Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kohë më parë përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se aktivistë të Vetëvendosjes iu janë bashkuar kësaj partie.
AAK thotë se Blerim Krasniqi, Valon Haxhijaj, Mentor Shala, Shemsedin Rraci, Granit Krasniqi, Avni Muriqi, Kadri Krasniqi, Rasim Krasniqi, janë anëtarët më të rinj të AAK’së, e që dikur ishin të Vetëvendosjes.
Pak ditë më parë AAK-së i ishte bashkuar edhe Xhevat Sefaj.
“Jemi të zhgënjyer me demokracinë e propaguar të VV-së dhe kemi fituar besim në vizionin e Ramush Haradinajt dhe të AAK-së, ishte arsyetimi për aderimin e tyre”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
Ata këtë vendim e kanë bërë publik sot në Gllogjan, me rastin përvjetorit të rënjës së vëllezërve Qerimaj dhe Rexhep Kadriaj.
Afrimi dhe distanca mes Vetëvendosjes dhe LDK-së
Prishtinë, 20 qershor 2017 – Disa ditë pasi u rrëzua Qeveria e Kosovës, në fund të muajit maj, kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, deklaroi se partia e tij asesi nuk do të krijonte koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Por, Hoti nuk e përjashtoi mundësinë e krijimit të një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Është në të mirën e të gjithëve që PDK të mbetet në opozitë dhe ju sigurojë që do mbetet për një kohë të gjatë”, kishte thënë Hoti, në një deklaratë për media, derisa nuk kishte vënë vija të kuqe për VV-në.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, derisa janë numëruar mbi 99 për qind të votave – por ende nuk janë certifikuar rezultatet – LDK doli parti e tretë, dhe arriti të marrë rreth 25 për qind të votave, raporton Insajderi.
Partia e udhëhequr nga Isa Mustafa mbeti prapa Vetëvendosjes që fitojë mbi 27 për qind të votave dhe koalicion PDK-AAK-NISMA, i cili arriti të fitojë mbi 33 për qind të votave.
Pas 11 qershorit, LDK-ja ripërsëriti qëndrimin e saj.
“Koalicioni përsërit qëndrimin e palëkundur se nuk do të jetë pjesë e një koalicioni, në të cilën është PDK-ja”, thuhej në një komunikatë për media të LDK-së, një ditë pas ditës së zgjedhjeve parlamentare.
Përmes një konference, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti deklaroi se bashkimi i VV-së me LDK-në dhe partitë e tjera të vogla do të linte në opozitë partinë e Kadri Veselit.
“Ne ftojmë të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK, AKR, Alternativa, si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK, AAK dhe NISMA që janë kundër vazhdimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të klanit ‘pronto’ që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar për situatën e re politike në vend pas këtyre zgjedhjeve si dhe për programin politik të një Qeverie të re, të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Kurti.
Meqenëse LDK-ja nuk ishte deklaruar ende për kushtet e saj për partitë e tjera, u krijua ideja e afrimit mes partisë së Isa Mustafës e asaj të Visar Ymerit.
Tri ditë pas zgjedhjeve të 11 qershorit, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muharrem Sfarqa, deklaroi se partia në të cilën është nuk ka përjashtuar koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje. Por, ai ripërsëriti qëndrimin e partisë rreth “vijës së kuqe” për PDK-në.
“Ky koalicion nuk mund të bëhet në mes të disa individëve, por në kryesinë e LDK-së”, kishte deklaruar Sfarqa, në një intervistë për televizionin Tribuna Channel.
Disa ditë më vonë, të marten e 20 qershorit, themeluesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti krijoi një tjetër moment afrimi me LDK-në. Kandidati për kryeministër nga VV-ja sugjeroi LDK-në që të bashkohej në koalicion me partinë e tij.
Sipas Kurtit, mbetja në opozitë e LDK-së duke mos bashkëpunuar me VV-në do të thoshte heqje dorë nga synimi për largimin e, siç thotë ai, Klanit Pronto nga pushteti.
“Që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të mbetet në opozitë, ky nuk është opcion. Mbetja në opozitë e LDK-së dhe mosbashkëpunimi me LV-në, do të thotë thjesht se LDK-ja po heq dorë nga synimi për largimin e Klanit Pronto nga pushteti”, deklaroi sot Kurti.
E vetëm disa orë pas këtij deklarimi të Kurtit, kryetari i Lidhjes Demorkatike të Kosovës (LDK) e zbehu afrimin që po ndodhte mes dy partive, LDK-së së tij dhe VV-së. Isa mustafa deklaroi po ashtu, të martën, se LDK nuk heq dorë nga pozita e kryeministrit, përndryshe qëndron në opozitë.
“Ne mund të bisedojmë por me të gjithë do të bisedojmë vec me kusht që LDK ta ketë kryeministrin e vetë. Jo me PDK-në, me PDK-në as me kryeministër, as pa kryeministër. Me të tjerët mund të bisedojmë por që LDK të drejtor qeverisjen e vendit”, ka thënë Mustafa në emisionin Rubikon të KTV-së.
Kushti i LDK-së do të thoshte privim nga e drejta për të udhëhequr me vendin, për VV-në, synim ky që zyrtarët e lartë të VV-së e kanë bërë të qartë që pas 11 qershorit.
Kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti ka deklaruar se “VV është fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve”, dhe sipas tij kjo parti meriton të udhëheq me vendin.