Dokumentet e CIA, si Enver Hoxha e armatosi vendin, në çdo qytet tanke e kazerma ushtarake, llojet e nëndetëseve në bazën e Pasha Limanit
Në vitin 1959 CIA i ka kushtuar një rëndësi situatës ushtarake në vend. Dihet tashme se regjimi komunist investoi shumë në këtë fushë nga frika e sulmeve të armiqve. Për këtë arsye, në 1959 jepet një pasqyrë e situatës ushtarake në vend, duke filluar nga këmbësoria e flota detare. Sipas dokumentit, në Durrës ndodhet një njësi shumë e fuqishme tankesh. Aty tregohet me detaje se si më 1959 Shqipëria mori nga Rusia një sërë llojesh të ndryshme dhe shumë të përparuara. Po ashtu tregohet se në shumë qytete kishte kazerma ushtarake, ndërsa thuhet se ndritmi i tyre nisi më 1958, po ashtu tregohet se regjimi futi dhe punëtorët që të ndihmonin në ushtri. Në një tjetër dokument jepen detaje për bazën e Pasha Limanit, ku tregohen me detaje llojet e nëndetëseve që ndodheshin aty.
Ushtria 1959
Njësitë e tankeve në Durrës
Një njësi me 45 tanke dhe 5 mjete të blinduara është stacionuar në kazermat e vendosura në kryqëzimin e rrugëve mes Durrësit, Kavajës dhe Tiranës, rreth 100 metra larg hekurudhës. Tanket janë vendosur në streha parkimi kurse mjetet e blinduara janë jashtë strehave të mbuluara me veshje kundra shiut. Katër tipe të ndryshme tankesh, të gjitha prodhim rus, janë të ngjashme me modelin sovjetik SY-76 dhe T 34-85, ndërsa të tjerat kanë top vetë rrotullues dhe ndryshojnë nga gjatësia e tytës. Mjetet e blinduara janë të ngjashme me tipin rus BA 64. Kjo është hera e parë që shikojmë në Shqipëri tanke me grykë vetë-rrotulluese. Një njësi tankesh është gjithashtu e stacionuar në Tiranë por vendndodhja dhe informacionet janë të pakta. Tip i tankeve dhe mjeteve të blinduara janë të ngjashme me njësinë e Durrësit. Njëri tank dukej shumë më i madh se të tjerët. Çdo ditë 3-4 tanke bëjnë manovra jashtë zonës së pushimit.
Kazermat e reja të ushtrisë në Lushnje
Ndërtimi i kazermave të reja në Lushnje nisi më 1 janar 1958 dhe përfundoi më 5 shkurt 1958. Ato ndodhen në mbarimin jug-perëndimor të fshatit Dushk dhe përbëhen nga 14 ndërtesa druri të mbuluara me katrama. Në to strehohen njësitë e reja të ushtrisë që nuk kanë shërbyer më parë dhe janë rekrutuar gjatë janarit 1958. Ato nuk janë të rrethuara me gardh dhe ruhen nga një njësi me 100 njerëz e ushtrisë së rregullt. Uji vjen nga burie natyrale dhe nga puset e ndërtuara në njësi.
Ushtria e re e punëtorëve
Rekrutimi për ushtrinë e re të punëtorëve u bë më 15-25 janar 1958 me njerëz nga zonat e Beratit, Lushjes e Tiranës, me përjashtim të studentëve, kryefamiljarëve, armiqve të popullit etj. Ata u vendosën në kazermat e sapo ndërtuara pranë fshatit Dushk. Detyra e tyre ishte spastrimi i zonës dhe kthimi i saj në tokë kultivimi vreshtash.
Policia
Një nën-komandë policia është vendosur në Lushje, e cila i përgjigjet komandës së policisë së Beratit. Ajo drejtohet nga kolonel Nuci Tira nga Pogradeci. Ka gjithashtu një major të Sigurimit që drejton zyrën e inteligjencës së degës. Nuk duhet me saktësi forca dhe juridiksioni i kësaj dege, por fakti se kreu i saj është një oficer i lartë do të thotë se kërkohen masa të forta sigurie, ndoshta prej prezencës së një kampi të internuarish në zonë.
Informacione politike, ekonomike
Arsimi
Fshati Bitinçkë ka një shkollë 7-vjeçare me rreth 200 nxënës dhe 7 mësues. Arsimi fillor është i detyrueshëm dhe pa pagesë. Banorët e fshatit Bitinçkë janë të gjithë myslimanë dhe të lirë për të ushtruar fenë e tyre. Ata kanë një xhami dhe një hoxhë. Shtëpia 2-katëshe e Sabri Emin Ajçe është kthyer në një spital në Bilisht. Ajo ka 8 dhoma dhe rreth 60 shtretër. Personali i saj përbëhet nga 2 doktorë dhe një numër infermierësh. Ambienti nuk ka mjete kirurgjie. Shërbimet kryhen falas, ndërsa vetëm mjekimet paguhen. Në Shqipëri rreth 25 për qind e popullsisë, veçanërisht të rinjtë, vuajnë nga tuberkulozi.
Propaganda
Autoritetet përdorin metoda propagandistike për të bërë që të rinjtë t’i bashkohen partisë. Leksione të shpeshta i jepen të rinjve shqiptarë nga anëtarë të besueshëm të Partisë Komuniste. Zakonisht kjo arrihet nga folësit duke bërë një përshkrim të errët të jetës së të rinjve në vendet kapitaliste, duke thënë se qeveritë e këtyre vendeve tregojnë indiferencë të plotë ndaj të rinjve. Vetëm fëmijët e familjeve të pasura mund të mbajnë poste të rëndësishme, ndërsa të varfrit përballen me presionin ekonomik dhe detyrohen të formojnë klasën punëtore të së ardhmes. Ndërsa sipas tyre, në vendet komuniste kjo nuk ndodh. Përkundrazi, qeveria kujdeset në mënyrë të veçantë për të rinjtë, duke i ofruar arsim falas etj.
Morali i popullit
Populli shqiptar është i terrorizuar dhe i dëshpëruar prej mjerimit ekonomik. Njerëzit e kanë kuptuar se premtimet e qeverisë se pesë vjet pas ardhjes në pushtet jeta do të ishte e thjeshtë, ishin të rreme. Ata e kuptojnë se situata po bëhet gjithnjë e më e keqe dita-ditës. Nga ana tjetër, asnjë nuk mund të protestojë ndaj situatës pasi e dinë se ndëshkimi është i rëndë, prandaj morali i popullsisë është shumë i ulët.
Misionet e huaja
Në 1957 ekspertë gjermano-lindorë të bujqësisë erdhën në Shqipëri dhe qëndruan për ca kohë si këshilltarë në kooperativa të ndryshme. Në kooperativat shqiptare ka gjtihashtu këshilltarë bullgarë.
Informacione ushtarake
Nuk kemi ende raportime për avionë sovjetikë në aeroportet shqiptare. Në disa pozicione strategjike në brigjet e Vlorës deri në Durrës po punohet në fortifikime, jo prej betoni por në dy radhë me fortifikime balte. 5 divizione këmbësorie janë vendosur në Gjirokastër, Delvinë, Përmet e Leskovik. Në këtë zonë ka gjithashtu disa regjimente artilerie të pajisur me mortaja, mjete anti-tank. Komandanti i regjimentit 7 është Pantelis Varenis. Më 21 janar 1949 ai u transferua në divizionin e Brotia me bazë në Tiranë. Batalione të tjera të ushtrisë gjenden në Përmet deri në Leskovik, një kompani artilerie në Konispol, ndërsa kompania Theollogo në kufirin grek mbulon hapësirën nga Piramida 49 deri te fshati mysliman Janari. Skuadra Sminesi mbulon sektorin nga Piramida 44 në Malin Steniko, deri te piramida 49 te lumi Panagia ose Pavla. Skuadra Seteniko gjatë ditës observon në pikën më të lartë të malit. Batalionet e Brotias komandohen nga kapiten Alush Sina nga Gjirokastra, kurse Theollogo komandohet nga Mufit Sinani. Çdo batalion ka tre kompani dhe çdo kompani tre skuadra. Çdo skuadër ka një tripod të lartë për të vendosur mitralozin kundër-ajror. Përgjatë kufirit jugor, çdo 100 metra ka një post mitralozi dhe pozicione të tjera ku mund të qëndrojnë dy vetë. Veshjet dhe këpucët e ushtrisë janë të cilësisë së dobët dhe gjatë dimrit ushtarët janë në gjendje të keqe. Ushqimi i tyre është gjithashtu i pamjaftueshëm dhe në përgjithësi ushtria është e zhgënjyer me regjimin prandaj dhe predispozita e saj për të luftuar është e vogël. Gjatë takimeve të partisë ushtarët luten për t’u liruar pasi kanë dy ose te vjet në shërbim, dhe e dinë se familjeve të tyre u mungon gjithçka.
Tre urat e rrugës nga Konispoli drejt Delvinës janë prej druri (Bugazi në Konispol, dhe Hdia e Krania në Bistrana). Ato ruhen nga skuadra me gjashtë ushtarë dhe nuk ka punime mbrojtjeje.
Në fshatin Hoxha, pranë urës drejt Delvinës, një ndërtesë dy-katëshe është ndërtuar në mars 1949 që do të përdoret për ushtrinë e Konispolit dhe anën lindore të Vurkos.
25 shkurt 1959
Baza Pasha Liman, Vlorë Shqipëri
Survejimet fotografike tregojnë për një bazë nëndetësesh në ndërtim në skajin jugor ë Vlorës, ku një vit më parë kishte vetëm disa kapanone të vogla. Në anën perëndimore të saj është ngritur një pistë rreth 150 metra e gjatë dhe 8 metra e gjerë dhe në fillim të pistës gjendet hapësira e ndërtimit, me katër ndërtesa në formë kapanonesh. Zona e mbështetjes së projektit përbëhet nga një central i mundshëm me naftë dhe shtatë ndërtesa magazinimi me masa të ndryshme rreth 700 metra në jug të pistës. Zona ushtarake e strehimit dhe e administratës përbëhet nga 3 kapanone në formë T-je dhe gjashtë ndërtesa më të vogla. Nga fotot dallohet një nëndetëse e madhe e klasit ATREK dhe katër nëndetëse të klasit “Ë” të vendosura përgjatë pistës. Mjete të tjera të afërta detare përfshijnë një mjet të vogël çisternë, një barkë tërheqëse dhe dy barka patrullimi. Një mjet hidraulik gërmues po thellon ambientet ujore. Tre bateri goditëse me radarë, mundësisht artileri e mesme anti-ajrore janë të vendosura në pjesën më të lartë të gadishullit të Karaburunit. Dy prej tyre janë të pajisura me njerëz dhe kanë nga tetë gryka secila. Një bateri është 6-grykëshe dhe ka katër deri në gjashtë postet e zëna me ushtarë.
Vendi më i varfër e më i mbrapshtë i Evropës po zbut izolimin me jashtë, luftë brenda llojit në lidershipin komunist
Shqipëria, vendi më i varfër e më i mbrapshtë i Evropës, ka nisur me ndrojtje një zbutje të izolimit të saj me botën e jashtme”. Është ky konstatimi i një raporti sekret të CIA, i deklasifikuar së fundmi, i mbajtur shënim në nëntor të vitit 1984, nga agjentë amerikanë që vepronin në vendin tonë, në fshehtësi të plotë. Në raport shkruhet më tej se regjimi i Hoxhës në atë kohë duket se po tentonte të ekspozonte sistemin e tij stalinisit ndaj “influencave destabilizuese” sepse siç thotë raporti, ka nevojë për tregti, teknologji të huaj dhe ndihmë për të evituar falimentimin ekonomik të shkaktuar nga planet dritëshkurtra. “Ne besojmë se regjimi kërkon gjithashtu mbështetje në rast të një ashpërsimi të rivalitetit me fqinjin e saj të fortë jugosllav”, thuhet në raport.
Politika e jashtme e Shqipërisë
Disa aspekte të shtimit të elasticitetit të politikës së jashtme të Shqipërisë në dy vitet e fundit janë rritje e kontakteve tregtare me Perëndimin, veçanërisht Italinë, një gatishmëri e pazakontë për të diskutuar pretendimet e floririt të pasluftës me Francën, Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara si dhe vullneti i Gjermanisë Perëndimore për normalizimin e lidhjeve. Por shqiptarët mbeten paranojakë në dyshimet e tyre me fuqitë e mëdha veçanërisht BRSS dhe Shtetet e Bashkuara dhe hapjet e tyre kushtëzohen nga “frenat” e vendosura nga qeveria. Enver Hoxha, diktatori 75 vjeçar i vendit kërkon një strategji që shpërndan iniciativat e hapjes në disa partnerë të mundshëm, duke mos lejuar krijimin e influencës për vende të veçanta dhe duke minimizuar pasojat politike. Ai dhe garda e tij e vjetër janë të gatshëm të tërhiqen shpejt nëse influencat e huaja kërcënojnë kontrollin e tyre brenda vendit. Vetë hoxha ka ruajtur një heshtje të çuditshme mbi iniciativat e huaja, duke ia lënë kryesimin delegatëve të tij si Ramiz Alia. Megjithë dominimin e izolacionistëve në Tiranë, ne besojmë se aktivizimi i ri do të vazhdojë me hapa të matura. Regjimi e pranon hapur se vendi ka nevojë të rrisë prodhimin bujqësor dhe atë industrial, me një popullsi që pritet të dyfishohet deri në vitin 2000.
Modernizimi i lidershipit
Liderët kryesorë duke përfshirë dhe Ramiz Alinë, po kërkojnë skema afat-gjata modernizimi për lidershipin, i cili po nis të ndjejë pasojat e rritjes së kërkesës së konsumatorit dhe të ndryshimeve të gjeneratës. Ne besojmë se liderët kërkojnë teknologjinë më të mirë të huaj dhe llogarisin se kjo mund të merret nga Perëndimi, në këmbim të mineraleve si bakri e kromi, ose nafta. Ne besojmë se Hoxha është i gatshëm të qëndrojë këmbëngulës në refuzimin e ofertave të BRSS, pasi do të besojë se Moska kërkon të rivendosë influencën e saj. Shqipëria gjithashtu ka përmirësuar dialogun politik me regjime komuniste të botës së tretë si Vietnami, Kuba, Heng Samrin, me shumë gjasa prej mosmarrëveshjeve të tyre me Jugosllavinë, dhe si partnerë të mundshëm të Shqipërisë në rast përkeqësimi të debatit me fqinjin.
Tendenca për fraksionalizim
Parashikimet tona për Shqipërinë mund të dalin të gabuara pasi Hoxha është në despot arbitrar dhe i paparashikueshëm. Por dy faktorë të tjerë, tendenca për fraksionalizim të dhunshëm në lidership dhe mundësia e përplasjeve të tjera me Beogradin, mund të devijojnë hapjet aktuale të përkohshme të saj me Perëndimin. Alia mund të mos i mbijetojë luftës brenda llojit, ose duke tentuar të zërë vendin e Hoxhës ai mund të detyrohet të bëjë kompromis me izolacionistët. Çdo destabilizim i pushtetit rrit shanset e thellimit të izolacionizmit. Në një rast krize tjetër me jugosllavët, Tirana mund të kërkojë ndihmën sovjetike për modernizmin e arsenalit ushtarak. Ne gjithsesi besojmë se me kalimin e kohës garda e vjetër he entuziastët reaksionarë të epokës së Hoxhës do të humbasin forcën dhe vendi do të nisë të kuptojë problemet ekonomike dhe rëndësinë e politikave të hapjes.
Enver Hoxha ka qenë prej kohësh një nga liderët komunistë më rebelë. Ai hoqi dorë nga patronazhi sovjetik dhe kinez dhe vazhdon të ngulë këmbë se është trashëgimtari i vetëm i teorisë marksiste-leniniste. Prej fundit të luftës politika e tij e brendshme staliniste u shoqërua me një nxitje të sëmurë për vetë-mjaftueshmëri dhe krenari kombëtare në kurriz të popullit të varfëruar. Dyshimi ndaj të gjithë të huajve, i trashëguar ndoshta nga kohërat romake, veneciane, otomane apo dhe pushtimi i fundit i Italisë solli prishjet dhe me ish-aleatët e ti rusë e kinezë. Mbi të gjitha qëndron rivaliteti i ashpër me Jugosllavinë fqinje, të cilën Hoxha e akuzon se kërkon të absorbojë Shqipërinë. Edhe prishjet me Moskën e Pekinin u shkaktuan pjesërisht nga afrimi i tyre me Beogradin.
Por që prej vitit 1981 shqiptarët po përpiqen gradualisht të thyejnë vetë-izolimin e tyre me anë të iniciativave diplomatike që më herët ishin të pamendueshme. Ne mendojmë se kjo ka ndodhur për dy arsye: Së pari rritja e vogël ekonomike e kushtëzuar nga stili stoik i vetëmajftueshmërisë dhe rritja e kërkesës së brendshme, dhe së dyti prej përkeqësimin të rivalitetit me Jugosllavinë pas protestave të shqiptarëve të Kosovës, të cilat rindezën armiqësitë e vjetra territoriale. Megjithëse Hoxha po lejon që të tjerë liderë si Ramiz Alia të drejtojnë iniciativat e huaja të Shqipërisë, diktatori mbetet i plotfuqishëm dhe mund të frenojë menjëherë politikat e reja nëse percepton një kërcënim ndaj kontrollit personal apo sistemit stalinist në Shqipëri. Nuk dimë shumë mbi idetë e elitës së politikës së atjeshme, përveçse Hoxha është i gatshëm të eliminojë menjëherë edhe njerëzit më të afërt, me sa duket, duke imituar stilin e Stalinit.
Por nisja e hapjes së Shqipërisë vjen në një moment domethënës dhe mund t’i mbijetojë diktatorit plak. Ky dokument ekzaminon tendencat e fundit dhe pasojat e hapjes së Shqipërisë në marrëdhëniet Lindje-Perëndim. Ne theksojmë se gjykimet tona janë të përafërta pasi informacionet mbi Shqipërinë janë mjaft të kufizuara. Mungesa e kontakteve diplomatike dhe burimeve të tjera bën që të mbështetemi në informacione rrethanore dhe observime të sjelljeve nga aleatët tanë.
Politika e jashtme
Duke filluar nga viti 1980, Tirana mbajti disa dialogje me vende të vogla të largëta perëndimore si ato Skandinave dhe me Kanadanë, por këto u ndaluan papritur në 1981 kur Hoxha u mbyll përsëri përbrenda për të nisur një fushatë spastrimesh dhe për t’u fokusuar në tensionet me Beogradin. Shtimi i kontakteve me Perëndimin u bë përsëri prioritet në fund të vitit 1982 dhe në fillim të 1983.
Ne besojmë se hapjet aktuale nuk do të sjellin vendosje të marrëdhënieve diplomatike me superfuqitë në të ardhmen e afërt, pasi makineria e brendshme shqiptare e propagandës vazhdon të dënojë me fjalët më të brutale si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovietik. Ne besojmë se dyshimet e vazhdueshme të Enver Hoxhës bazohen në armiqësinë ideologjike dhe paragjykimet e tij personale, prandaj ai kërkon të ketë pushtetin e siguruar pastaj ndoshta lidhjet e tjera.