
Në intervistën e tij të parë me median ndërkombëtare, Avola, 54 vjeç, i thotë revistës TIME nëpërmjet mesazheve të dërguara nga avokati i tij se çfarë e shtyu atë të bëhej një vrasës dhe më vonë të spiunonte kundër mafies.
Si u përfshitë tek mafia?
Që në moshë të re, punoja tek restoranti i babait tim në Katania. E dija që në fillim që ajo lloj pune nuk ishte për mua. Çdo natë mendoja për paratë dhe pushtetin, ndërsa pastroja gotat. Doja të bëhesha dikush, por jo nëpërmjet studimeve. Bëra disa vjedhje me armë në moshën 21-vjeçare dhe tërhoqa vëmendjen e Marcello D’Agata-s, një mafiozi që jetonte 100 metra larg shtëpisë sime. Ai e dinte se isha i mirë me armën, që isha i shkathët e i shpejtë. Kështu që më tha se mund të më ndihmonte. Dhe pak javë më vonë, më tha se kishte nevojë që të bëja diçka për të. Fillova të bëja vjedhje për mafian. Një ditë D’Agata më tha se duhet të isha i lumtur që “Familja” e Benedetto Santapaola në Katania kishte vendosur që isha i vlefshëm për të bërë një hap më të madh. Nëse do të vrisja një person, do të bëhesha anëtarë i organizatës. Objektivi ishte Andrea Finoçhiaro, një avokat, që kishte folur keq për bosin Benedetto Santapaola. Finoçhiaro thoshte se bosi ynë ishte shumë pranë disa politikanëve dhe ne donim të jepnim një paralajmërim për ata që fusnin hundët tek mafia. Nëse mafia kryente një vrasje e bënte gjithnjë për të dërguar një mesazh përtej rrethit të viktimës. Ishte ora 10 e mëngjesit. Ne mbërritëm tek vendi i takimit në një bar në qendër të Katanias. Unë porosita një kafe dhe lëng frutash. Vrasja duhet të ndodhte pranë shtëpisë së tij dhe nuk duhet të kishte dëshmitarë. Fatkeqësisht, Finoçhiaro doli nga dera e shtëpisë me disa fëmijë, ndoshta të vetët. Ai po i çonte ata në shkollë. Vendosa mos t’i qëlloj. Mbrëmjen tjetër, unë dhe shoferi im pritëm jashtë firmës ku Finoçhiaro punonte. Ai u fut në Fiatin e tij të bardhë, unë i dola para dhe e urdhërova që të dilte nga makina. E qëllova dy herë. Ngaqë isha i tensionuar e qëllova anash trupit dhe në krah. Ai ra në gjunjë dhe m’u lut mos ta vrisja. Hezitova. Arma ime e dytë më ra nga xhepi i pantallonave në tokë. Në një fraksion sekondash mbylla sytë dhe qëllova përsëri drejt tij tre herë. Qëndrova dhe e pashë për një moment. Më pas hipa në motoçikletë, pothuajse i shokuar. Më dukej vetja sikur isha i dehur. Atë natë shkuam në një bar për të festuar. Shtiresha si i qeshur. Më pas shkova në tualet dhe volla. Një mik i mafias më tha se ndërgjegjja e vrasësit ishte një përbindësh i errët të cilin duhet të mësohesha ta mbaja nën kontroll.
Si ishte jeta juaj si një anëtar i mafies?
Pas vrasjes unë u bëra anëtar në vitin 1983. Kumbari im ishte Aldo Ercolano, nipi i Benedetto Santapaola. Rituali i mafies vazhdoi në një fermë në fshat. Gjatë ceremonisë më shpuan gishtin me një gjilpërë në prani të kumbarit tim. Pikat e gjakut tim u dogjën mbi foton e një shenjtori, ndërsa unë bëja betimin. Unë u trondita nga rregullat e Familjes. Nuk duhet ta prezantoja kurrë veten si anëtar i mafies tek një tjetër bashkëpunëtor, nuk duhet kurrë të dëshiroja gruan e një bashkëpunëtori tjetër, nuk duhet të vrisja kurrë një anëtar tjetër pa marrë autorizimin nga kreu i Familjes, kurrë nuk duhet të ngatërrohesha me prostituta apo të flisja me policinë. Shumë shpejt mësova rregulla të tjera. Nuk duhet të kishim të afërm në polici apo të kishim kontakt me ta. Drejtësia duhet të vinte nga vetë mafia. Duhet të mbanim gjithnjë gojët e mbyllura. Nuk duhet të diskutonim kurrë detajet e një vrasjeje me anëtarët e tjetër, por vetëm me shefin tonë. Ne duhet t’i shërbenim familjes sonë të mafies, gjithnjë, edhe nëse gruaja jote ishte gati duke lindur. Çështjet personale dhe emocionet duhet t’i mbanin jashtë punës. Isha një nga anëtarët më të rinj të mafias siçiliane, pavarësisht se vija nga një familje që nuk kishte lidhje fare me mafian. Isha një nga vrasësit e saj më besnikë dhe paguhesha shumë mirë. Zotëroja makina sportive dhe bleva dy shtëpi të mëdha. Mund të preknim makina të cilat nuk kishin dalë akoma në shitje në tregun italian. Nuk na duhej të prisnim me muaj për të blerë një shtëpi. Nëse na duhej kujdes shëndetësor, ne nuk prisnim në radhë. Avantazhi më i madh ishte respekti. Kurrë nuk paguaja në bare, klube, dyqane apo restorante nëse nuk doja. Ne mbroheshim nga Familja që paguante dëshmitarët dhe gazetarët që të mos flisnin apo shkruanin.
A kishte ndonjë aspekt negativ të qenit mafioz?
Sigurisht, veçanërisht gjatë luftës së mafias, më duhej t’i thoja lamtumirë fëmijëve të mi, pasi mund të ishte hera e fundit që i takoja. Madje as nuk e dija në do të kthehesha për drekë. Por frika se mos më vrisnin apo që të përfundoja në burg mposhtej nga ndjenja e besnikërisë kundrejt bosit tim. Kjo më jepte forcë të tejkaloja të gjitha tipet e frikërave. Isha një ushtar. Gjenerali më dërgonte për të vrarë njerëz. Këtë duhet të bëja, refuzimi nuk ishte përgjigje. Mafiozi ekzekuton urdhrat e dhëna nga lart, ashtu si ushtarët në luftë. Unë kam vrarë njerëz me të cilët kam ngrënë darkë dhe njerëz që kishin besim tek unë. Dhe ndërsa trupat e tyre laheshin në gjak, unë shijoja jetën. Do t’ju jap një shembull. Pinuçio di Leo. Ai ishte një nga miqtë e mi më të mirë. Ata më urdhëruan t’i jepja fund jetë së tij. Ai dinte shumë dhe kishte dyshime se kishte tradhëtuar Familjen. Isha i detyruar ta qëlloja atë. Akoma shoh makthe për të pothuajse çdo natë, po ashtu edhe për njerëzit e tjerë që kam vrarë. Ata më ndjekin natën.
Si u bëtë bashkëpunëtor i drejtësisë?
Unë u arrestova natën e 26 shkurtit 1993, një ditë pasi vrava Pinuçio di Leo-n. Policia ishte informuar nga një telefonues anonim që i kishte thënë atyre se unë isha vrasësi dhe i treguan vendin ku gjendesha. Kur policia erdhi e më arrestoi në shtëpinë time, u ndjeva i lehtësuar. Pak minuta më parë pashë një makinë të zbuluar jashtë shtëpisë sime. Ishte një “Peugeot 205” dhe brenda saj, pashë dy burra. Nuk i njoha ata, por kishin armë me vete. Në moment ndjeva se do të vuaja të njëjtin fund si Pinuçio Di Leo. Policia më shpëtoi jetën. Ja pse, një vit më vonë, në vitin 1994, unë vendosa të bëhem bashkëpunëtor i drejtësisë. Kuptova që bosi im më kishte tradhëtuar. Kjo ndodhi në kohën kur hierarkia e mafiozëve ishte gati të rinovohej. Në vitin 1992, mafia kishte kryer shumë vrasje përfshi dhe atë të Xhovani Falkones. Ekzistonte një presion i madh dhe të gjithë mafiozët filluan të flisnin. Kumbarët ishin të vendosur që të vrisnin këdo që dinte sekrete të familjes, siç isha dhe unë.
***
Avola mund të ndiqet natën nga njerëzit që ai vrau, por gjatë ditës ai luan letra me shokët e tij, shikon televizor dhe lexon revista makinash. Dita e lirimit të tij është afër, dhe ai parashikon një jetë normale me familjen e tij, ndryshe nga shumë të afërm të viktimave të tij.