Këpucët me simbolet e flamurit kombëtar të prodhuara posaçërisht për Papa Françeskun nga artizani shqiptar Petrit Kozeli po bëjnë xhiron e rrjeteve sociale e jo vetëm. Në një intervistë për mediat shqiptare Kozeli direkt nga punishtja e tij ai tregon se si lindi ideja e këpucëve të personalizuara për Papa Franceskun fiks një vit pas vizitës së tij në Tiranë.
"Vendosa që të bëj dhe këpucën me flamurin shqiptar të shoqëruar me mesazhin e saj përkatës “Të ecim së bashku”. I krahasova këto këpucë me të dy popujt që janë në ecje dhe kanë dëshirë të ecin drejt paqes së bashku. Jam ndjerë shumë i lumtur që duke bërë këpucën shqiptare, lindi ideja që t’i dorëzohet edhe atit të shenjtë, vitin e parë pas vizitës në Shqipëri”, tregon artizani shqiptar.
Ndonëse u bë i njohur për shqiptarët me këpucët kuq e zi, Kozeli edhe më herët është dekoruar me titullin “Nderi i Kombit” në Itali nga presidenti Giorgio Napolitano pasi krijoi një palë këpucë në nder të marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Itali.
“Një vit përpara më lindi ideja që vetëm të falenderoj popullin italianë për mikëpritjen duke bërë një palë këpucë si simbol i një populli në ecje me një mesazh inkurajimi për popullin italian dhe duke ia dorëzuar këto këpucë nëpërmjet prefekturës së Mantovës, presidentit italian Georgio Napoletani i cili e vlerësoi pa masë duke më dërguar një letër falenderimi”, shprehet Kozeli.
Lidhur me punën në një vend të huaj Kozeli shprehet se “nëse je i aftë nuk është aspak e vështirë të ecësh para”. Për artizanin shqiptar që punon në Mantova të Italisë gjëja më e bukur e jetës së tij është fotoja e vëllazërisë shqiptaro-italiane.
“Një grup ku është Bashkia e Mantovës që mban këpucët shqiptare është gjëja që më ka emocionuar më shumë dhe ambasadori Visar Zhiti që mban këpucët italiane. Është shenjë e një vëllazërie dhe raporti të shkëlqyer”, rrëfen ai.
Ceremonia e dorëzimit të këpucëve Papës, u mundësua edhe nga presidentja e Komunitetit Shqiptar për Mantovën Anila Kaja e cila e organizoi atë në bashkëpunim me autoritetet në Mantova dhe ambasadorin e Vatikanit, si dhe Presidentin e konfederatës të shqiptarëve në Itali z. Ndue Lazri.