Prokuroria Themelore e Prishtinës do të zgjerojë kallëzimin penal për të përfshirë edhe ngjarjet e së premtes në Kuvend
Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka, ka thënë se në prokurori kanë pasur dilemë mes idesë për të ngritur kallëzim të ri penal rreth ngjarjeve të së premtes në Kuvend, apo për të zgjeruar kallëzimin rreth zhvillimeve të 8 tetorit.
“Ne si Prokurori jemi ne dijeni për rastin për që ka ndodhur me 23 tetor 2015 në Kuvendin e Kosovës, mirëpo pasi e kemi analizuar mirë këtë rast kemi pasur dy propozime, se a të shkojmë me kallëzim të ri penal apo te bëjmë zgjerimin e kallëzimit të parë të datës 8 tetor 2015 dhe pas saj kemi ardhur në përfundim që të bëhet zgjerimi i kallëzimit të parë penal”, ka thënë kryeprokurori Beka.
Në të dy rastet nga deputetë opozitarë u hodh gaz lotsjellës në sallën e mbledhjeve të Kuvendit.
Beka deklaroi se është vendosur të zgjerohet kallëzimi penal për arsyen se bëhet fjalë për vepra të dyshuara nga deputetët e njëjtë.
“Ne do të bëjmë zgjerimin e kallëzimit të parë pasi që kemi të bëjmë me personat e njëjtë siç janë Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj- Bujupi dhe Faton Topalli”, sqaroi Beka.
Ai tregoi se këtyre deputetëve u janë dërguar të premten ftesa për paraqitje në prokurori, ndërsa njoftoi se nëse brenda pesë ditëve ata nuk paraqiten për dhënien e deklaratave, prokuroria do t’i drejtohet Gjykatës Themelore të Prishtinës për të lëshuar fletarrest ndaj të dyshuarve.