Dr.sc.Ina K. Zhupa
Politologe
Konkretisht, nëse flasim për grupin e parë janë vlerat dalluese që kanë qëndruar në kulturën tonë dhe në totalitetin e vet nuk kanë pësuar ndryshime të theksuara. Mund të përmendim disa, duke e nisur me vlerën e besës, pra mbajtjen me çdo kusht të fjalës së dhënë. Faik Konica shkruan: “Standardi etik i shqiptarit është besa, pavarësisht nga rrethanat kur një shqiptar jep besën, ajo s’mund të shkelet dhe nuk ka nevojë për asnjë lloj marrëveshje të shkruar”. Askush nuk mund të mohojë që kjo është një vlerë dalluese e shoqërisë shqiptare. Pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur në Shqipëri, shumica e anëtarëve të kulturës tonë e ruan këtë vlerë dhe e tregon atë si gjënë më të bukur të të qenit shqiptar.
Gjithashtu ne jemi një vend që karakterizohet nga toleranca fetare, një vlerë kjo e ngulitur më shumë gjatë rilindjes kombëtare. “Feja e shqiptarit është shqiptaria” është një nga shprehjet më emblematike që vjen pikërisht nga rilindja. Tek ne bashkëjetojnë shumë mirë katolik, ortodoks, mysliman dhe bektashinj. Festat e secilës festohen dhe nderohen në mënyrë të përbashkët nga e gjithë shoqëria. Po ashtu edhe mikpritja është një nga vlerat dalluese të shoqërisë tonë. Nëse miku vjen në shtëpi, çdo shqiptar e pret me nderimet dhe respektin më të madh. Këto janë ndër të tjera tre vlera të spikatura të shqiptarëve që janë ruajtur ndër shekuj.
Por siç e përmenda edhe në fillim disa vlera ndryshojnë dhe në Shqipëri ndryshimi më i madh i vlerave ndodhi me kalimin nga komunizmi në demokraci. Këto ndryshime që kanë pësuar vlerat tona i kam ndarë mes grupit të dytë, të tretë dhe të katërt. Në grupin e dytë fus vlera si solidariteti - ndjenja e komunitetit e cila fatkeqësisht duke qenë se ishte aplikuar me doza ekstreme dhe detyruese gjatë komunizmit, pothuaj u zhduk me ardhjen e demokracisë. Komunizmi i mëshoi fort ndjenjës së komunitetit, solidaritetit të njerëzve me njëri-tjetrin. I bëri njerëzit të bashkoheshin me hir e me pahir në kooperativa, të ndihmonin njëri-tjetrin në shkollë e në punë, të ndanin kohën e lirë së bashku në punë vullnetare etj. Konceptet tjetri, unë, ti nuk ekzistonin, ishin një, ne populli socialist për të cilën kishte shumë nevojë udhëheqja. Dhe për të arritur këtë qëllim ishte e domosdoshme forcimi dhe zhvillimi i solidaritetit dhe ndjenjës së komunitetit. Kështu njerëzit e shikonin njëri-tjetrin si familje dhe udhëheqësin e tyre si baba. Pikërisht ky keqpërdorim i ndjenjës së komunitetit, solidaritetit mes njerëzve, bëri që kjo vlerë të përbuzej totalisht me ardhjen e demokracisë.
Kush mund të mohojë që sot në Shqipëri nëse të ndodh diçka në rrugë dhe ke nevojë për një ndihmë nuk të afrohet askush. Nëse jeton në një pallat askush nuk shqetësohet për pastërtinë e shkallës apo të ambjenteve të tjera të përbashkëta. Që komshiun tënd nuk e njeh mirë, ose se njeh aspak se kush është dhe jo më të kesh si më përpara hyrje e dalje me të, të japësh dhe të marrësh gjëra e nëse ndodh një vdekje ti hapësh shtëpinë. Që fisin tënd përveç disa njerëzve shumë të afërt nuk e takon dhe ndoshta brezi i ri nuk njihen fare me njëri-tjetrin. E plot shembuj të tjerë që tregojnë se ndjenja e komuniteti - solidariteti nuk është më një vlerë kulturore e jona, sepse e mohuam si një gjë komuniste. Nuk ditëm dot ta moderonin dhe ta kthenim në masën që e kanë shumë shoqëri të tjera demokratike.
Në anën tjetër qëndron ajo që unë quaj grupi i tretë që lidhet me faktin se gjatë komunizmit janë rrënjosur në ndërgjegjen tonë disa koncepte, të cilat krijojnë paragjykime për disa vlera të reja. Si për shembull, një vlerë e shoqërisë amerikane është shpirti konkurrues, të rinjtë shqiptar, sidomos po e huazojnë këtë vlerë për ta bërë të tyren. Kjo vlerë lidhet me faktin që njerëzit të tentojnë të ecin përpara, të bëjnë karrierë, të hyjnë në konkurrim me të tjerët për të arritur atë që duan. Mirëpo shpesh herë kur shqiptarët sidomos ata që kanë një farë moshe shikojnë sjellje që demonstrojnë shpirtin e konkurrencës komentet janë të tipit: “Uahh çfarë karieristi ky!” Eh këta të rinjtë e sotëm mendjen e kanë çfarë të kenë më shumë për vete! E të tjera komente si këto. Kjo vjen ngaqë i është rrënjosur në ndërgjegje nga koha e komunizmit që të kërkojë postë drejtuese dhe të ecje përpara ishte turp, ishte shenja që je një njeri negativ, që mendon vetëm për veten dhe nuk i do të tjerët. Kishin rrënjosur ndjenjat e përulësisë tek njerëzit. Po ashtu atëherë postet, karrierën nuk është se e zgjidhje vetë apo i meritoje nga përpjekjet që kishe bërë për të ecur përpara. Këto gjëra vinin si rezultat i asaj që partia kishte menduar se ti i shërbeje më mirë për momentin. Sot ishe traktorist dhe nesër ishe drejtor pa bërë asgjë por edhe e kundërta. Këto koncepte bëjnë që sot të mos pranohet lehtësisht si vlerë e shoqërisë shpirti konkurrues.
Po ashtu është ajo që unë kam quajtur grupi i katërt dhe lidhet me vlerat e reja që kemi përthithur me lehtësi pas rënies së komunizmit. Shembulli më i qartë është vlera e lirisë e cila është adaptuar nga ne si një vlerë e re që e kemi bërë tonën pa asnjë lloj problemi. Aq shumë është e dëshiruar dhe e mirë për ne sa edhe kufinjtë i patëm të vështirë ti vendosnim. Çdo gjë e bërë në drejtim të shtimit dhe përforcimit të lirisë në vendin tonë vlerësohet dhe është e mirëpritur nga njerëzit. Përpjekjet më të mëdha të tanishme lidhen me faktin që veç të tjerave të realizohet plotësisht edhe liria e lëvizjes kjo duke u integruar në Bashkimin Evropian. Tanimë për ne liria përbën një vlerë të rëndësishme që duhet mbrojtur dhe kultivuar për të ardhmen.
Së fundmi, mund të them që këto 4 grupe vlerash nuk janë gjë tjetër veçse ndarje e domosdoshme sipas meje për të kuptuar më mirë gjendjen aktuale të vlerave si rezultat i tranzicionit. Në një periudhë të mëvonshme vlerat e qëndrueshme dhe karakteristike shqiptare si besa, toleranca fetare, mikpritja, vlerat që u mohuan si rezultat i keqpërdorimit dhe ekstremizmit në komunizëm si solidariteti - ndjenja e komunitetit, vlera të reja që po futen me vështirësi për shkak të koncepteve të ngulitura në të shkuarën si shpirti konkurrues dhe vlera të reja që u pranuan dhe u bënë pjesë e jona me shpejtësi si liria do të sintetizohen në një kategori të vetme. Kjo kategori s’do të jetë asgjë më pak e asgjë më shumë sesa kategoria e vlerave kulturore të shoqërisë shqiptare, të cilat si gjithmonë do të përbëjnë në tërësinë e tyre kriteret drejtuese të jetës së shqiptarëve.