Jovan Bizhyti
Këto ditë ka dalë në qarkullim një libër, si libër xhepi, me lirika në prozë poetike të shkrimtarit Nasho Jorgaqi, e titulluar “Dashuria nën qerpikë”. Një libër që nga formati duket i vogël, nën një kopertinë “peisazh vjeshte”, ku rrëket e shiut marrin përpara gjethet e pemëve që era e vjeshtës i davaritë rrugëve e lëndinave të natyrës veshur me vellon e verdhme në të kafenjtë. Por në brendi ky libër në dukje i thjesht, shpalos vlera lirike e filozofike të një proze poetike që i kalon përmasat dhe vlerat e vjershave vargëzuese dhe që vetëm pena e Nasho Jorgaqit mund ti shpreh aq bukur, aq mençurisht dhe me një gjuhë letrare kaq të pasur.
Është stili i veçantë i tij që i shpreh kujtimet e ndjenjat aq bukur e ndjeshmërisht, me një tematikë të gjerë e të larmishme, me vargëzime në prozë që tingëllojnë si vargje kënge. Vendin kryesor në këto lirika poetike e zë dashuria që nuk njeh moshë, nuk njeh largësi, nuk njeh ndarje fizike, ajo dhe pas shumë vitesh mbijeton, vjenë e freskët, e vrullshme dhe me patosin e saj rinorë. Autori e sheh dashurinë si një lule që çel nën qerpikë, që sintetizohet dhe në titullin e librit. Ja si e përkufizon ai:
-“Tatëpjetë qerpikëve zbret nuri yt i purpurt. Ndizen dritat e syve të tu. Anash tyre feksin krahë dallandyshesh. Tek buzët kuqëlojnë trëndafilat. Nën ta shtrihen lëndinat e fshehura të gushës. Përtej gjarpëron shtegu i bardhë i kodrave. Sipër supeve varet shelgu i zi i flokëve. Nën ata qerpikë bukuria e jote hesht. Atë zë vetëm unë e dëgjojë”!
Në një vargëzim tjetër të prozës së tij poetike, autori pyet këngëtarin popullor për vargjet që i këndon dashurisë:
-“O këngëtar !…dua të pyes, si të dolën ato fjalë kur këndove “Psherëtiva e doli flakë”? Çfarë zjarri digjej brenda teje? Çfarë dashurie ishte ajo që të digjte dhe të bënte të nxirje flakë nga -goja”?
Disa vargje më poshtë flitet për një dashuri të ndarë prej shumë vitesh dhe që ishte shndërruar në një statujë. Ja si e përshkruan autori:
-“E ngurtë, dhe prapë e bukur! E ftohtë dhe prapë e përmallshme. Ata s’dinin tani se ç’do bënin me të! Ku vallë ta çonin?…Ajo tani e gjeti vet shtegun për në zemrat e tyre. Ata veç ndjenë përbrenda vetes peshën e saj, pengun e dashurisë së humbur”!
Romantika në lirikat e Nasho Jorgaqit shkon më tej në premtimet e dashurisë: -“Nesër të premtojë se do të vijë. Nuk e di do të zbres nga qielli në tokë, a do të dal nga dheu në dritë, po do të vijë. Do të vijë vetëm për një çast, sa të të shoh ty, të shkarkojë mallin e mbledhur dhe të iki nga kam ardhur. Ta dish se do vijë për ta bërë ëndrrën tënde të gëzuar”!
Autori në prozën e tij poetike përcakton dhe fatet e dashurisë: -“Dashuria kthehet në lodër kur ne luajmë me njeri-tjetrin. Dashuria kthehet në jetime kur ne e braktisim njeri-tjetrin. Dashu- ria kthehet në perëndi kur ne besnik i qëndrojmë njeri-tjetrit”. Në tematikat e këtyre lirikave autori i këndon dhe mbështetjes në traditat e në tabanin tonë kombëtar. Në se një krijues mbështetet fortë në këtë taban, vepra e tij do ti mbijetojë kohëve dhe rrebesheve. Ja si e përdor ai metaforën e kësaj mbështetje, duke vënë qëndresën e një peme përballë një stuhie të egër e të furishme. Sado e fort kalon stuhia, pema përkulet e përkulet deri afër tokës dhe prapë mbijeton. Kur stuhia qetësohet, ajo e drejton përsëri trupin e lakuar. Në fund autori shkruan: -“…kuptova se forca dhe qëndresa e saj vinte jo aq nga trungu i lakueshëm, se sa nga rrënjët e fshehura nën tokë”.
Në kujtimet e tij ai thërret dhe kohën e shkuar të mbushur me ndjenja e kujtime, duke e personifikuar atë me “Shtëpinë e kujtimeve”. – “O kohë e shkuar, o jeta e ime! Ti e ngarkuara dhe e mbushura plot e për ploë me njerëz, me ngjarje, me gaze e derte. Ti që qetësisht vjen drejt meje sa herë unë ndjej mall e kam nevojë për ty. Ti që më sjell aq pengje e pendesa, aq zhgënjime e më- sime. Dhe të gjitha këto brenda meje, në “shtëpinë e kujtimeve”, që nuk di e bartë unë, apo më bartë ajo me vete”!
Tematika e kësaj lirike poetike në këtë libër është e gjerë dhe e lar-mishme. Do vlerësoja në krijimet e Nasho Jorgaqit dhe gjuhën e pasur shqipe që përdorë ai. Cilido lexues që qëmton në veprat e këtij shkrimtari, pasuron shumë fjalorin e gjuhës së tij të bukur shqipe, së cilës veçanërisht brezi i ri po i arnon shumë fjalë të huaja nga gjuhët e përvetësuara të Europës. Sa bukur ky profesor i letërsisë shqipe, mbanë në prozën e tij një margaritar të tërë të fjalorit me fjalët e bukura e tashmë të rralla që po vijnë drejtë shuarjes në gjuhën tonë. Ja disa fjalë të bukura e të rralla nga shqipja e jonë që Nasho Jorgaqi i përdor në prozën e tij: -“Të kapluar nga mendimet. Ngërdheshi buzët. Nga kurmi yt u shastisa. Si dhe shumë fjalë të tjera, ndajnate, mugët, frushullima, margaritarta, rrëmeti, fanepse, pikëzuar, kaltëruar, barkuar, malluar, dregëzuar, ciflosur, hiret, degëshumë, kundron, mpakur, farfuritëse, zhbëu, tendëargjendë, degëlulëzuar, e shumë e shumë fjalë të tjera.
Profesor Nashon e sheh ende aktiv si në krijimtari dhe në jetën e tij të përditshme. Pedalet e biçikletës janë hapat e tij të përditshme që shpejton të ndjek pas kohën. Kurmi i tij ende hijeshon me shikimin e thellë e buzëqeshjen e hijshme, që tregon thjeshtësi e dashuri. Ja si e vlerësojnë prozën dhe lirikat e Nasho Jorgaqit disa nga kolegët në zë të letrave shqipe:
Dritero Agolli: -“Proza e Nasho Jorgaqit një prozë e brishtë, e tejdukshme si xham. Ai është një mjeshtër i shquar i bukurisë së fjalës shqipe”.
Nasi Lera: –“Prozën e Nasho Jorgaqit e lexon me një frymë. Të tërheq fortë lirizmi i thellë. Një dhembje lirike që të prek”.
Vath Korreshi: -“Nasho Jorgaqi është një vrojtues i thellë i shpirtit njerëzorë”.
Ilir Yzeiri: -“Vepra e Nasho Jorgaqit është një pasuri e madhe e kulturës shqiptare dhe e rrallë gjithashtu. Ai është nga personalitetet më erudit i letërsisë shqiptare”.
Ymer Çiraku: -“Proza e profesor Jorgaqit ka një harlisje ndjenjash e metafora që të mrekullojnë me aromën e një lirishteje”. Sa më shumë vite kalojnë, vepra e Nasho Jorgaqit po zë vend gjithnjë e më shumë në bibliotekat e në duart e lexuesit shqiptarë. Si një ndjekës i rregullt i krijimtarisë së tij, i urojë jetë të gjatë dhe punë të pareshtur në krijimtarinë e tij letrare e studimore.