Prof.Dr.sc.Eshref Ymeri
Para pak ditësh lexova librin mjaft interesant të publicistit të
mirënjohur Xhevdet Shehu, me titull “Prapaskena”.
Sot, më 30 shtator, në gazetën “Dita”,
lexova edheletrën që Nexhmije Hoxha i drejtonteautorit të këti libri. Në librin
në fjalë shkruhet e zeza mbi të bardhë dhe del në pah fare shkoqur se Enver
Hoxha ishte duke përgatitur pasardhësin. Por pasardhës i denjë për mendësinë e Enver
Hoxhës, i cili në çdo hap shikonte vetëm armiq, nuk mund të ishte Mehmet Shehu.
Pasardhës duhej të ishte vetëm Ramiz Alia, njeriu pa “klorofil politik”, siç e
ka karakterizuar bukur fare Xhelil Gjoni. Sepse, sipas bindjes sime të
patundur, Enver Hoxhën, thellë në vetëdijen e tij, e kanë pasë munduar gjatë
komplekset e inferioritetit para Mehmet Shehut, i cili, megjithëse pjellë e
diktaturës komuniste, kishte një tjetër formim si burrë shteti dhe, siç del nga
libri i Xhevdet Shehut, tjetër këndvështrim për zhvillimin e vendit, me
orientim perëndimor. Ishin pikërisht komplekset e inferioritetit ato që e patën
torturuar Enver Hoxhën edhe para lules së inteligjencies shqiptare, të cilën,fill
pas luftës, ai e zhduku pa iu dridhur qerpiku. Sepse ajo kishte kulturë
universitare perëndimore, kurse Enver Hoxha s’qe i aftë të përfundonte ndonjë
universitet në Perëndim. Por Nexhmije Hoxha, në letrën që i drejton Xhevdet
Shehut, e anashkalon qëllimisht arsyen e vërtetë të shpërthimit tërbimtar të
Enver Hoxhës kundër Mehmet Shehur, fill pas ikjes së këtij të fundit për në
botën e përtejme. Si shpjegohet që deri natën duke u gdhirë 18 dhjetori i vitit
1981, Enver Hoxha nuk dinte gjë absolutisht për “poliagjentizmin” e Mehmet Shehut dhe menjëherë pas (vetë)vrasjes
së tij, ai na e shpalli poliagjent, pa i paraqitur opinionit publik asnjë fakt
konkret? Shpërthimi egërsor i Enver Hoxhës kundër Mehmet Shehut, dëshmonte fare
qartë se urrejtja mitike kundër këtij të fundit kishte kaluar një periudhë të
gjatë inkubacioni në qenien e Enver Hoxhës. Prandaj ai ka pasë pritur rastin më
të përshtatshëm për ta shfryrë atë urrejtje të ndërkryer, që është mjaft
karakteristike për monarkët e diktaturave më të egra. Madje nuk u mjaftua me
“vrasjen” e Mehmet Shehut në mbledhjen e Byrosë Politike, por iu turr edhe
kufomës së tij në varrezat e Sharrës dhe e degdisi diku në një humbëtirë të
Ndroqit. Kaq katastrofik na paskej qenë inati mizor i Enver Hoxhës kundër kryeministrit
Shehu dhe familjes së tij. Po kush na siguron që atë punën e fejesës së Skënder
Shehut me Silva Turdiun nuk e ka pasë kurdisur vetë Enver Hoxha me rrjetin e
tij, në mënyrë që të gjente një vjegë ku të kapej për t’ia zënë kokën me derë
Mehmet Shehut, siç edhe ia zuri konkretisht?
Në letrën e saj, Nexhmije Hoxha
deklaron:
“Nuk
është Enveri që vrau Mehmetin, por është Mehmeti që vrau Enverin”.
Kjo është një deklaratë absurde. Me këtë deklaratë, Nexhmije Hoxha
kërkon të fshehë gjurmët e krimit të Enver Hoxhës. Po a nuk ishte Enver Hoxha
ai që e vendosi Mehmet Shehun para “skuadrës së pushkatimit” në mbledhjen e
Byrosë Politike në pasditen e 17 dhjetorit 1981? A nuk ishte ai që ndërseu kundër
tij turmën servile të Byrosë Politike? Vallë a nuk ishte Enver Hoxha ai që
Mehmet Shehun e vrau për së gjalli atë pasdite ogurzezë?
Pas asaj pasditeje gjëmëndjellëse, ku
Byroja Politike, me yshtjen e Enver Hoxhës, kishte marrë përsipër rolin e
“skuadrës së pushkatimit” të Mehmet Shehut, ç’rëndësi ka që lexuesi të rri e të
përsiatë gjatë nëse ky i fundit ia hoqi vetes apo dikush tjetër ia shkrepi në
zemër me një pistoletë pa zhurmë. Sepse Enver Hoxha e pati vrarë Mehmet Shehun
që në atë mbledhje poshtëruese që pati organizuar kundër tij, në bashkëpunim të
ngushtë me konet e veta, anëtarët e Byrosë Politike. Dhe e vetmja arsye,
bindëse, sipas Enver Hoxhës, për poshtërimin e Mehmet Shehut në atëmbledhje të
Byrosë Politike, na paskej qenë fejesa e djalit të tij me Silva Turdiun, paçka
se babai i saj punonte profesor në universitet. Sigurisht që ajo fejesë shërbeu
thjesht si vjegë, pas së cilës Enver Hoxha u kap me thonj e me dhëmbë për
zhdukjen e Mehmet Shehut, me qëllim që drejt kryepushtetit t’i hapej drita
jeshile Ramiz Alisë, njeriut pa shtyllë kurrizore që doli para publikut me
deklaratën paradoksale, sipas së cilës Shqipëria nuk na qenkej as Lindje, as
Perëndim. Kjo është edhe arsyeja që Nexhmije Hoxha e anashkalon qëllimisht
motivin e vërtetë të zhdukjes së Mehmet Shehut prej Enver Hoxhës. Sepse pjellat
e diktaturave i tremben së vërtetës si djalli vetëtimës.
Tiranë,
30 shtator 2015
No comments:
Post a Comment