2015-10-29

Historia e Petrit Kozelit që i dhuroi Papa Françeskut këpucët me ngjyrat e flamurit shqiptar

Artizani shqiptar në Mantova, Petrit Kozeli i dhuron Papa Françeskut një palë këpucë me ngjyrat e flamurit shqiptar
Petrit Kozeli me Ndue Lazrin dhe kepucet qe iu dhuruan Papes
Petrit Kozeli me Ndue Lazrin dhe kepucet qe iu dhuruan Papes

Nga Ndue Lazri
Ai dikur ka qenë një fotograf i talentuar, që punonte në Tiranë. Me shpirtin e artistit gjurmonte pejsazhe të bukura, karaktere të veçantë njerëzish, detaje shprehëse nga dukuritë jetësore dhe i fiksonte në fokusin e tij. Quhet Petrit Kozeli.
Shpirtin e artistit dhe aparatin fotografik i mori me vete edhe kur emigroi në Itali si qindra e mijëra shqiptare të tjerë. Dhe u vendos në qytetin e bukur të Mantovas. Qyteti i dukëve Gonzaga, i vendosur si një ishull magjik mbi tre liqene të formuar nga lumi Mincio, qyteti ku internuan Romeon për të penguar dashurinë e tij me Zhuljetën, që ishte 30 km më tej, në Verona, qytet romantik me një qendër të ngrohtë, karakteristike e mikpritëse e të vizituar në çdo stinë nga shume turistë.
Por, një emigrant i ardhur nga Shqipëria, nuk mund të jetonte këtu me profesionin e fotografit. Aq me tepër të mbante edhe familjen, të shkollonte fëmijët. Duke shëtitur rrugëve të qytetit, atij i erdhi në mendje të behej artizan, të hapte një dyqan për riparimin e këpucëve. Faktikisht qyteteve italianë pika të tilla artizanale janë të rralla, ndaj dyqani i tij filloi të kishte shumë shpejt klientë. E puna e Petritit pëlqehej nga klientët, se ai vinte në atë punë të thjeshtë diçka nga bota e tij artistike, e bënte atë me pasion e dashuri, duke u shquar për cilësinë e lartë në riparime, i priste e i përcillte klientët me buzëqeshje e mirësjellje. Duke qenë në qendrën historike të qytetit, dyqani i tij binte në sy edhe për rregullin e pastërtinë. E u bë shpejt i njohur për mantovanët.
Shpirti i artistit mbetet tek njeriu edhe kur ai merret me punët më të thjeshta e me zanatet që mbase në dukje nuk kanë të bëjnë me artin. Ai vlon brenda krijuesit dhe e nxit e frymëzon atë për ide të reja, për ta kthyer në art gjithçka që zë me dorë. E një ditë Petritit i vjen ideja të prodhojë vetë një palë këpucë. Jo këpucë të zakonshme, por unikale, të personalizuara. Prodhon një palë këpucë me ngjyrat e flamurit italian, të cilat ia dhuron ish-presidentit italian, Giorgio Napolitano. Presidenti befasohet nga kjo dhuratë, e çmon, interesohet në Mantova për artizanin shqiptar dhe autoritetet lokale i flasin me simpati për emigrantin shqiptar të integruar plotësisht në qytetin e tyre. Presidenti italian i jep atij titullin “Cavaliere del Ordine”, që u jepet vetëm njerëzve me merita të shquara në fushën ku ata veprojnë. Një nder i veçantë edhe për komunitetin shqiptar në Itali.
Për Petritin me kishte folur mikja ime, Anila Kaja, presidente e shoqatës “Le aquile” e qytetit të Mantovas, shoqatë që bën pjesë në federatën tonë FNAI. Edhe Anila është integruar mirë me familjen e saj në ketë qytet. Natyrë e gjallë, dinamike e karizmatike, ajo ka ndërtuar raporte shumë të mira me autoritetet lokale dhe punon si përgjegjëse e personelit në Pallatin Te, një nga pallatet më prestigjioze të qytetit, rezidencë e prehjeve e zbavitjeve private të dukëve Gonzaga. Me poetin dhe ambasadorin shqiptar në Vatikan, Visar Zhiti, patëm kënaqësinë ta vizitonim ketë pallat, duke patur si guidë dhe ciceronë pikërisht Anilen, e cila njeh me detaje çdo sallë, afresk e basoreliev të tij dhe flet për to me kompetencën e një historianeje e kritikeje arti.
12183697_952665978138883_8365714283511912070_o
Ishte Anila që na ftoi këto ditë, edhe Visarin, edhe konsullen shqiptare në Milano, Luljeta Çobanaj, edhe mua në një veprimtari tematike të organizuar nga shoqata “Le aquile” në bashkëpunim me komunën e qytetit të Mantovas.
E në qendër të kësaj veprimtarie ishte përsëri artizani shqiptar, Petrit Kozeli. Pas vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, ai ishte frymëzuar nga kjo vizitë, nga mesazhet e qarta që dërgoi Papa mbi vëllazërimin midis besimeve fetare në Shqipëri, mbi udhëtimin e përbashkët në udhën e paqes. E ai vendosi të krijoje një palë këpucë me ngjyrat e flamurit shqiptar, për t’ia dhuruar Papa Françeskut me rastin e njëvjetorit të vizitës se tij në Shqipëri. I ka quajtur ato këpucët e shtegtimit të paqes edhe në letrën përcjellëse që i dërgon Papës bashkë me këpucët.
905798_10206599755666874_6380307926680894798_o
Bashkë me Visarin dhe Luljeta Çobanajn, me Anilën e shqiptarë të tjerë që mblidhen pranë dyqanit, e vizitojmë atë njësi të vogël artizanale, marrim në dore ato këpucë të punuara mjeshtërisht me cilësi të lartë, ku spikat shqiponja në qendër, të cilat poeti Visar në përshëndetjen e tij do t’i quante një metaforë e bukur, që simbolizon ëndrrën e njeriut për të shtegtuar drejt viseve të largëta e drejt paqes. Madje ai i sugjeroi Petritit që edhe dyqanin e tij ta quante: “Shtegtojmë sëbashku”.
Nga dyqani kalojmë në komunën e Mantovas, për të marrë pjesë në veprimtarinë tematike të organizuar pikërisht për ketë eveniment, për nisjen e këpucëve nga Mantova drejt Vatikanit, nëpërmjet ambasadorit shqiptar. Marrin pjesë të gjitha autoritetet lokale të Mantovas, që nga kryetari i bashkisë se qytetit, Mattia Palazzi, këshilltari rajonal, Marco Carra, prefekti Carla Cinciarelli, peshkopi, kuestori, komandanti i karabinierëve, përfaqësues të policisë lokale, të urdhrit të kavalierëve, të UNICEF-it, drejtori i Pallatit Te, presidenti i këshillit komunal Massimo Allegretti, asesori i komunës, Jacopo Rebeçhi, përfaqësues të shoqatave shqiptare dhe të artizanatit mantovan etj.
Mantova_AmbasciatoreAlbania2
Një ceremoni e bukur, me përshëndetje prej kryetarit të bashkisë e të ambasadorit Visar Zhiti, të konsulles Luljeta Çobanaj e të presidentes së shoqatës, Anila Kaja, përshëndetje në emër të Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI) etj. Ceremonia, dreka e shtruar për nder të të ftuarve në një nga restorantet e Mantovas dhe koktejli pas ceremonisë krijuan një atmosferë, ku evidentohej qartë ajo dashuri e ai respekt i ndersjelltë që është krijuar në ketë qytet midis qytetarëve e autoriteteve lokale italiane dhe emigrantëve shqiptarë që tashmë shikohen si një realitet pozitiv e një faktor ndërlidhës miqësor midis Italisë e Shqipërisë. Me ambasadorin Visar Zhiti dhe konsullen e përgjithshme në Milano, Luljeta Çobanaj pata kënaqësinë të bisedonim edhe për veprimtaritë e Federatës FNAI e ata shprehën dëshirën të jenë të pranishëm në veprimtaritë që do të organizojmë në të ardhmen.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...