Dokumentet e CIA, 13 mijë vetë u bashkuan me Sigurimin e Shtetit më 1952, rolet që kishin Kadri Hazbiu dhe Xhevdet Blloshmi, Beqir Balluku ideator i të gjitha intrigave

Dokumentet e CIA, 13 mijë vetë u bashkuan me Sigurimin e Shtetit më 1952, rolet që kishin Kadri Hazbiu dhe Xhevdet Blloshmi, Beqir Balluku ideator i të gjitha intrigave
Dalin në dritë të tjera të dhëna sa i takon situatës politike në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente të deklasifikuara nga CIA, jepet një panoramë e qartë se asaj që ndodhte aty. Sipas dokumentit, rreth 13 mijë persona pranuan të bëheshin spiunë të Sigurimit të Shtetit më 1952, ndërsa kishte shumë nga ata që drejtoheshin nga Kadri Hazbiu. Një rëndësi i jepet dhe figurave pro sovjetik, ku përmendte Beqir Balluku. Sipas CIA, ai ishte ideator i çdo intrige e përplasje në vend.

Forcat e sigurisë

Rreth 500 vetë u arrestuan dhe 86 janë ekzekutuar në grup nga autoritetet shqiptare në fund të prillit 1952. Aparati i policisë së sigurisë në Shqipëri ka rreth 13.000 njerëz dhe përbëhet nga regjimentet e Tiranës, Korçës, Shkodrës e Gjirokastrës, me degë të tjera në prefektura dhe komunitete. Ato janë të pajisura me armë automatike dhe disa mjete artilerie të tërhequra me mushka. Njerëzit e këtyre njësive raportohet të veshin rroba të mira dhe kanë ushqim të bollshëm, shumë më të mirë sesa ai në ushtri. Paga e tyre është 3.500 lekë në muaj me shpërblime për arrestime apo eliminime të anëtarëve të rezistencës. Përveç njësive të mësipërme, raportohet dhe për njësi vullnetarësh në ndihmë të policisë shtetërore, të cilat luftojnë rezistencën anti-komuniste, mbledhin inteligjencë dhe janë të gatshme për veprim në rast nevoje. Këto trupa ndihmëse kanë qenë nën drejtimin e kolonelit Kadri Hazbiu dhe raportohet të jenë organizuar në 4 brigada me nga 1000 njerëz secila. Armët e tyre janë sovjetike, çekosllovake dhe disa armë italiane. Në maj 1950 rreth 350 oficerë shqiptarë këmbësorie, 80 oficerë ajrorë dhe 45 oficerë detarë morën trajnim në Bashkimin Sovjetik.

Shënim: Nuk është e qartë nëse informacioni i referohet të dhënave të mëparshme për brigadat vullnetare të civilëve që luftojnë kundër grupeve të rezistencës. Raportohet edhe për ekzistencën e Gardës Civile të Shqipërisë me njerëz të armatosur besnikë të partisë, vetëm në rrethin e Kolonjës. Në lidhje me periudhën e rekrutimit të këtyre trupave (korrik 1950-janar 1951), kjo duket se koinçidon me një fushatë të gjerë grumbullimi të ushtarëve në Shqipëri për trajnime tre-mujore. Kjo ka gjithashtu lidhje me raportimet për krijimin e brigadave speciale të ndjekjes, që fillimisht do të krijoheshin me vullnetarë, por ata ishin shumë të paktë.

Nëntor 1949

Raportohet se më 17 tetor 1949 policia shqiptare ka vrarë në Tepelenë dy ose tre rebelë anti-komunistë të Komitetit Shqipëria e Lirë, pas një përplasjeje të shkurtër me armë. Dy nga trupat, që ishin veshur me uniforma të aleatëve, u vendosën në sheshin e Vlorës për t’ia demonstruar publikut. Mëngjesin e 19 tetorit raportohet se trakte anti-komuniste ishin vendosur në muret e Vlorës, ku i këshillonin njerëzve të rrinin të qetë dhe se për dy të vrarët do të merrej hak në kohën e duhur. Informatorët tanë thonë se kalimi i kufirit nga refugjatët për në Jugosllavi zakonisht bëhet në zonën e Taraboshit. Kushtet në Shqipëri janë shumë të vështira dhe ndihma sovjetike është kryesisht veshje, pajisje e materiale lufte por ushtrinë. Policia ushtron kontroll të ashpër mbi popullsinë dhe për të qenë në paqe me veten thuhet se anëtarët e saj janë të gatshëm të denoncojnë dhe miqtë e të afërmit e tyre, me qëllim që të mos dyshohen nga policia. Informatorët thonë se në kushte të tilla nuk do të jetë e mundur organizimi për përmbushjen e regjimit.

Nëntor 1950

Rrugë ushtarake

Ish-rruga kombëtare Vlorë-Mifol-Noveselë tashmë është e rezervuar vetëm për trafik ushtarak. Tashmë është ndërtuar dhe funksionon një rrugë jo-ushtarake që kalon nga Vlora drejt Bregu Plajer dhe më tej në perëndim në linjë të drejtë drejt Noveselës. Më pas ajo bashkohet me rrugën kombëtare në Fier. Rruga ushtarake Gjorm-Kuç ndjek bregun perëndimor të lumit Shushica duke kaluar mes fshatrave Lepenicë, Brataj e Kallarati. Më tej ajo kalon lumin me anë të një ure për të arritur në Qafa e Shalës dhe në fshatin Kuç.

Tetor 51

Vendet e Kominform raportohet se kanë vendosur të ngrenë një stacion të fuqishëm radio në Tiranë, për transmetimin e propagandës drejt Lindjes së Mesme, Afrikës veriore, Italisë e Francës. Transmetimet do të jenë kryesisht kundër politikave të SHBA ndaj vendeve perëndimore; transmetimet eksperimentale pritet të nisin në dhjetor, ndërsa ato zyrtare në janar 1952. Burimi ynë thotë se për transmetimet drejt Afrikës do të riaktivizohet radio-stacioni i Vlorës dhe transmetimet e tij do të monitorohen nga sovjetikët nga Damasku, Kairo dhe Adis Abeba. Organizata e radio-transmetimeve drejtohet nga një inxhinier gjerman i quajtur Jungman, dhe një inxhinier sovjetik i quajtur Petrov, drejtori i programacionit do të jetë zyrtari polak i Kominform, Stefan Novak. Në projekt do të punojnë inxhinierë gjermanë, sovjetikë, polakë dhe çekë.

Koment: Në një tjetër version të informacionit, tregohet mundësia e krijimit të më shumë se 1 radio-stacioneve. Interesant është fakti se në transmetimet shqiptare të 10 tetorit 1951 janë njoftuar vende të lira pune për folës të gjuhëve gjermane, arabe e spanjolle.

Shkurt 51

Si rezultat i thatësirës së fundit, të korrat e drithërave do të furnizojnë vendin vetëm për tre muaj, në vend të gjashtë apo shtatë muajve në kushte normale. Marrëveshja tregtare me Rumaninë e nënshkruar në tetor 1950 parashikon importin e drithërave rumune në këmbim të lëkurëve dhe leshit. Këto drithëra kanë si destinacion popullsinë civile, ndërsa për ushtrinë drithërat do të dërgohet nga Bashkimi Sovjetik. Në dhjetor katër anije sovjetike dhe dy rumune arritën në portin e Durrësit, të cilat shkarkuan ngarkesa drithi me destinacion popullsinë civile dhe ushtrinë.

Përdorimi i dollarëve amerikanë në dyqanet shtetërore. Prej disa kohësh në disa dyqane shtetërore në Shqipëri po shiten mallra dhe ushqim kundrejt pagesave në dollarë. Në fillim të shkurtit 1951 një refugjat shqiptar në Romë mori një telegram nga të afërmit në Shqipëri që i kërkonin dollarë për të blerë ushqim. Ka zhurma se me këtë, liderët komunistë po përpiqen të mbledhin valutë të huaj për veten e tyre, në rast se duhet të largohen nga vendi.

Të dhëna biografike të figurave sovjetike dhe pro-sovjetike

Beqir Balluku: Këshilltari kryesor ushtarak i Enver Hoxhë, komandant i ushtrisë së Shqipërisë. Ai raportohet gjithashtu se është organizatori i të gjitha aktivitetet dhe intrigat e vendeve të Kominform në lidhje me personelin ushtarak. Balluku thuhet se ka vizituar disa herë Moskën dhe ka diskutuar me përfaqësues ushtarakë të vendeve satelite mbi luftën e guerrilasve komunistë në Greqi dhe në Jugosllavi.

Lesnikov: Admiral i flotës sovjetike, specialist i mbrojtjes bregdetare dhe porteve. Lesnikov ka qenë në Shqipëri që prej fillimit të 1949, duke mbikëqyrur ndërtimet e fortifikimeve bregdetare. Ka qenë ai që ka sugjeruar ngritjen e fortifikimeve në ishullin e Sazanit dhe ka hartuar planin për sistemin e frunizimit të nëndetëseve dhe transportin e materialeve për guerrilasit komunistë në Peloponez. Ky i fundit nuk u realizua kurrë. Ai besohet të jetë një specialist i Adriatikut dhe ka një rrjet për mbledhjen e informacionit ushtarak të Mesdheut.

Mitsenov: Kolonel i ushtrisë sovjetike, i dërguar fillimisht në Jugosllavi për të ndihmuar me riorganizimin e ushtrisë atje. Në korrik 1948, Mitsenov tentoi të hynte në një zonë të kontrolluar nga guerilasit grekë pranë kufirit Greqi-Jugosllavi, por u kthye me forcë dhe u dorëzua në Beograd nga autoritetet jugosllave. Mitsenov u largua në Hungari dhe më pas për në Shqipëri gjatë kohës që qytetarët rusë në Jugosllavi ishin vënë nën mbikëqyrje. Ai besohet se drejton operacionet e byrosë së Ballkanit, të ushtrisë sovjetike.

Artimov: Kolonel i forcave ajrore, ka qenë përgjegjës për transportin e materialeve nga Hungaria për guerilasit grekë. Bashkëpunëtorët e tij grekë ishin oficerët gueril Tsirinokos dhe Gigopulos, rreth 20 njerëz të forcave ajrore që ishin larguar më parë nga Greqia, si dhe majori polak Natuzak, nip i atasheut ushtarak polak në Paris.

Prodhimi bujqësor, standardet ekonomike

Tetor 1952, Zëri i Popullit

Më 8 shkurt 1949 qeveria e Tiranës kaloi rezolutën e mëposhtme: Të inkurajohet rritja e prodhimit të perimeve nga institucionet ekonomike dhe ato shtetërore dhe të mundësohet rritja e furnizimit nga kooperativat për popullatën urbane. Këshilli i Ministrave ka vendosur që kooperativat e furnizimit dhe shitjes të ndalojnë dhënien e produkteve ushqimore për ndërmarrjet apo institutet që kanë tokë dhe nuk e shfrytëzojnë. Në vitin 1950 shumë ndërmarrje industriale u organizuan për mbështetjen e këtij plani. Ndërmarrja Muhamet Gjollesha u dha punonjësve të saj perime me çmim më të ulët sesa ata të afruara nga kooperativat. Fermat shtetërore Ylli i Kuq në Kamëz, ferma 8 Nëntori në Sukth dhe ferma Çlirimi në Fier reaguan mirë ndaj urdhrit. Por gjithsesi aktualisht interesi është i vogël në furnizimin e punëtorëve me ushqime më të mira.

Plan i vitit 1952 bën thirrje për furnizim më të mirë dhe më të lirë për punëtorët e fermerët. Zonat e Korçës e Peshkopisë kanë prodhuar sasi të mëdha patatesh që arrijnë deri në 500 kuintalë, dhe gjithashtu prodhime të bollshme në domate, spinaq, lakër, okër, qepë fasule e bizele. Metoda moderne bujqësore janë përdorur si në mbjelljen dhe në kujdesin ndaj bimëve. Për shembull, bujku progresiv Abedin Sirdani ka rritur 700 kuintalë spinaq nga një hektar, që do të thotë se kujdesi mund të jetë shumë i leverdisshëm. Shumë zona të tjera në Shqipëri si Berati, Gjirokastra dhe Fieri mund të japin prodhim perimesh tre ose katër herë në vit. Rajoni pjellor i Myzeqesë mund të japë prodhime të mëdha, por fermerët nuk janë përpjekur për rritjen e prodhimit.

Kultivimi i patateve është kryer thuajse në të gjithë Shqipërinë, por më u përhapur është në rajonet me të ftohta si ato malore. Në zonat e Devollit, Peshkopisë e Përmetit, metodat e reja të bujqësisë kanë dhënë një prodhim prej 200-500 kuintalë për hektar. Në rajonet qendrore deh bregdetare, prej nxehtësisë së madhe dhe thatësirës, kultivimi ka dhënë rreth 20-50 kuintalë për hektar, prandaj kultivimi i patates kryesisht është braktisur në këto rajone. Një situatë e ngjashme ka ekzistuar prej 18 vjetësh në zonat e ngrohta të Ukrainës, ku patatet janë dëmtuar ose degjeneruar. Shkencëtari sovjetik Lisenko ka treguar se temperaturat e larta kanë dëmtuar zhvillimin e rrënjës së patates prej ngrohtësisë së tokës. Prandaj ai propozoi mbjelljen në korrik që formimi i rrënjës të niste 60-70 ditë pas mbjelljes, që do të ndodhte në muajt e freskët të tetorit e nëntorit. Kushtet e nevojshme për rritjen e patates ndryshojnë në zona të ndryshme të Shqipërisë, prandaj teknikat e kultivimit duhet të ndryshojnë sipas tyre. Për lulëzimin e patates temperatura duhet të jetë rreth 7 gradë në thellësinë 10 cm. Nëse temperatura është më e lartë ndalohet zhvillimi i zhardhokëve. Metoda e re sovjetike në mbjellje sipas temperaturës është testuar në disa mjedise bujqësore.

Agjentët e rekrutuar

Objektivat e inteligjencës janë caktuar nga Uashingtoni, duke përfshirë dhe informacionin e dëshiruar mbi grupet e rezistencës, kushtet e brendshme politike dhe instilacionet ushtarake të mbrojtjes. Plani ka hyrë në fazën operacionale në shkurt 1949, kur katër agjentë në dy grupe me mjete të veçanta radio, u lëshuan në kushte perfekte të motit në pikën e dëshiruar të Serrisht, në Mirditë. Agjentët ishin Alush Lleshakanu e Xhevdet Bloshmi të grupit të parë, dhe Ndue Gjonmarkaj e Ndue Mlyshi në grupin e dytë. Shyqyri Biçaku dhe Kolë Çuni ishin pjesë e grupit të dytë mbështetës, por po mbahen në rezervë për arsye shëndeti të keq. Ende nuk është vendosur kontakt radio me dy grupet e para. Një fluturim në kushte të mira moti u krye mbi Shqipëri natën e 12 prillit, por nuk u vërejt asnjë sinjal në zonën e caktuar, sipas planit paraprak. Më 24 prill, Ismail Vërlaci mori një kabllogram komercial nga Kastoriaja në Greqi, të nënshkruar nga Lleshanaku, ku thuhej se ai dhe Blloshmi kishin arritur mirë në Kastoria. Më 28 prill, ai mori telegramin se dy agjentët kishin arritur në Athinë, ku menjëherë u vunë në kontakt me qendrën tonë atje për dhënie të informacioneve.

Ndërhyrja nga fqinjët

Gjatë veprimeve të revolucionit forcat e stërvitura prej rreth 4000 shqiptarësh që pretendohet se ekziston në Jugosllavi dhe forcat ushtarake të Greqisë e Jugosllavisë duhet të qëndrojnë të gatshme për asistencë nëse lind nevoja. Forcat greke dhe jugosllave duhet të tërhiqen menjëherë prapa kufijve të tyre sapo revolucioni të ketë shpallur suksesin. Flota e gjashtë amerikane do të bëjë manovra në detin Adriatik e Jon gjatë revolucionit, për të mbuluar zbarkimet amfibe dhe për të ndihmuar revolucionarët në rast nevoje. Ajo nuk do të ketë një rol aktiv nëse nuk thërritet për këtë. Flota do të mbetet në zonë për disa javë për të shkurajuar dhe parandaluar veprime antagoniste nga Bashkimi Sovjetik apo satelitët e tij. Të organizohen zgjedhje të lira për qeverinë demokratike. Teksa shumë nga rekomandimet individuale në paragrafët e mësipërm mund të mos jenë të nevojshëm, është me rëndësi të kërkohet neutraliteti miqësor i Italisë, Greqisë e Jugosllavisë për përmbysjen e qeverisë shqiptare, në mos bashkëpunimi i tyre aktiv.

Trajnimet në Gjermani

Grupet e vlerësimit të CIA kanë analizuar më shumë se 200 individë në Kompaninë e Gardës në Gjermani dhe kanë zgjedhur 66 prej tyre si më të kualifikuar për operacione. Strukturat ekzistuese për trajnimin e agjentëve në Gjermani janë tashmë, pas kompletimit të trajnimit për agjentët bullgarë, të gatshme për stërvitjen e agjentëve shqiptarë. Trajnimi i operatorëve radio do të bëhet në kohë për të furnizuar operacionet e fundit të verës. Kontraktorët tanë kanë marrë një tjetër qendër stërvitjeje në Gjermani, përveç asaj në Hambuechen dhe është më efektive sesa qendra jonë e parë atje. Kampi i refugjatëve shqiptarë në Lavrion në Greqi është analizuar nga Partia e Legalitetit dhe është hartuar një listë prej 117 shqiptarësh që mund të shërbejnë si agjentë, të cilët aktualisht po u zbardhen të dhënat nga grupet e sigurisë. Një broshurë në lidhje me episodin e bombës është hartuar në Londër prej 8 prillit, por nuk është lëshuar mbi Shqipëri për arsye të masës së ndalimit të vendosur nga Departamenti i Shtetit. Por gjithsesi misioni i furnizimit u lejua të lëshonte 50.000 kopje të kësaj broshure në disa lokalitete si instrument mashtrimi. 500.000 kopje të broshurës që njofton nisjen e transmetimeve klandestine radio kanë mbërritur në Athinë, duke u bërë në total 1.500.000 broshura që do të shpërndahen me heqjen masës së ndalimit në 3 qershor 1951.

http://www.pamfleti.com

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)