2015/10/29

Kodi nazist Enigma dhe zbulimi nga gjeniu Alan Turing

Kodi nazist Enigma dhe zbulimi nga gjeniu Alan Turing
Jo shumë njerëz sot e njohin Alan Turing. Por deshifrimi i kodit Enigma të Gjermanisë naziste nga matematicieni anglez ndihmoi në përfundimin më të shpejtë të Luftës së Dytë Botërore dhe shpëtoi miliona jetë njerëzish. Alan Turing ishte gjithashtu i pari që krijoi një prototip kompjuteri të cilin e përdori për të zgjidhur kodin. Për dekada, këto kontribute të çmuara të luftës u mbajtën jashtë librave të shkollave dhe deshifrimi i Enigmës mbeti sekret deri në vitet 1970. Alan Turing dhe arritjet e tij duket se u lanë në harresë për shkak të një dënimi të tij në vitin 1952 pse ishte homoseksual. Por me filmin e famshëm të regjisorit Mortem Tyldum “The Imitation Game” Alen Turing u rikthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, 60 vjet pas vdekjes së tij.
Në vitin 2013 pionieri i kompjuterëve dhe thyesi i kodeve Alan Turing mori një falje mbretërore pas vdekjes, një veprim që synon të kërkojë ndjesë për trajtimin që shteti i Britanisë së Madhe i dha heroit të vet të heshtur dhe gjeniut të makinave vetëllogaritëse.
Falja u dha për dënimin e tij në vitin 1952 për homoseksualitet, për të cilin ai u dënua me kastrim kimik. Dënimi bëri që ai të humbiste miratimin për të vijuar për të punuar për qeverinë në seksionin e thyerjes së kodeve, punë që gjatë Luftës së Dytë Botërore, pati një rëndësi vendimtare për forcat aleate.
Falja u dha nga një Prerogativë Mbretërore Mëshire pas një kërkese nga ministri i Drejtësisë në vitin 2013, Kris Grejling (Chris Grayling).
“Dr Alan Turing qe një njeri i jashtëzakonshëm me një mendje brilante”, pati deklaruar ish-ministri Grejling. Ai tha se kërkimi i kryer nga Turing gjatë luftës në parkun Bletçej pa dyshim e shkurtoi konfliktin dhe shpëtoi mijëra jetë.
Turing vdiq në qershor 1952 nga helmimi me cianid dhe një hetim vendosi që ai kishte kryer vetëvrasje. Gjithsesi, biografët, miqtë dhe studentët e tij janë duke debatuar këtë konkluzion dhe sugjerojnë se vdekja e tij qe një aksident.
Shumë njerëz kanë bërë fushatë përgjatë viteve për të fituar falje mbretërore për Turing.
Turing vlerësohet edhe si një nga themeluesit e kompjuterëve modernë me punën e tij në matematikën e aplikuar dhe në krijimin e logaritmeve që përbëjnë bazën e çdo kompjuteri që përdoret sot në botë.

No comments:

Post a Comment

Konfirmohet aktakuza ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

NGA FLORI BRUQI   Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët n...