2015-10-02

Eruditizmi letrar në librat e shkrimtarit Skender Temali

Përgatiti:Flori Bruqi



Skënder Temali lindi në Shkodër më 30 korrik 1946, në një familje të vjetër shkodrane. Ka kryer Universitetin "Luigj Gurakuqi", në degën gjuhë shqipe-letërsi dhe për 15 vjet (1966-1981) punoi gazetar në Radio Shkodra, revistën "10 korriku" e gazetën "Jeta e re", ku ka transmetuar e botuar me qindra artikuj problemorë, reportazhe letrare, përshkrime, portrete, skica, etj.


Skender temali.jpg


Prej një çerek shekulli, drejtues e mësues në shkolla të mesme të vendlindjes së tij, ku prej 20 vitesh e aktualisht jep lëndën e gjuhës shqipe e letërsisë në shkollën teknike 5-vjeçare pyjore të Shkodrës.

0409

Ka botuar cikle poetike e tregime që gjimnazist në almanakët letrarë “Shkodra”, në shtypin letrar të kohës “Zëri i rinisë”, “Drita”, “Nëntori” e revistat për fëmijë. Disa nga këto krijime kanë zënë vend edhe në botime të zgjedhura dhe janë vlerësuar me çmime lokale e kombëtare.


08

Në vitin 2001, në konkursin e 7-të ndërkombëtar, të shpallur nga shoqata e artistëve dhe shkrimtarëve "Cristalide" në Padova të Italisë, mes 462 shkrimtarëve nga Italia e shumë shtete të botës, ai u nderua me çmimin special të jurisë, me tregimin "Këpucët e turpit".



01



Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që nga viti 1967 si dhe Ambasador i Paqes e anëtar i Komitetit Drejtues të Federatës Ndërkombëtare të Paqes.





Është autor i disa librave. Njihet edhe si redaktor i dhjetra librave artistikë të shkrimtarëve të rinj.

Botime më vete:

1) Këngë cigane (vjersha e poema) -Viti 1971

2) Kjo ndodhi në Lis (roman) -Viti 1982

3) Ballo në mbrëmjen e maturës (novela) -Viti 2001

4) Ishte një lajthishte (poemë për fëmijë) -Viti 2001

5) Këpucët e turpit (tregime) -Viti 2002

6) Nesër do të them mirëmëngjes (novelë) -Viti 2002

7) Studentja e Bolonjes (novelë) – Viti 2004

8) Gjuha shqipe (tekst alternativ mësimor) me bashkëautor -Viti 2003.

9) Shtëpia pa pasqyra (tregime) – 2006

10) Askushi (roman, botuar në Maqedoni) – 2006

11) Tre shokët (vjersha e poema për fëmijë) - 2007

12) Lirika të hershme dhe të vona – (2010)

13)Dy gjuhë një libër - përzgjedhje autorësh shqiptarë dhe malazezë, pasqyruar në dy vëllime (prozë dhe poezi),2011

14)Kur vuaj, shkruaj - poezi(2012)

15)Curriculum Vitae - poezi(2013)

16)Stina e divorceve - novelë(2014)

Etj.


33







Enti Poligrafik “Gjergj Fishta” në Lezhë botoi novelën më të re të shkrimtarit Skender Temali me titull “Stina e divorceve”, për të cilën biblioteka “Marin Barleti” e qytetit të Shkodrës në bashkëpunim me klubin e shkrimtarëve Shkodër, në kuadrin e veprimtarive kushtuar Ditës Botërore të Librit, organizuan promovimin e këtij vëllimi.

Ashtu si dhe tek novelat e mëparshme "Ballo në mbrëmjen e maturës", “Nesër do të them mirëmëngjes” dhe “Studentja e Bolonjës” autori i drejtohet jetës së rinisë në ditët e sotme. Megi dhe Didi, dy vajza të ditëve tona, me një botë shpirtërore të pasur, dijnë që vetë t’u bëjnë ballë sfidave të jetës dhe po vetë të mbrojnë dinjitetin e personalitetin e tyre.

Lexoni:

http://issuu.com/skendertemali/docs/skender_temali_stina_e_divorceve



CURRICULUM VITAE -POEZI

Vëllimi i ri poetik i Skënder Temalit, cili për nga mesazhet që përcjell e vlerat artistike që mbart, duket sikur është vazhdim i librit të mëparshëm me motive filozofike “Kur vuaj, shkruaj” dhe përkon me 50-vjetorin që ai boton krijime në shtypin letrar të kohës. Edhe pse një pjesë e krijimeve të vëllimit janë rrugëtimi poetik i autorit i shprehur në marrëdhëniet e tij shoqërore e familjare, përthyhen me ngjarje reale të kohës. Këto poezi janë shkruar në dimër-pranverën e vitit 2013. Drejt tyre ka shtegtuar edhe ndonjë poezi e botuar më parë, për të gjetur strehë këtu. Qëllimisht autori ua ka hapur derën, pasi pa to, siç është shprehur në parathënie, nuk skicohesha siç doja as unë e as koha që jetoj.

Lexoni:

http://www.skendertemali.com/index.phpoption=com_flippingbook&view=book&id=8&page=1&Itemid=115


KUR VUAJ, SHKRUAJ...


Ndryshe nga vëllimet e tjera poetike të këtij autori, ai ndahet në tre pjesë.
Për herë të parë ai lëvron poezinë me motive filozofike, përmes të cilave u qaset ideve të ndryshme, përcjell mesazhe dhe i lë hapësirë edhe lexuesit për interpretime të ndryshme nga çfarë ai i ka ofruar.
Me interes janë gjithashtu edhe ciklet "Motivet e Jugut" dhe "Përkushtime".

Vëllimi është botim i shtëpisë botuese “Rozafat” në Shkodër. 2012.


Lexoni:

http://www.skendertemali.com/index.phpoption=com_flippingbook&view=book&id=6%3Akur-vuaj-shkruaj&catid=1%3Akrijimtaria-e-shkrimtarit-skender-temali&Itemid=74






“LIRIKA TË HERSHME DHE TË VONA”


Në këtë libër autori ka përmbledhur poezi të shkruara në afro gjysmë shekulli. Ashtu siç thotë dhe në parathënie, ka përfshirë ato poezi që ka pasur më për zemër, duke u thënë lamtumirë shumë të tjerave.

Vëllimi është i ndarë në ciklin e lirikave, të motiveve kosovare, të baladave dhe të poemës “Unë, Ballkani dhe Europa”, e cila e mbyll edhe vëllimin e 12-të të shkrimtarit.

Në këtë libër të ri spikat çiltërsia e ndjenjës, mendimi i pjekur e shpesh edhe meditativ e filozofik, çka shpreh edhe shkallëzimin e pjekurisë artistike të poetit Skender Temali.

Vëllimi është botim i shtëpisë botuese “Rozafat” në Shkodër.

Lexoni:

http://www.skendertemali.com/index.phpoption=com_flippingbook&view=book&id=1%3Alirika-te-hershme-dhe-te-vona&catid=1%3Akrijimtaria-e-shkrimtarit-skender-temali&Itemid=74




TRE SHOKËT

Janë 7 vjersha dhe një poemë për fëmijë, botuar në vëllimin "Tre shokët", që ka për redaktor shkrimtarin e mirënjohur për fëmijë Xhahid Bushati dhe për piktor-ilustrator, Piktorin e Merituar, Agim Faja.
Thuajse të gjitha poezitë kanë subjekt dhe kjo rrit interesimin e fëmijëve për t'i lexuar. Gjuha e tyre është e thjeshtë, e kapshme për parashkollorët dhe vargu i rimuar e i rrjedhshëm shijohet menjëherë pre tyre. Një kopësht fëmijësh në Shkodër e ka mësuar përmendësh këtë vëllim, ndërsa Flaka Zhaveli nga Gjakova, që është protagoniste e poezisë "Mirënjohje", me këtë poezi ka fituar çmim të parë si recituese në konkursin kombëtar të vitit të parë të lirisë në Kosovë.
Veç kënaqësisë estetike, poezitë dhe sidomos poema përcjellin edhe mjaft mesazhe edukative.
Libri është botuar nga shtëpia botuese "Camaj-Pipa" në Shkodër, në vitin 2007.

Lexoni:

http://www.skendertemali.com/index.php?option=com_flippingbook&view=book&id=2%3A3-shoket&catid=1%3Akrijimtaria-e-shkrimtarit-skender-temali&Itemid=74




"ASKUSHI", ROMAN I RRUGËS SË LIRISË SË INDIVIDIT


Romani "Askushi" i Skender Temalit, i veçantë në llojin e tij, përmes personazheve të skalitur, sjell të djeshmen në agoninë e saj, ku e drejta e individit ishte nën thundrën e dhunës. Diktatura kishte tjetërsuar shumë nga tiparet e njeriut.

Autori e njeh mirë kohën për të cilën shkruan. Personazhet e romanit janë realë, të ngjan se diku i ke takuar dje, ata nuk janë të stisur, por pjesë e një realiteti tronditës.

Faqe pas faqeje lexuesi futen në vorbullën e ngjarjeve të fundit të viteve ‚80 të shekullit të kaluar. Shpesh herë kjo jetë e dhënë me dritë-hijet e saj, të rrëmben, bëhesh pjesë e rrjedhës së kohës, jeton me shqetësimet, ëndërrat e dramat e njerëzve.


Trajtimi që autori i bën lirisë së individit mbase përbën një nga vlerat kryesore të këtij romani, madje ai mund të quhet pa droje roman i luftës për liri e të drejta njerëzore. Këtë autori S.Temali e bën thjeshtë, pa rënë në deklaratizëm apo prozë të thatë, më tepër duke zbërthyer konstruksionin shpirtëror të Cen Shkrelit, i cili mbart edhe tragjizmin, edhe lirizmin, edhe shpresën për një jetë më të mirë, pa diktaturë e pa diktatorë.

Gjuha e romanit është e punuar, e pasur me me frazeologjizma, çka ia shton më shumë vlerat romanit. Ajo ndihmon shumë në individualizimin e personazheve.

Romani është botuar nga shtëpia botuese "Idriz Seferi" në Maqedoni, 2006.

http://www.skendertemali.com/index.phpoption=com_flippingbook&view=book&id=3%3Aaskushi&catid=1%3Akrijimtaria-e-shkrimtarit-skender-temali&Itemid=74



GJUHA SHQIPE

Është një nga tekstet e para të gjuhës shqipe të futura në shkollat e mesme të Shqipërisë (mos qoftë krejt i pari), me miratim të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, në tetor të vitit 2002, i destinuar si tekst eksperimental për shkollën e mesme pyjore të Shkodrës.

Përmes 68 temave mësimore, dy bashkëautorët, Mimoza Gjokutaj dhe Skender Temali kanë harmonizuar tema të gjuhës shqipe me ato të kuminikimit e të letërsisë. Ky botim paraqitet si një alternativë për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e mesme profesionale. Teksti, krahas koncepteve që lidhen me gjuhën, përfshin edhe shumë veprimtari praktike, të cilat vijnë në formën e një praktikumi.




STUDENTJA E BOLONJËS

Në vitin 2004, shkrimtari Skender Temali u paraqit para lexuesve me novelën "Studentja e Bolonjës", e cila ka për redaktor shkrimtarin e mirënjohur, Skender Drini.
Tema që trajton autori në këtë novelë është e marrë nga ditët tona dhe tregon odisenë e Ketit, një maturanteje që me të dashurin e saj Arsenin, do të kaptojnë detin, ajo për të studiuar, ndërsa ai…Ai ka të tjera plane…I lidhur me qindra fije sa me mafiozë italianë e shqiptarë, ai do të arrijë ta hedhë Ketin në krahët e një bosi plak, zotit Karlo, Serzhios e të tjerëve. Në novelë, faqe pas faqeje shpalosen përpjekjet e jashtëzakonshme të Ketit për të mos rënë pre e joshjeve marramendëse të kapove bolonjezë dhe për të shpëtuar prej thonjve të tyre. Monologjet e brendshme të Ketit nuk ia ulin intensitetin aksionit e as e zbehin dramacitetin, por përkundrazi e lidhin me botën e brendshme të lexuesit duke shërbyer si një urë ku do të hedhë hapa të tjerë...


Lexoni:

http://www.skendertemali.com/index.phpoption=com_flippingbook&view=book&id=4%3Astudentja-e-bolonjes&catid=1%3Akrijimtaria-e-shkrimtarit-skender-temali&Itemid=74






"Shtëpia pa pasqyra" tregime




Në vëllimin me tregime “Shtëpia pa pasqyra” autori Skender Temali vijon sërish të trajtojë temën e preferuar të tij, atë të intelektualit dhe të shoqërisë shqiptare në këtë periudhë tranzicioni të pa cak. Një inxhinier dhe një shkrimtar, në tregimet “Metamorfoza” dhe “Ftesa”, tregojnë se si kushtet ekonomike dhe ato sociale ndikojnë në shprishjen e në ngritjen e konstruksionit shpirtëror të njeriut, në përgjithësi, dhe të intelektualit shqiptar, në veçanti.

Në tregimet e tjera, autori ka ardhur duke e zgjëruar rrethin tematik. Përmes tyre, sidomos tek tregimi “Shtëpia pa pasqyra” dhe “Muri” ai i thur hymne dashurisë së pastërt e të sinqertë.

Të shtatë tregimet shquhen për një sondim në botën e brendshme shpirtërore të personazheve, për dialogun ekspresiv dhe frymën e kohës që i karakterizon.

Libri me tregime “Shtëpia pa pasqyra” është botim i shtëpisë botuese “Shtjefni” në Shkodër. Ai ka për redaktor shkrimtarin Skender Drini.

Lexoni:

http://www.skendertemali.com/index.phpoption=com_flippingbook&view=book&id=5%3Ashtepia-pa-pasqyra&catid=1%3Akrijimtaria-e-shkrimtarit-skender-temali&Itemid=74







"Nesër do të them mirëmëngjes"

Ky vëllim, i cili është i gjashti për autorin, sjell para lexuesit me art e vërtetësi jetën e ditëve tona, zig-zaket e dy grupeve shoqërore:
të maturantëve të një shkolle dhe të disa vagabondëve që bëjnë rolin e të fortit e përpiqen ta mbajnë peng qytetin.

Duke qenë novelë e formës mozaik në pasqyrimin e këtyre realiteteve, autori ka dijtur të depërtojë në botën e brendshme shpirtërore të të rinjve; veprimet e Xuxit, kapobandës dhe të vajzave maturante e të mësuesit të tyre, i kanë dhënë dramacitet novelës, e bëjnë të ndiqet me interes faqe pas faqeje.

Autori Skender Temali, tashmë i njohur për trajtimin e temave të ditës e sidomos të fatit të intelektualit shqiptar në këtë periudhë të vështirë tranzicioni, përmes kësaj novele ka arritur të hedhë më shumë dritë tek e ardhmja, e përfaqësuar nga një grup vajzash dhe mësuesi i tyre-shkrimtar.
Ata, kush më shumë e kush më pak, guxojnë t'i bëjnë sfidë grupit të vagabondëve, duke e prezantuar veten edhe si bij të së ardhmes.
Linja e dashurisë, mes Odetës dhe Fisnikut, edhe pse fluide, është shpresë e dashuri më tepër për të nesërmen.

Libri "Nesër do të them mirëmëngjes" i shkrimtarit Skender Temali është botim i Shtëpisë Botuese "Shtjefni" në Shkodër dhe ka për redaktor Nikolla Spatharin.



KEPUCET E TURPIT

Në vitin 2002, Enti Botues Poligrafik "Gjergj Fishta" boton vëllimin me tregime te Skender Temalit, "Këpucët e turpit", që ka për redaktor shkrimtarin dhe publicistin e mirënjohur, Nikolla Spathari.

Në këtë vëllim autori ka përfshirë 8 tregime, tematika e të cilëve fokuson jetën e përditshme shqiptare dhe në mënyrë të veçantë atë të rinisë e të intelektualit në udhëkryqet e jetës.

Titullin vëllimi e ka marrë nga tregimi me të njëjtin titull, me të cilin autori pat fituar çmimin special të jurisë në Konkursin e 7-të Ndërkombëtar të shoqatës së artistëve dhe shkrimtarëve "Cristalide" në Padova të Italisë, mes 462 shkrimtarëve nga Italia dhe shumë vende të botës. Juria e këtij konkursi për tregimin e "shkrimtarit Temali nga Shqipëria" është shprehur se "…ai është një tregim thesar për dy arsye themelore: thjeshtësinë e leksikut dhe dramën psikologjike". Ky tregim ka njohur disa botime brenda e jashtë vendit. Meqë ai është në formatin e tregimit-sintezë, po ua paraqesim:


******

KËPUCËT E TURPIT

-tregim-

Kqyr majtas. Kqyr edhe djathtas. I duket se ai që po vjen përballë e njeh. Përderisa e sheh si me vëmendje, me siguri që e njeh. Duhet ta ketë patur nxënës. Vërtetë ashtu ishte. Ai e përshëndeti. I tha mirëmëngjesi profesor.

Profesor zeza ecën edhe pak. Mandej një prapa ktheu. Tash duhet të jetë më i vëmendshëm. Po edhe më i shpejtë.

Ka hyrë në pazarin e qytetit dhe i afrohet tezgës ku shiten këpucë të përdorura dhe prap, sapo ishte bërë gati të vendoste t’i drejtohej shitësit e ta pyeste për këpucët me qafa e me pushin përbrenda, një tjetër përshëndetje. Dreq o punë ! Po aniçka. Do të bëjë edhe një xhiro të vogël deri tek kthesa e radios lokale e mandej patjetër që do të pyes shitësin për ato këpucë. I ka parë që dje dhe i kanë pëlqyer. “Firma Gabi, firma Gabi po gjithë qyteti po vishet me mallrat e tyre” - i kish thënë e shoqja dhe ai e dinte se nuk ishte taman-taman ashtu. Plot njerëz preferonin e vishnin rroba e këpucë të kushtueshme, tepër të kushtueshme, aq sa rroga mujore e tij.

Teksa po mirrte kthesen tek radioja dëgjoi që dikush e thirri. Njohu zërin e njërit prej redaktorëve të saj. Ndjeu një si turbullirë. Dreq o punë, edhe ky na duhej tani!

Polici i shërbimit e lejoi që të afrohej e të komunikonte tek dritarja. U kujtua që kishte bërë një shkrim dhe me siguri që redaktori i radios do t’i thoshte diçka për të. Mbase dhe ndonjë vërejtje. Mbase.. Po jo. Shkrimi ishte transmetuar dhe ai nuk e kishte dëgjuar nga që kishin plot një javë që dritat herë vinin e herë shkonin. E thërriti që të mirrte honorarin.

Hyri në radio me shpresën se së paku diçka do të përballonte me atë honorar.

- Pak, janë, profesor - i tha arkëtarja, - po më mirë se aspak. Sa për të blerë diçka tek Gabi, - desh të bënte humor ajo, kur diçka përbrenda i preku profesorit.

Tek Gabi...Po ec e afrohu tek Gabi, që shet këpucë përballë radios...Se të ishte ndryshe, për një fanellë apo një triko, do të vinte e shoqja...Po këpucët duhen provuar aty, se ndryshe shitësi nuk të njeh si ka futur të hollat në xhep...

Bën sikur e ka kuptuar humorin e arkëtares, hedh firmën pa e parë mirë se sa lekë ishin dhe si i ka futur ato në xhep mendon të shkojë diku në ndonjë si rrugë qorre e t’i numrojë. Po, jo, s’do ta bëjë një budallallëk të tillë e të tërheqë vëmendjen e ndonjë hajduti...

Më e mirë do të jetë të presë sa të dalin ata të redaksisë për të pirë kafenë dhe ai t’u afrohet këpucëve. Në fund të fundit le ta shohin, po të mos e shohin ata që e njohin...

Kështu bën. Rri si në skaj të rrugës, medemek se po lexon një artikull gazete. Dy-tre të rinj qeshen me të...

“Ej, xhaxho, je duke e lexuar për së mbrapshti...!”.

O Zot! Ku të futej nga turpi...Ata ikën me mendimin se ai nuk dinte të lexonte...Djersë i kullonin tek sheh me vërejte sa majtas-djathtas se mos e njohu kush...Por jo...Askush nuk e ka parë as e ka njohur...E ndofta të rinjtë që qeshën me të, këtë vit shkollor do t’i ketë studentë...

Ja, vjen edhe çasti i shumëpritur...redaktorët dalin duke u fjalosur e futen me disa bashkëpunëtorë në kafenë përballë...E si për fat të tij, një “Benz” frenon me të shpejtë, përplaset me një tjetër, po pa ndonjë dëm të madh, veçse gjithë ç’qenë erdhën e u mblodhën tej mizë lisi...Kaq desh...Mori zemër dhe iu afrua togut të këpucëve...

Shitësi e sheh...Është bërë edhe ai profesor në punën e tij...Prandaj dhe rrogën ia ka rritur pronari me dy mijë të reja në muaj...E kupton se karremi është hedhur...

“Hë, zotni!”.

Atij i ther fort në zemër! E din fort mirë se përderisa është këtu, nuk është zotëri. Se zotrinjtë nuk blejnë këtu. Për zotnitë është një dyqan përballë universitetit, edhe një në pijacë, edhe tek firma “Fishta”...

Po ky kodosh magjypi përse i flet kështu si ta ketë nën vehte?

“Sa kushtojnë, këto këpucët, zo...”?

Nuk ia qet goja fjalën “zotëri”, për magjypin...Po pa e nxjerrë mirë as fjalën e parë, shitësi e ka kuptuar mirë thelbin e gjithçkaje dhe si një artist ia ka sjellë sa çel e mbyll sytë këpucët e lakmuara...

“Merri, profesor, se i ke lirë falë, vetëm pesëqind lekë...”.

Shitësi nis të flasë me të madhe dhe ai e ndjen peshën e turpit. Është hera e parë që ble tek firma “Gabi”, kur e dinte fort mirë se ç’ishin ato rroba. Po s’kishte rrugë tjetër...E bija do të shkonte në gjimnaz dhe donte një palë këpucë...Po ato bënin sa gjysma e rrogës së tij...Pra ai dhe e shoqja do të vishen nga “Gabi”...E di fort mirë se ato këpucë i ka veshur disa herë një kolegu i tij në Vjenë, në Stokholm a Romë, pastaj i ka hedhur se ka dalë një model më i mirë...

“Më lirë, pak më lirë...” - sikur i mirret goja, si rëndom nxënësit në provim, duke iu lutur shitësit që t’ia ulë pak çmimin.

Magjypi e lot pjesën që i ka mbetur. Bën sikur i thotë se kaq dhe janë falas, mandej sikur don t’ia tërheqë, po profesori...Jo, duhet t’i marrë, se ndofta nesër vjen dhe i merr dikush tjetër...Tek e fundit këtë dimër e shtyn me to...Mandej sikur i sillet rruga...Përballë shefi i katedrës...Ai dhe e shoqja mbaheshin aman o zot!...Shpesh ai vishte rroba të jashtme, sidomos nga Italia ku kishte një baxhanakun e tij...S’dinte ku ta fuste vehten...Do ta gënjente...Do t’i thoshte se po blinte një palë këpucë për të punuar në kopësht...

Shefi i afrohet togut të këpucëve të firmës “Gabi” pa shikuar as majtas e as djathtas. Është i sigurt në çdo lëvizje, si çdo shef...Profesorit i kanë mbetur këpucët në duart që i dridheshin...Është i bindur se shefi nuk do ia hajë gënjeshtrën...

“More, po kam parë dje një palë këpucë me qafa, me push” - thotë sakaq shefi dhe shitësi pa një e pa dy ia merr profesorit dhe ia vë në duar shefit.

“Sapo i la ky zotniiiaaa - sikur u tall magjypi. - Urdhëro e merri.”

Shefi, s’kishte si ta shihte profesorin. Ai, si çdo shef, shihte mallin që do blinte, këpucët.

“Aq sa më the dje?!”.

“Aq. 500 lekë”.

“Epo, mirë!”

Shefi paguan, i merr këpucët dhe niset në punë të tij.

Nesër ai do të tregojë se i kishin ardhur nga baxhanaku i tij në Itali.







ISHTE NJE LAJTHISHTE

Po në vitin 2002, Enti Botues Poligrafik "Gjergj Fishta", do të botojë poemën për fëmijë të Skënder Temali, "Ishte një lajthishte", me ilustrime nga Brikena Berdo.

Me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për fëmijët, autori, përmes një subjekti sa interesant e aq tërheqës, i ka thyrur hymne dashurisë për nënën dhe për atdheun, si dy nga dashuritë më të patjetërsueshme për shqiptarin.



"BALLO NE MBRËMJEN E MATURËS"


Pas gati dy dekadash që nuk kishte publikuar asnjë libër, shkrimtari Skender Temali i jep lexuesit në vitin 2001 vëllimin me novela "Ballo në mbrëmjen e maturës".

Në 172 faqet e librit janë përfshirë tri novela: "Ballo në mbrëmjen e maturës", "S'kishte si të ndodhte ndryshe" dhe "Shkretëtira e shpirtit".

Në të tri novelat bie në sy përpjekja e shkrimtarit për të dhënë lëvizjet e kohës që jetojmë përmes lëvizjeve shpirtërore, pasurimit e varfërimit të botës së brendshme të njeriut, me tendencë-lirinë e individit.

Analiza psikologjike që shkrimtari i bën tek novela e parë "Ballo në mbrëmjen e maturës", Zhulit, tregon se shkrimtari ka arritur të depërtojë në botën e brendshme shpirtërore të një gruaje, e cila duke mbrojtur dashurinë e saj kërkon të mbrojë familjen. Ndonëse titulli duket se ka të bëjë me maturantët, në të vërtetë, në festën e pasprovimeve të tyre, provim ka dhënë ndërgjegja e bashkëshortit të Zhulit-kësaj mësuesje model morali, që tradhtitë e të shoqit i beson dhe s'i beson, i përjeton thellë deri në pejzat e shpirtit të saj të ndjeshëm. Më pas...lexojeni këtë novelë e dy të tjerat, me besimin se do të gjeni ngjarje e përjetime të ngjashme nga jeta juaj e përditshme.

Lexoni:

http://www.skendertemali.com/index.phpoption=com_flippingbook&view=book&id=7%3Aballo-ne-mbremjen-e-matures&catid=1%3Akrijimtaria-e-shkrimtarit-skender-temali&Itemid=74




KJO NDODHI NË LIS



Është romani i parë i shkrimtarit, i botuar në vitin 1982, nga shtëpia botuese "Naim Frashëri"-Tiranë, me redaktor shkrimtarin e mirënjohur, Dhimitër Xhuvani.

Ky roman, ka fokosur ngjarje të një rrethine të Shkodrës, vendlindja e autorit, në vitet e Luftës së II Botëërore. Rreth personazhit kryesor, ilegalit e më pas partizanit Nuri Martina, autori ka pranëvënë të tjerë personazhe, të ndarë preras në dy kampe: pushtues nazifashistë e bashkëpunëtorë të tyre dhe luftëtarë lirie. Ngjarjet shkojnë deri në ditët e para të pasçlirimit, ku zbulohet qartë edhe fytyra e tradhtisë.

Romani është botuar në një tirazh prej 10.000 kopjesh.





KËNGË CIGANE

Pasi kishte botuar disa cikle poetike tek faqja letrare e gazetës "Zëri i Rinisë", gazeta "Drita" e revista letrare "Nëntori", poeti Skender Temali prezantimin e parë me vëllimin me vjersha e poema "Këngë cigane" e bëri në vitin 1971, 40 vjet më parë, duke u renditur krahas me poetë të tjerë bashkëkohës që lanë gjurmë me botimet e tyre të para poetike. Vëllimi është botim i shtëpisë botuese "Naim Frashëri" në Tiranë dhe ka pasë për redaktor poetin Agim Shehu. Rreth tij janë botuar shkrime kritike në gazetën "Drita", "Jeta e re" dhe në Kosovë.
Poezitë dhe dy poemat shquhen për lirizëm spontan, origjinalitet e mendim. Rrethi tematik i tyre ka një diapazon të gjërë dhe e fut lexuesin në atmosferat jetike të kohës. Si rrallë në vëllimet e botuara asokohe, i ka shpëtuar syrit të çensurës poezia "Puthjet". Ka dy poezi për Kosovën, edhe këto të rralla në vëllimet poetike, njërën prej së cilës po e paraqesim:

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...