Rrëfimi/ Korrik 1990
Lavdosh Beqo, nga Vlora, të cilin kur e dënuan qe përfshirë në “Grupin e gjimnazit Ali Demi”, ishte 17 vjeç dhe bëhet fjalë për vitin 1950. Atë vit të arrestimit të tij, ishin lëshuar provokacionet greke apo hedhjet e bandave të diversantëve, kështu dhe këta djem të rinj krijuan “aktivitetin” e tyre duke shpërndarë trakte derisa u zbuluan, u arrestuan dhe më pas u dënuan. Beqo u dënua me 18 vjet heqje lirie.
I vendosur fillimisht në kampin e Maliqit, ja çfarë kujton Beqo: “ajo që ishte më interesante në atë kamp, pa llogaritur punën e tmerrshme në ujë deri në gjoks, pa llogaritur urinë, ishin policët e brendshëm. Pra në kamp kishte dy kategori policësh: të jashtëm dhe të brendshëm, megjithëse ne, nga puna në kamp, ktheheshim kur perëndonte dielli. Në atë kamp kishin sjellë edhe një kriminel që kishte qenë oficer madhor, me luftën, por kishte bërë një vrasje e s’kishin si t’ia bënin, dhe e dënuan dhe e prunë aty. Ai ishte komunist, quhej Hamdi Lemo. Në kamp ndihmonte policinë. Më kujtohet fare mirë, në kazermë, kur përdorte një shkop, të cilit i kishte vënë gozhdë në fund. Një mëngjes na zgjonte që në katër të mëngjesit, kur ishim të vdekur, dhe ai na qëllonte me të sa mundej. E ka qëlluar aq fort në kupë të gjurit Balto Vlashin nga Durrësi, aq sa e la sakat. Polici i brendshëm që quhej Njazi Sala, ishte i çmendur. I çmendur me plot kuptimin e fjalës. Mendoje që një i çmendur trajtonte 1500 të burgosur. Një polic tjetër i binte bilbilit që të zgjoheshim…kur ky Njaziu futej në kazermë e na qëllonte barbarisht. Më ka qëlluar njëherë në këmbën e djathtë sa nuk u thye, prej saj edhe sot unë mezi eci.”
Në këtë burg ai ka rrëfimet më të gjata, duke kujtuar personalitetet shqiptare të persekutuara, intelektualë e priftërinj. Në këtë rast ai kujton dënimin e Dom Shtjefën Kurtit duke treguar nga rastet e rralla se si u vinte vdekja atyre që kishin marrë dënimin kapital, me heqjen e jetës. Ja si sjell në memorie këtë personazh: “Komunistët ndiqnin një taktikë: pasi të kishin arrestuar, të kishin torturuar, të kishin dënuar, në fund të thoshin: Na thuaj fjalën e fundit. Ç’ishte kjo fjalë e fundit? Sigurisht të dënuarve me vdekje u dhimbsej jeta. Por, ata e kishin bërë zakon: ia kërkonin kujtdo këtë. Dhe po të thoshe kërkoj mëshirë, ti e kishë pranuar automatikisht fajin. Disa nganjëherë tregoheshin të dobët, dhe e kërkonin mëshirën. Të njëjtën gjë bënë edhe me Dom Shtjefën Kurtin- I kërkuan fjalën e fundit. Ai u ngrit e tha: “Zotëri, unë e falënderoj Zotin që më thërret pranë vetes së tij, pikërisht nga kjo sallë e nga kjo kishë, që unë e kam ndërtuar bashkë me këta që keni mbledhur këtu, e ku unë kam shërbyer”. Dhe u ul. Nuk është aq e lehtë ta bësh këtë.. Nuk e di nëse do e kisha bërë unë, po të isha në vendin e tij…”
***
Por çfarë ndodhi? Për fat të mirë, duke bredhur nëpër Tiranë, pashë që ne na mungonin dy nga shokët tanë, që kishin ardhur edhe ata nga Vlora. Pyeta për ta dhe më treguan që “kanë ikur me aeroplan”, Si kanë ikur”? –pyeta unë i habitur. Po shesin bileta pa vizë, -më thanë.
Unë njihja një kameriere që punonte në një ëmbëltore që quhej “Besa” më dukej, që ndodhej m’u afër vendit ku shiteshin biletat, dhe shkova e takova, me një shokun tim. Ajo shkoi e foli me drejtorin, dhe drejtori më tha: “Rroni në rresht që të prisni biletën”. Ne ndenjëm në radhë dhe premë biletën. Por kishte një kusht: që po të kthenin, këta nuk mbanin përgjegjësi. Dhe pas dy orëve duhet të niseshim prej atyre të shkonim në Rinas. Ika me vrap të takoja nënën…Këtë herë e kisha lejen e nënës dhe të motrës për të ikur, sepse kam pasur edhe raste të tjera të sigurta, por, që ato të dyja nuk donin, sepse e dinin që do t’i kthenin prapë në internim.
Shkuam me autobus në aeroport, dhe bashkë me në erdhën edhe dy djem tiranas, me të cilët kisha shumë muhabet dhe të cilët më kishin kërkuar që t’i ndihmoja kur të mbërrinin atje, në Francë….
…..Pasi ndenjëm 15 ditë në atë hotel, na çuan në një qendër, ku këta që kishin marrë azilin politik, mund të bënin komplet, dhe prej aty shpërndaheshin. Mua me këtë shokun, na mbajtën në Paris; na çuan në një hotel tjetër, një hotel shumë të mirë dhe na dhanë nga një dhomë secilit. Kemi ndenjur dy vjet atje. Pas dy vjetësh drejtoresha na tha: Nuk na japin më fonde për ju. Meqë kam përshtypje shumë të mira jam interesuar, që t’ju çoj në një nga azilet më të mira që ka Franca. Për fat të mirë, ata kanë pranuar t’ju marrin. Unë i thashë: Mirë ky (për shokun tim) që është i moshuar, por unë, nuk kam mbushur akoma gjashtëdhjetë vjetët”. Atëherë ajo tha: Do ta rregulloj unë punën tënde.
Të nesërmen, po më priste në kafe dhe ikëm të dy. Ai përpara unë mbrapa, nëpër Paris, që ishte një botë tjetër. Përfundimisht, ai më çoi në zyrën ku jepeshin pensionet. Ky i njohuri im, me sa duket, e njihte atë zonjën që ishte shefe aty. Dhe ajo e pyeti: pse jeni munduar?. Kam një mik shqiptar për pension – e sqaroi ai. Ajo më pa mua, dhe dalloi se isha i ri akoma për pension 58 vjeç. Po mirë e ka mbushur moshën ky, e pyeti. Jo, nuk e ka mbushur. Është emigrant politik, por ka këtë – i tha dhe i dha raportin në dorë asaj zonjës. Ajo e mori dhe e pa. Atje ishte shkruar: ky ka bërë 20 vjet burg dhe është i paaftë për punë. E vuri letrën mbi tavolinë (e kam parasysh si sot) i vuri menjëherë firmën, vulën dhe m’u drejtua mua. “Keni librezë banke”? Nxora dhe i dhashë librezën. E mori numrin e librezës dhe më tha: Ik se do të të vijë pensioni në shtëpi. Pra, vendosi aty për aty; nuk më kaloi fare në komision. Prej asaj dite, mua më filloi pensioni. Bile, dhe sot e kësaj dite, e kam ruajtur atë librezën e parë.
Si mendoni ju pse e lejoi Ramiz Alia ikjen tuaj dhe shumë të tjerëve në atë kohë?
Unë kam të plotë deklaratën e bërë nga Ramiz Alia. Kam ndjekur me vëmendje, edhe lëvizjen e studentëve këtu në Shqipëri. Dhe më ka bërë përshtypje, jo ajo që shfaqin këtu, por ajo që kam parë në Francë, sepse disa nga ata të nomenklaturës kanë sjellë atje gazetat që i kanë mbajtur të fshehta dhe në atë gazetë që kam parë unë atje, në lidhje me mbledhjen që ka bërë Ramiz Alia me studentët, një natë, njëra nga vajzat student të grevës, në momentin që po dilnim i hodhi dorën në qafë Ramizit dhe i tha: “Ne nuk jemi me ata reaksionarët. Ne jemi me partinë. Por duam ca kushte të tjera. Pra bëhej fjalë për kushte ekonomike, dhe jo për kushte politike. Dhe me ngeli peng që nuk e mora vesh, se kush ishte ajo vajzë. Por, nuk kam ndërmend të merrem me këtë temë më, sepse kam vuajtur në atë vend që përputhet me idealet e mia. Cili ishte qëllimi? Këto punë nuk është se ndodhën atë ditë. Më kujtohet një zviceran që unë e kam njohur rastësisht, në një familje angleze, i cili kur i thashë që kam ikur nga Shqipëria, më tha: Ke bërë shumë mirë. Në atë vend, çështjet do të jenë shumë të komplikuara. Ai më tha që përveç marrëveshjes së Jaltës, është bërë edhe një marrëveshje tjetër në Maltë, midis Rusisë dhe Amerikës, ku SHBA ka pranuar që rusët të tërhiqen nga Europa Lindore, por me kusht, që në këto vende, do të vinin vetëm qeverisja të majta. Kjo është kontrata.
Ramiz Alia kur deklaronte që ne nuk jemi Evropa Lindore d.m.th. nuk jemi si Rumania, se s’kemi punë me ta, kishte gjashtë a shtatë muaj që kishte marrë urdhër: “bëj përgatitjet për ta dorëzuar!
Nga kush?
Nga ruset. Nga kush tjetër?! Sepse rusët e kishin bërë marrëveshjen. Edhe Nexhmije Hoxha kështu tha, kur e pyeti ky gazetari francez. “Mirë moj motër, – i tha francezi, i keni pasur armiq, dhe i internuat. Po me fëmijët ç’patët?
“Jo, i tha Nexhmija, – nuk i kemi internuar fëmijët.
“Po si nuk i keni internuar?!! Ti i internojë babanë, dhe nënën dhe i merrje edhe shtëpinë. Ku do të rrinin fëmijët?
Ajo s’u përgjigj dot.
Më në fund i tha: Ne kemi vepruar ashtu si gjithë porositë e tjera. Ne njëlloj i merrnim urdhrat nga Rusia.
Tamam kështu tha Nexhmije Hoxha?
Po po, këtë e tha hapur. Bile, jo vetëm një herë. E tha disa herë në disa raste. Ata e parashikuan këtë që po ndodh sot. Jo se ishin të mençur. Dhe asgjësimin e grupeve të diversantëve nuk e bënë vetëm komunistet shqiptarë, po e bënë me ndihmën e KGB-së. Ishte KGB që i lajmëronte me saktësi, disa ditë para se të hidheshin me kuadrate se ku do të ndodheshin dhe këta i asgjësonin pa vënë këmbët në tokë akoma. Dhe ikja jonë, si edhe me eksodet masive, bënte të mundur të largoheshin njerëz që kanë një farë influence, që më në fund, pushteti të ishte i qetë në duart e tyre.