-Fejton-
Rrëfejnë se këtu e një shekull më parë këtu në Boston, ku jetoj prej 16 vjetësh, një bos punësoi në argjendarinë e tij të madhe dhe luksoze një nga menaxherët më në zë, sepse me menaxherin e mëparshëm punët nuk po i vinim mbroth. Dhe, si thonë fjalës, e mbuloi me florinj. Sefte, menaxheri ndërroi më shumë se gjysmën e argjendarëve me të tjerë që ishin nga të të sprovuarit në Amerikë dhe pastaj të tërë i bëri zap. Tanimë punët, zunë të shkonin bukur mirë, por, ngaqë menaxheri ishte disi i vrazhdë e mendjemadh, krijoi ca pakënaqësi te argjendarët e vet, të rrahur në këtë zanat me vaj e me uthull.
Dhe ja një ditë ndodhi e papritura. Menaxheri në fjalë humbi çelësin e magazinës ku ruheshin xhevahiret që punonin argjendarët. Dhe, meqë edhe çelësin e parë e kishte humbur në një kafene, ku u mburrej miqve se ishte më i miri menaxher kudo në faqe të rruzullit tokësor, argjendarët mbetën pa punë. U nxeh atëbotë bosi dhe i dha ultimatum që, po të mos e gjendte çelësin për dy ditë, do ta flakte si limon të shtrydhur në mes të katër udhëve… Bash këtë menaexher të zot, por shumë hundëpërpjetë!…
Kështu duket po ndodh edhe me Murinjon, trajnerin famëmadh të ”Çelsit”, të mbiquajtur “Special One”, pra në gjuhën tonë – “specialisti njësh”. Edhe atij, sipas shtypit, të huaj, bosi i madh, multimiliarderi rus, Abramoviç, i ka dhënë ultimatumin se, në rast se deri të shtunën, nuk arrin të gjunjëzojë në stadiumin “Stemford Brixh” të Londrës, para tifozëve të vet “Liverpulin”, atëherë ka për t’i larë duart njëherë e mirë me të. Sidomos pasi të martën, “Çelsi” doli kokulur nga fusha e “Stok Sitit”, i mundur pas shtesës së lojës me 11- metërsha, (5-4), një nga të cilët për stokasit e shënoi edhe Shaqiri me gjak kosovar. Për më tepër, duke luajtur në shtesën prej 30 minutash me 10 lojtarë kundër 11-ëve të dunave të Murinjos, të mënjanuar kështu edhe nga Kupa e Anglisë.
11 pikë pas 10 javësh të kampionatit anglez, ka grumbulluar “Çelsi”, kur “Mançester Siti” dhe “Arsenali” që ndodhen në krye të renditjes, kanë rrumbullak nga 22 pikë. Katër humbje në kampionat, me “ManÇester Sitin” 0-3, “Kristal Palasin” 1-2, “Sauthhemtonin” 1-3, këto të dyja mu në Londër, ku Murinjo s’kishte njohur shijen e humbjes, dhe këtë të diel me “Uest Hemin” 1-3… Shtojini këtyre dështimeve të “Çelsit” edhe të martën humbjen në finalen e kupës “Komjuniti Shild” të “Çelsit”, si kampion i Anglisë, me “Arsenalin”, fitues i Kupës (0-1) dhe humbjen tjetër për Ligën e Kampioneve me “Sportingun” e Lisbonës (1-2), del se bilanci i Murinjos këtë sezon është me të vërtetë për të qarë me kuje “Oji, oji, vaj medet se ç’na gjet!”.
Pra, mund të themi me plot gojë që “Çelsi” i multimiliarderi të madh rus, Abramoviç, i ka thënë lamtumirën titullit kampion dhe me këtë gjendje në të cilën është bitisur, nuk dihet si do t’i venë punët edhe në Ligën e Kampioneve, ku jo më fitorja, ose arritja në finale, por edhe në gjysmëfinalja mund të ishte një dritë ngushëllimtare për të tejshkuar këtë tunel kaq të gjatë dhe kaq të zymtë, para të cilit ndodhet Murinjo me skuadrën e tij zulmëmadhe.
Mirëpo nuk thotë kot populli “që kur të vjen e keqja, hapi derën”. Aq më shumë që kjo e keqe, siç e di fort mirë edhe hallku sportdashës anekënd planetit tonë, nuk është vetëm një, por disa.
Nuk po ndalem në 21 pezullimet e Murinjos nga që nga viti 2006 për sjellje harbutërore në fushë pas zënkave me gjyqtarët, mos o Zot, jo me grushta, por me fjalë, për të cilat është gjobitur me as më shumë dhe as më pak, por me 800 mijë euro dhe që për të cilat u cilësua këto ditë me fjalët: ”Murinjo njollos imazhin e Ligës së Futbollit”, të shqiptuara nga Kit Haket, kryetar i Komisionit të Gjyqtarëve Anglezë. Nuk po ndalem gjatë në zënkën pas ndeshjes “Real”-“Barcelona” në stadiumin Bernabeu vite të shkuara, kur këtë radhë nuk përdori grushta, por vetëm një gisht, por që ama që ia nguli pa teklif nga pas mu në sy zëvendës trajnerit kundërshtar, Vilanova, gjest që u pa dhe u përfol keqas nga qindra e qindra milionë shikues nga një cep, në cepin tjetër të rruzullit tokësor.
Nuk po ndalem as në grindjet e vazhdueshme dhe me trajnerët, sidomos me Vengerin fisnik,trajner i “Arsenalit”, të cilin e ka qesëndisur kur ka mundur dhe si ka mundur.
Meqë përmenda Vengerin, nuk po ndalem as në humbjen e “Çelsit” ndaj “Arsenalit” më 2 gusht për kupën Komjuniti Shild, që përmenda më sipër, kur medaljen e argjendtë, që iu dha nga drejtuesit e Federatës Angleze të Futbolli në tribunën qendrore të stadiumit “Uembli” të Londrës, ku u zhvillua ndeshja, ua flaku me neveri tifozëve kundërshtarë…
Por, gjithsesi, e gjej të arsyeshme të ndalem në minutat e fundit të ndeshjes “Çelsi”- “Suonsi”, të luajtur më 8 gusht të këtij viti, kur futbollisti Hazard, i dëmtuar, u detyrua të ulej në fushën e lojës.
Besoj se shumë nga sportdashësit që e kanë ndjekur këtë ndeshje nga ekranet e televizorëve, mbase ndërmendin se Eva Karneiro, doktoresha e “Çelsit”, vrapi menjëherë për t’i ardhur në ndihmë futbollistit të dëmtuar, i cili për pak çaste u detyrua të qëndronte jashtë fushës.
Atë çast Murinjo brofi nga stoli dhe ndonëse fjalët e tij nuk u dëgjuan, kuptohej se ai me gjeste të një njeriu të çakërdisur po i drejtohej doktoreshës bukuroshe, aq të dashur nga tifozët blu dhe publiku i gjerë.
Murinjo nuk u mjaftua me kaq, por edhe kur doktoreshë Eva doli nga fusha, ai vazhdoi të vështronte vëngërthi dhe ta mbulonte me qortime. Përse? Sepse ajo sipas tij e tij, pasi një futbollist i “Çelsit” ishte dëbuar nga loja, po mbetej kështu më 9 lojtarë në fushë? Harronte i gjori se doktoresha u fut atje vetëm pas rekomandimit të gjyqtarit të ndeshjes.
Kaq i madh ishte zemërimi i Murinjos, që, kush e di, në ato çaste mbase e përfytyronte veten si Akili që kur pa mikun e tij, Patroklin, të vrarë trojanët, për hakmarrje ai vrau Hektorin dhe kufomën e tij e tërhoqi zvarrë, sa vendosi që ta pezullonte të mirakandshmen Eva. Nuk ngjalli kështu veçse habinë dhe indinjatën e opinionit sportiv, të shoqatave të grave dhe të drejtuesve të Federatës Angleze të Futbollit për seksizëm, pra përçmim dhe përbuzje ndaj seksit femëror.
Çuditërisht bosi i “Çelsit”, Abramovixc, nuk e pa të arsyeshme t’i dilte në mbrojtje doktoreshës Eva Karneiro, e cila më 22 shtator deklaroi se largohej një herë e përgjithmonë nga kjo skuadër. Siç dukej, që të mos trazonte ujërat që vorbullonin mërishëm poshtë rrogozit…
Nuk jam supersticioz, por, siç u shkrua atëherë gjerë e gjatë rreth këtij skandali, që nga ajo ditë Murinjon zunë dhe e ndoqën ndoqën pas prapësitë që përmenda më sipër.
Dhe tani pritet të mos ndodhë më e keqja, që varet në fije të perit nga përfundimi i ndeshjes së të shtunës në stadiumin ”Stramford Brixh” të Londrës me Liverpulin. Ndeshje “e qederosur”, po të kemi parasysh se të kuqtë liverpulas, të prirë prej tri javësh nga Klopi, ish-trajner i Borusias së Dortmundit, kanë futur në arkivin e tyre vetëm tri barazime në tri ndeshje. Dhe, duke e ditur se ndodhen para një “bishe të plagosur”, do të mësyjnë që ta godasin në ballë e ta vidhosin për tokë, ashtu si toreadorët vidhosin demat në garat e korridave.
“Mirë që na ngordhi gomari, por tani nuk na lenë rehat as mizat!?”,- thotë një fjalë e urtë popullore. Dhe në këta rast janë gazetarët ata që nuk po e lënë rehat Murinjon. Kësisoj i kanë përgatitur “nekrologjinë” skuadrës së tij dhe atij vetë. Bash si gazetar Vurkoja i komedisë së njohur “Pas vdekjes” të Çajupit tonë, që para se të linin këtë botë u bënte nekrologji njerëzve me nam, midis të cilëve edhe mësonjëses Lulushe, aq të lezetshme, për të cilën i dridhej zemra, dhe mjekut Adhamut, i shëmtuar, që këshillonte se nëse të dhëmb një sy, kërre tjetrin që të shërohesh(!?)
Shumë syresh e mbiquajnë Murinjon jo “special njësh”, por “antipatik njësh”, dhe e cilësojnë jo vetëm arrogant, pa tertip, e namuz, por edhe mendjemadh. Dhe në këtë pikë, të kam rixhanë, kanë edhe më shumë hak. Po si mundet që ai në konferencën e shtypit pas humbjes me “Sauthhemptonin”, ( 1-3) të thoshte për veten e tij: ”Mua le të më shkarkojnë, por duhet ta dinë se shkarkojnë trajnerin më të mirë që ka pasur ndonjëherë “Çelsi?!”
Nuk dua të zgjatem për të rrahur e shoshitur këtë thënie kaq bajate, por dua të kujtoj shkurt ato që kam shtjelluar në një shkrim të gjatë, botuar kohë më parë në faqet e kësaj gazete, me titull: ”Fitojnë trajnerët apo skuadrat?”, ku jam ndalur dhe të bëmat e Murinjos. Për mendimin tim, ai është dhe mbetet trajner që ka pasur sukses vetëm me lojtarë të huaj që i ka blerë me qindra milionat e eurove të presidentëve padronë të tij, Abramoviçit të “Çelsit”, Moratit të “Interit” dhe Perezit të “Real” Madridit. Pa ta ai mbetet trajner i zakonshëm, madje që me “Çelsin” nuk ka arritur deri tani të fitojë Ligën e Kampionëve, si modesti italian di Mateo më 2012 ose izraeliti Grant që e çoi këtë skuadër më 2008 deri në finale të kësaj kupe.
Edhe sikur të shkarkohet nga ”Çelsi” dhe të shkojë, siç përflitet te skuadra franceze PSG, te “Monako”, ose të rikthehet te “Interi”, Murinjo këtë do të kërkojë nga presidentët e tyre: Para, shumë, shumë para, për të blerë lojtarë nga më të mirët në botë. Rrugë tjetër nuk ka për të.
Në mbyllje të kthehemi te historia e menaxherit të asaj argjendarie në Boston, këtu e një shekull e kusur më parë, që u kërcënua nga pronari se po të mos e gjendte atë…çelësin, ai do ta flakte si limon të shtrydhur…. Menaxheri hundëpërjetë bëri, ç’bëri dhe e gjeti çelësin me të cilin hapi kasafortën dhe nxori xhevahiret mbi të cilat zunë e punonin argjendarët. E shpëtoi kështu lëkurën, uli kryet dhe u bë i urtë dhe i butë si kadife.
Po Murinjo ynë, a do të mund deri të shtunën të gjejë “çelësin” që i ka humbur që kështu ta përdorë për të hapur “kasafortën” ku ruhen të fshehtat e “Liverpulit” dhe kësisoj të shpëtojë veten nga halli i madh që i ka rënë në kokë?
Apo Abramoviçi, edhe sikur ai të humbë sërishmi, do ta lërë të vazhdojë punën, se duhet sipas kontratës që mbyllet më 2018 t’i paguajë Murinjos plot 40 milionë euro dhe ky i fundit kështu do të tundë peshqirin me kaq para që i mjaftojnë atij fëmijëve dhe nipave e stërnipave për plot e plot vjet, pa lëvizur as edhe gishtin e vogël! Shumë e koklavitur kjo mesele!