Nga Kristin Koch
Sëmundja Alzheimer është një gjendje fizike që prek trurin dhe që shkakton dëmtim të kujtesës dhe të të menduarit. Kjo sëmundje e pakurueshme dhe degjenerative u përshkrua për herë të parë nga psikiatri dhe neuro-patolog-u gjerman Alois Alzheimer më 1906 dhe prej tij sëmundja u emërtua Alzheimer. Me sëmundjen Alzheimer, mesazhet e trurit që dëmtohen, prishin lidhjen ndërmjet qelizave të trurit. Në këtë mënyrë, qelizat e trurit vdesin dhe kjo do të thotë që infomacioni nuk mundet më që të kujtohet, prodhohet. Ndërkohë që sëmundja Alzheimer prek çdo zonë të trurit, funksione të caktuara humbasin. Kujtimet e kohëve të fundit janë të parat që preken, por ndërkohë që sëmundja zhvillohet, edhe kujtesa afatgjatë dëmtohet. Sëmundja gjithashtu prek edhe shumë funksione të tjera të trurit dhe si pasojë shumë aspekte të sjelljes preken.
Format e sëmundjes Alzheimer
Ekzistojnë dy lloje të ndryshme të sëmundjes Alzheimer: Sëmundja sporadike Alzheimer mund të prekë të rriturit në çfarëdolloj moshe, por zakonisht ndodh pas moshës 65 vjeçare. Kjo është një ndër llojet më të zakonshme të sëmundjes Alzheimer. Kërkuesit janë duke u munduar për të gjetur faktorët gjenetikë dhe mjedisorë që mund të ndikojnë në sëmundjen Alzheimer.
Sëmundja familjare Alzheimer që është forma më pak e zakonshme në të cilën sëmundja është kaluar direkt nga një brez në tjetrin. Nëse njëri nga prindërit ka një mutacion gjenetik, çdo fëmijë ka një shans prej 50% të zhvillimit të kësaj sëmundjeje. Prezenca e këtij gjeni nënkupton që fëmija ka shumë mundësi që të zhvillojë sëmundjen Alzheimer, zakonisht në moshën 40 ose 50 vjeçare. Megjithatë, kjo lloj sëmundjeje prek një numër shumë të vogël njerëzish. Numri i personave që vuajnë nga sëmundja e Alzheimer (Alzheimer’s disease)- (dobësi mendore e shkaktuar nga pleqëria)-në gjithë botën në vitin 2050 do të rritet deri në 5 herë. Në një konkluzion të tillë arritën ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Sëmundja e Alzheimer-it nuk është quajtur më kot si “Sëmundja e shekullit të XXI-të”. Ajo diagnostikohet me vështirësi në stadet e para të zhvillimit të vet, ndërsa me kalimin e kohës i mohon njeriut mundësinë, aftësinë për t’u kujdesur për vetveten. Shkak për tu rënë këmbanave të alarmit në lidhje me këtë sëmundje u bë edhe fakti, se në qoftë se më parë ajo quhej short, fatkeqësi e atyre personave që i kishin kaluar të 80-at, këto kohët e fundit sëmundja është “rinuar si tepër në moshë”. Niveli i prekshmërisë nga ajo ra deri tek mosha 40-vjeçare.
Simptomat
“Një simptomë e vetme nuk tregon domosdoshmërisht nëse një person vuan nga Alzheimer apo nga humbja e rëndë e kujtesës,” thotë Raj Shah, nga Klinika Mjekësore Universitare në Çikago. Alzheimer shkaktohet nga humbja kronike e njohjes, duke ndikuar tek kujtesa. Ka shumë shkaqe të tjera për humbjen e kujtesës, përfshi mangësinë e vitaminës B12, SI dhe çrregullime të trurit, të tiroideve, veshkave dhe çrregullimeve të mëlçisë.
Diagnostikimi
Edhe nëse një person ka Alzheimer, kjo nuk do të thotë që jeta e tyre ka mbaruar. Një person me Alzheimer mund të bëjë një jetë kuptimplotë dhe plot produktivitet për shumë vite, por është e rëndësishme që të marrin diagnozën e duhur. Shpesh njerëzit kanë tendencën të marrin ndihmën vonë, vetëm kur gjendja e tyre përkeqësohet.
- Humbja e kujtesës
Humbja e rëndë e kujtesës dhe konfuzion nuk janë një pjesë normale e plakjes. Por harresa e shkaktuar nga stresi, ankthi ose depresioni janë të dëmshme, sidomos për dikë që është më i vjetër. “Ne të gjithë harrojmë detaje të bisedave që bëjmë me dikë, por një person me Alzheimer harron atë që sapo ndodhi, atë që sapo dikush tha” thotë Liza Gyther, bashkautore e “The Alzheimer’s Action Plan’.
- Ndërrimet e shpeshta të humorit
Është e zakonshme për dikë që vuan nga Alzheimer që të jenë shqetësuar ose në ankth. Atyre u ndryshon humori shpejt. Mërziten në disa vende të caktuara, ose fiksohen me detaje të veçanta. Gjendja e trazuar zakonisht shkaktohet nga frika, konfuzioni, lodhja dhe përpjekja për t’i dhënë kuptim një bote që u duket pa kuptim.
- Gjykimi i paaftë
Një person me Alzheimer fillon të marrë vendime që duken pa kuptim, të papërgjegjshme ose të papërshtatshme. Vihet re një largim i sjelljeve të dikurshme, si për shembull të vishesh në mënyrë të çuditshme në varë si të motit, dhe janë të pavendosur të zgjedhin se çfarë është e sigurtë për ta. Gyther thotë se “shumica e vendimeve lidhen me paratë. Personat që vuajnë nga Alzheimer fillojnë të shpenzojnë në mënyrë të pazakontë”.
- Probleme me paratë dhe shifrat
Personat me Alzheimer kanë vështirësi në procesin e të menduarit abstrakt, ndërkohë që sëmundja progreson, duke i bërë të vështira kuptimin e parave dhe shifrave. Harron të paguash faturat, të menaxhosh buxhetin e parave, madje dhe të harrosh se çfarë numrat përfaqësojnë.
- Vështirësi me detyrat familjare
Një person që harron e ka të vështirë të përfundojë dhe madje të fillojë detyrat e përditshme të cilat i ka bërë 100 herë gjatë jetës së tij më parë. Fillon të harrosh zakone e aktivitete të përditshme familjare, vendin ku rri me familjarët, lojën e preferuar që luan etj.
- Probleme me planifikimin dhe zgjidhjen e problemeve
Ndërsa humbja e kujtesës zhvillohet, të afërmit e tu mund ta kenë të vështirë të përqendrohen dhe të kuptojnë se u duhet ta përsërisin disa herë një veprim që t’ia ngulisin personit që vuan nga Alzheimer. Dhe këtu bëhet fjalë si për listën ushqimore që duhet blerë, receta e gatimit për një pjatë si dhe pagesat e faturave mujore.
- Vendosja e gjërave në vendin e gabuar
Të gjesh çelësat e makinës në frigorifer, telekomandën në sirtar apo të gjesh sendet e humbura në vende të çuditshme është një tregues i fortë se anëtari i familjes suaj mund të vuajë nga Alzheimer. Edhe pse kemi tendencën ta lidhim humbjen e kujtesës me procesin e plakjes, njerëzit me Alzheimer harrojnë se ku vendosin objektet pas një periudhe të shkurtër kohe.
- Ngatërresa e kohës dhe vendit
Disorientimi për kohën dhe vendin, si të harrosh vendin ku jeton, të humbësh kollaj, të harrosh datat apo periudha kohore të jetës tënde, këtë e vuajnë personat që mbartin sëmundjen Alzheimer. “Çështja e vërtetë për Alzheimer ka të bëjë me perceptimin e kohës,” shpjegon Gyther. “5 minuta mund të duken si 5 orë, e kështu burri mendon se gruaja është larguar për orë, ose javë të tëra nga shtëpia’.
- Vështirësi në komunikim
Ndërsa sëmundja zhvillohet, aftësitë e komunikimit dhe gjuhësore të atij personi fillojnë të zbehen. Ai apo ajo mund ta ndalojë bisedën në gjysëm dhe nuk di më ta vazhdojë. Fjalori është i vështirë për ta. Personi lufton për të gjetur fjalën e duhur, ngatërron fjalë të caktuara me fjalë të tjera, shpik fjalë të reja.
- Flet përçart
Fatkeqësisht, rreth 60% e njerëzve me Alzheimer kanë tendencën të bëjnë veprime të pakontrolluara e të humbin shpesh. Shqetësimi, frika dhe konfuzioni në lidhje me kohës, paaftësia për të njohur njerëzit e afërt, vendet dhe objektet ndikojnë në komunikimin përçart. Në disa raste personat me Alzheimer dalin nga shtëpia në mes të natës për arsye të ndryshme por pa një qëllim të caktuar.
- Veprime dhe fjalë të përsëritura
Përsëritja e vazhdueshme e fjalëve, deklaratave, pyetje apo aktivitete është vulë e sëmundjes Alzheimer. Ndonjëherë këto sjellje të përsëritura shkaktohen nga ankthi, mërzitja, apo frika e mjedisit që rrethohen.
- Probleme me marrëdhëniet vizuale ose hapësinore
Një simptomë e Alzheimer është problemet me shikimin. Njerëzit me Alzheimer kanë tendencën të kenë vështirësi gjatë leximit, gjykimit të distancave, përcaktimit të ngjyrave. Ata mund të shihen në pasqyrë dhe mendojnë se në dhomë ndodhet dikush tjetër ose mendojnë se po shikojnë një reflektim.
- Bëjnë veprime të paqëllimta
Nëse një i afërm i juaji shpesh bën veprimet të paqëllimta që në të vërtetë janë dhe pa kuptim, si të hapi dhe mbylli vazhdimisht një sirtar, të paketojë dhe ç’paketojë rrobat, ose të përsërisë kërkesa ose pyetje, kjo është shenjë e sëmundjes Alzheimer. Doktorët thonë se ata e bëjnë këtë gjë për t’u ndjerë produktivë ose të zënë me diçka.
- Veçimi nga të tjerët
Alzheimer është një sëmundje që të izolon e shpeshherë të bën të vetmuar, që pasohet me një mungesë të përgjithshme interesash për aktivitetet që të rrethojnë. Të bën të tërhiqesh nga familjarët dhe miqtë. Njerëzit me Alzheimer fillojnë të shkëpusin veten nga hobit e tyre, aktivitetet sociale, projektet e ndryshme, aktivitet sportive të preferuara.
- Të humbësh iniciativën dhe motivimin
Nëse apatia, humbja e interesit nëpër aktivitete sociale dhe hobit, ndodhin gjatë fazës së mesme të Alzheimerit atëherë këto ndodhin për shkak të depresionit. Rreth 40% e njerëzve me Alzheimer kanë depresion. Të identifikosh depresionin mund të jetë e vështirë. Personat e kanë të vështirë të artikulojnë ndjenjat e tyre.
- Nuk njeh familjarët dhe miqtë
Ndërkohë që sëmundja Alzheimer zhvillohet, personi fillon të mos njohë më anëtarët e familjes dhe miqtë. “Njohja nuk vjen dhe shkon në një moment të veçantë,” thotë Gyther. “Në përgjithësi njerëzit harrojnë çfarë ata kanë mësuar, apo me kë janë takuar. Është e vështirë të shpjegosh pse ndonjëherë ata mbajnë mend emrin e një fëmije dhe harrojnë emrin e tjetrit”.
- Humbin shqisën e të prekurit
Alzheimer ndikon në aftësitë motorike, duke ndërhyrë në aftësinë e personit të sëmurë për t’u veshur apo për t’u zhveshur, ose harron përdorimin e thikës e pirunit. Dridhja e duarve dhe gjendja e dobët, ose mpirjet janë shenja të një sëmundje tjetër që është Parkinson, por që ndikon tek Alzheimer.
- Kanë vështirësi në të veshur
Procesi i të veshurit është diçka e vështirë për pacientët me Alzheimer, të cilët ndonjëherë harrojnë dhe si të vishen, si të lidhin këpucët, apo si të shtrëngojnë rripin. Ata mund të veshin të njëjtën gjë vazhdimisht, duke harruar që ashtu ishin veshur një ditë më parë.
- Morespektimi i higjienës
Ndërsa sëmundja progreson, këto persona harrojnë të lajnë dhëmbët, të bëjnë banjë rregullisht, të ndërrojnë rrobat dhe të përdorin tualet. Ata harrojnë arsyen se pse duhet t’i lajnë dhëmbët. Harrojnë të krehin flokët, të heqin thonjtë, të rruhen.
- Harrojnë të hanë e të pinë
Njerëzit që vuajnë nga Alzheimer ndodh që të harrojnë vaktet e ushqimit, kryesisht nga arsyeja se kanë oreks të rënë dhe humbin interesin për ushqimin. Nga ana tjetër, ka nga ata persona që harrojnë që kanë ngrënë, dhe rrjedhimisht konsumojnë disa vakte gjatë ditës.
- Sjellje të papërshtatshme
Në fazën e mesme dhe të vonshme të sëmundjes Alzheimer, një person mund të fillojë të humbasë kontrollin e impulseve të tij duke vepruar dhe u sjellë në mënyra të papërshtatshme apo të pazakonta. “Ata mund të thonë gjëra pa takt, gjëra që nuk i kanë thënë kurrë më parë” thotë Gayther. Ata mund të harrojnë edhe që janë të martuar e nisin të flirtojnë ose të bëjnë veprime të papërshtatshme seksuale.
- Kanë iluzione dhe paranojë
Nga dyshimet irracionale, personat me Alzheimer, mund të kenë besime të rreme dhe deziluzionohen. Shpesh mendojnë sikur dikush i ndjek e do t’i vrasë. Rrjedhimisht, ata mund të fillojnë të përjetojnë halucinacione. Fillojnë të shohin, dëgjojnë, nuhasin apo shijojnë gjëra që në të vërtetë nuk janë fare aty.
- Agresioni verbal dhe fizik
Ndërsa sëmundja e Alzheimer përkeqësohet me kalimin e kohës, nuk është e pazakontë për dikë që të bëhet verbalisht dhe fizikisht i dhunshëm. Shpërthime verbale, që përfshijnë mallkimet, diskutimet, bërtitjet e kërcënimet janë të zakonshme. Ka edhe pacientë që godasin e shtyjnë kujdestarët e tyre.
- Vështirësi me gjumin
Disa simptoma të caktuara, si nervozizmi, lodhja, ankthi, axhitacioni, disorientimi dhe konfuzion, kanë tendencën të përkeqësojnë sëmundjen dhe ta bëjnë të vështirë jo vetëm ditën por edhe natën, duke rezultuar me vështirësi në procesin e gjumit. 20% e personave me alzheimer vuajnë nga çrregullimet e gjumit dhe pagjumësia.
- Sjelljet fëmijërore
Ekspertët thonë se personat me Alzheimer kanë tendencën të bëhen krejtësisht të varur nga një individ i caktuar, dhe vazhdimisht ndjekin vetëm ata. Sidomos kur ata ndodhen të hutuar apo të frikësuar. “Është shpesh rezultati i të ndjerit i frikësuar në një botë që i ngatërron ata, kështu që ata kanë nevojë për një person të cilit i besojnë,” shpjegon Gyther.