François-Marie Arouet - Volteri për Skënderbeun



-



Më 21 nëntor 1694, lindi François-Marie Arouet, emri i penës, Volter; përfaqësues kryesor i Iluminizmit, shkrimtar, historian, filozof jashtë filozofisë konvencionale, i njohur për satirën, kritikën ndaj fesë si institucion, përkrahës i tolerancës fetare dhe për ndarjen e kishës nga shteti, shkrimtar me dhunti të shumta, duke prodhuar vepra në pothuajse çdo formë letrare: dramë, poezi, roman, ese, vepra historike e shkencore.

auto_scanderbeg_painting_by_albanian_in_2006_by_eduartinehistorise-d74rwnx1479848054

Ai shkroi më shumë se 20 mijë letra dhe mbi 2 mijë libra dhe pamflete. Volteri ishte mbrojtës i hapur i lirisë së shprehjes, përkundër pasojave nga ligjet dhe censura e rreptë e kohës. Për shkrimet e tij satirike, ai shpesh u dënua me burgim ose mërgim. Volteri ishte kritik i ashpër i traditës fetare, që pengon lirinë individuale të besimit – por ai nuk thoshte se ishte kundër idesë së një qenie supreme. Volteri arsyeton se ekzistenca e Zotit nuk është çështje besimi, por arsyeje, dhe se të gjithë njerëzit janë vëllezër, ndërsa janë krijesa të njëjta nga i njëjti Zot. Sa për skllavërinë, Volteri e kritikoi ashpër, por në anën tjetër, u përpoq të shpjegojë se racat e ndryshme kishin origjina të veçanta prandaj nuk mund të ishin të njëjta ose të barabarta. Volteri shpesh është akuzuar për anti-semitizëm edhe pse shumica e kritikave të tij në fakt i drejtohen Biblës, dhe jo Judaizmit në veçanti. Volteri gjithashtu shkroi drama, prozë dhe poezi. Kandidi është puna e tij më e famshme në prozë, ku ai kritikon filozofinë e Gottfried Ëilhelm Leibnizit mbi optimizmin metafizik nëpërmjet naivitetit të Kandidit, personazhi kryesor, i cili pas përjetimit të një fatkeqësie, refuzon të jetë optimist pa patur arsye për të qenë i tillë.

Duke shkruar për historinë, Volteri sfidoi konceptin mbizotërues të kohës së tij, se historiografia duhej të merrej me ngjarjet e mëdha politike, ushtarake dhe diplomatike; Volteri thotë se theksi duhet vënë në kulturë, art, shkencë, zakone dhe u përpoq për të shkruar një histori të botës mbi këto baza.

Kjo vihet re edhe në “Ese mbi edukatën dhe shpirtin e kombeve” lidhur me heroin kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbe, për të cilin Volteri shprehet me konsideratat më të larta, duke thënë se nëse perandorët bizantinë do të kishin vepruar si Skënderbeu, rënia e Kostandinopojës nuk do të kishte ndodhur. Në esenë e tij, Volteri analizon rezistencën çerek shekullore të shqiptarëve kundër perandorisë osmane; dhe argumenton se faktorët themelorë të fitoreve të Skënderbeut janë dy; 1) shqiptarët janë popull luftarak. 2) Shqipëria është vend malor dhe se mos-përulja është veçori e banorëve të maleve.

KAPITULLI PËR SKENDERBEUN

Një luftëtar tjetër i famshëm, të cilin nuk di si ta quaj, osmanli apo të krishterë, pengoi përparimin e Muratit dhe prej kohësh u bë ledhi i të krishterëve kundër fitoreve të Muhametit II: flas për Skënderbeun, lindur në Shqipëri, pjesë e Epirit, vend i shquar që nga kohët e quajtura heroike, dhe nga kohët vërtet historike Romake.

Emri i tij ishte Jean (Gjergj) Kastriot.

Ishte djali i një despoti, ose i një princi të këtij vendi, domethënë i një princi vasal; sepse fjalë për fjalë despot do të thotë zot shtëpie; madje është paksa e habitshme, se si kjo fjalë prej kohësh e ndryshoi kuptimin në despotik, ç’ka u vishet sundimtarëve që bëhen absolutë.

Gjergj Kastrioti ishte ende fëmijë kur Murati, shumë kohë përpara betejës së Varnës për të cilën do të flas, u mor prej Shqipërisë pas vdekjes së atit të tij Kastriot.

Ai e rriti këtë fëmijë, i vetmi që mbeti nga katër vëllezërit. Burimet turke nuk thonë asgjë që këta katër princër u therorizuan prej Muratit për hakmarrje.

Nuk është për t’u habitur që mizori të tilla ishin në karakterin e një sulltani që abdikoi dy herë kurorën dhe nuk ka të ngjarë që Murati t’i kushtonte dhembshuri dhe besimin e tij atij për të cilin ushqente një mëri të paqetësueshme. Ai e sajdiste atë dhe e mbante pranë tij gjatë betejave.

Gjergj Kastrioti u dallua aq tepër sa sulltani dhe jeniçerët i dhanë emrin Scanderbeg, që do të thotë Aleksandri i Madh, (le seigneur Alexander).

Së fundi miqësia fitoi mbi politikën. Murati i besoi komandën e një ushtrie kundër despotit të Serbisë, që ishte radhitur me të krishterët duke i shpallur luftë sulltanit, dhëndrit të tij; kjo përpara abdikimit të tij.

Skënderbeu që në atë kohë s’ishte veçse njëzetvjeçar, sheshoi planin të mos kishte më zot mbi kokë dhe të mbretëronte. Qëlloi të kalonte pranë fushimit të tij sekretari që mbante vulën e sulltanit.

Ai e ndaloi, i vuri hekurat dhe e shtrëngoi të shkruante e të vuloste një urdhër për sundimtarin e Krujës, kryeqytet i Epirit, që t’ia dorëzonte qytetin dhe kështjellën Skënderbeut. Pasi siguroi urdhrin, e vrau sekretarin dhe suitën e tij.

Më 1443 marshoi mbi Krujë, sundimtari ia lëshoi postin pa vështirësi. Po atë natë ai u tha trupave shqiptare me të cilët mbante lidhje të fshehta, të afroheshin. Sundimtarin dhe garnizonin e theri. Me luftëtarët e vet ai e fitoi gjithë Shqipërinë.

Shqiptarët mbahen si luftëtarët më të mirë të këtij vendi.

Skënderbeu i udhëhoqi me zotësi dhe diti të krijonte avantazhe nga terreni i thyer dhe malor, aq sa me pak trupa ia doli të ndalonte çdo herë ushtritë e shumta turke. Myslimanët e shihnin si besëthyes; të krishterët e adhuronin si hero, i cili duke mashtruar armiqtë dhe zotërit e tij, rimori kurorën e babait të vet, ç’ka e meritoi me guximin e tij. Po ta kishte mbrojtur Skënderbeu Kostandinopojë, rënia e saj nuk do të kishte ndodhur.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)