2017-08-16

Njohje me poezinë e re shqipe

Image result for Pantelis Boukalas

Nga Pandelis Bukalas, Kathimerini

Nëse arti është një nga ata pak emra kryesorë të një populli që përcaktojnë elementët e pasaportës së tij, arti i fjalës në veçanti, i kultivuar qoftë apo anonim, ndoshta mund të cilësohet si emri kryesor i tij, gjersa përbën një esencë të pasur përvojash, ndjenjash dhe perceptimesh. Letërsinë shqipe në prozë e identifikojmë, mbase në mënyrë përkufizuese, me shkrimet e Ismail Kadaresë, një sërë romanesh të të cilit janë përkthyer prej kohësh në greqisht. Kurse poezia shqipe është një vis i panjohur, i paeksploruar, ashtu si edhe gjuha shqipe; u bënë shumë vite qyshkur me mijëra shqiptarë mërguan në Greqi, jetojnë midis nesh, punojnë për ne, megjithatë gjuha e tyre vazhdon të mbetet e mbyllur, me një tingull të padëshirueshëm për veshët tanë – asnjë fjalë e saj, asnjë përshëndetje, nuk ka kaluar në gjuhën tonë.
U jam mirënjohës disa antologjive për ato pak, shumë pak gjëra që kam mësuar mbi poezinë shqipe, vargjet e parë të së cilës u shkruan në vitin 1592 nga prifti ortodoks Lekë Matrënga, në Sicili, ku, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, patën gjetur strehim një numër i madh shqiptarësh për t’i shpëtuar zemëratës otomane, kurse si stacion i rëndësishëm i saj vlerësohet viti 1836, kur De Rada, me disa vargje nga Pindari për epigraf, botoi «Këngët e Milosaos», ku, i frymëzuar nga lufta çlirimtare e grekëve, shpallte se «Erdhi dita e Arbërit, / doemos do vdesim / në shtrat, në mos rënçim / në prag të shtëpive tona». Për sa i përket poezisë popullore, një shije të mirë prej saj e jep vëllimi i vjetshëm «Dikush këndon përbri nesh: Antologji e poezisë popullore shqipe» (përkthyer nga Thoma Sterjo, me pasthënie të Ismail Kadaresë, shtëpia botuese «Roes», kurse poezia e minoritetit, me çastet e saj të mira e të këqija, zë vend në librat «Këngë popullore nga Epiri i Veriut» të Panajot S. Fotiot dhe Niko V. Litit (shtëpia botuese «Nefeli», 1995) dhe «Këngë popullore nga minoriteti grek» të Vasil Nikës (shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë, 1988). Një prezantim shumë të mirë me poezinë e kultivuar shqipe na e mundëson përmbledhja «Emos – Antologji e poezisë ballkanike» (botim i revistës «Anti», 2006), gjashtëdhjetë faqe të së cilës përmbajnë poezi nga poetët më të mëdhenj shqiptarë të shekujve XIX dhe XX (Jeronim De Rada, Naim Frashëri, Gjergj Fishta - që e kishte Palamasin poet të dashur, Fan Noli, Lasgush Poradeci – përkthyes i Majakovskit, Migjeni, Martin Camaj – vepra e të cilit ishte ndaluar deri në vitin 1990, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu) në përkthimin e Andrea Zarballait, Pano Çukës dhe Thoma Sterjos.
Nëse vëllimi «Emos» përbënte «letrën rekomanduese» të themeluesve të poezisë shqipe, «Antologjia e poezisë bashkëkohore shqipe», e hartuar nga poeti Romeo Çollaku, është një njohje, qoftë edhe e shpejtë, me peisazhet e letërsisë së sotme të këtij vendi. Janë përzgjedhur, pra, me nga katër poezi secili, shtatëmbëdhjetë poetë, që janë lindur pas vitit 1964 dhe u shfaqën në skenën letrare pas vitit 1990. Dymbëdhjetë prej tyre janë burra (Arben Dedja, Arian Leka, Virion Graçi, Agron Tufa, Çelo Hoxha, Idlir Azizi, Ilir Belliu, Parid Teferiçi, Gentian Çoçoli, Romeo Çollaku, Alket Çani, Ervin Hatibi) dhe pesë gra (Luljeta Lleshanaku, Olimbi Velaj, Lindita Arapi, Linditë Ahmeti, Ledia Dushi). Shumë prej tyre kanë dhënë edhe vepër përkthimore, duke shqipëruar poetë të huaj, ndër të cilët edhe grekë (Seferis, Elitis, Ricos, por edhe Safo, poezi të së cilës ka përkthyer Linditë Ahmeti, që u lind në Prizren të Kosovës dhe jeton në Shkup, ku edhe ka studiuar greqishte të vjetër dhe latinisht).
Që të qëndrojmë tek një tipar (jo edhe aq) i jashtëm i poetëve të përzgjedhur, shumë prej tyre, jo vetëm kanë studiuar në vende të tjera, por ose e kanë kaluar një pjesë të jetës jashtë Shqipërisë ose vazhdojnë të jenë të vendosur në Itali, Angli, Bullgari, SH.B.A, Francë e Greqi, ku jeton autori i antologjisë, Romeo Çollaku, i cili, me punën e tij, vepron si mbartës me drejtim të dyfishtë, si hallkë lidhëse.
Megjithatë, në ndryshim me prozën e re shqipe, tek poezitë e përzgjedhura nuk spikatin gjurmë të shumta nga mërgimi vetjak apo ai masiv, që karakterizon Shqipërinë pas periudhës së Enver Hoxhës, dhe, në qoftë se jo e vetmja, padyshim referenca më e qartë mbi këtë temë shfaqet tek vargjet e mëposhtëm të Lindita Ahmetit: «vuajtja / është asimetria / në fytyrat e rregullta / të shqiptarëve të heshtur / të cilët i dalloj së largu / edhe pa i njohur / e i përshëndes në njërin / nga qytetet simetrike të europës». Nuk vihen re referenca retrospektive (qëndrime kritikë, satirikë, përçmues apo të tjetërllojshëm) mbi fatin e vendit nën sundimin e Hoxhës, kur dogma despotike e realizmit socialist kishte sjellë ose prodhimin masiv të vargjeve që ngrinin kultin e udhëheqësit (midis tyre edhe disa këngë «neopopullore» të pakicës greke, «këngë popullore për ndërtimin e socializmit», siç janë emërtuar në vëllimin e sipërpërmendur «Këngë popullore nga minoriteti grek», ku na bien në sy vargjet «Gjithë gëzim e gjithë hare / dorë për dore zënë / shkojmë përpara ku na prin / Enveri, Partia nënë» ose autocensurën dhe heshtjen ose protestën e tërthortë nëpërmjet vargjeve alegorikë. «Partia», thotë me hidhërim Romeo Çollaku në parathënie, «duke hedhur një nga një në erë të gjitha urat e komunikimit me botën e jashtme, i kishte prerë rrugën depërtimit në Shqipëri të gjithë atyre librave që do të dëmtonin interesat e saj, kryesisht poezisë bashkëkohore, e cila, për shijet e instrumenteve të censurës – e, në mënyrë të veçantë, për qëllimet e saj – ishte tepër e errët. Nga ana tjetër, ishte ndaluar qarkullimi i një pjese të madhe të letërsisë tradicionale shqiptare. Kështu, të veçuar sa nga rrymat europiane po aq edhe nga tradita, shumë letrarë të asaj kohe, donin s’donin, thurnin vargje të lumtur për udhëheqësin, për Partinë, për fitoret e vazhdueshme të socializmit dhe për të rinjtë që njiheshin vetëm në fabrika apo në fushat me grurë».
E çliruar nga regjimi mbytës, i cili e pat izoluar jashtë kontinentit të letrave europiane, poezia shqipe mëton të përshkojë sot distanca që nuk u përshkuan në kohën e tyre dhe në mënyrë fiziologjike. Duke iu gëzuar pikërisht lirisë së formës dhe asaj të përmbajtjes, si dhe duke synuar të rilidhet me botën e jashtme, duket se ajo nuk i ka për zemër «temat e mëdha», «ndjenjat e mëdha», qëndrimet gjëmimtare, dhe u bën bisht fjalëve të mëdha që, në kësi rastesh, lindin pothuajse detyrimisht. Ajo i bën bisht gjithashtu vetës së parë shumës, që u plagos keqazi gjatë diktaturës, dhe zgjedh vetën e parë njëjës duke rrëfyer zëulët sekuenca shpirtërore dhe jo duke sajuar ilustrime të gjera. Pjesa më e madhe e poetëve të përzgjedhur ndodhet ende ca më parë a ca më pas se gjysma e rrugës dhe nuk është çudi që poezia e tyre nuk e ka atë saktësinë e etërve. Sidoqoftë, si një gjest prezantues me një gjuhë të panjohur poetike dhe paçka se katër poezi nuk janë të mjaftueshme për të krijuar një ide të saktë mbi një shkrimtar, Antologjia e Romeo Çollakut i shërben me modesti qëllimit të saj. Veç gjithë të tjerave, na detyron të lëmë mënjanë stereotipet tona të dashura që ushqejmë për fqinjët dhe bashkëqytetarët tanë, për «vagabondët».

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...