Kush do të marshonte me presidentin amerikan Donald Trumpin në një luftë të mundshme me Korenë Veriore?
Por frika nga shkallëzimi i situatës mbetet: Edhe nëse Koreja e Veriut godet në afërsi, presidenti amerikan mund të ndjehet i provokuar e të reagojë si edhe u shpreh me “zjarr e zemërim”. Por mund të ndodhë që raketa koreanoveriore pa dashur të godasë ujërat territoriale amerikane. Ajo që dihet është, nëse fillon një luftë në Gadishullin Korean, kjo do të prekë të gjithë bashkësinë ndërkombëtare.
Janë të detyruara shtetet e NATO-s për të ofruar ndihmë në kuadër të aleancës?
Për anëtarët e aleancës vlen parimi: Nëse kryhet një sulm i armatosur ndaj një aleati, ky shihet si sulm ndaj të gjithëve. Këtë e kërkon neni 5 i Marrëveshjes së Aleancës së Atlantikut Verior. Por neni 6 e kufizon këtë, vetëm për sulme ndaj territorit shtetëror të një shteti europian, atlantikoverior të NATO-s, apo “ndaj një ishulli ku njëra palë ka të drejtat territoriale në zonën atlantikoveriore e në veri të tropikut të gaforres (Tropiku i Veriut, shën.red.”
Kjo klauzolë e përjashton ishullin Guam që ndodhet shumë më tepër në jug. Megjithatë nga qarqet e NATO-s bëhet e ditur, se aleatët nuk ndjehen të kufizuar nga kjo klauzolë dhe se do të mbështesin SHBA-të.
Si do të ofrohej mbështetja?
Mbështetje në kuadër të NATO-s nuk do të thotë, se aleatët do të dërgojnë të gjithë anije luftarake në drejtim të Paqësorit Jugor, në rast se Guami sulmohet. Politologu Matthias Dembinski nga Fondacioni i Hesenit për Studimet e Paqes dhe Konflikteve, thotë se megjithatë „ato e peshojnë vetë, se si do ta ofrojnë këtë mbështetje.” Me vështrim nga Gjermania, politologu thotë, se „ne do të ofronim ndihmë diplomatike, solidaritet, por jo ndihmë ushtarake.”
Po Britania e Madhe?
Qeveria në Londër prej kohësh zhvillon me SHBA një „marrëdhënie speciale”, një partneritet të veçantë, që ka bërë që trupat britanike të nisen bashkë për luftë me trupat amerikane, si në vitin 2001 në krah të presidentit Bush, kur nisi lufta e Irakut. Megjithatë Dembinski nuk beson se Britania e Madhe do t’i dilte krah SHBA-së nëse sulmohet Guami. Ky vend nuk është më në këtë rajon prezent si më parë nga ana e politikës së sigurisë, thotë eksperti.
Kush mund ta mbështeste SHBA ushtarakisht?
Megjithëse sulmi koreanoverior ndaj Guamit është hipotetik, Australia siguroi ndërkohë Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e saj. Kryeministri Malcolm Turnbull u shpreh se këtë e parasheh si të detyrueshëm Pakti i Sigurisë së Paqësorit, ANZUS. Në të vërtetë në marrëveshje nuk shënohet ndonjë detyrim, por konsultim. Megjithatë Australia i ka mbështetur SHBA-të, si në luftën e Koresë ashtu edhe të Vietnamit me një numër të madh trupash.
Po ashtu ushtarakisht do të merrte pjesë edhe Koreja e Jugut, që në rast sulmi nga ana e Koresë së Veriut do të ishte më e prekura. Në rajon edhe Japonia qëndron krah Shteteve të Bashkuara. Por pritet që japonezët të mos angazhohen shumë ushtarakisht, sepse kushtetuta pacifiste është mjaft e kufizuar për sulmet ushtarake. Edhe popullsia japoneze është mjaft skeptike ndaj opsionit ushtarak.
Sa realist është skenari i luftës mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së?
Politologu Dembinski pret që të mos shtrohet çështja e opcionit ushtarak. Vetëm numri i viktimave të luftës në gadishullin korean do të ishte aq i madh, saqë të dyja palët kanë një interes themeltar që ta mënjanojnë përplasjen ushtarake. Sipas tij, ky konflikt „po ngre flluska më shumë se duhet”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se deklarata e tij për Korenë Veriore se “do të përballet me zjarr dhe tërbim” nëse e kërcënon SHBA-në, nuk ka qenë “mjaftueshëm e ashpër”.
Duke biseduar me gazetarët, derisa është në pushime në Nju Xhërsi, Trump ka thënë, se derisa ai është në gjendje për të negociuar, Penjani, duhet të jetë “jashtëzakonisht i shqetësuar”, nëse tenton t’i bëjë diçka SHBA-së.
“Koreja Veriore bën mirë që të vetëkontrollohet, ose do të jetë në telashe, ashtu si shumë pak vende kanë mundur të jenë ndonjëherë”, ka thënë Trump.
Koreja Veriore, ka thënë se ka kompletuar planin, ashtu që gjatë mesit të muajit gusht, të jetë e gatshme për nisjen e raketave me rreze të mesme afër territorit Guam, i cili është territor i ushtrisë amerikane në Oqeanin Paqësor.
Trump ka thënë se lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un, “ ka treguar mosrespekt të madh për vendin tonë. Ai ka thënë gjëra të tmerrshme”.
“Hajde ta shohim se çka do të bëjë në Guam”, ka thënë Trump.
“Nëse ndodh diçka atje, Korenë Veriore e pret diçka që bota nuk ka parë më herët”, ka thënë ndër të tjera ai.
Pak kohë pas deklaratave të presidentit Trump, ka folur edhe Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Jim Mattis, duke thënë se vendi është i gatshëm për përballje me Korenë Veriore, mirëpo Uashingtoni preferon të zgjidh problemet përmes negociatave sepse çdo luftë do të ishte “katastrofike”.
"Ne jemi gati. Me armë të mbushura dhe të drejtuara"., ishte deklarata më e fundit e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump pas kërcënimeve të regjimit korean se do të godisnin ishullin e Guamit, një territor amerikan në oqeanin Paqësor.
Presidenti Donald Trump tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut do të “pendohet shpejt” nëse kërcënon ose vepron kundër Guamit, apo ndonjë territori tjetër të Shteteve të Bashkuara apo aleat.
Në komentet e bëra të premten pasdite në Bedminster të Nju Xhersit, Presidenti Trump tha se dhjetëra miliona amerikanë mbështesin qëndrimin e tij të ashpër ndaj kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut.
Pas disa ditë kërcënimesh të ashpra ndaj Koresë së Veriut, Presidenti Trump ia drejtoi paralajmërimin e tij të premten udhëheqësit të vendit komunist, Kim Jong Un.
Më herët të premten, Presidenti komentoi në Twitter se "zgjidhjet ushtarake janë tani plotësisht gati," nëse regjimi i Kim Jong Un-it "bën veprime të pamatura".
NJë ditë më parë ai tha se mesazhi i tij për udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un, mund të mos kishte qënë i fuqishëm sa duhet.
"Ajo që kanë bërë dhe që janë lejuar të bëjnë është tragjedi dhe nuk mund të lejohet."
Zoti Trump iu përgjigj njoftimeve të Koresë së Veriut se ajo ka plane për të hedhur raketa pranë ishullit Guam. Guami është strehë e një baze ajrore dhe e një instalimi detar amerikan me një personale ushtarak prej 7 mijë vetësh.
"Të shohim çdo të bëjë me Guamin. Nëse bën diçka, ajo që do t’i ndodhë Koresë së Veriut, do të jetë një ngjarje që askush nuk e ka parë ndonjëherë."
Shumë analistë, i kanë kritikuar deklaratat e presidentit Trump.
“Mendoj se gjuha e Presidentit Trump ishte acaruese. Është e njëjta gjuhë zjarrvënëse që jemi mësuar të dëgjojmë nga koreanoveriorët,” tha John DeLury i Universitetit Yonsei të Koresë së Jugut.
Por presidenti Trump thotë se diplomacia nuk ka funksionuar me Kim Jong Unin apo të atin e tij:
"Ata kanë negociuar për 25 vjet. Clinton bëri negociata. Ai ishte i dobët dhe i paefektshëm. Çfarë ndodhi me presidentin Bush, çfarë ndodhi me Obamën? Obama as që donte të fliste për këtë."
Presidenti nuk pranoi të specifikonte se cila do të jetë përgjigja e Shteteve të Bashkuara. Por në një konferencë për shtyp, ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë modernizuar arsenalin e tyre bërthamor për të siguruar që Amerika mbetet vendi më i fuqishëm bërthamor në botë. Ai tha gjithashtu se do të investohen miliarda dollarë për të rritur sistemin e mbrojtjes nga raketat dhe për të modernizuar më tej ushtrinë amerikane:
"Askush, përfshi Korenë e Veriut, nuk do të na kërcënojë ne për asgjë."
Ekspertët ushtarakë kanë thënë se Shtetet e Bashkuara janë të afta të asgjësojnë ushtarakisht Korenë e Veriut por me një kosto të madhe njerëzore. Një sulm bërthamor mbi atë vend, do të vriste miliona koreanoveriorë dhe do të dëmtonte fqinjët e Phenianit. Sulmi do të armiqësonte gjithashtu Kinën.
Zoti Trump tha gjithashtu se armët bërthamore janë kërcënimi më i madh në botë dhe do të donte eliminimin e tyre.
"Do të doja që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, Pakistani dhe shumë vende të tjera që kanë armë bërthamore t’i eliminonin ato."
Por derisa ta bëjnë këtë, presidenti Trump premtoi se Shtetet e Bashkuara do të jenë vendi bërthamor më i fuqishëm në botë.
Gjenerali i lartë amerikan Joe Dunford ka mbërritur në gadishullin Korean mes kërcënimeve të pashembullta midis Uashingtonit dhe Phenianit dhe ndërsa manovrat ushtarake vjetore midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut rrezikojnë të rrisin tensionet.
Duke folur për gazetarët rrugës për në Kore, gjenerali Joe Dunford, shef i shtatmadhorisë amerikane, tha se fokusi kryesor i ushtrisë është të mbështesë fushatën diplomatike dhe ekonomike të administratës, për ta bërë gadishullin Korean pa armë bërthamore, ndërkohë që përgatit opsionet ushtarake, nëse kjo fushatë dështon.
Ai tha se vizita e tij në rajon këtë javë synon të sigurojë aleatët si Koreja e Jugut dhe Japonia, ndërkohë që ndërton marrëdhëniet ushtarake me Kinën, në mënyrë që të parandalohen rreziqet.
"Ne të gjithë kërkojmë të dalim nga kjo situatë pa luftë, një botë ku Pheniani zotëron armë bërthamore që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre rajonalë; kjo është e papranueshme. Si udhëheqës ushtarak, mua më duhet të siguroj se presidenti të ketë opsione ushtarake praktike, në rast se fushata e presionit diplomatik dhe ekonomik dështon," tha gjenerali Dunford.
Megjithatë, disa ekspertë nuk pajtohen me idenë se blerja e armëve bërthamore nga Pheniani është një opsion i papranueshëm. Richard Bush, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën China John L. Thornton të Institutit Brookings, thotë se administrata Trump ka bërë gabim të madh, duke përcaktuar se zotërimi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut, të afta për të goditur Shtetet e Bashkuara, është diçka për t'u luftuar.
"Rreziku ose fokusi më i madh duhet të jetë sigurimi që Koreja e Veriut nuk i përdor këto aftësi”, - tha Richard Bush për Zërin e Amerikës.
Gjenerali Dunford arriti në bazën ajrore Osan në Korenë e Jugut të dielën vonë. Ai ka në plan të takohet me Presidentin Moon Jae-In dhe homologun e tij ushtarak të Koresë së Jugut të hënën, përpara se të udhëtojë për në Kinë dhe Japoni më vonë gjatë javës
Gjatë ditës së djeshme. Koreja e Veriut kërcënoi se do të godisnin këtë ishull ku ndodhen rreth 150 000 ushtarë amerikan me raketa me rreze të gjatë veprimi.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, zyrtarë të Kinës kanë deklaruar se nëse është Koreja e Veriut ajo që godet e para SHBA-në, ata do të qendrojnë neutral, por nëse SHBA-të godasin të parat, atëhere do të rreshtohen në krah të regjimit komunist
Siç raporton Sky News, Zyra për mbrojtje të civilëve në Guam ka shpërndarë një broshurë me të cilën paralajmëron banorët se si të veprojnë në rast se Koreja Veriore do të lansojë raketat në drejtim të këtij ishulli, ku janë të vendosura dy baza ushtarake, një ajrore dhe një e marinës.
Në këtë broshurë u rekomandohet banorëve që në rast sulmi të mos shikojnë në shpërthime dhe të kërkojnë strehim në struktura të forta, mundësisht nën tokë.
Në paralajmërimin drejtuar banorëve të këtij ishulli jepen edhe udhëzime për shmangie nga radiacioni.
Kërcënimi i Koresë Veriore me sulm mbi Guamin, territor amerikan në Paqësor, i njohur për nga plazhet e bardha, vjen pasi që presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi Pjong-jangun me “zjarr dhe hidhërim të atillë që bota ende nuk e ka parë”.
Pjong-jangu pohon se kreu ushtarak i Koresë Veriore këtyre ditëve ka përfunduar planet për të sulmuar me katër raketa të drangut të mesëm Hvasong-14, të cilat pritet të bien në deti në largësi prej 40 kilometrash nga Guam. Në Guam jetojnë rreth 160.000 banorë, të cilët janë të shqetësuar me kërcënimet e fundit të kreut të Koresë Veriore.
“Ne nuk e dimë nëse Koreja Veriore kësaj radhe do të përmbushë kërcënimet e veta. Duke ditur se në Guam ndodhet një sasi e madhe e armatimit amerikan, e gjithë ajo që mundemi të bëjmë është të lutemi dhe të besojmë se gjithçka do të jetë në rregull”, ka thënë një banore e ishullit për mediat amerikane.
SHBA nuk synon ndryshimin e regjimit në Phenian apo përshpejtimin e ribashkimit të gadishullit korean, deklaruan sot zyrtarët amerikanë në fushën e mbrojtjes dhe të diplomacisë.
Ky mesazh vjen në kundërpeshë të deklaratave mjaft të ashpra të publikuara javën e kaluar nga presidenti Donald Trump pas një sërë provokimesh nga pala koreano-veriore, kryesisht të testeve të dy raketave balistike ndërkontinentale. Kjo është gjithashtu një formë nga ana e Uashingtonit për të mbështetur Kinën fqinje. Instalimi i kryer së fundmi i një sistemi mbrojtës anti-raketor amerikan (THAAD) në Korenë e Jugut nuk i pëlqyer aspak Pekinit.
“Nëse Kina kërkon të luajë një rol më aktiv për të siguruar paqen dhe stabilitetin, përfshirë ne të gjithë, dhe Kinën në vend të parë do të nxjerrim përfitimet më të mëdha, ajo duhet të marrë vendimin për të ushtruar ndikimin e saj diplomatik dhe tregtar mjaft vendimtar në lidhje me Korenë e Veriut”, shkruajnë të dy zyrtarët e lartë.
Të dielën, drejtori i CIA-s, Mike Pompeo kishte vënë theksin se një konflikt me Korenë e Veriut nuk ishte aspak i afërt.
Kryetari i Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, Joseph Dunford, gjatë një takimi 50-minutësh me presidentin e Koresë Jugore, Moon Jae-in, ka diskutuar për provokimet e Koresë Veriore.
“Opsionet ushtarake që janë duke u përgatitur kundër Koresë Veriore do të përdoreshin kur sanksionet diplomatike dhe ekonomike do të dështonin”,- ka thënë Joseph Dunford.
Ai ka qenë në Seul për të diskutuar me zyrtarët ushtarakë të Koresë Jugore.
Tensionet janë rritur në muajt e fundit për shkak të shqetësimeve se Koreja Veriore është gati ta përmbush qëllimin e saj për ta vënë në shënjestër të armëve bërthamore SHBA-në.
Koreja Veriore dhe Shtetet e Bashkuara kanë shkëmbyer kërcënime me sulme ushtarake javën e kaluar.
Lufta me Korenë Veriore nuk është afër, por rreziku ekziston
“Ne nuk jemi më afër luftës se sa që ishim para një jave, por ne jemi më afër luftës se sa që ne ishim para një dekade”, tha gjenerali, H.R. McMaster, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit, Donald Trump, gjatë një interviste të djeshme në rrjetin televiziv, ABC.
Mëtutje, ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara po vaazhdojnë të udhëheqin “përpjekje shumë të përkushtuar diplomatike”, që kryesohet nga sekretari i shtetit, Rex Tillerson.
Po ashtu, konsiderohet se sanksionet e reja financiare kundër Koresë Veriore, do ta dekurajojnë liderin verikorean, Kim Jong Un, nga lëvizjet e mëtejshme provokuese.
Presidenti Trump ka deklaruar se ushtria e Shteteve të Bashkuara është e gatshme dhe i ka tërhequr vërejtjen liderit, Kim Jong Un, se ai “do të dëshpërohej shpejt” nëse ndërmerr ndonjë aksion kundër territoreve të Shteteve të Bashkuara ose aleatëve amerikanë.
Duke folur dje në rrjetin televiziv, Fox News Sunday, drejtori i agjencisë CIA, Mike Pompeo, tha se është e rëndësishme që Koresë Vriore t’i bëhet e qartë se durimit amerikan po i vie fundi.
Më utje ai theksoi:
“Ne nuk jemi në një rrezik të afërt i cili mund të ndodhë sot. Një sulm nga Koreja Veriore nuk është diçka që është afër. Populli amerikan duhet ta dijë se kjo administratë po bën çdo gjë të mundshme. Presidenti e ka autorizuar komunitetin e inteligjencës dhe Departamentin e Mbrojtjes për të qenë të sigurt se ne e mbrojmë Amerikën nga ky kërcënim”, tha Mike Pompeo.
Gjenerali Joseph Dunford, shef i Shtatmadhorisë së ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, udhëton për në Azi dhe pritet të takohet me liderët e Koresë Jugore, Japonisë dhe Kinës.
Ai u tha reporterëve se synon “të kuptoj se çfarë temeprature është në rajon” dhe do të diskutojë për opsionet ushtarake në rast se dështon “fushata për presion diplomatik dhe ekonomik”.
“Ne po shikojmë që nga kjo situatë të dalim pa luftë”, tha Joseph Dunford. Turneu i tij në Azi po bëhet derisa gazeta e Koresë Veriore, Minju Joson, në një editorial ka shkruar se ushtria verikoreane është “e aftë për të zhvilluar çfarëdo lufte të cilën e dëshirojnë Shtetet e Bashkuara”.
Testimi i raketave balistike interkontinentalenë Korenë Veriore
Armatimi besohet të jetë blerë nga një fabrikë ukrainase, thuhet në analizën e Institutit ndërkombëtar për studime strategjike dhe vlerësimeve të besueshme nga agjencitë e inteligjencës së SHBA-ve.
Koreja Veriore është furnizuar në tregun e zi me motor të fuqishëm të raketave, gjë e cila i ka mundësuar asaj që të kryejë disa teste në korrik, të cilat mund të arrijnë në territorin amerikan, thuhet në konkludimin e studimit nga Instituti ndërkombëtar për studime strategjike, shkruan “New York Times”.
Ekspertët, të cilët kanë analizuar fotografinë e liderit të Koresë Veriore Kim Jong-Un se si shikon motorët e ri të raketave, konkluduan se ato vijnë nga ish-flota e dikurshme raketore sovjetike. Motorët e tillë janë aq të fuqishëm sa vetëm një raketë mund të bartë 10 koka termo-nukleare ndërmjet kontinenteve.
Ekspertët amerikanë besojnë se motorët RD-250 kanë origjinë nga fabrika e raketave Juzhmash në qytetin ukrainas Dnjepër, e cila gjatë Luftës së Ftohtë ka prodhuar raketat më vdekjeprurëse në arsenalin sovjetik dhe ka mbetur njëra nga furnizuesit kryesorë rusë edhe pas ndarjes së Ukrainës nga ish-Bashkimi Sovjetik.
Ekspertët amerikanë thonë se nuk ka fakte se qeveria ukrainase ka qenë në dijeni ose të ketë pasur kontroll mbi zhvillimet në kompleksin Juzhmash. Arritja e motorëve të raketave RD-250 në Korenë Veriore mbetet ende mister, shkruan “New York Times”.
Raportimet e para bëjnë me dije se motorët nga fabrika ukrainase kanë arritur në Korenë Veriore në shtator të vitit të kaluar, kur lideri veri-korean Kim Jong-Un kishte vëzhguar testin e motorit të ri raketor.
Analisti gjerman Norbert Brige ka zbuluar se motori kishte shumë ngjashmëri me modelin RD-250 nga fabrika ukrainase
Sekretari i Këshillit për Siguri dhe Mbrojtje në Ukrainë, Oleksandr Turchynov thotë se nuk e ka furnizuar kurrë Korenë Veriore
“Ukraina nuk e ka furnizuar kurrë Korenë Veruore me motorë të raketave apo ndonjë pajisje tjeter raketore”, ka thënë përmes një deklarate, sekretari i Këshillit për Siguri dhe Mbrojtje në Ukrainë, Oleksandr Turchynov.
Në artikullin e 14 gushtit, New York Times, ka raportuar se ekspertët besojnë që një fabrikë e pajisjeve raketore në Ukrainë, “ ka më së shumti mundësi të jetë burimi i motorëve”, e cila mundësoi, testimin e dy raketave balistike interkontinentale në korrik të këtij viti.
Sipas po këtij raporti, thuhet se fabrika e kontrolluar nga shteti, e njohur si Yuzhmash, nuk është shumë larg prej territorit të pushtuar nga separatisët pro-rusë në lindje të Ukrainës.
Në këtë raport është cituar edhe një projekt kërkimor nga Michael Elleman, ekspert për raketa, në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, me bazë në Londër.
”Ka mundësi që këto pajisje të kenë ardhur nga Ukraina, në mënyrë ilegale”, i ka thënë Elleman gazetës.
“Pyetja më e madhe është nëse ukrainasit janë duke iu ndihmuar verikoreanëve edhe tani. Jam shumë i shqetësuar”, ka shtuar tutje ai.