Sa më përket mua, kam maninë e çuditshme e të rrezikshme, në çdo lëndë, të filloj nga fillimi (d.m.th, nga fillimi im individual) atë që sapo ka filluar, të ribëj një rrugë të tërë, sikur kaq e kaq të tjerë të mos e kishin përshkuar ndërkaq. Kjo rrugë është ajo që na ofron apo na imponon gjuha.
Në çdo çështje dhe para çdo shqyrtimi bazë, unë vështroj te gjuha; e kam zakon të eci sipas mënyrës së kirurgëve që, së pari, pastrojnë duart dhe përgatisin fushën operatore. Është ajo që unë e quaj pastrimi i situatës verbale. Ju kërkoj ndjesë për këtë shprehje, që përqas fjalët dhe format e kuvendimit me duart e veglat e një kirurgu.
Mëtoj se duhet të bëjmë kujdes në takimet e para të një problemi me mendjen tonë. Duhet bërë kujdes me fjalët e para që shqiptojnë një çështje në mendjen tonë. Një çështje e re fillimisht është në gjendjen e fëmijërisë brenda nesh; ajo bëlbëzon: gjen veçse terma të huaja, krejt të ngarkuara me vlera dhe asociacione rastësore; ajo është e detyruar t’i huazojë.
Por, që këndej, ajo e sheh dhe e shtrembëron në mënyrë të pandjeshme nevojën tonë të vërtetë. Pa e ditur, ne heqim dorë nga problemi ynë zanafillor dhe besojmë, më në fund, se kemi zgjedhur një opinion krejt tonin, duke harruar se kjo zgjedhje është ushtruar veçse mbi një tërësi opinionesh që është vepra, pak a shumë e verbër, e pjesës tjetër të njerëzve dhe rastësisë.
Nddh po njëlloj me programe partish politike, ku asnjëri nuk është (dhe s’mund të jetë) ai që do t’i përgjigjej saktësisht ndjeshmërisë dhe interesave tona. Nëse ne do zgjidhnim njërin program, do bëheshim atëherë, pak nga pak, njerëzit që i duhen këtij programi dhe kësaj partie.
Paul VALERY
Ideja e poezisë shpesh i kundërvihet asaj të mendimit, sidomos të “mendimit abstrakt”. Thuhet “poezi dhe mendim abstrakt”, siç thuhet e mira dhe e keqja, vesi e virtyti, e ngrohta dhe e ftohta. Shumica, pa e vrarë shumë mendjen, besojnë se analizat dhe puna e intelektit, përpjekjet e vullnetit dhe saktësisë ku angazhohet mendja, janë të papajtueshme me atë naivitet burimor, atë pasuri shprehjeje, atë hir e atë fantazi që e dallojnë poezinë dhe që na bëjnë ta njohim qysh nga fjalët e saj të para. Nëse gjendet thellësi te vepra e një poeti, kjo thellësi duket se është e një natyre krejt të ndryshme nga ajo e një filozofi a shkencëtari. Ka nga ata që arrijnë deri aty, sa të mendojnë se edhe mendimi për artin e vet, rreptësia e arsyetimit të zbatuar në kulturën e trëndafilave, s’mund të bëjnë tjetër veçse ta dëmtojnë një poet, meqenëse objekti kryesor dhe më i hijshmi i dëshirës së tij duhet të jetë komunikimi i përshtypjes së një gjendjeje që po lind (e që po lind lumturisht) emocionin krijues që, përmjet habisë dhe endjes, më në fund të mund pafundësisht ta shpëtojë vjershën nga çdo përsiatje kritike e mëtejme.
1.
Është e mundur që ky opinion të përmbajë diçka të vërtetë, ndonëse thjeshtësia e tij më bën të dyshojë për origjinën e tij shkollore. Kam përshtypjen se ne e kemi mësuar dhe përqafuar këtë antitezë pa u menduar dhe se tani e gjykojmë krejt të ngulitur në mendjen tonë, në gjendjen e një kontrasti verbal, sikur ajo të përfaqësonte një marrëdhënie të pastër e reale mes dy nocioneve të mirëpërcaktuara. Duhet shtuar se personazhi përherë i ngutur për përfundim, të cilin ne e quajmë mendja jonë, ka një dobësi për thjeshtësinë e këtij lloji që ia japin të gjitha letërsitë, për të formuar disa kombinime e gjykime, për të shpalosur logjikën e vet, për të zhvilluar burimet e veta teorike, për të bërë, si përfundim, zanatin e tij mendor në mënyrë sa më të shkëlqyer që të jetë e mundur. Megjithëse ky kontrast klasik dhe i kristalizuar nga gjuha më është dukur gjithmonë shumë brutal, në të njëjtën kohë shumë i rehatshëm, për të mos më cytur në shqyrtimin nga sa më afër të vetë gjërave.
2.
Poezi, mendim abstrakt. Kjo thuhet menjëherë e menjëherë besojmë se kemi thënë diçka mjaftueshëm të qartë e mjaftueshëm të saktë për të bërë të mundur vajtjen më tej, pa qenë nevoja e kthimit prapa në përvojat tona; për të ndërtuar një teori a për të ngritur një diskutim duke e përdorur këtë kundërshti, kaq joshëse për nga thjeshtësia e saj, si pretekst, argument dhe lëndë. Dikush, madje, mund të ndërtojë një metafizikë të tërë – të paktën një “psikologji” ë tërë – mbi këtë bazë dhe të bëjë një sistem të jetës mendore, të njohjes, krijimit e prodhimit të veprave të mendjes, pasojë e pashmangshme e së cilës do ishte e njëjta zhangëllimë terminologjike, që i pat shërbyer për zanafillë...
Sa më përket mua, kam maninë e çuditshme e të rrezikshme, në çdo lëndë, të filloj nga fillimi (d.m.th, nga fillimi im individual) atë që sapo ka filluar, të ribëj një rrugë të tërë, sikur kaq e kaq të tjerë të mos e kishin përshkuar ndërkaq. Kjo rrugë është ajo që na ofron apo na imponon gjuha. Në çdo çështje dhe para çdo shqyrtimi bazë, unë vështroj te gjuha; e kam zakon të eci sipas mënyrës së kirurgëve që, së pari, pastrojnë duart dhe përgatisin fushën operatore. Është ajo që unë e quaj pastrimi i situatës verbale. Ju kërkoj ndjesë për këtë shprehje, që përqas fjalët dhe format e kuvendimit me duart e veglat e një kirurgu.
Mëtoj se duhet të bëjmë kujdes në takimet e para të një problemi me mendjen tonë. Duhet bërë kujdes me fjalët e para që shqiptojnë një çështje në mendjen tonë. Një çështje e re fillimisht është në gjendjen e fëmijërisë brenda nesh; ajo bëlbëzon: gjen veçse terma të huaja, krejt të ngarkuara me vlera dhe asociacione rastësore; ajo është e detyruar t’i huazojë. Por, që këndej, ajo e sheh dhe e shtrembëron në mënyrë të pandjeshme nevojën tonë të vërtetë. Pa e ditur, ne heqim dorë nga problemi ynë zanafillor dhe besojmë, më në fund, se kemi zgjedhur një opinion krejt tonin, duke harruar se kjo zgjedhje është ushtruar veçse mbi një tërësi opinionesh që është vepra, pak a shumë e verbër, e pjesës tjetër të njerëzve dhe rastësisë. Nddh po njëlloj me programe partish politike, ku asnjëri nuk është (dhe s’mund të jetë) ai që do t’i përgjigjej saktësisht ndjeshmërisë dhe interesave tona. Nëse ne do zgjidhnim njërin program, do bëheshim atëherë, pak nga pak, njerëzit që i duhen këtij programi dhe kësaj partie.
3.
Çështjet e filozofisë e të estetikës janë errësuar gjithnjë e më tepër nga sasia, diversiteti, antikiteti i kërkimeve, rrahjet e mendimeve, zgjidhjet që janë prodhuar në rrethin e një fjalori shumë të kufizuar, ku çdo autor i shfrytëzon fjalët sipas prirjeve të veta, saqë tërësia e këtyre punimeve më jep përshtypjen e një lagjeje, në Botën e Poshtme, të rezervuar në mënyrë të veçantë për mendimtarët e thellë. Aty ka Danaida, Iksionë, Sizifë që punojnë përjetësisht për të mbushur fuçi pa fund, për të ngjitur shkëmbin që rrëzohet, d.m.th. për të ripërcaktuar të njëjtën duzinë fjalësh, kombinimet e të cilave përbëjnë thesarin e Njohjes Spekulative.
Më lejoni t’u shtoj këtyre konsideratave paraprake një vërejtje të fundit dhe një ilustrim. Ja vërejtja: ju keni vëzhguar, sigurisht, faktin e çuditshëm që një fjalë e caktuar, që është krejt e qartë kur ju e dëgjoni apo e përdorni në ligjërimin e përditshëm, e që nuk i jep shkas asnjë vështirësie kur ajo merr pjesë në shpejtësinë e një fjalie të zakontë, bëhet si me magji e kokolepsur, hyn në një qendrueshmëri të habitshme, i prish gjithë përpjekjet për përcaktim, sapo ju e nxirrni nga qarkullimi për ta shqyrtuar më vete dhe përpiqeni t’i gjeni një kuptim, pasi ia keni hequr funksionin e saj të çastit. Është pothuajse komike të pyesësh veten se ç’do të thotë tamam një term që e përdor çdo çast me kënaqësi të plotë. Për shembull: ndal fjalën kohë në fluturim e sipër. Kjo fjalë ishte absolutisht e tejpashme, e përpiktë, e ndershme dhe besnike në shërbimin e saj, për aq sa ajo luante rolin e vet në një fjalim, e që ishte shqiptuar nga dikush që donte të thoshte diçka. Por ja tek e shohim krejt të vetme, të rrëmbyer nga flatrat. Ajo hakmerret. Na bën të besojmë se ka më shumë kuptime sesa përdorime. Ishte veçse një mjet dhe ja tek u bë thelb, u bë objekt i një dëshirë të frikshme filozofike. Ajo shndërrohet në enigmë, në hon, në sfilitje të mendimit... Ndodh po kështu me fjalën jetë dhe me çdo fjalë tjetër.
Kjo dukuri, lehtësisht e vëzhgueshme, them se ka marrë një vlerë të madhe kritike.
Çdo fjalë, secila fjalë që na lejon të kapërcejmë aq shpejt hapësirën e një mendimi e të ndjekim shtysën e idesë që e ndërton vetë shprehjen e saj, më duket si një nga ato dërrasat e lehta që hedhim në një gropë a mbi një të çarë mali, për të mbajtur hapat e njeriut që ecën mbi të, por pa rënduar, që kalon pa u ndalur – e sidomos, që nuk argëtohet duke vallëzuar mbi dërrasën e hollë për të provuar qendrueshmërinë e saj!.. Përndryshe, ura e brishtë menjëherë lëkundet ose thyhet dhe gjithçka humb në thellësi. Këshillohuni me përvojën tuaj dhe do të shihni se ne i kuptojmë të tjerët dhe kuptojmë veten veçse falë shpejtësisë së kalimit tonë nëpërmjet fjalëve. Nuk duhet aspak të peshojmë mbi to, poqese nuk duam të shohim se si kuvendimi më i qartë shpërbëhet në enigma dhe iluzione.
4.
Por si i bëhet për të menduar – dua të them për të rimenduar, për të thelluar atë çka meriton të thellohet, – nëse e mbajmë ligjërimin si qenësisht të përkohshëm, siç është i përkohshëm kambiali bankar apo çeku, çka quajmë “vlerë” e të cilit kërkon harrimin e natyrës së tij të vërtetë, që është ajo e një cope letre në përgjithësi e pistë? Kjo letër ka kaluar nëpër njëqind duar... Dhe fjalët kanë kaluar nëpër njëqind gojë, nëpër njëqind fjali, nëpër aq e aq përdorime e shpërdorime, saqë përkujdesjet më të zgjedhura janë të domosdoshme për të shmangur një pështjellim tejet të madh në mendjet tona, midis asaj që ne mendojmë e rrekemi të mendojmë dhe asaj që fjalori, autorët dhe, në fund, gjithë raca njerëzore, qysh nga zanafilla e gjuhës, duan që ne të mendojmë.
Do kem kujdes të mos besoj tek ajo çka termat poezi dhe mendim abstrakt më sugjerojnë me t’u shqiptuar. Por do vështroj brenda vetes. Do kërkoj aty vështirësitë e mia të vërteta dhe vëzhgimet reale të gjendjeve të mia të vërteta, do gjej aty racionalen dhe irracionalen time; do shoh se mos kundërshtia e pohuar ekziston dhe në ç’mënyrë ekziston në gjendje të gjallë. Rrëfej se e kam zakon të dalloj në problemet e mendjes ato që do t’i kisha shpikur e që shprehin një nevojë realisht të ndier nga mendimi im, dhe të tjerat që janë probleme të tjetërkujt. Përmes këtyre të fundit (të themi 40 për 100) që më duket se nuk ekzistojnë, që janë veçse dukje problemesh: unë nuk i ndiej. Sa i përket atyre që mbeten, ka më shumë që më ngjan se janë shpallur keq... Nuk them se kam të drejtë. Them se po vështroj brenda vetes çka ndodh, kur përpiqem të zëvendësoj formulat verbale me vlera dhe domethënie joverbale, që janë të pavarura nga gjuha e përdorur. Gjej aty shtysa e imazhe naive, produkte të papërpunuara të nevojave dhe të eksperimenteve vetjake. Është vetë jeta ime që çuditet dhe është ajo që duhet të furnizojë, nëse mundet ta bëjë këtë, përgjigjet e mia, sepse vetëm në kundëveprimet e jetës sonë mund të qëndrojë gjithë forca, sikundër nevojshmëria, e së vërtetës sonë. Mendimi që rrjedh nga kjo jetë, nuk përdor disa fjalë, të cilat i duken të mira veçse për përdorim të jashtëm, as disa të tjera të cilave nuk u duket fundi, e që mundet veçse ta mashtrojnë për fuqinë dhe vlerën e tij të vërtetë.
5.
E, pra, kam vëzhguar te vetja gjendje të tilla, që mund t’i quaj poetike, meqë disa syresh kanë përfunduar së mbrami në vjersha. Ato janë prodhuar pa ndonjë shkak të dukshëm, duke nisur nga ndodhi të rastit; janë shtjelluar sipas natyrës së tyre dhe, për pasojë, e kam gjetur veten, për njëfarë kohe, të mënjanuar nga regjimi mendor më i udhakuar. Pastaj jam rikthyer në këtë regjim shkëmbimesh të zakonta mes jetës e mendimeve të mia, kur rrethi u mbyll. Por ndodhte që një vjershë qe bërë dhe që cikli, në kryerjen e tij, linte diçka pas vetes. Ky rreth i mbyllur është rrethi i një akti, që duket sikur ka ngritur dhe rimëkëmbur së jashtmi një fuqi të poezisë.
Herë të tjera kam vëzhguar se si një ndodhi jo më pak domethënëse shkaktonte – apo dukej se shkaktonte – një hulumtim krejt të ndryshëm, një shmangie të një natyre dhe rezultati krejt tjetër. Për shembull, një përqasje e beftë idesh, një analogji më kapte, siç bën të mprehtë veshin një kushtrim në mes të një pylli dhe i drejton potencialisht gjithë muskujt tanë, që ndihen të bashkërenduar, drejt ndonjë pike të hapësirës mes thellësisë së gjethurinave. Por këtë herë, në vend të një vjershe, çka kapej prej meje ishte një analizë e këtij ndijimi intelektual të menjëhershëm. Nuk ishin aspak vargje ato që shkëputeshin pak a shumë lehtësisht gjatë kësaj faze, por ndonjë parashtrim që ishte i destinuar të trupëzohej përmes zakoneve të mia të të menduarit, ndonjë formulë që, tash e tutje, duhet të shërbente si instrument për kërkime të mëtejshme.(Alket Çani )