2017-08-17

Ti hajn i Atdheut

Image result for elida buçpapaj


Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ


Ti hajn i Atdheut
na e vodhe Atdheun
me gjithë çatinë e qiellit e llampat e yjve mbi të
e tash retë e mallit derdhin rrebeshe rebelimi

Ti hajn i Atdheut
na bëre ta presim agimin
aty ku nuk na njeh as guri, as druri, as dielli e hëna

Ti hajn i Atdheut
na i vodhe jetët tona
trupëzimin e zakonshëm
të bijëve me Atin
që mbjell e rrit farën

pavarësisht kësaj,
Atdheu jemi ne
pa ne 3 milionë të ikurit
Atdheu është pa sy e gjymtyrë
pa ne 3 milionë të dëbuarit
Atdheu s’ka si të jetë Atdheu

Ti hajn i Atdheut
që ia këpute krahët
e ia thave shpirtin
që e le Atdheun me sytë nga rrugët
deti e qiejtë
që i kthejnë bijtë si turistë

bijtë e Atdheut nuk janë turistë
ata janë kocka dhe zemra e Atdheut
Atdheu pa ata
asht Atdhe i hajnave
jo i shqiponjave
ne jemi shqiponjat
kemi dy krena
lindur prej ankthit e mallit mbërthyer
që e jetojmë ndarjen me Atdheun
si nëpër balada
jemi edhe atje
edhe këtu
edhe këtu edhe atje
njëkohshëm

Ti hajn i Atdheut
që i ke mbushur xhepat
me qiellin e shqiptarëve,
me detin dhe rërën e shqiptarëve,
me pyjet dhe me ajrin e shqiptarëve,
sidomos me kohën e shqiptarëve
të ikur sa më larg lukunisë të hajnisë,
kuçedrës me shtatë krerë
që ua ka hajnuar
jetën shqiptarëve
brenda dhe jashtë Atdheut

Ti hajn i Atdheut
që na e vodhe detin tonë, tokën tonë, ajrin tonë, frymën tonë,
e na detyrove të marrim ikën nga Atdheu
që na detyrove t’i lindim e rrisim fëmijët larg Atdheut
që na detyrove t’u mbetemi borxh fëmijëve Atdheun
ti llum i Atdheut
ti fundurrinë e Atdheut
ti mallkim i Atdheut
të zëntë përfund
pesha e mallit e shqiptarëve që i dëbove nga Atdheu
të djegtë e shkrumboftë zjarri i mallit i shqiptarëve
që ti ua hajnove Atdheun

ti hajn i Atdheut
mos prit të të falim,
të të mëshirojmë
ne bijtë e vërtetë të Atdheut
harrikanët e dëbuar për t’u harruar
që ti hajn i Atdheut na urren
sepse ne pranuam ikjen
por kurrë jo
që ta rripnim,
ta lëndonim e hajnonim Atdheun
ti që je llumi
ne që jemi drita

Ti hajn i Atdheut
mos bë sikur s’na njeh
mos i përdor prostitutat debile
të injorimit
sepse ne jemi fytyra dhe shpirti i pastër i Atdheut

Ti hajn i Atdheut
Atdheu është yni me gjithçka që ka
edhe kur jemi ikur prej tij

ikja e largimi na e shton ethen e kthimit
sepse rrënjët tona shtrihen si rrënjët e lisit mitik
në gjithë trupin e Atdheut
ato na mbajnë të lidhur me Atdheun
rrënjët tona
ti hajn i Atdheut nuk i hajnon dot

sepse po t’i prekësh me kthetrat e tua të zeza
ato kthehen në gjarpërinjtë e shenjtë që na i ruajnë e mbrojnë themelet
e ty hajn i Atdheut të lidhen pas qafës

as dashurinë për Atdheun
ti hajn i Atdheut nuk e prek dot
dashuria nuk është para e pistë
sikur je ti i pistë
dashuria e Atdheut
as nuk shitet apo blihet

dashuria për Atdheun
që ti nuk do ta njohësh dot kurrë
eshtë supreme
dhunti veç për bijtë e vërtetë të Atdheut

dashuria dhe malli jonë
për Atdheun
i ngjan shkëmbijve të Alpeve
është e kahershme, e kahmotshme,

dashuria jonë për Atdheun
është e plotfuqishme,
është pasuria jonë e patundëshme
që ka peshën e Atdheut

askush nuk na e ndalon dot
ta duam Atdheun
të jemi pjesë e Atdheut
kudoqofshim
kësaj apo asaj bote
aq më pak ti hajn i Atdheut
që nuk do ta njohësh dot kurrë këtë ndjenjë hyjnore
se çfarë do të thotë të duash Atdheun!

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...